Postuar më: 16 Maj 2017

Viti i parë elektoral parlamentar me suficit buxhetor! Ekonomia performon më pranë potencialit.

Përshëndetje!
Si zakonisht, përfitoj nga rasti për të ndarë zhvillimet e fundit ekonomike në vend dhe detyrimisht për të bërë krahasime me periudhat e mëparshme, pastaj nëse keni pyetje do të jetë kënaqësi t’ju përgjigjem. 

Marr shkas edhe nga raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë që fokusohet jo thjesht në elementë të aktivitetit financiar dhe të monitorimit të sistemit, por thekson indikatorët ekonomikë që lejojnë drejt një konkluzioni ku 3-mujori i parë i vitit 2017 ndjek ritmin e rritjes të vitit 2016. 

Cikli rritës i ekonomisë është mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe të ardhurat e larta, të gjeneruara nga aktiviteti turistik. Konsumi privat dhe investimet janë mbështetur nga përmirësimi në ekonomi, rritja e punësimit dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte. Të dhënat sinjalizojnë për vazhdimësinë e këtyre tendencave edhe në tremujorin e parë të vitit 2017 dhe gjej rastin t’i referohem të dhënave që ka nxjerrë Instituti i Statistikës për rritjen serioze të shitjes me pakicë.

Ndërkohë për të furnizuar atë argument që solla më parë, kam sjellë po nga Raporti i Bankës së Shqipërisë dy grafikë të thjeshtë, për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur me hendekun e prodhimit, por edhe me normën e shfrytëzimit të kapaciteteve. Përmirësimet janë të dukshme. Nëse ju kujtohet, një vit e gjysmë më parë ne ndanim bashkë informacionin në bazë të të dhënave, që qoftë hendeku i prodhimit, qoftë norma e shfrytëzimit, do të vinin duke u përmirësuar, pra zvogëlimi i hendekut të prodhimit dhe rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve në vitin 2017. Me fjalë të thjeshta, dua të ndaj me qytetarët që këto të dhëna teknike tregojnë drejtpërdsërejti që ekonomia është kthyer, në besimin tim tashmë, në një cikël afatgjatë rritje dhe hendeku i prodhimit, pra rritja nën potencial, ka filluar të zvogëlohet dhe po t’i referohemi FMN, mendohet që në vitin 2017 hendeku të zerohet. 

Ndërkohë të dhënat direkte nga inflacioni tregojnë që ekonomia vazhdon të pulsojë pozitivisht. Në prill e kemi inflacionin në 1.9% ndërkohë që sigurisht, të dhënat e punësimit janë shumë të rëndësishme për t’i përmendur. Nëse shohim tendencën, pjesëmarrja në forcat e punës është rritur, ndërkohë që papunësia ka rënë në 14.2%. Ju kam sjellë edhe të dhënat e vendeve të punës të krijuara në vite, pra në tre vitet e fundit. 

Dua të ndaj me ju tre grafikë shumë të thjeshtë për t’ju treguar indirekt pulsimin e ekonomisë – mund të shikoni volumin e transportit, qoftë ajror, qoftë hekurudhor, qoftë portual, të cilat janë në rritje serioze sic i shikoni dhe është tregues i drejtpërdrejtë në këndveshtrimin tim, i rritjes, që shpresoj shumë shpejt ta shikojmë edhe nga Instituti i Statitistikës për tremujorin e parë 2017. 

Banka e Shqipërisë i referohet si një nga elementët besimit në ekonomi; sic e shikoni, besimi në ekonomi është në nivelin më të lartë në 10 vite. Patjetër që këtu do të thoshit që djalli fshihet në detaje, por besoj se kemi shumë për të bërë për të rritur besimin e sipërmarrjes dhe të konsumatorit. Unë i kam lidhur të dyja gradat dhe për konsumin dhe për individët, besoj se bini dakord me mua që nëse kredia për individët rritet me ritme shumë të larta sigurisht që është një rrjedhojë e drejtpërdrejtë edhe e besimit që ka konsumatori dhe individët në të ardhmen e ekonomisë shqiptare. 

Kredia në ekonomi ka një rritje në total, por ka një rritje akoma modeste. Rritja e kredisë në Lek ka shkuar në 7.8%; ulja e kredisë në valutë është në 6.1%. Sa i takon besimit tek leku, arsyet janë të shumta dhe janë të lidhura, por një nga arsyet është edhe norma e ulët e interesit të kredive; pra kredia rritet dhe ka rritje serioze, për ne është shumë mirë, për ekonominë është shumë mire sepse politikat monetare, kanë mundësi të transmetohen më drejtpërdrejt, më thjesht, në mënyrë më sinjifikative. 

Kredia për biznesin - ajo që është e rëndësishme tek kredia për biznesin është që është e qëndrueshme. Në të kundërt, kredia për likuiditete ka rënie dhe kuptohet që ne kemi parë gjatë gjithë kësaj kohe një luhatshmëri të lartë duke reflektuar maturitetet afatshkurtra të këtij portofoli si dhe gjendjen e lirë të likuiditeteve të bizneseve. Kredia për individin, ka rritje në këndvështrimin tim serioze dhe të konsoliduar. Rritja ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar është 3.15% ndërsa me muajin paraardhës është gati 1%. Kredia konsumatore ka rritje 7.4% dhe kredia hipotekore ka rritje 1.5%. Janë shifra interesante sidomos kredia konsumatore e lidhur me atë që unë thashë më parë me besimin e qytetarëve, konsumatorëve tek ekonomia shqiptare dhe tek perceptimi që ajo që vjen në ekonomi, do të jetë më e mirë se ajo që është.

Ndërkohë, një punë shumë e mirë është bërë nga sistemi bankar por dhe grupi ndërinstitucioanal i qeverisë me Bankën e Shqipërisë për uljen e kredisë me probleme dhe që nga koha e krizës, ky është niveli më i ulët i kredisë me probleme në 17.4%. Unë personalisht besoj që dhe paketa e reformave në këtë sektor që parlamenti kaloi në vitin e kaluar në vjeshtë dhe që tani po gjejnë zbatim, ka efektet e veta. 

Ndërkohë të dhënat nga tregtia e jashtme janë pozitive dhe interesante; eksportet janë 15.7% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe është ndër herët e para që qoftë totali, qoftë zëri i lëndëve djegëse, ka filluar trajektoren rritëse. Ndërkohë që importet janë rritur me 7.5% dhe pothuajse të njëjtën rritje kanë importet për makineri dhe pajisje, që janë një indikator, një statistikë brenda grupit të importeve, shumë e rëndësishme për të treguar se cfarë po ndodh në sektorin e prodhimit kryesisht.

Patjetër që sot një moment të rëndësishëm kanë dhe informacionet për të ardhurat, jo thjesht për statistikë, por për të ndarë përgjegjshmërinë e qeverisë në një periudhë elektorale parlamentare. Sic i shikoni të dhënat, tatim, dogana dhe sigurime kanë një rritje serioze në 6.23 miliardë lekë. Pra afërsisht 60 milionë dollarë në krahasim me vitin e kaluar, sigurisht që të dhënat janë ende operative dhe për pak ditë certifikohen nga thesari, po këto janë shifrat. Pra sic e theksova, për herë të parë në një vit elektoral të ardhurat nuk njohin ulje. Shikoni në vitin 2009, shkoni në vitin 2013 për të njëjtën periudhë keni shifër vetëm në ulje dhe 2017, rritje. Është hera e parë në një vit elektoral parlamentar që nuk degjenerojnë financat publike. 

E njëjta gjë ndodh edhe me balancën, viti i parë elektoral me suficit buxhetor. Sikur dikush të thotë që kanë ecur keq investimet kjo nuk është e vërtetë, sepse si rallëherë për këtë peridhë, investimet janë përshpejtuar. Shpenzimet ecin normalisht, i kemi mbajtur nën kontroll, ashtu sic kemi rënë dakord me FMN. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme për ju dhe mbi të gjitha për qytetarët, por patjetër dhe për partnerët ndërkombëtarë. Kjo e dhënë tregon që kjo qeveri, kjo aleancë, jo vetëm që ka përgjegjshmëri të lartë në mbajtjen e balancës buxhetore, por ka vendosur me vullnet politik dhe me ligj, të mos i cënojë financat publike ashtu sic është bërë rëndom në vit elektoral parlamentar në të kaluarën. 

Mbani mend që në vitin 2013, në të njëjtën kohë që po flasim, ishte ezauruar i gjithë deficiti buxhetor vjetor. Me fjalë të thjeshta për qytetarët, qeveria e çadrës e kishte zeruar të drejtën për t’u financuar, të drejtën e lejuar të deficiti vjetor brenda 5 muajve në favor elektoral. Pra, nuk është një statistikë, ajo që shikoni në slide, është një vullnet politik dhe kjo ndodh për herë të parë. 

Borxhi publik vazhdon të jetë në trajektore rënëse. Këto janë shifra të konfirmuara deri në 2016 nga thesari dhe 69.3% është objektivi për vitin 2018, që unë jam i bindur që do ta arrijmë. Ju kam sjellë dhe një slide që tregon përgjegjshmërinë për menaxhimin e borxhit publik që ka të bëjë qoftë me zgjatjen e maturimit, qoftë me uljen e kostos, qoftë edhe me diversifikimin patjetër. Maturimi në 2016 ka qënë 380 ditë, sot ka shkuar 760 ditë. Për ta thënë thjesht për qytetarët, nga një borxh afatshkurtër, kemi kaluar në një borxh më të menaxhueshëm, më afatgjatë dhe me kosto më të ulët. Pra, yieldi mesatar i ponderuar ka shkuar 4.38% nga një nivel 7.5% që ka qënë vite më parë. Dikush mund të thotë që është ambienti i jashtëm, është ambienti i brendshëm. Nëse risqet do të ishin sot të njëjta me të vitit 2013, do të shikonim një yield mesatar të ponderuar më të lartë. Ka të bëjë me risqet dhe sot risqet janë zeruar. I vetimi risk është çadra. I vetmi risk për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë është çadra; ajo që mund të rrëzojë shëndetshmërinë është aktiviteti i çadrës, asgjë tjetër.

Është folur shumë për ish-të përndjekurit dhe ju si gazetarë e dini më mirë se kushdo tjetër detyrën tuaj, por do t’ju lutesha që këto të dhëna të konfirmuara nga thesari, kur cdokush nga cadra i bën thirrjeve të përndjekurve, do t’ju lutesha që t’i nxirrnit herë pas here këto shifra. Në 2009-2013, janë vetëm 1.47 miliardë lekë të shpërndara. Në 2014-2017, 5.8 miliardë lekë. Kemi filluar këstin e 8, unë kam firmosur fillimin e shpërndarjes së këstit të tetë. E shikoni se cfarë diference ka në trajtimin që i  ka bërë cadra të përndjekurve dhe shikoni se cfarë trajtimi i ka bërë qeveria Rama të përndjekurve.

Së fundmi dua të ndaj me ju disa statistika për rritjen e vlerës së pronës. Ka qenë një prioritet i Kryeministrit dhe Ministria e Financave e ka avancuar, qoftë në formë ligjore, qoftë në administrim së bashku me ADISA. Që nga 1 Shtatori 2016 deri në 15 Maj 2017, në Shqipëri janë regjistruar 48 mijë aplikime me një vlerë totale 3.95 miliardë lekë. Si rezultat i uljes së tatimit nga 15% në 2% qytetarët kanë kursyer 25.6 miliardë lekë. Thënë kjo në fjalë të tjera, nëse për të njëjtat transaksione do të ishte taksa 15% dhe jo 2%, qytetarët do të paguanin deri në 250 milionë dollarë më shumë. Sot, për shkak të rivlerësimit të pronës së tyre, pra të një vlere të re që ka prona në referencë të zhvillimeve të tregut, vlera e pronës së shqiptarëve është rritur me 1.9 miliardë. E thënë fare thjesht, nëse një apartament i cili vlerën kontabël historike e ka pasur 2 milionë lekë por vlerën e tregut sot e ka 5 milionë lekë dhe kjo vlerë i vlen qoftë në një transaksion shitblerje, qoftë në rastin e një kolaterali kredie. 

Ndërkohë ju kam sjellë dhe një slide, që të mos harrojmë asnjëherë përfitimet që patën qytetarët për shkak të taksimit të ndershëm, të taksës progresive. I ktheu 97%  të shqiptarëve me pagat më të ulëta rreth 50 miliardë lekë në katër vitet e qeverisjes. Pra këto janë disa shifra shumë të rëndësishme jo thjesht statistikë, këto janë më shumë për qytetarët, policit dhe mësuesit iu kthye paga e 13-të. Pra për shkak të taksës progresive iu kthye paga e 13. 

Gjej rastin t’i them qytetarvë që deklarimi i cadrës për një taksë të sheshtë 9% ka në themel rrënimin e qytetarëve. Taksimi 9%, taksa e sheshtë e pagave të tyre do të thotë që këto 50 miliardë lekë t’u hiqen nga xhepat, e thënë shkurt në terma pragmatikë, politikë nëse doni, financiarë nëse doni, të votosh sot për cadrën si qytetarë do të thotë që t’i heqësh vetes nga xhepi, familjes, prindërve, 500 milionë dollarë dhe t’ia japësh cadrës që t’i shpërdorojë sic i shpërdoroi në 2005-2013. 

Ju kam sjellë një slide teknik, po besoj i përkthyeshëm lehtë në veshët e qytetarëve. Nëpërmjet taksës progresive është bërë një përpjekje serioze për ta ulur sadopak pabarazinë; është një koncept teknik që i referohet koeficientit Gini për të ardhurat nga pagat neto. Po ta shikoni përpjekja në 3 vite është për të ulur pabarazinë nëpërmjet taksës progresive, si një nga elementët. Beteja vazhdon sigurisht, se jemi akoma larg asaj që duhet të jemi, por unë besoj se ajo që kemi bërë në 3 vite e gjysëm, ka qenë kurimi i një sëmundjeje shumë të rëndë të trashëguar në financat publike dhe në ekonomi. Është legjitime, ëshët e drejtë, që qytetarët ta marrin për bazë që një qeveri duhet të bëjë dhe bën gjënë e duhur, duhet të përmirësojë, jetesën, financat. Periudha e vitit të kaluar ka qenë një periudhë shumë e vështirë për vendin, sidomos dy vitet e para, ka qenë një tashëgimi e rëndë që ishte e barasvlefsheme me falimentimin e shtetit; ajo që kemi kaluar ka qënë e vështirë por me përgjegjshmëri politikash dhe me vullnet, besoj që kemi lënë mprapa një krizë të rëndë të ekonomisë, të ekonomisë së qytetarëve, të shtetit. Ishin shkatërruar themelet e shtetit, të respektimit të ligjit, të pagesës së taksave, të pagesës së detyrimeve të energjisë elektrike, respekti për autoritetin, respekti për qytetarin, të gjitha. 

Sot jemi në një moment kur 4-vjecarin që vjen mund të ndërtojmë më tej për Shqipërinë që duam dhe do t’i kthehem një moment tjetër po me modesti. Unë e kuptoj shumë mirë që edhe në vendet më të zhvilluara ku ekonomia shkëlqen, qytetarët gjithmonë janë të pakënaqur sepse kënaqësia e qytetareve në cdo vend është në një raport të drejtpëdrejtë me pritshmërinë, pra asnjëherë realiteti nuk është si pritshmëria. Prandaj ne ngulim këmbë që reforma në drejtësi ka për të qenë një instrument ekstrem i rëndësisëm për të cliruar potencialin ekonomik të Shqipërisë; prandaj ne ngulim këmbë dhe theksojmë që ashtu sic kemi qenë këmbëngulës për reformën në drejtësi, do të vazhdojmë të jemi këmbëngulës për zhvillimin ekonomik.

Unë këtu po e mbyll. Besoj që informacioni është i mjaftueshëm për të parë në detaje apo edhe për të perceptuar nëse dikush nuk i referohet të gjitha detajeve, zhvillimet e fundit ekonomike. Nëse keni pyetje me kënaqësi do t’iu përgjigjesha
 
Faleminderit!