Postuar më: 14/12/2018

Biznesi shqiptar po i përgjigjet konsolidimit ekonomik, me zgjerimin e biznesit të vogël, rritjen e punësimit dhe investimeve. Koha për hapin e dytë të reformave!

Biznesi shqiptar po i përgjigjet konsolidimit ekonomik, me zgjerimin e biznesit të vogël, rritjen e punësimit dhe investimeve. Koha për hapin e dytë të reformave!

 

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim me Bashkimin Evropian organizun eventin për prezantimin e arritjeve të Programit të BERZH “Këshilla për Bizneset e Vogla në Shqipëri”.

BERZH ka zbatuar një program tre-vjecar për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri, të financuar nga Bashkimi Evropian me vlerë 2 milionë euro. Mbi 150 ndërmarrje janë mbështetur nga programi duke përfituar nga asistenca e konsulentëve lokalë dhe ekspertëve ndërkombëtarë të industrisë.  Ky program ka ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme të marrin njohuritë e nevojshme për t’u zhvilluar e për t’u bërë më konkuruese në tregjet rajonale dhe ato të Bashkimit Evropian. Që prej fillimit të punës në Shqipëri në 1996-ën, falë fondeve të donatorëve të ndryshëm, BERZH ka ndihmuar mbi 700 ndërmarrje të marrin këshilla biznesi.

***

Fjala e Ministrit Ahmetaj

Së pari, dëshiroj t`ju përgëzoj për këtë program 3-vjeçar që ka ardhur në ndihmë të 150 bizneseve të vogla dhe të mesme në të gjithë vendin, duke angazhuar rreth 2 milionë euro të financuara nga Bashkimi Europian.

Sigurisht që Bashkimi Europian, Komisioni Europian dhe BERZH janë përfshirë dhe afrojnë mbështetje në shumë projekte. Matteo sapo përmendi një nga projektet që unë edhe në diskutimet zyrtare i referohem, përtej gjuhës zyrtare, si projekte shumë të bukura që kanë të bëjnë me konektivitetin rajonal dhe me turizmin, pra që furnizojnë një kombinim shumë të rëndësishëm të investimeve në arteriet e konektivitetit të mëdha të vendit, me ato të vogla që lidhin turizmin, bregdetin dhe jo vetëm, me prodhimin e bujqësisë dhe me arteriet kryesore nacionale për të promovuar turizmin, bujqësinë, punësimin si dhe integrimin fizik, në kuptimin e konektivitetit të rajoneve.

Sigurisht tek biznesi i vogël dhe i mesëm, tek konsulenca, tek mbështetja, Matteo përmendi edhe atë institucion që ne i referohemi dhe si tryeza e konsulencës dhe e diskutimit me biznesin, pra Këshilli i Investimeve, që është një institucion shumë i frytshëm, i suksesshëm. U nis si një instrument modest dhe është duke u konsoliduar si një instrument jashtëzakonisht shumë aktiv në formatimin e legjislacionit, në përfaqësimin e çështjeve dhe problemeve që ka ekonomia shqiptare apo edhe sektorë specifikë, por që është edhe në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës, nëpërmjet përfaqësuesve të sipërmarrjes dhe të institucioneve ndërkombëtare, qoftë Komisionit, qoftë BERZH-it, qoftë Bankës Botërore, qoftë FMN-së apo të tjerë, t’i japë, në kuptimin e plotë të fjalës, mend qeverisë.

Në Shqipëri, mbi 100 mijë ndërmarrje, janë në fashën e biznesit të vogël dhe të mesëm, me 1 deri në 49 të punësuar ose mbi 97% e totalit të cilët punësojnë mbi 280 mijë individë. Qeveria shqiptare qartësisht e ka shprehuar angazhimin e saj për mbështetjen e biznesit të vogël, jo vetëm nëpërmjet konsulencave të cilat përmirësojnë aksesin në biznes, që nga si të bëhet një bilanc dhe deri se si të kërkohet një kredi por, në të njëjtën kohë, edhe me Paketën Fiskale dhe këtu të gjithë pjesëtarët, duke njohur shumë prej tyre, apo edhe kur komunikojmë me qytetarët, është shumë e rëndësishme që të fiksojmë drejt dhe besoj pa emocion politik, disa shifra që janë domethënëse, që nuk janë thjesht shifra statistikore po janë konseguenca ekonomike.

Sot, 91% e bizneseve në Shqipëri paguajnë taksën ose zero ose 5%. Ka qenë një debat shumë i madh për taksat dhe shumëkush prej jush, edhe kur diskuton me mua apo kur diskutoni me njëri-tjetrin, e theksoni se perceptimi është realitet përtej realitetit dhe dikur perceptimi ka qenë se ngarkesa fiskale në Shqipëri është shumë e lartë ndërkohë që me lëvizjet fiskale që qeveria “Rama 1” dhe “Rama 2” ka bërë, dhe krahasimisht me rajonin, Shqipëria përfaqësohet me ngarkesën më të ulët fiskale.

91 % e sipërmarrjes, futeni në sistemin tuaj të sofistikuar, mendojeni edhe në konceptin makro dhe në konceptin e kontributit buxhetor, 91% e ndërmarrjeve paguajnë ose zero ose 5% taksë që është shumë e rëndësishme.

Ndërkohë, shumëkush prej jush është në nivelin e pagës së lartë fatmirësisht dhe ashtu uroj që të jeni, por mos harroni që në analizën që ne i bëjmë ngarkesës së të ardhurave personale, edhe në aspektin e administratorëve, ne e taksojmë punën në mesataren prej 97%, le të themi, nga 300 mijë lekë të vjetra deri në 1 milion e 500 mijë lekë të vjetra që ka shumëkush prej jush këtu, vetëm 5.5%, më ulëta në rajon.

Më e ulëta është konceptuar 9%; 5.5% është e jona. Dhe në të njëjtën kohë ne rritëm fashën nga 8 milionë në 14 milionë, duke bërë të mundur që t’i ulet tatimi 3 herë 11 mijë bizneseve.

Pra, ky diskutimi i taksave, në këndvështrimin tim, duke qenë se shumica prej jush janë dhe opinion-bërës në të gjithë gravitetet e tyre, duhet të përfundojë dhe të kalojmë të diskutojmë tek produktiviteti dhe konkurrueshmëria dhe këto projekte shkojnë pikërisht tek embrioni i produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.

Në të njëtën kohë, ka përpjekje të qeverisë shqiptare, modeste më duhet ta them akoma, edhe për shkak të mundësive, që kontribojnë në të njëjtën mënyrë si projekti i Komisionit dhe i BERZH-it. Ne kemi akorduar grante të ndryshme për 25 kompani. Sigurisht që nëpërmjet projekteve të ndryshme, qoftë Kooperacionit Italian, GIZ-it apo programeve të tjera të konsulencës, ka një gamë të tërë me mbështetje që funksionojnë në drejtim të të njëjtit kuadër, pra të rritjes së aksesit në financë, përmirësimit të qasjes ndaj biznesit, duke e konsideruar ndërmarrjen e vogël dhe të mesme si “backbone” të ekonomisë.

Jam i bindur se e keni studiuar me kujdes ristrukturimin e ndërmarrjeve. Do të shikoni se ndërmarrjet me mbi 5 punonjës janë shtuar në numër dhe kur u hap debati i parë, kur doli anketa e ndërmarrjeve shumëkush e keqkuptoi, e kuptuan sikur numri i ndërmarrjeve të vogla, për shkak të nivelit të numrit të punonjësve të ulët, kishte rënë.

Në fakt, kur mendje si tuajat e analizuan me kujdes, nxorrën konkluzionin që jo vetëm që numri i ndërmarrjeve ishte rritur, por struktura kishte shkuar përtej ndërmarrjeve mikro- mikro dhe kishte kaluar në një strukturë me punonjës mbi 5, mbi 10, tek një nivel deri në 49 -50, gjë që është shumë e mire, është konsolidim ekonomik i ndërmarrjeve dhe kuptohet që është një adoptim i ekonomisë së shkallës. Në finale, ekonomia e shkallës shkon në genetikën e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.

Në të njëjtën kohë, unë dua të ndaj me ju disa shifra ekonomike sepse janë kohë që shumëkush i quan kohë të vështira, unë do t’i quaja kohë interesante, se ajo që po ndodh në Shqipëri sot me studentët është një fenomen që ndodh dhe ka ndodhur në të gjithë botën demokratike. Kjo ndodh vetëm në botën demokratike, nuk ndodh në diktatura, as në autokraci dhe këtu po ndodh shumë më bukur, shumë më pastër dhe shumë më natyrshëm se sa gjithandej nga po ndodh sot.

E para, po ndodh me maturi, pra pa violencë. E dyta, kërkesat janë shumë të strukturuara dhe themelore. E treta, si rrallë kund ka një Qeveri dhe një Kryeministër që lutet për dialog dhe unë jam i bindur që dialogu do të ndodhë për të kaluar te zgjidhja që ne e kemi gati.

Por iu referova si kohë interesante sepse edhe vetë e quaj si “ajër i pastër” për të sjellë reflektim dhe një përqasje të re, por nuk duhet ta harrojmë pjesën e ekonomisë. Pjesa e ekonomisë është duke na dhënë mësime të mira dhe një mësim shumë themelor është vazhdimi i reformave. Në kohë të tilla, që mund të jenë interesante dhe të vështira, ka qeveri dhe shoqëri që harrojnë se reformat duhet të vazhdojnë dhe unë do ta lidh statistikën që do të ndaj me ju pikërisht me detyrimin që ne kemi si Qeveri dhe si shoqëri që të mos ndalojmë reformat.

Cilat janë shifrat? Doli 9 mujori i Bilancit të Pagesave. Është fakt tashmë me shifra që megjithëse ka 3 vite që thuhet se do “bien investimet e huaja, do bien investimet e huaja”, investimet për shkak të 2 projekteve që janë duke mbaruar fazën e investimit dhe po futen në operim, i referohem TAP-it dhe Devollit, investimet e huaja për 9 mujorin e kaluar janë rreth 760 milionë që do të thotë se Shqipëria këtë vit do të vendosë një rekord në tërheqjen e investimeve të huaja. Krahasuar me pritshmërinë sigurisht që jemi larg, se garën e kemi me pritshmërinë, nuk e kemi me 2012-ën, me gropën e varfërisë.

E dyta, vetëm dje doli dhe tregtia me pakicë, që do të thotë që të gjithë ato reforma që ne kemi bërë ndër vite janë dukë paguar mbrapsht me zhvillim ekonomik, larg pritshmërisë patjetër, por shumë larg asaj që ka qenë para 5 vitesh. Nuk po mundohem të bëj politikë, por jam duke u munduar të theksoj një fondament që, kjo është koha për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe për qeverinë, mbi të gjitha, për hapin e dytë të reformave të mëdha të cilat në finale do të prekin pozitivisht pikërisht terrenin ekonomik, aktorët ekonomikë dhe sigurisht jetën e secilit nga qytetarët.

Faleminderit dhe ju uroj sukses!