Postuar më: 23/07/2020

Amendimet në Ligjin Organik të Buxhetit, angazhim i qeverisë shqiptare drejt konsolidimit fiskal

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj paraqiti në seancën e radhës të Kuvendit dy amendimeve të rëndësishme në ligjin për “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, ose siç njihet ndyshe Ligji Organik i Buxhetit.

Ndër të tjerash në fjalën e saj Ministrja Denaj theksoi se në situata të jashtëzakonshme dhe kur nevojat e qytetarëve kërkojnë zbatimin e politikave fiskale ekspansioniste, buxheti i shtetit duhet të jetë në gjendje të amortizojë efektet e papritura.

“Qeveria Shqiptare parashikon rikthimin në një balancë primare pozitive që në vitet 2022-2023.

Për të siguruar në vazhdimësi, zbatimin e një rregulli që sanksionon disiplinë fiskale, propozohet që duke filluar nga viti buxhetor 2023 e në vijim, pra pasi të kalohet kjo periudhë e vështirë nga dy goditjet, balanca primare të jetë jo më e vogël sesa zero, pra nuk duhet të jetë negative”, tha Ministrja Denaj.

Në këtë kuadër dy ndryshimet e propozuara i vënë pikërisht theksin, angazhimit të mëtejshëm dhe të strukturuar të Qeverisë drejt financave publike të shëndosha për vendin.

 

————————————-

Fjala e plotë e Ministres Denaj

——————-

I nderuar Kryetar i Seancës,

Të nderuar Deputetë,

Të nderuar Qytetarë,

Ligji për “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, ose siç njihet ndyshe Ligji Organik i Buxhetit është më i rëndësishmi i Financave Publike, si i tillë çdo ndyshim që bëhet në këtë ligj merr një rëndësi të veçantë.

Ky ligj u miratua për herë të parë në vitin 2008, pas një pune të gjatë që ishte bërë për hartimin e tij.

Ndër vite ligji ka pësuar tre ndryshime themelore për përfshirjen e disa rregullave fiskalë në përmirësim të strukturës së vlerësimit të financave publike dhe një sërë rregullimesh të tjera.

Ditën e sotme paraqesim dy ndryshime që synojnë përmirësimin e funksionimit të legjislacionit bazë të Buxhetit të Shtetit dhe mbarëvajtjen e financave publike në situata normale dhe të jashtëzakonshme:

  1. Amendimi i parë i propozuar ka të bëjë me raportin e deficitit të përgjithshëm fiskal me shpenzimet për investime publike.

Pa dyshim, që ky parametër fiskal, është gjithashtu shumë i rëndësishëm për shëndetin e financave publike. Ai ka qenë në fakt i vetmi rregull fiskal që është ndjekur dhe respektuar qartësisht, që prej vitet 2000 e në vijim.

Qeveria Rama, e gjeti deficitin në nivelin e -5% dhe e uli atë deri në -1.9% në fund të vitit 2019.

Në situata të jashtëzakonshme dhe kur nevojat e qytetarëve kërkojnë zbatimin e politikave fiskale ekspansioniste, buxheti i shtetit duhet të jetë në gjendje të amortizojë efektet e papritura.

Propozimi për të marrë në konsideratë situatat e jashtëzakonshme, duke lejuar devijim e përkohshëm prej rregullit të theksuar, eleminon barrierat ligjore për përdorimin e buxhetit si instrumet stabilizues, amortizues e goditjeve, në raste të tilla.

 

  1. Së dyti, krahas rregullit fiskal kryesor që është aktulisht në Ligjin Organik të Buxhetit, që obligon uljen e përvitshme të borxhit ndaj PBB, Qeveria Shqiptare propozon përfshirjen e një rregulli tjetër fiskal, që vendos si ankorë të përvitshme një limit të poshtëm të balancës primare të buxhetit të shtetit.

Sic dihet, balanca primare e buxhetit është një parametër shumë i rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishmi, për sa i përket qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike.

Balanca Primare tregon se në ç’mënyrë i mbulon qeveria nga pikëpamja e financimit operacionet totale të saj ose e thënë ndryshe shpenzimet totale të saj përveç shpenzimeve për shërbimin e borxhit.

 

Historikisht, që prej viteve ’90 e në vijim, balanca primare, ka rezultuar pothujase në çdo vit (përveç vitit 2010) me një rezultat negativ, pra kemi pasur pothuajse gjithmonë një deficit primar.

 

Si pasojë e politikës së vazhdueshme për përmirësimin e indikatorëve makroekonomikë dhe reduktimit të borxhit publik, edhe shpenzimet publike që shkojnë për shlyerjen e interesave të kredive të marra në vitet e shkuara ka pësuar një ulje domethënëse.

  • Nëse në vitin 2013, buxheti i shtetit do të paguante rreth 3.2% të PBB-së për pagesa interesi, në vitin 2019 pagesat e interesit zinin rreth 2.1% të PBB, pra 1.1% e PBB më pak se në vitin 2013.
  • Mbi 70% e portofolit të borxhit shtetëror përbëhet nga instrumente me norma interesi fikse, duke shmangur riskun e luhatjeve të tregut.
  • Shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror ndaj të ardhurave tatimore dhe PBB-së, gjatë viteve të fundit kanë ndjekur një trajektore rënëse.

 

Theksova vetëm disa fakte, për t’i paraprirë rezultatit të buxhetit të shtetit në vitet 2016 – 2019 me një suficit primar pozitiv, element i shndërruar në një objektiv kryesor operacional të financave publike.

 

Angazhimi i shpalluar qartësisht nga qeveria ishte që çdo vit të arrihej një balancë primare pozitive, edhe pse ai nuk ishte akoma një objektiv i sanksionuar me ligj.

 

Ky trend pozitiv i krijuar që prej 2016 u përball, me dy goditje të forta nga tërmeti që vendi dhe ekonomia mori në Nëntor të 2019 dhe nga pandemia.

 

Rrjedhimisht balanca primare nga pozitive që ishte edhe vitin që shkoi tashmë pritet të jetë negative, politikë fiskale kjo e cila  amortizon në një masë të qenësishme ndikimin e goditjeve në ekonomi.

 

Ky është një vendim i rëndësishëm, i cili shmang problemet zinxhir me pasoja të rënda në stabilitetin makroekonomik të vendit dhe mbarëvatjen e ekonomisë, ku vëmendje të veçantë marrin pasojat sociale.

 

Ky ekspansion u mundësua në përgjigje të impaktit negativ të këtyre goditjeve,  dhe në afatin e mesëm politika fiskale do t’i rikthehet qartësisht objektivit të saj për konsolidim fiskal.

Qeveria Shqiptare parashikon rikthimin në një balancë primare pozitive që në vitet 2022-2023.

Për të siguruar në vazhdimësi, zbatimin e një rregulli që sanksionon disiplinë fiskale, propozohet që duke filluar nga viti buxhetor 2023 e në vijim, pra pasi të kalohet kjo periudhë e vështirë nga dy goditjet, balanca primare të jetë jo më e vogël sesa zero, pra nuk duhet të jetë negative.

Konsolidimi i vijuar fiskal i financave publike është synim i Qeverisë Shqiptare në mbarim me sukses të përballimit të situatës nga pandemia.

Dhe në këtë kuadër dy ndryshimet e propozuara i vënë pikërisht theksin, angazhimit të mëtejshëm dhe të strukturuar të Qeverisë drejt financave publike të shëndosha për vendin.

Faleminderit.