Postuar më: 07/11/2019

Anti informaliteti, Ministrja Denaj takohet me bizneset e call center

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj,  në kuadër të takimeve  me sektorë të ndryshëm  të biznesit, priti përfaqësues të shoqërive që operojnë në sektorin e call-center në vend, ku i pranishëm ishte dhe kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, z. Arben Seferaj.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte diskutimi mbi problematikat me të cilat përballen shoqëritë e këtij sektori gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre ekonomik dhe sfidat përkatëse.

Disa prej çështjeve mbi të cilat është diskutuar gjatë këtij takimi lidhen kryesisht me informalitetin në tregun e punës në sektorin call-center, respektimin e të drejtave të punëmarrësve dhe respektimin e detyrimeve ligjore të parashikuara nga legjislacioni shqiptar për punësimin.

Sektori i call-center vitet e fundit ka patur ndikim të lartë në tregun e punës në Shqipëri pasi pjesa më e madhe e të rinjve e shohin si mundësi punësimi.

Për vitin 2019, pranë Inspektoriatit të Punës janë regjistruar rreth 66 ankesa nga punëmarrës  ndaj subjekteve të këtij sektori, ku në 83.3% të rasteve janë adresuar çështje të lidhura me cenim të marrëdhënieve të punës, të tilla si moslidhja e kontratave individuale të punës, mosmarrja e pagave të prapambetura, ndërprerja e marrëdhënieve të punës duke mosrespektuar dispozitat e legjislacionit të punës, mosdeklarimi i punëmarrësve e si rrjedhojë mosderdhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore etj, si edhe  në 13.6% të rasteve për cenim të kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Në 64% të rasteve të trajtuara nga Inspektoriati, ankesat në këtë sektor kanë rezultuar të justifikueshme, duke zgjidhur pretendimet e ankuesit jo vetëm si individ, por duke e shqyrtuar problematikën e ngritur si fenomen në subjekt.