Postuar më: 31/10/2018

Buxheti 2019, Ministri Ahmetaj në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve

BUXHETI 2019 – Fjala e Ministrit në Konferencën e Kryetarëve

 

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të Nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare dhe të Komisioneve Kuvendore,

E nderuar Zv/kryeministre,

Projektbuxheti 2019 që ju është vënë në dispozicion për shqyrtim, vijon të mbështesë rritjen ekonomike të vendit ndërkohë që vijon konsolidimin fiskal duke ulur më tej barrën e borxhit publik për biznesin dhe qytetarët.

Rritja ekonomike parashikohet në nivelin 4.3% për vitin 2019, e cila pritet të forcohet më tej në vitin 2020 dhe 2021. Raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto do të ulet  66.9% në fund të vitit 2018, duke iu referuar borxhit neto, dhe 64.9% në 2019-ës, duke synuar 60% të PBB në vitin 2021.

Rritja domethënese ekonomike e parashikuar për 2019-ën krijon më shumë punësim me hapjen e mbi 30 mijë vendeve të reja pune të planifikuar, duke rezultuar në rënien e nivelit të papunësisë të forcës aktive për punë nën 12% në 2019 krahasuar me 12.9% që planifikohet mesatarja e këtij viti. Në këtë kontekst, projektbuxheti 2019 do të vijojë të mbështesë krijimin e vendeve të reja të punës me politika incentivuese fiskale si dhe me një skemë më efektive të punësimit dhe aftësimit profesional.

Rritja ekonomike pritet të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat  dhe investimet. Ndërkohë kërkesa e huaj neto (eksport – import) pritet të sjellë gjithashtu një efekt pozitiv, por akoma marxhinal. Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Ndërsa rritja e investimeve pritet të nxitet nga shfrytëzimi më i intensifikuar i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së parashikuar dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë. Njëkohësisht edhe vijimësia e përmirësimit të kushteve financiare dhe lehtësimit të standardeve të huadhënies pritet të jetë një faktor incentivues i investimeve private në afatmesëm.

Politika fiskale do të vazhdojë drejt konsolidimit në periudhën afatmesme e rrjedhimisht me efekt direkt neutral mbi konsumin. Por politika buxhetore e sigurimit të një niveli prej rreth 5% të PBB-së të investimeve publike do të mbështesë krijimin e konsiderueshëm të kapitalit fiks bruto në ekonomi, e cila është e rëndësishme për të mbajtur nivele relativisht të larta rritjeje, si në afatin e shkurtër, ashtu edhe në afatin e gjatë. Në të njëjtën kohë, qëndrimi akomodues i parashikuar i politikës monetare për periudhën afatmesme, për sa kohë që presionet inflacioniste të mbeten në kahun e poshtëm, pritet të mbështesë gjithashtu konsumin privat dhe investimet.

Efekti tjetër indirekt që vjen prej konsolidimit të stabilitetit makroekonomik dhe besimit të agjentëve në ekonominë e vendit, reduktimit të primeve të riskut, si dhe krijimit të një hapësire më të madhe për financim dhe zgjerimin e sektorit privat, padyshim që është një efekt tjetër pozitiv në performancën e ekonomisë në tërësi.

Rritja në periudhën afatmesme pritet të jetë e orientuar drejt krijimit të vendeve të punës krahasuar me historikun, pasi sektorët e prodhimit më intensiv të forcës së punës pritet të performojnë relativisht më mirë se të tjerët. Shkalla e papunësisë përllogaritet të zbresë në 12.0% për vitin 2019 dhe të vijojë gradualisht rënien në vitet në vijim drejt njëshifrorit.

Për sa i përket objektivit madhor të konsolidimit fiskal, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj disa aspekte kyçe që projektbuxheti 2019 mbart:

  • Një deficit fiskal që për herë të parë programohet nën 2% të PBB (1.9%) ndërkohë që në periudhën afatmesme pritet të ulet akoma më shumë deri në 1.2% të PBB në 2021; 1.9 % për vitin 2019 është deficiti i programuar më i ulët historik.
  • Bilanc Primar që për të katërtin vit rradhazi është pozitiv, duke shënuar +0.5% të PBB në 2019, pra me suficit, i cili pritet të jetë akoma dhe më i lartë në vitet pasuese;
  • Bilanc Korrent me suficit të konsiderueshëm prej mbi 3% të PBB në periudhën 2019-2021, i cili përkthehet në:
    • Një Qeveri të përgjegjshme që financon tërësisht operacionet e veta nga të ardhurat buxhetore;
    • Financim të investimeve publike me një shifër të konsiderueshme nga të ardhurat buxhetore me mbi 3% të PBB (ndërkohë që pjesa tjetër do të financohet nëpërmjet huave). Ky është dhe rregulli i artë që i referohet dhe bilancit korrent që tregon pozivitetin në qasjen e buxhetit 2019 por dhe përgjegjshmërinë e qeverisë në menaxhimin e financave publike.

Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do të vijojë të ulet gjithnjë e më shumë në nivele më të sigurta dhe më pak të kushtueshme për ekonominë dhe shqiptarët.

Të ardhurat buxhetore për vitin 2019, janë parashikuar duke marrë parasysh faktorë të tillë si: rritja ekonomike dhe indeksi i çmimeve, politikat e reja fiskale si dhe efektet nga lufta kundër informalitet, e shoqëruar kjo me masa ligjore antishmangie me qëllim rritjen e nivelit të pajtimit vullnetar të tatimpaguesve me ligjin.

Të ardhurat buxhetore në fund të vitit 2018 priten të jenë 458.2 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2017, parashikohet një rritje prej 6.5%, ose 27.8 miliardë lekë duke kapur nivelin 27.8% të PBB-së nga 27.7% që ishin në vitin 2017. Rritja me 0.1% e kontributit të të ardhurave të buxhetit të shtetit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto për vitin 2018, është tregues i rëndësishëm i përmirësimit të përformancës së mbledhjes së të ardhurave në kuadër të reformës së konsolidimit të financave publike. Kjo rritje vjen kryesisht si rrjedhojë e  rritjes ekonomike dhe nga përmirësimi në administrimin e taksave, pavarësisht efekteve negative të kursit të këmbimit në të ardhurat nga importi.

Dëshiroj të ilustroj këtu vetëm efektin negativ që ka pasur kursi i ulët i këmbimit Euro / Lekë në të ardhurat e pritshme nga TVSH, ku për 9 mujorin 2018 përllogaritet në një vlerë të konsiderueshme prej 6 miliardë lekë më pak, ndërkohë që prognoza deri në fund të vitit shkon në 9 miliardë lekë.

Paketa Fiskale 2019 synon arritjen e disa objektivave:

  • Uljen e barrës tatimore për grupe të caktuara individësh si të punësuarit me nivel të mesëm pagash.
  • Uljen e barrës së kombinuar fiskale mbi fitimin dhe dividentin për kompanitë.
  • Dhënien e incentivave dhe stimujve tatimorë për industri dhe sektorë të caktuar si bujqësia, fasoni, farmaceutika etj.
  • Stimulimin e politikave në transport, në funksion të mbrojtjes së ambientit.
  • Rregullime të barrës fiskale në fushën e mallrave të akcizës.

 

Paketa Fiskale për vitin 2019, parashikon ndryshimet e mëposhtme:

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”

  1. Ulja e normës së tatimit mbi dividentin nga 15% në 8%;
  2. Rritja e kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë;
  3. Dispozitë taksimi për fitimet kapitale jorezidente, në lidhje me shitjet e kuotave të kompanive apo aktiveve që ndodhen në Shqipëri.  Kjo është një masë antievazion, në harmoni të plotë me zhvillimet e fundit që ka avancuar OECD.

Ligji “Për taksat Nacionale”

  1. Kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike, tek taksimi i materialeve plastike; Ulje e masës së taksës me 2/3. Ulje me 50 % edhe masës së taksës për ambalazhet e qelqit;
  2. Rritja e rentës minerare për eksportin e kromit nga 6% në 9%, si dhe heqja e taksës së karbonit për eksportin e naftës.

 

Ligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”

  1. Përjashtimi në import i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik;
  2. Përjashtimi nga TVSH i furnizimit me shërbim nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason;
  3. Përjashtimi nga TVSH i importit të makinerive bujqësore sipas listës së miratuar me VKM, nga çdo importues;
  4. Normë e reduktuar TVSH 10% për importin e autobuzëve elektrike të transportit publik;
  5. Normë e reduktuar 6% për shërbimin e reklamave nga televizionet.

 

Ligji “Për akcizat”

  1. Vendosja e akcizës 1 lekë/kg për zhavorët bituminoze që përdoren si lëndë djegëse alternative;
  2. Heqja e akcizës për fishekzjarret, llampat, pilat/bateritë;
  3. Rritja e akcizës për duhanin e përpunuar dhe zëvendësuesit e tij, duhanet me ngrohje, purot.

Ligji “Për Procedurat Tatimore”

  • Dispozitë anti-shmangie e përgjithshme nga taksat, në përputhje me Direktivën e Bashkimit Europian;
  • Dispozitë antishmangie në lidhje me regjistrimin e më shumë se një biznesi nga personat fizik tregtar;
  • Lehtesim i procedurave të ç’regjistrimit të biznesit.

 

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2019 do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, të cilat do të stimulojnë më tej rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim. Gjithashtu, mbështeten një sërë reformash, nga ajo e drejtësisë tek reforma e ujit.

Për vitin 2019, shpenzimet buxhetore do të kapin për herë të parë vlerën absolute prej 519.4 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2018, totali i shpenzimeve buxhetore programohet me rritje 5.9% më shumë.

Shpenzimet e Personelit të planifikuara në masën 80.6 miliardë lekë për vitin 2019, përveç financimit të plotë të kostos aktuale të Administratës Publike Qendrore, mbart dhe reflekton koston aktuale të Administratës Publike, mbart gjithashtu dhe politikën e rritjes së pagave për sektorin e shëndetësisë (7%), arsimit (7%), mbrojtjes (7%), sistemit penitenciar (7%) dhe punonjësit e përfaqësive diplomatike (20%). Krahas kësaj në këto shpenzime planifikohet kostoja e plotë reformës në drejtësi, për akomodimin e pagave të reja të institucioneve aktuale të sistemit të drejtësisë si dhe, akomodimi i institucioneve të reja të krijuara për mbështetjen e kësaj reforme. Vlen të theksohet se nga kjo rritje e konsiderueshme e pagave përfitojnë:

  • 4,650 mjekë
  • 13,765 ndihmës mjekësorë/infermier
  • 35,783 mësues
  • 6,800 ushtarakë
  • 3,559 efektivë të policisë së burgjeve
  • 308 diplomatë

 

Shpenzimet Operative dhe Mirëmbajtjes do të kapin vlerën 48.6 miliardë lekë, duke prioritizuar: mbështetjen e skemës së fermerëve me një rritje në dy vitet e fundit në 2.6 miliardë lekë; mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar, ky është viti i dytë ku do të kemi shumë të strukturuar midis Bankës Botërore dhe burimeve të brendshme të konsiderueshme për mirëmbajtjen e rrugëve; dhe mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit në administratën publike.

Shpenzimet për interesa planifikohen 41.7 miliardë lekë ose 2.4%  të PBB, për të përballuar një rritje të mundshme të normave të interesit 1 deri në 2 pikë përqindje, duke iu referuar edhe sinjaleve të fundit qoftë nga Banka Qendrore Europiane, qoftë nga Banka Qendrore Amerikane.

Subvencionet parashikohen me ulje në terma absolutë dhe relativë, krahasuar me një vit më parë, ku planifikohet rreth 1.5 miliardë lekë ose 0.1% e PBB. Kjo ulje vjen si pasojë e ri-alokimit të një pjese të mirë të subvencionit të parashikuar për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizime, tek investimet publike në rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjeteve të ujesjellës-kanalizimeve në kuadër të përshpejtimit të Reformës së ndërmarrë nga Qeveria për këtë sektor jetik, që do të thotë se subvencioni nuk do të jetë më një subvencion pasiv dhe të financojë kostot, por do të financojë investimet.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 179.98 miliardë lekë për vitin 2019. Dua t’ju tërheq vëmendjen në një fakt mjaft pozitiv dhe interesant përsa i përket fondit të kompensimit të ish pronarëve. Për herë të parë, në buxhetin e vitit 2019 jo vetëm që do të jetë një shumë 5 miliardë e nominuar, në bazë të ligjit që kemi hartuar për trajtimin e ish pronarëve me kompensim, qoftë fizik, qoftë monetar, shuma prej 5 miliard nuk do të jetë objekt i deficitit buxhetor. Do të thotë se, pavarësisht se mund të mos jetë harxhuar deri në fund të vitit fiskal 2019, pjesa e mbetur do të jetë e trashëgueshme për vitin 2020 e kështu me radhë, në mënyrë që fondi për kompensimin e ish pronarëve të mos preket në varësi të fluktuimit potencial të deficitit.

Skema e Sigurimeve Shoqërore. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2019 parashikohet në masën 130.63 miliardë lekë ose 7.5% e PBB. Ky raport është i njëjtë me vitin 2018, nga e cila për indeksimin e pensioneve është parashikuar një fond prej 2.45 miliardë lekë. Duhet theksuar këtu se krahasuar me vitin 2013, skema e pensioneve i rëndon më pak buxhetit të shtetit, pasi në vitin 2013 transferta buxhetore zinte rreth 46.2% të totalit të shpenzimeve, ndërkohë që për vitin 2019 parashikohet të zërë  35.6% të totalit, përmirësim i ndjeshëm. Kjo ka ardhur si pasojë e dy faktorëve kryesorë: (i) Uljes së nivelit të informalitetit në tregun e punës dhe (ii) Rritjes së nivelit të punësimit dhe kontribuesve;

Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2019 është parashikuar në masën 41.9 miliardë lekë ose 2.4% e PBB nga 40.4 miliardë lekë në vitin 2018.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve, parashikohet, siç e theksova më lart, në total në masën 5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB. Duke filluar nga viti 2016 fondi i kompensimit është planifikuar në rritje nga viti në vit duke synuar në vitin 2021 shumën 5.5 miliardë lekë krahasuar me 1.89 miliardë lekë që ishte në 2013-ën. Rritja e fondit të kompensimit në vlerë të pronarëve bëhet në mbështetje të reformës së ndërmarrë nga kjo qeveri për trajtimin e ish-pronarëve pjesë e së cilës është kompensimi në vlerë për t’u realizuar brenda periudhës 10-vjeçare, të parashikuar dhe në ligjin nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”.

Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 500 milionë lekë.
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 20.5 miliardë lekë, në të njëjtin nivel si vitin e kaluar.
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0.1% e PBB.
  • Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë. Nga kjo politikë e re pritet të përfitojnë rreth 30 mijë familje gjatë vitit 2019. Kjo është dhe një nga reagimet e para që ka qeveria përsa i përket riskut të uljes së ritmit të lindjeve, pra riskut demografik.

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2019 planifikohet në masën 3 miliardë lekë, përkatësisht 1.5 miliardë lekë Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 1.5 miliardë lekë fond kontigjence për financimin e pagave të reja për magjistratin dhe ngritjen e funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, midis tyre Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK.

Investimet Publike për vitin 2019 janë planifikuar në masën 5.1% e PBB ose 88.8 miliardë lekë (përfshirë dhe mbështetjen për sektorin e energjisë 3 miliardë lekë në formën e investimeve të huaja) apo siç i referohemi teknikisht pozicionit neto të sektorit të energjisë reflektuar brenda deficitit buxhetor.

Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë dëshiroj ta filloj me Arsimin ku synojmë të mbajmë një nivel konstant në raport me PBB prej 3% përgjatë periudhës 2019-2021. Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në vitin 2019, në këtë sektor do të financohet me përparësi:

  • Ofrimi i teksteve shkollore falas për 190 mijë nxënës të arsimit para-universitar, nga të cilët 125 mijë nxënës të klasave I-IV. Kosto vjetore do të jetë nga 610- 700 milion lekë në vit.
  • Transport i siguruar për 28 mijë nxënës që kanë vendbanimi mbi 2 km nga shkolla si dhe për 10 mijë mësues që punojnë mbi 5 Km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë. Kosto vjetore shkon 650 -680 milion lekë në vit.
  • Për 1,000-1,400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë do të garantohet trajtimi me kuotë ushqimore

Për Arsimin Bazë:

  • Ndërtime të reja dhe shtesa objektesh (15-20 objekte shkollore) në vlerën 800 milionë lekë (400 milion lekë në vit).
  • Rikonstruksione (90-100 objekte shkollore) me një vlerë rreth 5 miliard lekë (1.25 miliard lekë vetëm në vitin 2019)

Për Arsimin e Mesëm të Përgjithshëm:

  • Ndërtime të reja dhe shtesa objektesh (6-10 objekte shkollore) në vlerën rreth 660 milion lekë (300 milion lekë në vit);
  • Rikonstruksione (30-40 objekte shkollore) me një vlerë rreth 1.5 miliard lekë (75 miliard lekë në vit)

Shëndetësia, ku financimi do të mbetet në nivelet 2.9 % mesatarisht për periudhën 2019-2021, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët do të synohet:

  • Reduktimi në më pak se 15 % I numrit të pacientëve të rishtruar për të njëjtën diagnozë brenda 72 orësh nëpërmjet urgjencës;
  • Reduktimi i kohës së pritjes për ekzaminime të rëndësishme, rezonancë magnetike-skaner, në më pak se 45 ditë;
  • Reduktim i ndeksit të vdekshmërisë foshnjore për periudhën 2019-2021 në më pak se 5.3 në 1 mijë lindje;
  • Garantimi i mbulesës vaksinale;
  • 200 qendra shëndetësore të rikonstruktura dhe të pajisura, nga 100 në çdo vit 2019-2020;
  • Lidhur me skemën e rimbursimit të barnave kemi konstatuar se kjo skemë po ecën përtej mundësive që parashikonte buxheti, me një rritje prej 23.6 % për vitin 2019-2021 dhe kësisoj ka nevojë për një reform që sjell eficencë dhe efektivitet më të lartë të kësaj skeme. Për këtë qëllim, në nenin 5 të projektligjit të buxhetit 2019, që përcakton buxhetin e FSDKSH-së, kemi propozuar vënien e një tavani shpenzimesh për këtë skemë me vlerën 10.5 miliardë lekë, për të incentivuar më tej ndërmarrjen e kësaj reforme të domosdoshme.

Bujqësia do të vazhdojë të përfitojë në terma realë 0.6 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto për periudhën 2019-2021 ku synon:

  • Rritja e sipërfaqes së tokës bujqësore që i afrohet shërbimit të ujitjes, nga 65.3 % në 2019 në 68.1 % në vitin në vazhdim me rreth 360 mijë hektarë tokë në vitin 2021;
  • Numri i fermerëve të mbështetur nga skemat kombëtare me mesatarisht 3600 përfitues në vit, kosto vjetore, siç e theksova më lart6 miliardë; zhvillimi i skemës së IPARD-it do të rrisë më tej këtë numër përgjatë viteve 2019-2021;
  • Rritja e sipërfaqeve të mbjella me dru frutorë nga 36.1 mijë hektarë në vitin 2019, në 38 mijë hektarë në vitin 2021;
  • Rritje e sipërfaqes së mbjellë me perime në sera nga 1,750 hektarë në vitin 2019, në 2,010 hektarë në vitin 2021.

Infrastruktura do të përfitojë fonde të konsiderueshme përgjatë 2019-2021, rreth 2.8 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto për 2019-2021, ku synohet:

  • Kompletimi i akseve rrugore nacionale si: Rruga e Arbrit; Thumanë – Vorë – Kashar, Milot – Balldren; Orikum – Dukat, brenda vitit 2021 me projektin “1 Miliardë” si dhe potencialisht Tiranë-Durrës me zgjerimin me tre korsi, pra në total 6 korsi të aksit kryesor të vendit Tiranë-Durrës dhe vazhdimin e përmirësimit më tej nëpërmjet një aksi të ri, Vorë-Rrogozhinë;
  • Kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me financim të brendshëm gjatë vitit 2021 si Kardhiq – Delvinë; Elbasan-Banjë; By Pass Shkodër; By Pass Tepelenë; një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës;
  • Kompletimi i segmenteve rrugore brenda 2021 me financim të huaj si By Pass-i i Fierit, që mendohet të bëhet i kalueshëm përpara verës 2019; By Pass-i i Vlorës dhe Qukës-Qafë Plloç;
  • Ulja e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetësh njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 23%, që ka të bëjë me outputin;
  • Fondi i Mirëmbajtjes së Rrugëve 2019-2021, më i larti i 25 viteve të fundit, rreth 3.7 miliardë lekë mesatarisht;
  • Vënia në funksion e aeroportit të Vlorës dhe i Kukësit nëpërmjet skemave të Partneritetit Publik Privat;
  • Furnizimi 24 orë me ujë dhe shërbime për zonën bregdetare brenda vitit 2021;
  • Në vitin 2020 parashikohet të rritet përdorimi i energjisë së rinovueshme me 38%, kundrejt vitit 2009;
  • Në vitin 2021 synohet të riciklohet rreth 20 % e totalit të mbetjeve të prodhuara nga 0.05 që parashikohet në vitin 2018.

Shpenzimet për buxhetin vendor për të tretin vit radhazi do të vazhdojnë të mbështesin reformën administrative territoriale dhe reformën e decentralizimit.

  • Në projektbuxhetin e vitit 2019, burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me rreth 5 miliardë lekë ose 11 % më shumë se ato të vitit 2018, të cilat do të shkojnë për më shumë investime dhe përmirësime të shërbimeve publike.
  • Ndër masat më të rëndësishme përmendimin miratimin dhe zbatimin e ligjit të vetëqeverisjes vendore dhe reformën për taksën e ndërtesave, me ngritjen e strukturave të posaçme dhe krijimin e kadastrës fiskale.Të gjitha këtu dëshmojnë vullnetin dhe seriozitetin e qeverisë për zbatimin e reformës administrative territoriale.
  • Transferta do të jetë 1 % e Prodhimit të Brendshëm B

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2019 janë parashikuar në masën 51.14 miliardë lekë të cilat zënë 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 2.3% që zinin në vitin 2013. Pjesa më e madhe, mbi 60% e këtyre shpenzimeve shkojnë për investime dhe shërbime publike për komunitetet vendore.

Burimi i zgjerimit të shpenzimeve vendore për vitin 2019 është rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat e veta si dhe nga rritja e transfertës të pakushtëzuar të përgjithshme.

Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2019 parashikohen të kenë një rritje me mbi 3.8 miliardë lekë më shumë se sa plani i vitit 2018, ose thënë ndryshe me një rritje prej rreth 21 %. Ndërkohë, krahasuar me vitin 2015 të ardhurat vendore parashikohen me një rritje të konsiderueshme me rreth 90 %.

Kjo rritje e nivelit të të ardhurave do të vazhdojë si rrjedhojë e ndarjes më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmirësimit të vazhdueshëm të skemës së financimit të funksioneve të veta si dhe rritjes së burimeve të financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Gjithashtu, reforma që ka filluar në taksën e pronës, konkretisht për taksën mbi ndërtesat dhe ngritjen e Kadastrës Fiskale, parashikohet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e të ardhurave në buxhetin vendor, për vitin 2019 dhe për vitet e tjerë në vazhdim.

Në buxhetin vendor të vitit 2019, në vijim të reformës administrative territoriale dhe decentralizimit, vend të rëndësishëm zë reforma e financimit të arsimit parashkollor.

Për vitin 2019, fondet për pagat e edukatorëve do të rriten me 9.1 % në krahasim dhe me vitin 2018. Në të njëjtën kohë, do të përmirësohet sistemi i ndarjes së fondeve ndërmjet bashkive.

Në ndryshim nga sistemi i mëparshëm, ku fondet ndaheshin sipas numrit të edukatorëve, tashmë konform praktikave më të mira ndërkombëtare financimi i këtij funksioni në vitin 2019 do të bazohet kryesisht në numrin e nxënësve/fëmijëve 3 deri në 6 vjeç, si një kriter më objektiv për përcaktimin e nevojave për shpenzime.

Kështu, 60 % e transfertës për arsimin parashkollor do të ndahet bazuar në numrin e fëmijëve 3-6 vjeç dhe 40 % do të vazhdojë të ndahet mbi numrin e edukatorëve, pra një kombinim.

Nga kjo reformë në buxhetin e vitit 2019 nuk do të ketë asnjë bashki që humbet fonde. Përkundrazi, pjesa më e madhe e bashkive do të jetë fituese në fonde për këtë shërbim. Si rrjedhojë e kësaj reforme do të punësohen 438 edukatorë më shumë se sa në vitin 2018, të cilët do të shkojnë në 32 bashki, që kanë nevojë më të madhe për shtimin e edukatorëve, e matur nga raporti që unë përmenda më lart, fëmijë për edukatorë, dhe jo e kundërta “edukatorë për fëmijë”.

Kjo reformë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e madhësisë maksimale mesatare të grupeve në kopshte nga 26 në 18 nxënës për edukator dhe të madhësisë mesatare kombëtare nga 18 në 15 nxënës për edukator, duke krijuar kështu parakushte për një sistem më efikas.

Buxheti vendor i vitit 2019 do të jetë buxheti me të cilin gjen zbatim të plotë ligji për financat e vetëqeverisjes vendore, ku jo vetëm ka fonde më shumë sesa vitet e mëparshme, por ka edhe një kuadër tashmë të plotë procedurash, rregullash dhe kriteresh të manaxhimit finaciar vendor çka garanton efiktivitet dhe efiçencë në përdorimin e para publike në nivel vendor.

Së fundmi, dua ta mbyll fjalën duke u ndalur në dy momente të rëndësishme që kanë të bëjnë me risqet potenciale që shoqërojnë buxhetin e vitit 2019-të dhe mitigimin e tyre.

Së pari, lidhur me riskun e financimit të defiçitit buxhetor dhe atij të rifinancimit të borxhit publik, dëshiroj të nënvizoj që nevojat për hua kanë ardhur duke u ulur gradualisht, duke reflektuar përmirësimin e strukturës së borxhit dhe reduktimin e riskut fiskal të qeverisë.

Në harkun kohor të 5 viteve, huamarrja në terma bruto është bazuar mesatarisht në rreth 85% në burimet e brendshme të financimit ku si instrument huaje janë përdorur titujt shtetërorë.

Në dy vitet e fundit, 2017 – 2018 , ka pasur një rritje në favor të huamarrjes së huaj kryesisht të realizuar në kuadër të shfrytëzimit të burimeve të favorshme të financimit të vëna në dispozicion nga institucionet financiare ndërkombëtare si edhe shfrytëzimit të kushteve të favorshme të tregjeve ndërkombëtare në kuadër të mirëmanaxhimit të likuiditetit dhe detyrimeve të borxhit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

Në drejtim të uljes së ekspozimit ndaj rritjeve ka ndikuar rritja e përqëndrimit të huamarrjes së brendshme në titujt afatgjatë me norma interesi fikse.

Ndërkohë, në drejtim të optimizimit të kostove të përgjithshme të huamarrjes ka ndikuar rënia e normave të interesit, shoqëruar me përqendrimin e një pjesë të konsiderueshme të huamarrjes së huaj në burimet e financimit me natyrë dy palëshe dhe shumë palëshe. Në këtë aspekt, vlen të përmendet se gjatë viteve të fundit, jo vetëm kostot për njësi por edhe kostot e përgjithshme të huamarrjes, janë ulur ndjeshëm.

Së dyti, lidhur me risqet e tjera buxhetore, dëshiroj të theksoj se projekt buxheti 2019-të vijon të mbajë rezerva konsistente në krahun e shpenzimeve buxhetore në masën 0.7 % të totalit të shpenzimeve buxhetore 2019 ose rreth 4.3 miliardë lekë të cilat, në vlerësimin e Ministrisë së Finacave dhe Ekonomisë, do mund të absorvojnë mjaftueshëm propabilitetin e materializimit të risqeve, duke ju referuar goditjeve makroekonomike, realizimi më i ulët se parashikimi i të ardhurave buxhetore në potencë, kursi i pafavorshëm i këmbimit dhe normat e interesit më të larta se pritshmëria që ndikojnë shpenzimet për shërbimin e borxhit publik.

Përsa ju përket rrisqeve buxhetore me natyrë implicite, do të rendisja: sektorin elektroenergjetik, ku synohet një risk i ulët i ekspozimit të buxhetit ndaj këtij sektori, përmes ruatjes së një rezultati neto, pra pozicionimi neto siç iu referova më lart të qëndrueshëm, që nuk rrezikon buxhetin për sektorët e tjerë prioritarë, pra 3 miliardë lekë në vit, mbajtjes së një rezerve për përballimin e vulnerabilitetit ndaj kushteve meterologjike të paparashikuara 1 deri në 3 miliardë në vit.

Një risk implicit është ekspozimi i buxhetit ndaj pagesave të Partneritetit Publik Privat aktiv ku për vitin 2019 e në vijim ky ekspozim do të jetë dukshëm brenda limitit ligjor prej 5% të totalit të të ardhurave buxhetore të vitit paraardhës duke mbajtur një trend të lehtë rritës nga 3% në vitin 2019, në 3.4% në vitin 2021.

Pra, siç e shikoni, gjithë diskutimi, debati i demonizimit të Partneritetit Publik Privat nuk qëndron as nga ana fiskale, edhe për arsyen sepse qëndron thellësisht nën nivelin e paracaktuar me ligj prej 5% të të ardhurave totale tatimore të vitit paraardhës.

Detyrimet kontigjente që kanë të bëjnë kryesisht me vendimet e gjykatave ndërkombëtare, Strasburgu dhe Arbitrazhi, e ato të vendit, vendimet gjyqësore të formës së prerë, për të cilat në buxhetin e vitit 2019 parashikohet që të përballohen nëpërmjet përdorimit të fondit rezervë të Këshillit të Ministrave dhe buxheteve respektive të ministrive të linjës dhe institucioneve buxhetore të prekura nga këto vendime.

Risku tjetër është krijimi i detyrimeve të prapambetura ku Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka intensifikuar rolin e saj minitorues dhe raportues, duke punuar fort për të informatizuar tërësisht procesin e manaxhimit të angazhimeve buxhetore nëpërmjet sistemit të ri të manaxhimit financiar AFMIS, i cili pritet që të sjellë rezultate akoma edhe më domethënëse në eleminimin apo minimizimin e rasteve të krijimit të detyrimeve të prapambetura të institucioneve buxhetore ndaj të tretëve.

Në përfundim, dëshiroj t`ju risjell në vëmendje objektivat madhore që synon të realizojë qeveria shqiptare nëpërmjet projektbuxhetit 2019, është ai dhe mbi të gjitha i rritjes ekonomike, i forcimit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsolidimit fiskal, e theksoj këtë pasi gjatë shqyrtimit të këtij projektbuxheti nga secili prej komisioneve të Kuvendit, çdo propozim alternativë duhet të mbajë parasysh ruajtjen e parametrave që lidhen me këto dy objektiva madhorë.

Faleminderit për vëmendjen!