Postuar më: 05/11/2018

Buxheti 2019, vazhdim i konsolidimit fiskal. Rritje e pagave dhe investimeve publike!

Prezantohet Buxheti 2019

Fjala e Ministrit Ahmetaj në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave

 

Projektbuxheti 2019 që ju është vënë në dispozicion për shqyrtim, vijon të mbështesë rritjen ekonomike të vendit ndërkohë që vijon konsolidimin fiskal duke ulur më tej barrën e borxhit publik për biznesin dhe qytetarët.

Rritja ekonomike parashikohet në nivelin 4.3% për vitin 2019, e cila pritet të forcohet më tej në vitin 2020 dhe 2021. Raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto do të ulet  66.9% në fund të vitit 2018, duke iu referuar borxhit neto dhe 64.9% në 2019-ën, duke synuar 60% të PBB në vitin 2021.

Rritja domethënese ekonomike e parashikuar për vitin 2019 krijon më shumë punësim me hapjen e mbi 30 mijë vendeve të reja pune të planifikuar, duke rezultuar në rënien e nivelit të papunësisë të forcës aktive për punë nën 12% në 2019-ën krahasuar me 12.9% që planifikohet mesatarja e këtij viti. Në këtë kontekst, projektbuxheti 2019 do të vijojë të mbështesë krijimin e vendeve të reja të punës me politika incentivuese fiskale si dhe me një skemë më efektive të punësimit dhe aftësimit profesional.

Rritja ekonomike pritet të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat dhe investimet. Ndërkohë kërkesa e huaj neto (eksport – import) pritet të sjellë gjithashtu një efekt pozitiv, por akoma marxhinal. Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimi i tregut të punës. Ndërsa rritja e investimeve pritet të nxitet nga shfrytëzimi më i intensifikuar i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së parashtruar dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë të vendit. Njëkohësisht, vijueshmëria e përmirësuar e kushteve financiare dhe lehtësimi i standardeve të huadhënies pritet të jetë një faktor incentivues i investimeve private në afatmesëm.

Politika fiskale do të vazhdojë drejt konsolidimit në periudhën afatmesme e rrjedhimisht me efekt direkt neutral mbi konsumin. Por politika buxhetore e sigurimit të një niveli prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të investimeve publike do të mbështesë krijimin e konsiderueshëm të kapitalit fiks bruto në ekonomi, e cila është e rëndësishme për të mbajtur nivelin relativisht të lartë të rritjes, si në afatshkurtër, ashtu në afatmesëm dhe afatgjatë. Në të njëjtën kohë, qëndrimi akomodues i parashikuar i politikës monetare për periudhën afatmesme, për sa kohë që presionet inflacioniste do të mbeten në kahun e poshtëm, pritet të mbështesë gjithashtu konsumin privat dhe investimet.

Efekti tjetër indirekt që vjen nga konsolidimi dhe stabiliteti makroekonomik dhe besimi i agjentëve të ekonomisë është reduktimi i primeve të riskut, si dhe krijimi i një hapësire më të madhe për financim dhe zgjerimin e sektorit privat, dhe sigurisht që do të influencojë, siç e theksova më parë, në performancën pozitive të ekonomisë.

Rritja në periudhën afatmesme pritet të jetë e orientuar drejt krijimit të vendeve të punës krahasuar me historikun, pasi sektorët e prodhimit më intensiv të forcës së punës pritet të performojnë relativisht më mirë se të tjerët. Shkalla e papunësisë, siç e theksova, përllogaritet të zbresë nën 12.0% për vitin 2019 dhe të vazhdojë gradualisht rënien në vitet në vijim për të shkuar drej nivelit njëshifror.

Për sa i përket objektivit madhor të konsolidimit fiskal, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj disa aspekte kyçe që projektbuxheti 2019 mbart:

  • Një deficit fiskal që për herë të parë programohet nën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (1.9%), ndërkohë që në periudhën afatmesme pritet të ulet akoma më shumë deri në 1.2% të PBB në 2021;
  • Balanca Primare që për të katërtin vit rradhazi është pozitiv, duke shënuar +0.5% të PBB në 2019-ën, i cili pritet të jetë akoma dhe më i lartë në vitet pasuese;
  • Bilanci Korrent me suficit të konsiderueshëm prej mbi 3% të PBB në periudhën 2019-2021, i cili përkthehet në:
    • Një përgjegjshmëri të lartë të qeverisë që financon tërësisht operacionet e veta nga të ardhurat buxhetore;
    • Financim të investimeve publike me një shifër të konsiderueshme nga të ardhurat buxhetore me mbi 3% të PBB (ndërkohë që pjesa tjetër do të financohet nëpërmjet huave). Ky është dhe rregulli i artë që i referohet dhe bilancit korrent që tregon pozivitet në qasjen e buxhetit 2019 por dhe përgjegjshmërinë e qeverisë në menaxhimin e financave publike.

Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do të vijojë të ulet gjithnjë e më shumë në nivele më të sigurta dhe gjithmonë e më pak të kushtueshme për ekonominë dhe qytetarët.

Të ardhurat buxhetore për vitin 2019 janë parashikuar duke marrë parasysh faktorë të tillë si: rritja ekonomike dhe indeksi i çmimeve, politikat e reja fiskale si dhe efektet nga lufta kundër informalitet, e shoqëruar kjo me masa ligjore anti-shmangie me qëllim rritjen e nivelit të pajtimit vullnetar të tatimpaguesve me ligjin.

Të ardhurat buxhetore në fund të vitit 2018 pritet të jenë 458.2 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2017, parashikohet një rritje prej 6.5%, ose 27.8 miliardë lekë duke kapur nivelin 27.8% të PBB-së nga 27.7% që ishin në vitin 2017. Rritja me 0.1% e kontributit të të ardhurave në buxhetin e shtetit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto për vitin 2018, është tregues i rëndësishëm i përmirësimit të përformancës së mbledhjes së të ardhurave në kuadër të reformës së konsolidimit të financave publike. Kjo rritje vjen kryesisht si rrjedhojë e rritjes ekonomike dhe nga përmirësimi i administrimit të taksave, pavarësisht efekteve negative të kursit të këmbimit në të ardhurat nga importi.

Dëshiroj të ilustroj këtu vetëm efektin negativ që ka pasur kursi i ulët i këmbimit Euro / Lekë në të ardhurat e pritshme nga TVSH-ja, ku për 9 mujorin e vitit 2018 përllogaritet në një vlerë të konsiderueshme prej 6 miliardë lekë më pak, ndërkohë që prognoza deri në fund të vitit shkon në 9 miliardë lekë.

Paketa Fiskale 2019 synon arritjen e disa objektivave:

  • Uljen e barrës tatimore për grupe të caktuara individësh si të punësuarit me nivel të mesëm pagash.
  • Uljen e barrës së kombinuar fiskale mbi fitimin dhe dividentin për kompanitë.
  • Dhënien e incentivave dhe stimujve tatimorë për industri dhe sektorë të caktuar si bujqësia, fasoni, farmaceutika etj.
  • Stimulimi i politikave të transportit, në funksion të mbrojtjes së ambientit. Me TVSH-në e reduktuar për autobuzët për transportin publik nga 20 në 10%
  • Rregullime të barrës fiskale në fushën e mallrave të akcizës.

 

Paketa Fiskale për vitin 2019 parashikon ndryshimet e mëposhtme:

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”

  1. Ulja e normës së tatimit mbi dividentin nga 15% në 8%;
  2. Rritja e kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë;
  3. Dispozitë taksimi për fitimet kapitale jorezidente, në lidhje me shitjet e kuotave të kompanive apo aktiveve që ndodhen në Shqipëri.  Kjo është një masë antievazion, në harmoni të plotë me zhvillimet e fundit që ka avancuar OECD.

Ligji “Për taksat Nacionale”

  1. Kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike, tek taksimi i materialeve plastike, pra zgjerimi i bazës; Ulje e masës së taksës me 2/3. Ulje me 50 % edhe masës së taksës për ambalazhet e qelqit;
  2. Rritja e rentës minerare për eksportimin e kromit nga 6% në 9%, me qëllim për të mbrojtur rezervën e njohur, e cila me hapat që po eksportohet, praktikisht me referencë të 600 mijë tonë të eksportuar në vit presupozohet që për tetë vite të ketë mbaruar. Sigurisht që rezervat e kromit janë shumë më shumë se sa rezervat e njohura, por këtu po bëjmë një ekuilibrim midis eksportit dhe vlerës së shtuar brenda vendit.

Ligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”

  1. Përjashtimi në import i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik, në linjë me atë që kemi kaluar disa vite në parlament, pra uljen e TVSH-së, zgjerimin për medikamentet;
  2. Përjashtimi nga TVSH i furnizimit me shërbim nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason;
  3. Përjashtimi nga TVSH i importit të makinerive bujqësore sipas listës së miratuar me VKM, nga çdo importues;
  4. Normë e reduktuar TVSH-je 10% për importin e autobuzëve elektrikë të transportit publik;
  5. Normë e reduktuar 6% për shërbimin e reklamave nga televizionet, nga i përjashtuar, siç ka qenë deri tani.

Ligji “Për akcizat”

  1. Vendosja e akcizës 1 lekë/kg për zhavorët bituminoze që përdoren si lëndë djegëse alternative;
  2. Heqja e akcizës për fishekzjarret, llampat, pilat/bateritë, e sugjeruar dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar disa herë;
  3. Rritja e akcizës për duhanin e përpunuar dhe zëvendësuesit e tij, duhanet me ngrohje apo purot.

Ligji “Për Procedurat Tatimore”

  1. Dispozitë anti-shmangie e përgjithshme nga taksat, në përputhje me Direktivën e Bashkimit Europian;
  2. Dispozitë anti-shmangie në lidhje me regjistrimin e më shumë se një biznesi nga personat fizik tregtar;
  3. Lehtesim i procedurave në çregjistrimin e bizneseve.

 

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2019 do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, të cilat do të stimulojnë më tej rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht edhe punësim. Gjithashtu, mbështeten një sërë reformash, nga ajo e drejtësisë tek reforma e ujit.

Për vitin 2019, shpenzimet buxhetore do të kapin për herë të parë vlerën absolute prej 519.4 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2018, totali i shpenzimeve buxhetore programohet me rritje prej 5.9% më shumë.

Shpenzimet e Personelit të planifikuara në masën 80.6 miliardë lekë për vitin 2019, përveç financimit të plotë të kostos aktuale të Administratës Publike Qendrore, mbart dhe reflekton gjithashtu dhe politikën e rritjes së pagave për sektorin e shëndetësisë (7%), arsimit (7%), të mbrojtjes në minimum 7% por mund të shkojë dhe 10%, sistemit penitenciar (7%) dhe punonjësit e përfaqësive diplomatike 20% apo mbi 20%.

Krahas kësaj në këto shpenzime planifikohet kostoja e plotë reformës në drejtësi, për akomodimin e pagave të reja të institucioneve aktuale të sistemit të drejtësisë si dhe, akomodimi i institucioneve të reja të krijuara për mbështetjen e kësaj reforme, siç është SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Vlen të theksohet se nga kjo rritje e konsiderueshme e pagave përfitojnë:

  • 4,650 mjekë
  • 13,765 ndihmës mjekë/infermierë
  • 35,783 mësues
  • 6,800 ushtarakë
  • 3,559 efektivë të policisë së burgjeve
  • 308 diplomatë

Shpenzimet Operative dhe Mirëmbajtjes do të kapin vlerën 48.6 miliardë lekë, duke prioritizuar: mbështetjen e skemës së fermerëve me një rritje në dy vitet e fundit në 2.6 miliardë lekë.

Viti 2019 mund të konsiderohet, midis të tjerash, viti i rritjes së pagave, viti i mbështetjes së bujqësisë, pra do të jetë një nga sektorët më të financuar, dhe patjetër viti i Paketës Sociale.

Ndërkohë, mirëmbajtja e rrugëve do të ketë fokus të rëndësishëm brenda financimit të infrastrukturës. Ky është viti i dytë ku do të kemi shumë të strukturuar midis Bankës Botërore dhe burimeve të brendshme të konsiderueshme për mirëmbajtjen e rrugëve; dhe mirëmbajtja e sistemeve teknologjike të informacionit në administratën publike.

Shpenzimet për interesa planifikohen 41.7 miliardë lekë ose 2.4%  e Prodhimit të Brendshëm Bruto, për të përballuar një rritje të mundshme të normave të interesit 1 deri në 2 pikë përqindje, duke iu referuar edhe sinjaleve të fundit qoftë nga Banka Qendrore Europiane, qoftë nga Banka Qendrore Amerikane Federal Reserve.

Subvencionet parashikohen me ulje në terma absolutë dhe relativë, krahasuar me një vit më parë, ku planifikohet rreth 1.5 miliardë lekë ose 0.1% e PBB. Kjo ulje vjen si pasojë e ri-alokimit të një pjese të mirë të subvencionit të parashikuar për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, tek investimet publike në rehabilitim dhe ndërtim të rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve në kuadër të përshpejtimit të Reformës së ndërmarrë nga Qeveria për këtë sektor jetik, që do të thotë se subvencioni nuk do të jetë më një subvencion pasiv dhe të financojë kostot, por do të financojë investimet.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar 179.98 miliardë lekë për vitin 2019.

Dua të tërheq vëmendjen në një fakt mjaft pozitiv dhe interesant përsa i përket fondit të kompensimit të ish-pronarëve. Për herë të parë, në buxhetin e vitit 2019 jo vetëm që do të jetë një shumë e nominuar prej 5 miliardë, në bazë të ligjit që kemi hartuar për trajtimin e ish-pronarëve me kompensim, qoftë fizik, qoftë monetar, shuma prej 5 miliard lekësh nuk do të jetë në fund të vitit pratë periudhës fiskale, objekt i deficitit. Do të thotë se, në qoftë se shuma prej 5 miliardësh nuk do të jetë harxhuar plotësisht, ajo do të transferohet si mbetje për vitin pasardhës, në mënyrë që fondi i kompensimit të ish-pronarëve të mos preket duke iu referuar ligjit që kemi aprovuar në Parlament.

Skema e Sigurimeve Shoqërore. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2019 parashikohet të jetë 130.63 miliardë lekë ose 7.5% e PBB. Ky raport është i njëjtë me vitin 2018, nga e cila për indeksimin e pensioneve është parashikuar gati 2.45 miliardë lekë. Duhet theksuar këtu se krahasuar me 2013-ën, skema e pensioneve i rëndon më pak buxhetit të shtetit, pasi në vitin 2013 transferta buxhetore zinte rreth 46.2% të totalit të shpenzimeve, ndërkohë që për vitin 2019 parashikohet të zërë  35.6% të totalit, përmirësim i ndjeshëm. Kjo ka ardhur si pasojë e dy faktorëve kryesorë: (i) Uljes së nivelit të informalitetit në tregun e punës dhe (ii) Rritjes së nivelit të punësimit dhe kontribuesve;

Skema e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2019 është parashikuar në masën 41.9 miliardë lekë ose 2.4% e PBB nga 40.4 miliardë lekë në vitin 2018.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve parashikohet, siç e theksova më lart, në total në masën 5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB. Duke filluar nga viti 2016, fondi i kompensimit është planifikuar në rritje nga viti në vit duke synuar në vitin 2021 shumën 5.5 miliardë lekë krahasuar me 1.89 miliardë lekë që ishte në 2013-ën. Me këto shifra, të nderuar anëtarët të komisionit, bie dhe miti i opozitës dhe del në pah e vërteta, qoftë statistikore, qoftë emocionale, se si janë trajtuar ish-pronarët në vite. Rritja e fondit të kompensimit në vlerë të pronarëve bëhet në mbështetje të reformës së ndërmarrë, siç e theksova më lart, nga kjo qeveri, për trajtimin e ish-pronarëve pjesë e së cilës është kompensimi në vlerë për t’u realizuar brenda periudhës 10-vjeçare, të parashikuar dhe në ligjin nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”.

I bëj thirrje pronarëve të ligjshëm që trajtohen me ligjin nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit” që shifra që ne sjellim në buxhet largon debatin politik nga tryezat e tyre, mendjet e tyre, shtëpitë e tyre dhe tregon të vërtetën se si kjo mazhorancë jo vetëm ka mbajtur një qasje tejet të vëmendshme, por nëpërmjet një ligji të kujdesshëm dhe një alokimi të rëndësishëm në buxhet, të zgjidhë njëherë e mirë problemin e kompensimit fizik dhe monetar të pronës.

Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 500 milionë lekë.
  • Shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 20.5 miliardë lekë, në të njëjtin nivel si vitin e kaluar.
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0.1% e PBB.
  • Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë. Nga kjo politikë e re pritet të përfitojnë rreth 30 mijë familje gjatë vitit 2019. Kjo është dhe një nga reagimet e para që ka qeveria, përsa i përket riskut të uljes së ritmit të lindjeve, pra riskut demografik.

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2019 parashikohet në masën 3 miliardë lekë, përkatësisht 1.5 miliardë lekë për Fondin Rezervë të Këshillit të Ministrave dhe 1.5 miliardë lekë Fond Kontigjencë për financimin e pagave të reja për magjistratin dhe ngritjen e funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, midis tyre Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK.

Investimet Publike për vitin 2019 janë parashikuar në masën 5.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose 88.8 miliardë lekë (përfshirë dhe mbështetjen për sektorin e energjisë 3 miliardë lekë në formën e investimeve të huaja) apo siç i referohemi teknikisht pozicionit neto të sektorit të energjisë reflektuar që dy vite më parë brenda deficitit buxhetor.

Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë dëshiroj ta filloj me Arsimin ku synojmë të mbajmë të njëjtin nivel konstant të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3% përgjatë periudhës 2019-2021. Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në vitin 2019, në këtë sektor do të financohet me përparësi:

  • Ofrimi i teksteve shkollore falas për 190 mijë nxënës të arsimit para-universitar, nga të cilët 125 mijë nxënës të klasave I-IV. Kosto vjetore do të jetë nga 610 deri në 700 milion lekë në vit.
  • Transport i siguruar për 28 mijë nxënës që kanë vendbanim mbi 2 km nga shkolla si dhe për 10 mijë mësues që punojnë mbi 5 Km nga vendbanimi. Kosto vjetore shkon rreth 680 milion lekë.
  • Për 1,000-1,400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë do të garantohet trajtimi me kuota ushqimore

Për Arsimin Bazë:

  • Ndërtime të reja dhe shtesa objektesh (15-20 objekte shkollore) me vlerën 800 milionë lekë (400 milion lekë është viti që vjen).
  • Rikonstruksione (90-100 objekte shkollore) me vlerë 5 miliardë lekë në total, viti që vjen 1.25 miliardë.

Për Arsimin e Mesëm të Përgjithshëm:

  • Ndërtime të reja dhe shtesa objektesh (6-10 objekte shkollore) në vlerën rreth 660 milion lekë (300 milion lekë 2019);
  • Rikonstruksione (30-40 objekte shkollore) me vlerë rreth 1.5 miliard lekë (rreth 750 milionë do të jenë vetëm në 2019).

Dua ta ritheksoj rritjen e pagave në sistemin e arsimit, ku përfitojnë gati 36 mijë mësues. Është hera e dytë radhazi që arsimi ka rritje të konsiderueshme. Dua t’ju kujtoj 2017-ën, viti i rritjes së konsiderueshme të pagave, ku konsiderueshëm përfitoi edhe arsimi. Siç e theksova, përfitojnë 36 mijë mësues. Kjo është rritja e dytë e konsiderueshme brenda një periudhe shumë të shkurtër, në harmoni të plotë me objektivin e qeverisë për të mire-financuar të gjithë trupën e mësuesve dhe theksin tek arsimi në tërësi.

Shëndetësia, ku financimi do të mbetet në nivelet 2.9 % mesatarisht për periudhën 2019-2021. Këtu vlen të theksohet sërish rritja e pagave, ku do të përfitojnë gati 4600 mjekë dhe mbi 13 mijë infermierë. Dhe kjo rritje është e detyra e konsiderueshme e këtij sektori. Rritja e parë sërish në 2017-ën, do të vazhdojë me të njëjtën logjikë si arsimi.

Objektivat e shëndetësisë shkojnë në drejtim të:

  • Reduktimit në më pak se 15 % i numrit të pacientëve të rishtruar për të njëjtën diagnozë brenda 72 orësh nëpërmjet urgjencës;
  • Reduktimi i kohës së pritjes për ekzaminime të rëndësishme, rezonancë magnetike-skaner, në më pak se 45 ditë;
  • Reduktimi i indeksit të vdekshmërisë foshnjore.
  • Garantimi i mbulesës vaksinale;
  • 200 qendra shëndetësore të rikonstruktura dhe të pajisura, nga 100 në çdo vit 2019-2020; mos harroni që këtë vit mbaron rikonstruksioni i plotë I 80 qendrave shëndetësore në gjithë rajonet e vendit.
  • Lidhur me skemën e rimbursimit të barnave kemi konstatuar se kjo skemë po ecën përtej mundësive që parashikon buxheti dhe logjikës të mirëadministrimit të kësaj pjese, me një rritje prej 23.6 % për vitin 2019-2021 dhe kësisoj ka nevojë për një reformë që sjell eficencë dhe efektivitet më të lartë të kësaj skeme. Për këtë qëllim, në nenin 5 të projektligjit të buxhetit 2019, që përcakton buxhetin e FSDKSH-së, kemi propozuar vënien e një tavani shpenzimesh për këtë skemë me vlerën 10.5 miliardë lekë, për të incentivuar më tej ndërmarrjen e kësaj reforme tejet të domosdoshme.

Bujqësia do të vazhdojë të përfitojë në terma realë nga buxhetii shtetit 0.6 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto për periudhën 2019-2021. Siç e theksova, bujqësia mund të quhet për 2019-ën në potencial një nga sektorët më të financiar. Cilat janë arsyet pse unë e theksoj bujqësinë si një nga sektorët më të financuar? Pikësë pari, që nga ky vit, viti 2018, mbështetja për fermerët është rritur në 2.6 miliardë, pra një kërcim prej 900 milionë lekësh nga viti në vit. Nga 1.8 në 2016-ën, 1.8 në 2017-ën, në 2.6 në 2018-ën, dhe do të vazhdojë në 2.6.  E dyta, që është shumë e rëndësishme, është fillimi i IPARD-it i cili, në logjikën e vet, ka kombinimin e financimit 35 nga buxheti i shtetit dhe 75 % nga IPARD-i. ne kemi vendosur në buxhet të shtetit, në funksion të avancimit të IPARD-it, 1 miliardë lekë që do të thotë se me eficencën që do të duhet të ketë AZHBR dhe Ministria e Bujqësisë ka mundësi të tërheqë 40 milionë euro investime në sektor.

Pra, përveç 2.6 miliardë lekë që do të jetë një injektim i drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit, kombinimi midis 1 miliardë dhe 3 miliardë, janë rreth 40 milionë dollarë që kanë në potencë mundësi të shkojnë në sektorin e bujqësisë, plus po vazhdojmë të financojmë fondin e garancisë me BERZH-in, në mënyrë që në terrenin ekonomik agro-bujqësor të përfitohet më shumë kredi e butë, e mbështetur me kolateral nga Fondi i Garancisë dhe me interesa të subvencionuara. Do të thotë që sektori i bujqësisë ka mundësi të tërheqë fonde rekord në krahasim me çdo lloj periudhe tjetër.

Infrastruktura do të përfitojë fonde të konsiderueshme përgjatë 2019-2021, rreth 2.8 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto për periudhën që iu referova, ku synohet:

  • Kompletimi i akseve rrugore nacionale si: Rruga e Arbrit; Thumanë – Vorë – Kashar, Milot – Balldren; Orikum – Dukat, brenda vitit 2021 me projektin “1 Miliardë”.

Siç e dini, Rruga e Arbrit ka filluar dhe është në fazë të avancuar të punimeve në terren. Ndërkohë, po përgatitet procedura për Tiranë-Durrës me zgjerimin me tre korsi, pra në total 6 korsi të aksit kryesor të vendit dhe vazhdimin e përmirësimit më tej nëpërmjet një aksi të ri, Vorë-Rrogozhinë. Dua të theksoj që projekti i prezantuar zyrtarisht në Ministrinë e Infrastrukturës dhe i shpërndarë në autoritetet që marrin pjesë në konsiderimin e projektit, duke përfshirë dhe Ministrinë e Financave, është një propozim i cili në potencë kërkon zero lekë nga buxheti i shtetit. Nëse plotësohen të gjitha kushtet do të jetë një Partneritet Publik Privat, i cili do të financohet tërësisht nga investitorët dhe në afatgjatë, rikthimi i investimit do të vijë nga tolli, nga financimi nëpërmjet tollit, qoftë të operacioneve, qoftë të mirëmbajtes, qoftë të investimeve.

 

  • Kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me financim të brendshëm gjatë vitit 2021 si Kardhiq – Delvinë, një aks jetik për turizmin dhe për rritjen e konektivitetit të rajonit të jugut.

Praktikisht e shkurton Tiranë-Sarandë me gati 1 orë kohën e udhëtimit dhe sigurisht që është dhe një nga objektikat kryesorë, rrit cilësinë e konektivitetit dhe patjetër përmirësimi i rrjetit rrugor ul numrin e aksidenteve, që është një konseguencë dhe objektiv i domosdoshëm. Vazhdon financimi i Elbasan-Banjë; By Pass Shkodër; By Pass Tepelenë; dhe një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës;

  • Kompletimi i segmenteve rrugore brenda 2021 me financim të huaj si By Pass-i i Fierit, që mendohet të bëhet i kalueshëm përpara hapjes së sezonit turistik të vitit 2019; By Pass-i i Vlorës; Qukës-Qafë Plloç; dhe në mars ose prill bëhet i plotë dhe i kalueshëm loti i fundit Tiranë-Elbasan.
  • Objektiv është dhe vënia në funksionim e aeroportit të Vlorës dhe i Kukësit nëpërmjet skemave të Partneritetit Publik Privat;
  • Furnizimi 24 orë me ujë dhe shërbime për zonën bregdetare brenda vitit 2021;
  • Në vitin 2020 parashikohet të rritet përdorimi i energjisë së rinovueshme me 38% kundrejt vitit 2009;
  • Në vitin 2021 synohet të riciklohet rreth 20% e totalit të mbetjeve të prodhuara nga 0.05 që parashikohet në vitin 2018.

Shpenzimet për buxhetin vendor për të tretin vit radhazi do të vazhdojnë të mbështesin reformën administrative territoriale dhe reformën e decentralizimit.

  • Në projektbuxhetin e vitit 2019, burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me rreth 5 miliardë lekë ose 11 % më shumë se ato të vitit 2018, të cilat do të shkojnë për më shumë investime dhe përmirësime të shërbimeve publike.
  • Ndër masat më të rëndësishme përmendimin miratimin dhe zbatimin e ligjit të vetëqeverisjes vendore dhe reformën për taksën e ndërtesave, me ngritjen e strukturave të posaçme dhe krijimin e kadastrës fiskale.

Për informacionin tuaj, sot prezantohet me pushtetin vendor dhe platforma e Kadastrës Fiskale ku do të kërkohet nga njësitë vendore të fillojnë ta përditësojnë me informacion, gjë që e kanë dhe detyrim ligjor. Unë pata një takim e diskutim të gjatë e të frytshëm me qeverisjen vendore, ku prezantuam buxhetin dhe shkëmbyem mendime me palët, e ndërkohë që transferta prej 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto është vendosur në ligj dhe ne e kemi ta pacënuar si angazhim dhe si shumë në buxhetin e vitit 2019.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2019 janë parashikuar në masën 51.14 miliardë lekë të cilat zënë 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 2.3% që zinin në vitin 2013. Pjesa më e madhe, mbi 60% e këtyre shpenzimeve shkojnë për investime dhe shërbime publike për komunitetet vendore.

Burimi i zgjerimit të shpenzimeve vendore për vitin 2019 është rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat e veta, si dhe nga rritja e transfertës të pakushtëzuar të përgjithshme, së cilës iu referova dhe më lart.

Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2019 parashikohen të kenë një rritje me mbi 3.8 miliardë lekë më shumë se sa plani i vitit 2018, ose thënë ndryshe me një rritje prej rreth 21 %. Ndërkohë, krahasuar me vitin 2015 të ardhurat vendore parashikohen me një rritje të konsiderueshme rreth 90 %. Po t’i kthehemi sot politikës përsa i përket decentralizimit dhe reformës administrative-territoriale, jo vetëm për statistikë por edhe për reflektim, më duhet të them pa ndrojtje që ka qenë vizion shumë i qartë dhe një sukses i plotë në favor të komuniteteve vendore.

Kjo rritje e nivelit të të ardhurave do të vazhdojë si rrjedhojë e ndarjes më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmirësimit të vazhdueshëm të skemës së financimit të funksioneve të veta si dhe rritjes së burimeve të financimit të njësive vendore.

Gjithashtu, reforma që ka filluar në taksën e pronës, konkretisht për taksën mbi ndërtesat dhe ngritjen e Kadastrës Fiskale, parashikohet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e të ardhurave në buxhetin vendor për vitin 2019 dhe për vitet e tjerë në vazhdim.

Në buxhetin vendor të vitit 2019, në vijim të reformës administrative territoriale dhe decentralizimit, vend të rëndësishëm zë reforma e financimit të arsimit parashkollor.

Për vitin 2019, fondet për pagat e edukatorëve do të rriten me 9.1 % në krahasim dhe me vitin 2018. Në të njëjtën kohë, do të përmirësohet sistemi i ndarjes së fondeve ndërmjet bashkive. Gjithë logjika do të jetë që, në ndryshim nga sistemi i mëparshëm, ku fondet ndaheshin sipas numrit të edukatorëve, tashmë konform praktikave më të mira ndërkombëtare financimi i këtij funksioni në vitin 2019 do të bazohet kryesisht në numrin e fëmijëve 3 deri në 6 vjeç, si një kriter më objektiv për përcaktimin e nevojave për shpenzime. Pra, deri më dje merrnim si bazë numrin e edukatorëve, tani e kemi përmbysur në favor të numrit të nxënësve për t’u shërbyer.

Kështu, 60 % e transfertës për arsimin parashkollor do të ndahet bazuar në numrin e fëmijëve 3-6 vjeç dhe 40 % do të vazhdojë të ndahet mbi numrin e edukatorëve, pra një kombinim, sepse është periudhë tranzitore.

Nga kjo reformë në buxhetin e vitit 2019 nuk do të ketë asnjë bashki që humbet fonde. Përkundrazi, pjesa më e madhe e bashkive do të jetë fituese në fonde për këtë shërbim. Si rrjedhojë e kësaj reforme do të punësohen 438 edukatorë më shumë se sa në vitin 2018.

Kjo reformë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e madhësisë maksimale mesatare të grupeve në kopshte nga 26 në 18 nxënës për edukator dhe të madhësisë mesatare kombëtare nga 18 në 15 nxënës për edukator.

Buxheti vendor i vitit 2019 do të jetë buxheti me të cilin gjen zbatim të plotë ligji për financat e vetëqeverisjes vendore, ku jo vetëm ka fonde më shumë sesa vitet e mëparshme, por ka edhe një kuadër tashmë të plotë procedurash, rregullash dhe kriteresh të manaxhimit finaciar vendor çka garanton efiktivitet dhe efiçencë në përdorimin e parasë publike në nivel vendor.

E theksova dhe në takimin që para me pushtetin vendor, që përsa i përket detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor, e bëmë shumë të qartë, se qeveria qendrore nuk do të marrë përsipër, nuk do të paguajë borxhet e pushteti vendor. Përkundrazi, pushtetit vendor i takon në bazë të ligjit, në bazë të tagrit, të jetë i përgjegjshëm dhe të shlyejë detyrimet e veta ndaj të tretëve, ashtu siç bën dhe qeveria qendrore.

Dua ta mbyll fjalën duke u ndalur në dy momente të rëndësishme që kanë të bëjnë me risqet potenciale që shoqërojnë buxhetin e vitit 2019-të dhe mitigimin e tyre.

Së pari, lidhur me riskun e financimit të defiçitit buxhetor dhe atij të rifinancimit të borxhit publik, dëshiroj të nënvizoj që nevojat për hua kanë ardhur duke u ulur gradualisht, duke reflektuar përmirësimin e strukturës së borxhit dhe reduktimin e riskut fiskal të qeverisë.

Në harkun kohor të 5 viteve, huamarrja në terma bruto është bazuar mesatarisht në rreth 85% në burimet e brendshme të financimit ku si instrument huaje janë përdorur titujt shtetërorë.

Në dy vitet e fundit, 2017–2018, ka pasur një rritje në favor të huamarrjes së huaj, kryesisht të realizuar në kuadër të shfrytëzimit të burimeve të favorshme të financimit të vëna në dispozicion nga institucionet financiare ndërkombëtare, si edhe shfrytëzimit të kushteve të favorshme të tregjeve ndërkombëtare, në kuadër të mire-administrimit të likuiditetit dhe detyrimeve të borxhit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

Fakt është ekspozimi shumë pozitiv që ekonomia shqiptare pati me procesin e fundit të Eurobond-it, ku arritëm të merrnim një rekord historik të ulët të çmim kuponi prej 3.5 %. Po t’i referohemi vitit 2015, ka qenë çmim kuponi 5.75 %, po t’i rikthehemi 2010-ës shkoi mbi 7.5 % dhe u kuotua ndër vite, për shkak të risqeve të rritura, në një moment dhe 13 % interes.

Në drejtim të uljes së ekspozimit ndaj rritjeve ka ndikuar rritja e përqëndrimit të huamarrjes së brendshme në titujt afatgjatë me norma interesi fikse.

Në mos gabohem, shifra e maturimit të borxhit të brendshëm ka shkuar në 805 ditë nga 540 ditë që ka qenë disa vite më parë. Duke futur dhe borxhin e jashtëm, praktikisht ka shkuar në 4.8 vite maturim. Pra, balancimi i maturimit ka ardhur gjithmonë e më i përmirësuar.

Ndërkohë, në drejtim të optimizimit të kostove të përgjithshme të huamarrjes ka ndikuar rënia e normave të interesit, shoqëruar me përqendrimin e një pjesë të konsiderueshme të huamarrjes së huaj në burimet e financimit me natyrë dy palëshe dhe shumë palëshe. Në këtë aspekt, vlen të përmendet se gjatë viteve të fundit, jo vetëm kostot për njësi por edhe kostot e përgjithshme të huamarrjes, janë ulur ndjeshëm.

Së dyti, lidhur me risqet e tjera buxhetore, dëshiroj të theksoj se projekt buxheti 2019 vijon të mbajë rezerva konsistente në krahun e shpenzimeve buxhetore në masën 0.7 % të totalit të shpenzimeve buxhetore të 2019-ës ose rreth 4.3 miliardë lekë të cilat, në vlerësimin e Ministrisë së Finacave dhe Ekonomisë, do mund të absorvojnë mjaftueshëm propabilitetin e materializimit të risqeve, duke ju referuar goditjeve makroekonomike, realizimit më të ulët se parashikimi i të ardhurave buxhetore në potencë, kursi i pafavorshëm i këmbimit dhe normat e interesit më të larta se pritshmëria që ndikojnë shpenzimet për shërbimin e borxhit publik.

Përsa ju përket risqeve buxhetore me natyrë implicite, do të rendisja: sektorin elektroenergjetik, ku synohet një risk i ulët i ekspozimit të buxhetit ndaj këtij sektori, përmes ruatjes së një rezultati neto, pra pozicionimi neto siç iu referova më lart të qëndrueshëm, që nuk rrezikon buxhetin për sektorët e tjerë prioritarë, pra 3 miliardë lekë në vit, mbajtjes së një rezerve për përballimin e vulnerabilitetit ndaj kushteve meterologjike të paparashikuara 1 deri në 3 miliardë lekë në vit.

Një risk implicit është ekspozimi i buxhetit ndaj pagesave të Partneritetit Publik Privat aktiv ku për vitin 2019 e në vijim ky ekspozim do të jetë dukshëm brenda limitit ligjor prej 5% të totalit të të ardhurave buxhetore të vitit paraardhës, duke mbajtur një trend të lehtë rritës në 3.4% në vitin 2021.

Kjo rrëzon çdo debat, kjo rrëzon çdo politizim dhe demonizim që i bëhet Partneritetit Publik Privat. Financimi i Partneritetit Publik Privat në formulë të kombinuar do të jetë brenda limiteve ligjore të shkruara nominalisht në ligjin organik të buxhetit dhe nuk do të arrijë kurrë 5%. Nuk do të arrijë kurrë 5 përqindëshin e totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Çdo lloj debati për procedurën, për transparencën, është i mirëpritur, vetëm përmirëson procesin. Debati fiskal mbaron këtu. Nuk do të kalojë kurrë 5 pëqindëshin. Në vitin 2021 do të jetë shumë brenda 5 përqindëshit, në funksion të kombinimit të konsolidimit fiskal dhe investimeve të rëndësishme në infrastrukturën rrugore dhe jo vetëm.

Detyrimet kontigjente që kanë të bëjnë kryesisht me vendimet e gjykatave ndërkombëtare, Strasburgu dhe Arbitrazhi, e ato të vendit, vendimet gjyqësore të formës së prerë, për të cilat në buxhetin e vitit 2019 parashikohet që të përballohen nëpërmjet përdorimit të fondit rezervë të Këshillit të Ministrave dhe buxheteve respektive të ministrive të linjës dhe institucioneve buxhetore të prekura nga këto vendime.

Risku tjetër është krijimi i detyrimeve të prapambetura ku Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka intensifikuar rolin e saj monitorues dhe raportues, duke punuar për të informatizuar tërësisht procesin e manaxhimit të angazhimeve buxhetore nëpërmjet sistemit të ri të manaxhimit financiar AFMIS, i cili pritet të fillojë në 1 janar të 2019-ës dhe të sjellë rezultate akoma edhe më domethënëse në eleminimin apo minimizimin e rasteve të krijimit të detyrimeve të prapambetura të institucioneve buxhetore ndaj të tretëve.

Në përfundim, dua t`ju risjell në vëmendje objektivat madhore që synon të realizojë qeveria shqiptare nëpërmjet projektbuxhetit 2019, është ai dhe mbi të gjitha i forcimit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsolidimit fiskal, e theksoj këtë pasi gjatë shqyrtimit të këtij projektbuxheti nga secili prej komisioneve të Kuvendit, çdo propozim alternativ duhet të mbajë parasysh ruajtjen e parametrave që lidhen me këto dy objektiva. Qytetarët duan rritje ekonomike, qytetarët duan të lehtësohet masa e borxhit publik në kurriz të sipërmarrjeve dhe qytetarëve. Ne kemi detyrë në vazhdimësi të ulim borxhin publik deri ditën kur shkon 45% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo është e panegociueshme për këtë mazhorancë që është shumë e përgjegjshme, por për secilin që ka rol aktiv apo jo të drejtpërdejtë në këtë proces.

Faleminderit.