Postuar më: 04/10/2013

Cani: Situata është e vështirë, por e përballueshme

Është një kënaqësi e përhershme takimi me ju bizneset, klientët tanë, partnerët tanë, baza jonë e punës, nga ku varen edhe të ardhurat në buxhet.

Ne kemi nisur rrugën drejt Brukselit, për të marrë statusin e vendit kandidat. Rruga është e gjatë, dhe siç mund të bende secili nga ju, makina duhet kontrolluar më parë për defekte të mundshme, për të qenë të sigurt. Më duhet të them se situata është e rëndë, por e përballueshme.

Siç e kemi shprehur qartësisht në programin e kësaj maxhorance (dhe siç e kemi premtuar përgjatë fushatës elektorale), një prej pikave kyçe të vizionit të kësaj qeverie është përmirësimi rrënjësor i marrëdhënieve qeveri-biznes, duke e konsideruar biznesin si një prej partnerëve më të rëndësishëm në përpjekjen tonë të përbashkët për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Për të pasur këtë nivel marrëdhëniesh është thelbësore që të gjitha problematikat të shprehen në mënyrë të ndershme, realiste dhe transparente. Në këtë frymë do të doja t’ju prezantoja shkurtimisht situatën aktuale dhe sfidat më të rëndësishme afat-shkurtra dhe afat-mesme me të cilat përballet ekonomia jonë.

Pikë së pari, situata e financave publike është tejet e vështire. Vetëm hendeku negativ i krijuar nga mos-realizimi i të ardhurave në buxhetin e këtij viti është rreth 40 miliardë lekë (38.8 miliardë). Të ardhurat totale të buxhetit për vitin 2013, me ritmin aktual, priten të jenë më pak se tre vite më parë (më pak se viti 2010). Ishin rreth 325 miliardë në 2010, priten të jenë rreth 322 miliardë për këtë vit. Në raport me Produktin e Brendshëm Bruto (PBB), të ardhurat totale për këtë vit priten të jenë rreth 23.8% e tij. Vetëm në vitet ’96 e ’97 niveli i tyre ka qenë më i ulët se kaq.

Të ardhurat nga tatimet e doganat, të cilat përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave në buxhet dhe që varen në mënyrë më direkte nga qeveria qendrore, priten të jenë sa 16.2% e PBB për këtë vit, më poshtë edhe se viti 2004 kur shënonin nivelin prej 16.4% të PBB. Në vlerë absolute, janë gjithashtu më pak se tre vite më parë (viti 2010).

Nga ana tjetër shpenzimet gjatë tetë muajve të parë të vitit janë përshpejtuar dhe deficiti deri në fund të muajit Gusht ishte rreth 130% më i lartë se 8-mujori i një viti më parë. Ky nivel shpenzimesh dhe deficiti buxhetor nuk përfshinë rreth 9 miliardë lekë shpenzime tashmë të faturuara në Thesarin e Shtetit, të cilat kanë mbetur të papaguara për mungesë likuiditeti të qeverisë. Kjo ka shkaktuar presione të mëdha në qëndrueshmërinë e financave publike.

Në kuadër të partneritetit të ri, do t’ju kërkoja mirëkuptim për vonesat e likuidimeve nga Thesari. Nëse Ministria e Financave do të pranonte shlyerjen e tyre do të ishte e detyruar të rriste deficitin buxhetor, që më parë kërkon aprovimin e kuvendit.

Si pasojë e të ardhurave në nivele ekstremisht  të ulëta, por dhe e shpenzimeve të përshpejtuara, pa marrë parasysh detyrimet e papaguara të qeverisë, borxhi tashmë ka arritur nivele tejet të larta për një ekonomi si e jona. Pa përfshirë detyrimet e papaguara, të cilat vetëm këto vlerësohen në rreth 4% të PBB, niveli i borxhit publik në fund të këtij viti pritet të arrijë mbi 68%. Pra, realisht borxhi publik qëndron rreth nivelit 72% të PBB. Ndërkohë që është gjerësisht e pranuar se, për vende me ekonomi si e jona niveli i borxhit i vlerësuar si i qëndrueshëm është rreth 40%. Kjo do të thotë se në kushtet aktuale rrezikohet seriozisht stabiliteti makroekonomik i vendit, i cili përbën themelin për një ekonomi tregu. Pa stabilitet makroekonomik nuk mund të flitet jo më për rritje ekonomike e për rritje të punësimit, por nuk mund të flitet as për qëndrueshmëri sociale.

Në vitin 2015 parashikojmë një stabilizim të borxhit, duke frenuar rritjen dhe për të marrë kthesën drejt uljes.

Cenimi i stabilitetit makroekonomik ka nisur ti shprehë qartë pasojat e tij në ekonominë e vendit. Përveç situatës drastike të financave publike, ekonomia tashmë për të tretin vit rresh po rritet me ritme thuajse in-ekzistente. Sektori bankar, i cili është një prej promotorëve kryesorë të rritjes ekonomike, i gjendur në një situatë kur rreth 24% e portofolit të kredive janë me probleme, ka pothuajse ndaluar së kredituari sektorin privat. Madje në dy muajt e fundit, për herë të parë stoku i kredisë në ekonomi u tkurr krahasuar me një vit më parë dhe kjo veçanërisht për sa i takon kreditimit ndaj biznesit. Ne e kemi deklaruar me kohë, por tashmë është mjaft evidente për të gjithë se një nga shkaqet kryesore në krijimin e këtij ngërçi është mos-respektimi i detyrimit të qeverisë për të paguar atë ç’ka i takonte biznesit.

Në të tilla kushte, kjo situatë tregon mjaft qartë se, pa siguruar stabilitetin makroekonomik të vendit, ekonomia shqiptare cenohet realisht. Kriza e fundit e borxheve sovrane, u bëri të gjithëve fare të qartë se çdo të thotë pamundësi e shtetit (qeverisë) për të ri-financuar borxhin e tij. Pra, kjo do të thotë se të gjithë jemi në të njëjtën varkë e cila nëse nuk shpëtohet, kuptohet se çfarë e pret të gjithë ekonominë dhe shoqërinë tonë.

Kjo situatë e krijuar nuk lë vend për shumë zgjedhje. Në fakt zgjedhja është vetëm një. Këto kushte imponojnë domosdoshmërish dhe në mënyrë imediate ri-vendosjen në shina të  qëndrueshmërisë së financave publike, pra konkretisht borxhin publik.

Është e qartë se kapërcimi i kësaj gjendje fillimisht nuk do të jetë aspak i lehtë për askënd, pasi kërkon marrjen e disa masave të forta. Është e vështirë, por jo e pamundur. Ne jemi plotësisht të bindur se, ne së bashku, qeveri-biznes, me krijimin e një raporti të ndershëm ndaj njëri-tjetrit, duke patur dhe mbështetjen e institucioneve partnere (FMN dhe BB) padyshim do ta kapërcejmë këtë situatë dhe ekonomia jonë (në një të ardhme të afërt) do t’i rikthehet atyre ritmeve të dëshiruara të rritjes, të cilat do të sigurojnë një punësim të lartë, mirëqenie, e zhvillim të qenësishëm.

Aktualisht ne po analizojmë, në konsultim të ngushtë edhe me institucionet ndërkombëtare masat optimale për tejkalimin sa më lehtë të gjendjes. Shumë shpejt, me përgatitjen dhe finalizimin e buxhetit të vitit të ardhshëm këto masa do ju komunikohen qartësisht.

Por aktualisht unë mund të them se një ndër angazhimet më prioritare të kësaj qeverie, si një prej elementëve më të rëndësishëm për kapërcimin e situatës, është përballja me borxhin e fshehtë që qeveria u ka bizneseve. Po shikohet si mundësi financimi nga burime jashtë vendit, si institucione të huaja, donatorë etj, kjo si mundësi për të mos cenuar tregun vendas.

–           Në këtë drejtim ne fillimisht do të frenojmë praktikën e akumulimit të mëtejshëm të borxheve.

–           Kemi filluar punën (edhe me ndihmën e institucioneve partnere) për evidentimin e borxhit ndaj biznesit. Në këtë fazë ne presim edhe predispozitën tuaj (nisma që kemi marrë së fundmi për deklarimin nga vetë bizneset të pretendimeve ndaj qeverisë)

–           Më tej, do të përcaktojmë (duke vijuar edhe konsultimet me ju) dhe do të bëjmë plotësisht transparente rrugën e shlyerjes së këtij borxhi (si për sa i takon detyrimeve për punët publike, ashtu edhe rimbursimin e TVSH, etj)

Në të njëjtën kohë, me zbardhjen e projekt-buxhetit të vitit 2014 do të bëhen njëherazi të qarta kontributi që secila pjesë e shoqërisë duhet të japë në kapërcimin e kësaj situate

Të rejat e fundit