Postuar më: 12 Mars 2018

Varfëria nuk luftohet me emocione të shtirura politike. Lëmosha nuk është alternativë për punësimin.

Varfëria nuk luftohet me emocione të shtirura politike. Reformat dhe punësimi, çelësi i suksesit në luftën kundër varfërisë. Përfituesit e ndihmës ekonomike përfitojnë formim profesional falas dhe gjysmën e pagesës së papunësisë.

Së pari dua të falënderoj sipërmarrjen që na ka mirëpritur. Është një industri shumë interesante përtej industrive të vlerës së shtuar modeste dhe me objektiv thjesht punësimin, është një industri me të dy objektivat, pra e vlerës së shtuar në ekonominë shqiptare, por edhe të punësimit. Sipërmarrja ka punësuar rreth 200 punonjës dhe synimin deri në fund të 2018, e ka për 350. Një falënderim të ngrohtë për sipërmarrjen, për rezultatet e vitit 2017, sepse para se ta përgatisnim takimin i pamë dhe ishin spektakolarë. Faleminderit.

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar pjesëmarrës,

Këtu sot pjesë e audiencës janë shumë sipërmarrje të tjera, të cilat kanë një bashkëpunim të ngushtë me zyrat e Punës dhe Shërbimin Kombëtar të Punësimit, në funksion por jo vetëm, të ndërmjetësimit.

Sigurisht që e vërteta është që jemi larg asaj që duam të jemi me ndërmjetësimin dhe me përputhjen e nevojave dhe aftësive që afron tregu në të dy krahët e vet, por fokusi në vitin 2018 është pa ta kthyer Shërbimin Kombëtar të Punës në një mision, jo thjesht në një zyrë, jo thjesht në një ndërmjetësim por, siç e kemi thënë, siç po e shkruajmë në misionin e vet, një zyrë, një shërbim, një mision, që i jep jetë dhe dritë një familjeje duke i afruar një punë.

Ajo që unë dua të ndaj me ju janë dy element thelbësorë. Së pari strategjia jonë e re që ka deklaruar Kryeministri për punësim, dhe këtu përfshihet edhe pjesa e punësimit brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe së dyti trajtimi i rasteve të individëve dhe familjeve që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike dhe që do të duhet të integrohen në punë.

Këtu dua të ndaloj në një politikë të vazhdueshme të Kryeministrit dhe qeverisë, ajo që ne I referohemi si “Politika e solidaritetit ndaj grupeve në nevojë” dhe nuk është një politikë Ad-Hoc, e cila referohet vetëm në fund të vitit ku paketat e solidaritetit janë vetëm një shprehje e vëmendjes së vazhdueshme të qeverisë Rama 1 dhe Rama 2 ndaj këtyre grupeve, por e gjithë politika e punësimit, e gjithë politika e aftësimit profesional, shkon në finale drejt reduktimit të varfërisë.

Është e rëndësishme të themi disa gjëra në lidhje me betejën kundër varfërisë. Viti 2012 ka qenë një vit shumë i vështirë për ekonominë shqiptare, shënoi kulmin e varfërisë dhe të papunësisë në Shqipëri. Sigurisht që, përtej debatit politik, për të gjithë ata që kanë nevojë nuk duan t’ia dinë kurrë sa dhe si, por duan të dinë si dilet nga varfëria dhe nga varfëria nuk dilet duke shkuar tek një familje që është në ndihmë ekonomike, apo sapo ka dalë nga ndihma ekonomike, e duke bërë të shtirurin apo “qaramanin”, por dilet duke adresuar fenomenet e varfërisë.

Ndihma ekonomike, të dashur miq, edhe për të gjithë ato familje që janë në ndihmë ekonomike apo që kanë dalë nga ndihma ekonomike për shkak të pikëzimit, apo për shkak të reformës, apo për shkak të asaj që ne jemi duke u fokusuar, tek reduktimi i varfërisë dhe aftësimi i tyre për të qenë të punësueshëm, në finale qëllimi i ndihmës ekonomike nuk është që ato familje të mbeten atje.

Ndihma ekonomike nuk është një instrument që jep jetë. Ndihma ekonomike është një instrument mbështetje në një moment nevoje dhe një instrument nëpërmjet të cilit, së bashku me aftësimin për punë, ta nxjerrin nga ajo ndihmë. Ndihma ekonomike nuk duhet dhe nuk është një gjendje e përjetshme e një familje, është një moment tranzitor, patjetër fatkeq në një familje, dhe detyra e qeverisë, detyra jonë, është që jo thjesht të mburremi i dhamë 2, i dhamë 3, sado që i kemi dhënë, ne po i japim dyfishin. Qeveria Rama po i jep dyfishin krahasuar me vite më parë. Por, a mund të mburremi ne dot me dyfishin? Absolutisht jo.

Ne do të duhet modestisht të fokusohemi tek nxjerrja e familjeve nga varfëria dhe vetëm vendet e reja të punës në këto katër vite janë dritë në shumë familje shqiptare, janë gati 38-39 për qind e totalit të vendeve të reja të punës në 27 vite, që janë krijuara në këto katër vite. Nuk janë mjaft, prandaj ajo strategji që Kryeministri ka deklaruar në luftë kundër varfërisë shkon pikërisht në zemër të fenomenit.

Megjithatë, unë dua të ndaj me ju që në detyrën që kemi marrë nga Kryeministri, ne si Ministri Financash dhe Ekonomie jemi fokusuar tek sektorët që mund të promovojnë punësim duke iu hequr lakun gjithë këtyre sektorëve, burokracitë, për të çliruar potencialin e vet. Potenciali i çliruar do të afrojë punë për të gjithë dhe për ata që sot janë në ndihmë ekonomike. Deregulimi, e thënë thjesht, ajo betejë që ne bëjmë ndaj burokracisë dhe kundër korrupsionit, është në themel të çlirimit të potencialit ekonomik.

Patjetër që ne jemi shumë të ndërgjegjshëm që tek familjet me ndihmë ekonomike ka më shumë nevojë për t’u fokusuar ne si qeveri dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit, apo të gjitha institucionet e aftësimit profesional.

Unë nuk dua të zgjatem por fokusi i zyrës është pikërisht tek grupi i familjeve në nevojë me ndihmë ekonomike dhe dua të ndaj me ju instrumentin e ri që vetë Kryeministri e ka iniciuar përpara 15 ditësh, e dua t’jua shpjegoj me fjalë të thjeshta dhe qetësisht. Instrumenti presupozon që çdo njeri, anëtar i një familje që sot përfiton nga ndihma ekonomike apo, ka dalë nga ndihma ekonomike së fundmi, përfiton aftësim profesional falas në qendrat e formimit profesional. Madje, shteti, ka këmbëngulur në atë iniciativë Kryeministri, do t’i japë 55 mijë lekë të vjetra në muaj gjatë kohës që ai riaftësohet  për t’u bërë më i punësueshëm.

Pra, një anëtar i familjes, e cila përfiton ndihmë ekonomike, ne i zgjasim dorën në kuadër të Paketës së Solidaritetit dhe i themi: Tani fatkeqësisht ti je i papunë, ajo që ne po bëjmë përtej kuadrit të madh me ty, të vijmë tek familja jote, të marrim vërtet nga dora, të çojmë të të riaftësojmë që të bëhesh më i punësueshëm dhe për këtë ti do të paguhesh gjysmën e pagesës së papunësisë, pra 55 mijë lekë nga 110 mijë lekë që merr një i papunë.

Kjo nuk është e vetmja, sigurisht. Reforma vazhdon.

Varfëria nuk luftohet me shtirje publike, emocione të shtirura politike. Varfëria luftohet me reforma dhe reformat që ka nisur qeveria Rama 1 dhe po i vazhdon qeveria Rama 2 shkojnë në themel të luftës kundër varfërisë.

Faleminderit

***

Fjala e Ministrit Ahmetaj në aktivitetin “Misioni ynë, punësimi juaj”, për riaktivizimin në tregun e punës të punëkërkuesve të papunë dhe përfituesve të skemave të ndihmës ekonomike