Postuar më: 27/09/2019

Denaj në Grupin e Menaxhimit të Politikave të Integruara: Politika qeverisëse për nxitjen e punësimit, formimit profesional dhe reduktimin e varfërisë

Qeveria Shqiptare prej pesë vitesh ka nisur procesin e zbatimit të një qasjeje sektoriale për Punësimin, Aftësimin dhe Politikat Sociale dhe në këtë kuadër, një rol të rëndësishëm ka luajtuar dhe Grupi i Menaxhimit të Politikave të Integruara (GMIP), i cili trajton çështje që lidhen me punësimin, aftësitë dhe ato sociale.

Në takimin e radhës të Grupit të Menaxhimit të Politikave të Integruara u miratua në parim Strategjia e Mbrotjes Sociale 2019 -2022, e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe zhvillimet më të fundit në lidhje me kuadrin institucional të punësimit dhe zhvillimit të aftësive.

Të pranishëm në këtë takim ishin Ambasadori i Zvricrës në Tiranë, z. Adrian Maître dhe përfaqësues të tjerë të kësaj Ambasade, përfaqësues nga Bashkimi Europian, UNDP, GIZ, UNICEF, përfaqësues të Sindikatave të Punës, përfaqësues nga institucione shtetërore, etj.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së tregut të punës në vend në vitet e fundit, ku theksoi se niveli i papunësisë ka arritur shifrën më të ulët në shumë vite, 11.5% nga 17% që ishte disa vite më parë.

Ministrja bëri me dije se MFE ka hartuar Strategjinë për Punësim dhe Aftësi 2019-2022 dhe planin e veprimit, e cili shumë shpejt do të miratohet në Këshillin e Ministrave.

Kjo Strategji, theksoi znj. Denaj, synon konsolidimin e të gjitha reformave të nisura që nga viti 2014, identifikimin dhe hartimin e politikave të duhura nxitëse të punësimit në vend dhe formimit profesional të forcës së punës, me qëllim që të hapen vende pune cilësore dhe mundësi për aftësi gjatë gjithë ciklit të jetës.

Ministrja informoi gjithashtu se Këshilli i Ministrave ka miratuar Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, e cila parashikon të sjellë ndryshime në të gjithë sistemin e shërbimeve të punësimit dhe arsimin profesional.

Sa i përket Strategjisë së Mbrojtjes Sociale 2019-2012, Zv.Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Bardhylka Kospiri, tha se ajo adreson objektiva të qarta dhe të matshme për mbrojtjen sociale në Shqipëri. Strategjia gërsheton politika dhe programe të dizajnuara për të reduktuar varfërinë duke zvogëluar ekspozimin e familjeve dhe popullatës/ njerëzve ndaj rreziqeve dhe duke rritur kapacitetin e tyre për të mbrojtur veten nga rreziqet dhe mungesën e të ardhurave.