Postuar më: 29/06/2020

Denaj në Korcë: Të kontribuojmë të gjithë në ringritjen e ekonomisë

 

Ministrja e Financave  dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Korcës,  Sotiraq Filo,  ku diskutoi mbi masat e marra  nga Qeveria  në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve, për të përballuar efektet e pandemisë Covid 19.

Gjatë këtij takimi Ministrja  theksoi se si biznesi i madh mund të ndihmohet me  incentivat  që  po kordinohen edhe me planin e rimëkëmbjes. Aktualisht në Korçë janë 4.500 biznese dhe mbi 10.000 qytetarë, të cilët janë përfitues të paketave 1 edhe 2.

“Ato janë politika ekonomike të cilat ndërthurin garancitë, por edhe 2 skemat e garancisë: Garancia e parë sovrane, e cila deri më tani është përdorur mbi 50% dhe garancia e dytë sovrane, ku të dyja së bashku me një shumë totale rreth 220 milionë euro që janë në ndihmë të biznesit të madh. Sigurisht, kjo ndihmë është hua dhe unë e di qasjen e bizneseve që huaja nuk është e vetmja ndihmë, por në këtë moment nevoja për likuiditet adresohet shumë mirë prej tyre”, u shpreh Ministrja.

Ministrja bëri me dije se  ndërkohë  është duke u  punuar për skemat e rritjes së punësimit, kombinimin e granteve me garancitë, në mënyrë që çdo ndihmë për biznesin e madh të shkoj paralelisht me një përfitueshmëri, e cila do të jetë e lidhur me automatizimin dhe digjitalizimin e industrive përkatëse, ashtu edhe me rritjen e punësimit. “Këto janë procese të cilat nuk ndodhin brenda një muaji apo një jave, por ndarja e qasjeve që kemi si pushtet qendror me objektivat e pushtetit vendor”,  tha Denaj.

 

 

Gjithashtu Ministrja informoi  se janë 5 institucione në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë që jane futur në shërbimin online, me synimin që deri në fund të vitit 94% të të gjithë shërbimeve të ndodhin nëpërmjet sportelit virtual.

“”Pandemia na tregoi akoma më shumë sesa e nevojshme është marrëdhënia me industrinë digjitale të mos na trëmbi dhe të ri-organizojmë marrëdhëniet edhe përtej pandemisë. Ne nuk shikojmë vetëm aftësinë e kohës për të dhënë një shërbim. Shumica e sporteleve të ISSH-së në Tiranë, kanë pasur prej kohës radha të gjata dhe individë të moshuar të cilët prisnin prej dy orësh, kur këtë shërbim ne duam që të ndodhë ndryshe. Shërbimi më i rëndësishëm nuk është vetëm pritja e reduktuar, por fakti që 2/3 e dokumentacionit që është brenda shërbimit online, janë dokumenta që janë brenda administratës publike dhe nuk mundet që një qytetar, qoftë ai i një moshe të caktuar, të presi dy orë në sportele sepse shërbimi qytetar fillon dhe krijon problematikën e kostos së kohës, për biznesin kjo është kosto e drejtpërdrejtë”, tha Ministrja .

Ministrja rikonfirmoi se nuk  ka akoma një paketë të tretë ndihme, por një  zgjerim të paketës së dytë, pasi ekonomia u hap prej datës 18 maj  dhe  fokusi  tashmë është në politika të organizuara dhe të kordinuara mes të dy qeverive, duke parë përpara rimëkëmbjen dhe ringritjen e ekonomisë.