Postuar më: 18/12/2018

Buxheti 2019 furnizon kërkesat e studentëve. Qeveria aleati i vetëm i studentëve, dialog për një pakt kombëtar për arsimin!

Buxheti 2019 furnizon kërkesat e studentëve.

Qeveria aleati i vetëm i studentëve, dialog për një pakt kombëtar për arsimin!

 

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat – Dëgjesa për Dekretin e Presidentit për kthimin e Buxhetit 2019

 

Unë dua të theksoj që nga ana proceduriale Buxheti i vitit 2019, qoftë në instrumenta, qoftë në shuma, i ka të gjithë mundësitë dhe hapësirat për të plotësuar kërkesat përtej 8 pikave të studentëve dhe këtu gjej rastin që të bëj një lutje për studentët që kanë qenë dhe janë në protestë që të hyjnë menjëherë në dialog me qeverinë, me Kryeministrin, edhe për arsye se sa më shpejt të ulemi, aq më shpejt do t’i zgjidhim dhe do t’i plotësojmë të gjitha ato kërkesa legjitime të studentëve.

Unë besoj që Presidenti është munduar që të ketë një kontribut duke kthyer Buxhetin e vitit 2019, duke cituar një nen të Kushtetues që në themel të tij ka dy shtylla: ka shtyllën e së drejtës së plotësimit të të gjitha nevojave sociale dhe shtyllën e mundësive, dhe besoj që një kontribut më i madh se sa të kthesh Buxhetin e shtetit që është i furnizuar me të gjitha instrumentat dhe shumat për arsimin e lartë, e jo vetëm për arsimin e lartë, do të ishte që njëlloj si Kryeministri, njëlloj si ne këtu, të kërkonte dhe ai dialog midis studentëve dhe qeverisë.

Qeveria ka pozicion shumë të qartë sot, mbështet tërësisht kërkesat e studentëve, i konsideron legjitime dhe shumë të natyrshme, në reflektim të atyre kushteve të jetesës që duhen përmirësuar, të kostos së arsimimit nëpërmjet subvencionimit të tarifave, pra jo uljes, por subvencionimit nga ana e Buxhetit të shtetit, por sigurisht që qeveria është duke pritur me padurim studentët të ulen dhe të dialogojnë me Kryeministrin, me qeverinë, në mënyrë që të mos kemi vetëm ato 8 pika, por të kemi një pakt kombëtar të qeverisë me studentët, që të mos kemi një zgjidhje ad hoc dhe vetëm të momentit, por së bashku me studentët, të kemi një plan afatgjatë për zgjidhjen e problemeve të shtruara nga ana e tyre, me dinjitet dhe në legjitimitet të plotë.

Në këndvështrimin tim personal, por edhe si përfaqësues i qeverisë këtu, unë besoj që sot studentët kanë aleat vetëm qeverinë dhe këtë mazhorancë për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Të gjithë ata që i shtyjnë studentët të mos dialogjnë, që është një gjë aspak normale dhe jo e natyrshme për një kategori që shpejt do të marrë në dorë të ardhmen e vendit të mos dialogojë me qeverinë. Koncepti i protestës është të dëgjohesh për ato probleme që ti ke dhe të dialogosh në funksion të zgjidhjes së atyre problemeve që ti ke.

E theksoj edhe njëherë që, në aspektin kushtetues dhe në aspektin financiar, Buxheti i vitit 2019 i ka të gjitha mundësitë që të furnizojë kërkesat e studentëve, duke filluar me subvencionimin e konsiderueshëm të tarifave dhe duke marrë parasysh të gjitha pikat që kanë parashtruar studentët.

Dekreti ka thyer mbrapsht për rishikim Buxhetin e vitit 2019 pa referuar asnjë detaj, qoftë në aspektin e financimit të arsimit në tërësi, të arsimit të lartë në veçanti, qoftë duke iu referuar ndonjë kërkese specifike të studentëve. Pra, praktikisht e ka kthyer Buxhetin në parim. Thënë kjo, duke qenë se qeveria është e gatshme të dialogojë menjëherë dhe pret me padurim të dialogojë me studentët në funksion të një pakti kombëtar për arsimin së bashku me studentët, unë e theksoj sërish, qeveria dhe kjo mazhorancë sot janë aleatët e vetëm të studentëve. Kjo është dhe arsyeja pse ju si përfaqësues të mazhorancës, ne si përfaqësues të qeverisë, Kryeministri përditë lutet për dialog, në mënyrë që të arrijmë atë që besoj do të jetë në themel të përmirësimit të arsimit në tërësi dhe arsimit të lartë në veçanti, të paktit kombëtar për arsimin.

Thënë këto unë e mendoj fare të natyrshme, e mendoj si një akt fare normal që të rrëzohet Dekreti në parim që ka dërguar Presidenti dhe i lutem edhe Presidentit që edhe ai të fillojë të lutet për dialog të studentëve me qeverinë. Lutja për dialog do të ishte një kontribut i rëndësishëm në funksion të zgjidhjes së problemeve që realisht studentët kanë. Çdo refuzim ose ndihmë për refuzim ndaj dialogut është t’i bësh një tradhëti kauzës së studentëve, kauzës shumë të drejtë e shumë legjitime të studentëve.

Faleminderit.