Postuar më: 14/09/2020

Arsimi profesional, për një aftësim dhe integrim të shpejtë në tregun e punës

Në të gjithë vendin nisi sot viti i ri arsimor për ciklin parauniversitar.

Mijëra nxënës edhe nga shkollat e mesme profesionale u ulën sot në bankat e shkollës në kushte jo të zakonshme të diktuara nga pandemia për të marrë dijet e tyre.

Zëvedësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Dajna Sorenses ishte sot në Shkollën e Mesme Profesionale TIK “Hermann Gmeiner” për t’ju uruar një vit arsimor sa më të mbarë.

“ Ju jeni më të mirët e shkollave të Tiranës, keni ardhur në shkollën më të mirë profesionale me mësuesit më të mirë dhe më të kualifikuar sikurse keni edhe programin më të avancuar sidomos në fushën e programimit. Shpresoj që në këto katër vite, ju të mësoni sa më shumë, sa më shumë praktika të bukura pranë biznesit ose në metodën online sipas rastit dhe në fund të ndiqni ëndrrat tuaja, qoftë duke vazhduar universitetin apo duke dalë menjëherë në tregun e punës. Ky vit nuk do të jetë një vit i lehtë, megjithatë ju keni avantazhin që keni një fushë që mund ta bëni projektin apo punën tuaj kudo që të jeni, qoftë në klasë apo online, sipas ecurisë së situatës”, tha zëvendësministrja Sorensen.

Edhe drejtoresha e Agjencisë së Punësimit dhe Aftësimit Elira Demiraj ju uroj nxënësve suksese në rrugën e dijes.

“Kjo është një nga shkollat më të mira profesionale por edhe shkolla është e nderuar që ka nxënës si ju sepse është një nga shkollat që ka kriterin e mesatares më të lartë. Unë jam e bindur që do të jetë një mundësi shumë e mirë për ju, por edhe për ta shijuar. Ju keni bërë zgjedhjen e duhur edhe kundrejt pjesës së praktikave profesionale që ofrohen këtu, kjo do të jetë një mundësi e mirë punësimi”.

Në Shkollën e Mesme Profesionale TIK “Hermann Gmeiner” studojnë rreth 300 nxënës të cilët profilizohen në fushën e  Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Ajo mbështetet në modelin dhe profilin e shkollës austriake, në përgatitjen e programuesve në informatikë.