Shërbimet Publike

Arsimi

Gjatë qeverisjes së mëparshme pesha e buxhetit për arsimin ndaj shpenzimeve buxhetore vjetore nuk e ka kaluar asnjë herë nivelin që kishte në vitin 2005. Shpenzimet publike për arsimin janë dy herë më të ulëta se niveli mesatar i vendeve të OECD.

Sporti

Historitë individuale të sportistëve shqiptarë janë dëshmia më e mirë e lënies pas dore të sportit në vend. Mbështetja e gjithanshme dhënë sportistëve dhe të angazhuarve në aktivitete sportive, si dhe ajo dhënë shumëllojshmërisë së aktiviteteve sportive është krejtësisht e mangët. Sot në Shqipëri nuk kemi partneritet mes qeverisë dhe institucioneve sportive dhe kemi një ligj për sportin që nuk zbatohet.

Kultura dhe trashëgimia kulturore

Kultura dhe Trashëgimia Kulturore do të drejtohen nga një ministri e dedikuar, pa shtojca të tjera dhe pa u kthyer vetë në shtojcë të askujt.

Arti e Kultura, kërkojnë një qasje të re të menaxhimit të institucioneve, për të rritur shkallën e pavarësisë së tyre artistike dhe krijuar hapësira për gjenerimin e të ardhurave nga burime të treta.

Barazia gjinore

 Do të ketë një angazhim efektiv të të gjithë institucioneve publike në luftën kundër dhunës ndaj grave, forcim të rolit të sistemit të drejtësisë në parandalimin dhe mbështetjen e viktimave të dhunës dhe dënimin e duhur të dhunuesve. Do të krijojmë një sistem kombëtar online të regjistrimit dhe monitorimit të rasteve të dhunës në familje dhe do të sigurojmë funksionimin e një linje kombëtare për viktimat e dhunës në familje.

Rinia

Dy në tre të rinj shqiptare janë të papunë. Rinia, si pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare vuan shkallën më të lartë të papunësisë nga të gjithë grupmoshat. Tejet e rëndë është gjendja e punësimit dhe e mundësive të të rinjve në zonat rurale.

Kujdesi shëndetësor

Shërbimi i kujdesit shëndetësor është aktualisht nga shërbimet publike më të këqija për qytetarët shqiptarë. Shëndetësia shqiptare nuk arrin të realizojë asnjë nga funksionet e saj: nuk parandalon, nuk diagnostikon, nuk kuron dhe nuk rehabiliton.

Kujdesi dhe përfshirja sociale

28% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në familje të varfra që përfitojnë ndihmë ekonomike. Një në tre fëmijë është aktualisht në nevojë, por vetëm një e treta përfitojnë shërbime dhe përkujdesje. Mbi 50 mijë fëmijë të moshës së arsimit të detyrueshëm janë të detyruar të punojnë në punë familjare. Gjendja e fëmijëve romë e egjiptianë është e mjerueshme. Varfëria reale në Shqipëri është rreth 40%. Në zonat kodrinore e malore është mbi 50%. Varfëria reale e matur në kontekstin e fuqisë blerëse është mbi 62%, më e larta në rajon.

Ish të përndjekurit politikë

Ne marrim përsipër t’i japim fund hipokrizisë dhe abuzimit njëzetëvjeçar me të përndjekurit politikë. Ne do të bashkëpunojmë me ta për ta mbyllur me dinjitet plagën e hapur të moskompensimit të tyre. Skema jonë e re e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të zbatojë një shpërblim progresiv, në varësi të viteve të dënimit dhe moshës aktuale të ish të përndjekurve.

Veteranët dhe invalidët e luftës antifashiste

Socialistët janë bartës të vlerave më të mira të patriotizmit shqiptar dhe të atdhetarizmit të veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Ne nderojmë historinë tonë kombëtare dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare me heronjtë e dëshmorët e vet, si një faqe të ndritur të historisë, ku roli i veteranëve të luftës mbetet një pikë referimi e palëvizshme.

Sigurimet shoqërore

Sistemi i sigurimeve shoqërore vuan nga probleme themelore. Midis tyre janë pensionet e ulëta me të cilat pensionistët nuk mund të përballojnë jetesën, raporti problematik kontribues-përfitues, koeficienti shumë i ulët i zëvendësimit pension - pagë dhe bllokimi i skemave të pensioneve suplementare, sidomos i atyre të profesioneve të vështira.

Strehimi

Strehimi social do të jetë prioritet për qeverinë.

Pas një vlerësimi të kujdesshëm ligjor, do të shpërndahen me transparence apartamentet e ndërtuara.