Shteti i së Drejtës dhe demokratizimi i shoqërisë

Shteti i së Drejtës dhe demokratizimi i shoqërisë

Siguria e jetës

Rritja drastike e shifrave të kriminalitetit, veçanërisht e veprave penale të rënda kundër jetës e pronës së qytetarëve dhe shkelja e vazhdueshme e të drejtave e lirive themelore të njeriut, dikton domosdoshmërinë e një reforme themelore shumëdimensionale për të rikthyer sigurinë dhe garantimin e rendit publik, të jetës shoqërore dhe të zhvillimit të sipërmarrjes në Shqipëri, si dhe përmbushjen e angazhimeve tona rajonale e ndërkombëtare.

Siguria e pronës

Mekanizmat që garantojnë respektimin e pronës publike dhe private në Shqipëri janë sot të bllokuara. Menaxhimi i pronave publike është kaotik, nuk ka strategji që e udhëheq, bëhet pa transparencë dhe është shpesh pre e korrupsionit. Qeveria jonë do t’i verë këta mekanizma në lëvizje, duke zhbllokuar dhe bërë funksionale katër shtyllat, mbi të cilat do të mbështet ngrehina pronësore e shtetit:

(i) kthim-kompensimi i pronave private;
(ii) Agjencia e Legalizimeve;

(iii) Zyra e Hipotekës (ZRPP);

dhe

(iv) pronat publike në nivel të qeverisjes qendrore dhe vendore.

Barazia para ligjit dhe sundimi i tij

Shteti i së drejtës është në një krizë të thellë në Shqipëri, ndërkohë që forcimi i sundimit të ligjit është kushti më themelor për konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror në vend. Suksesi i reformave në drejtësi varet në një shkallë të lartë nga bashkëveprimi mes disa institucioneve të pavarura, duke përfshirë Presidentin e Republikës, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Krimi i organizuar, terrorizmi e trafikimi

Qeveria do të angazhohet intensivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në goditje të krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore e substancave narkotike, në respekt të plotë të ligjeve të vendit dhe të angazhimeve të saj ndërkombëtare. Qeveria do të angazhojë të gjitha burimet e duhura njerëzore, teknike dhe financiare për një bashkëpunim të plotë dhe efektiv me partnerët rajonalë e ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar.

Demokracia parlamentare

Qeveria jonë do të jetë llogaridhënëse ndaj Kuvendit dhe do të punojë për të përligjur besimin e tij.

Ne besojmë se fuqizimi i parlamentarizmit do të arrihet përmes shndërrimit të Kuvendit në një platforme të përbashkët politike dhe jo thjeshtë si një certifikues i akteve të Qeverisë.

Qeverisja vendore

Vizioni dhe programi ynë për qeverisjen vendore përputhet me parimet dhe standardet e mishëruara në Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. Qeveria e re do të mbështesë fuqizimin e pushtetit vendor dhe procesin e decentralizmit në funksion të rritjes së efikasitetit të qeverisjes vendore përmes:

Administrata publike

Administrata publike është keqpërdorur nga politika në vitet e fundit, në dëm të profesionalizmit dhe paanshmërisë së saj. Shumë vendime gjykatash për lirim të padrejtë nuk janë zbatuar, duke i shkaktuar shtetit dëm të drejtpërdrejtë ekonomik. Politizimi i administratës dhe pandëshkueshmëria e zyrtarëve përgjegjës ka përkeqësuar nivelin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

Lufta kundër korrupsionit

Në vitin 2012, Shqipëria zbriti 18 vende në renditjen e Indeksit të Korrupsionit të organizatës prestigjoze Transparency International, duke u klasifikuar si vendi më i korruptuar në Evropë.

Qeveria e re ka vullnet të palëkundur politik për luftimin e korrupsionit si një nga plagët më të thella që bjerr mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë dhe e ndan atë dukshëm nga vendet e Bashkimit Evropian.

Shoqëria civile

Në 8 vitet e fundit është goditur rëndë shoqëria civile, e cila nuk ka pavarësinë e duhur për të shprehur hapur qëndrimet e veta me interes social e kombëtar. Sektori, Organizata Jofitimprurëse i shoqërisë civile ka pësuar rënie. Një ndër arsyet kryesore është presioni qeveritar, i cili shoqërohet me klientelizëm dhe mungesë transparence në ndarjen e fondeve publike, mungesë qartësie të kuadrit ligjor të OJF-ve dhe mungesë të mjedisit mbështetës.

Media

Kuadri ligjor, që garanton pavarësinë e medias është tërësisht i deformuar në praktikë. Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Radiotelevizioni Shqiptar janë shembuj flagrantë të moszbatimit të ligjit nën qeverisjen e PD-së. Sipas ligjit, të dyja këto institucione duhet të jenë të balancuara dhe anëtarët duhet të jenë të zgjedhur nga shoqëria civile, por në realitet, sot AMA është tërësisht politike dhe e njëanshme.