Standartet Kombëtare të Kontabilitetit

Parathënia për Standardet Kombëtare të Kontabilitetit (SKK) të sektorit fitimprurës

Kjo parathënie paraqet autoritetin dhe objektivat e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit(në vijim KKK), lidhur me hartimin, dhe interpretimin e Standardeve Kontabël Kombëtare(në vijim SKK) si dhe shpjegon objektin dhe autoritetin e vetë Standardeve Kontabël Kombëtare për njësitë ekonomike fitimprurëse private dhe publike në vendin tonë. Parathënia duhet të përdoret si referencë për procedurat e nevojshme që duhet të ndiqen lidhur me implementimin e Standardeve të aprovuara dhe të publikuara nga ky Këshill dhe të shpallura nga Ministri i Financave.

Standardet Kontabël Kombëtare

 Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit është një organ profesional, publik, i pavarur i krijuar në mbështetje të ligjit nr. 9228, datë 29.04.2004 "Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare" (në vijim Ligji Për Kontabilitetin). KKK ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me Ligjin Për Kontabilitetin dhe aktet e tjera nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij.

 Objektivat kryesore të KKK janë:

  • Përsosja e vazhdueshme e legjislacionit për kontabilitetin;
  • Përpunimi i sistemit kontabël në përputhje me Ligjin Për Kontabilitetin;
  • Hartimi i Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit;
  • Nxitja e zbatimit të SKK dhe Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF).

 

 Për të përmbushur detyrat e tij KKK:

 

  • paraqet propozime Ministrit të Financave për përgatitjen ose ndryshimin e legjislacionit në fuqi në fushën e kontabilitetit;
  • harton SKK, në zbatim të Ligji Për Kontabilitetin;
  • harton rregulla të tjera dhe rregullore në fushën e kontabilitetit;
  • jep shpjegime, interpreton dhe përgjithëson problemet që dalin nga praktika dhe  standardet kontabël kombëtare, në formën e udhëzimeve kontabël;
  • krijon komisione të specializuara të përhershme ose të përkohshme dhe përfshin  ekspertë për zhvillimin e SKK dhe legjislacionit si dhe për diskutimin e problemeve në fushën e kontabilitetit;
  • rishikon dhe shpreh opinionet e tij mbi projekt aktet ligjore dhe nënligjore, të cilat përmbajnë dispozita për kontabilitetin dhe profesionet;
  • organizon punën për përkthimin e SNRF;
  • jep rekomandime për përgatitjen e specialistëve kontabilistë në shkollat e larta;
  • vendos dhe mban kontakte me organizma botërore të kontabilitetit ( përfshirë Bordin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit (IASB), të Bashkimit Europian dhe organe të tjera, të hartimit të standardeve në vende të tjera) dhe merr pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare që lidhen me kontabilitetin;
  • u krijon mundësi anëtarëve të tij të marrin pjesë në konferenca dhe seminare profesionale në Shqipëri dhe jashtë vendit.

 

Këshilli i Ministrave mund të nxjerrë aktet nënligjore administrative të detyrueshme për KKK për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Ligji Për Kontabilitetin dhe Rregullore. KKK është i pavarur në hartimin e sistemit kontabël, të SKK dhe rregullimeve të tjera kontabël.

 Objektivi i KKK

Me qëllim realizimin e detyrave dhe objektivit të tij KKK, me mbështetjen Qeverisë Shqiptare, nëpërmjet një projekti me financim dhe asistencë të Bankës Botërore, realizoi me ndihmën e kompanisë së huaj "Price Water House Coopers" një set me 14 standarde kombëtare të kontabilitetit, të cilat janë hartuar në një linjë me standardet ndërkombëtare dhe që do të zbatohen nga të gjitha njësitë ekonomike private dhe publike fitimprurëse nga data 1 janar 2008, përjashto ato kompani të mëdha, të cilat do të jenë të përfshira në listën e miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe që do të zbatojnë standardet ndërkombëtare të kontabilitetit në mënyrë të plotë. Me Urdhrin e Ministrit të Financave nr. 4292, datë 15.06.2006 është bërë shpallja e 14 standardeve kontabël kombëtare, përcaktimi i datës 1 janar 2008, si datë e implementimit të tyre, fillimi i punës për trajnime profesionale nga përdoruesit e tyre dhe publikimi i këtyre standardeve.

Standardët Kontabël

Autoriteti i Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Fitimprurës

Çdo njësi ekonomike fitimprurëse, që sipas ligjit nr. 9228, datë 29.04.2006, " Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare", të ndryshuar, detyrohet të mbajë kontabilitet dhe të përgatisë dhe publikojë Pasqyra Financiare, duhet të marrë të gjitha masat, te përgatisë kushtet dhe kapacitetet e nevojshme për zbatimin e të gjitha kërkesave të këtyre standardeve.

Të gjitha rregullimet aktuale të njësive ekonomike të hartuara për nevojat e tyre të brendshme të Drejtimit, të kostos etj, të cilat bien ndesh me trajtimet dhe rregullat e trajtuara ne standardet kontabël të reja, duhet të riformulohen me synim harmonizimin e tyre me këto SKK dhe rregullimet e tjera që nxjerr KKK në fushën e kontabilitetit.

Njohja dhe implementimi me korrektësi i standardeve kontabël kombëtare, të azhornuara dhe në një linjë me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar (IAS/IFRS), do të çojë në një përmirësim të rëndësishëm të cilësisë dhe qëllimit të përgjithshëm të raportimit financiar, nga njësitë ekonomike fitimprurëse private dhe publike. Kjo do të bëjë të mundur, përmirësimin e vendimmarrjes, të eficencës së drejtimit dhe do të rrisë transparencën dhe do të zvogëlojë informalitetin ekonomik në vend.

Seti i 14 Standardeve kombëtare të kontabilitetit, është I përgatitur për tu zbatuar sipas bazës "konstatuese" ( të të drejtave të konstatuara) dhe jo baza "Cash". Kjo kërkon marrjen e masave për të implementuar këtë metodë.

Fusha e zbatimit të Standardeve

Standardët kontabël kombëtare aplikohen nga te gjitha entitetet e sektorit privat dhe publik, që kanë status juridik fitimprurës, ose mbulimi i kostove. Këto standarde nuk do të aplikohen nga ato entitete, të cilat do të zbatojnë standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar(IAS/IFRS) dhe ato të sektorit publik, të cilat financohen me fonde buxhetore. Kategoria e entiteteve publike, do të aplikojë standarde të posaçme për sektorin publik buxhetor, të cilat hartohen nga Ministria e Financave, mbështetur dhe në një linjë me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik(IPSAS), të hartuara dhe publikuara nga IFAC ( Komiteti i Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve).

Çdo ndryshim, përmirësim, interpretim apo nevojë për standard të ri shtesë e lindur gjatë zbatimit të këtyre standardeve, është kompetencë vetëm e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit. Problemet e lindura gjatë implementimit të SKK, idetë, mendimet dhe propozimet e mundshme, duhet të adresohen me shkrim pranë Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit.

Gjuha

Teksti i aprovuar i çdo Standardi kontabël është ai i publikuar nga KKK dhe Ministri Financave në gjuhën shqip. Anëtarët e KKK dhe stafi mbështetës I tij, janë të autorizuar dhe detyruar për përgatitjen e Drafteve të standardeve të shpallura për komente dhe për Standardet e miratuara.