Postuar më: 15/10/2020

Denaj: Ligji i ri i Metrologjisë, rregullon tregun dhe mbron konsumatorin

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  prezantoi gjate seancës plenare të radhës, ligjin “Për Metrologjinë”, i cili është pjesë e objektivave të përcaktuara në Strategjinë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2016 – 2020, ku përcaktohen qartë prioritetet e Qeverisë.

 

Ministrja Denaj, vlerësoi se miratimi i këtij ligji do të sjellë rregulla të reja në treg, por do të jetë  edhe ne mbrojtje të konsumatorit.

 

Fjala e plotë e Ministres Denaj

 

————–

Projektligji “Për Metrologjinë” është pjesë e objektivave të përcaktuara në Strategjinë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2016 – 2020, ku përcaktohen qartë prioritetet e Qeverisë.

 

Për ta bërë prezantimin më të kuptueshëm për qytetarët, meteorologjia është studimi i matjes që vërteton dhe verifikon standardet e produkteve të para paketuara si në shishe dhe enë matëse.

 

Nëpërmjet këtij projektligji dhe këtij produkti, ne garantojmë mbrojtjen e konsumatorit në treg, në shërbime të cilat ju ofrohen nëpërmjet operatorëve ekonomikë.

 

Në ekonomitë e zhvilluara , sistemi i metrologjisë është një prej komponentëve kyç të infrastrukturës së çdo shteti.

 

Gjatë viteve të fundit, ligji ekzistues nuk i është përgjigjur nevojave për përdorimin e procedurave të unifikuara për përdorimin e kontrollit metrologjik të instrumenteve matës që janë ose nuk janë objekt i markimit “CE” (set standard për të verifikuar që produktet janë të sigurta për përdorim).

 

Procedurat teknike që aplikohen për qarkullimin dhe lëvizjen e instrumenteve/pajisjeve matëse dhe produkteve të parapaketuara, shtojnë kosto të panevojshme për subjekte që importojnë, tregtojnë apo kanë në përdorim instrumentet e sapopërmendur.

 

Ky ligji i ri sjell disa risi në garantimin e qarkullimit të lirë të instrumenteve në treg, ku ndër më kryesoret më lejoni të evidentoj 2:

 

  • Unifikon kërkesat dhe procedurat e vlerësimit të konformitetit gjatë kontrollit metrologjik të instrumenteve/pajisjeve matëse, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, shëndetin publik, mjedisin, sigurisë teknike dhe shmangien e barrierave teknike në tregti;

 

  • Zgjeron infrastrukturën e nevojshme laboratorike, për të siguruar gjurmueshmërinë e matjes që nevojitet nga industria dhe ekonomia e vendit, kundrejt kërkesave të organizmave evropiane dhe ndërkombëtarë.

 

Komisioni i veprimtarisë prodhuese ka bërë dy parashikime të ndryshme nga versioni i propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe unë do të ndaloj pak këtu për të shprehur me argumente pse Ministria e Financave është kundër  këtyre dy propozimeve të cilat janë aprovuar në komision.

 

  1. Së pari, detyrimet që të gjithë instrumentet matës, ligjërisht të kontrolluar të jenë inteligjentë(smart), duke vendosur afate deri në 2023 për importimin e instrumenteve dhe në vitin 2028 për vendosjen në treg.

 

Siç e thashë, qëndrimi i Ministrisë së Financave është kundër pasi kufizimi për produktet me markim “CE” për të qenë vetëm inteligjent (“smart”) siç është parashikuar në këtë projektligj, mund të sjellë: kosto të shtuara për bizneset dhe kjo kosto mund të reflektohet edhe tek vetë qytetarët.

 

  1. Objektivi i fushës së meteorologjisë është saktësia e matjeve dhe jo transmetimi i të dhënave. Nëpërmjet leximit në distancë nuk mund të kontrollohet performanca teknike e instrumentit matës, kjo realizohet vetëm nëpërmjet verifikimit dhe kalibrimit.

 

Ky propozim nuk është i aplikueshëm për shumë instrumente matëse të cilat përdoren në marrëdhënie tregtar-konsumator apo vetë tregtarët për përdorimin e brendshëm për të dhëna të cilat janë konfidenciale. Gjithashtu, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka propozuar vendosjen e një pragu lidhur me problematikat  e vërejtura në treg, aktualisht 5%, ku nëse kalohet ky prag, atëherë do të kemi një dyfishim të verifikimeve që padyshim do të shoqërohen me kostot përkatëse. Aktualisht verifikimi periodik i instrumenteve matëse, ligjërisht të kontrolluara kryhet dy herë në vit duke iu referuar dhe Organizatës Ndërkombëtare të OEML në lidhje me frekuencat e verifikimit, ku Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë është anëtare me të drejta të plota.

 

Qëndrimi i Ministrisë së Financave, jo vetëm për arsyen e përmendur më parë, por edhe për faktin që ky ndryshim mund të sjellë një kosto të shtuar e bën që ne të jemi kundër propozimit të diskutuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, nëse një element i tillë do të duhet të pranohet , do të duhet që patjetër kontrollet e shtuara të theksoheshin që do të jenë pa kosto për biznesin dhe për qytetarët.