Postuar më: 05 Prill 2017

Ulet TVSH për turizmin nga 20% në 6%. Ministri Ahmetaj, “Promovojmë sektorin, nxisim investimet dhe të ardhurat”

Qeveria shqiptare miratoi projektligjin e propozuar nga Ministria e Financave për uljen e TVSH për strukturat akomoduese në turizëm, nga 20% në 6%. Ky projektligj është në përputhje me programin politik të qeverisë dhe synon nxitjen e zhvillimit të sektorit të turizmit, rritjen e konkurrencës dhe zhvillimin ekonomik.

Në Direktivën e Bashkimit Europian nr. 2006/112/EC “Mbi sistemin e përbashkët të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, në shtojcën 3, përcaktohen se cilat janë fushat mbi të cilat mund të aplikohen normat e reduktuara të TVSH-së. Kështu, në këtë shtojcë përcaktohet se, një nga fushat mbi të cilat mund të aplikohet TVSH e reduktuar është akomodimi në hotel dhe shërbime të tjera të ngjashme.  Direktiva përcakton që minimumi i normës së reduktuar të TVSH është 5%.

Aktualisht 22 vende anëtare të BE aplikojnë normë të reduktuar të TVSH-së për akomodimin në hotele dhe 20 prej tyre aplikojnë një normë më të vogël se 10 %.

Kontributi në rritje I sektorit të turizmit në të ardhura dhe punësim në tre vitet e fundit, duke kulmuar në vitin 2016 me 1.5 miliardë euro të ardhura në buxhetin e shtetit, është një nga arsyet kryesore për të cilat qeveria shqiptare ndërmori nismën për promovimin e sektorit, duke synuar jo vetëm rritjen e mëtejshme të tij përmes nxitjes së investimeve, por edhe formalizimin dhe rritjen e të ardhurave nga TVSH e turizmit.

***

Intervista e Ministrit Arben Ahmetaj pas miratimit të projektligjit nga Këshilli i Ministrave:

1. Z. Minister, një ditë më parë qeveria ka miratuar një vendim për uljen e TVSH në turizëm. Cfarë prek konkretisht kjo masë dhe pse u mor ajo tani?

Lajmi i parë i mirë për industrinë e turizmit është ulja e TVSH për strukturat akomoduese nga 20% në 6%. Ulja e TVSH në sektorin e turizmit, na sjell në nivele konkurruese me gjithë rajonin, por edhe me filozofinë që kanë vendet me ekonomi të fortë të bazuar tek turizmi, në mbështetje të këtij sektori, me një TVSH më të ulët se TVSH tradicionale dhe kjo ndodh në të gjitha vendet e rajonit, në Greqi, Mal të Zi, Kroaci apo dhe Itali e Francë nese doni. Ky është një premtim I mbajtur, bëmë atë qe kishim premtuar, e ulëm TVSH e turizmit.

Pyetja pse tani, ka një përgjigje po kaq të maturuar, sektori i turizmit ështe duke u konsoliduar. Viti 2016, qoftë në kontribut, qoftë në punësim, qoftë në numrin e vizitorëve shënoi një rekord dhe besoj që është momenti I duhur që ky sektor të promovohet edhe më tej, për të mbështetur ato investime të mëdha që ne presim, qoftë në resorte turistike, qoftë në hoteleri, qoftë në struktura akomoduese në tërësi.

2. Cfarë prisni nga kjo masë?

Pikë së pari, në aspektin fiskal ne presim një formalizim masiv. Ulja e TVSH do të shoqërohet me formalizim masiv vullnetar dhe sigurisht që administrata fiskale do të përdorë instrumentet e vet në favor të formalizimit. E dyta, patjetër kemi për të parë rritje të të ardhurave nga TVSH e turizmit në buxhetin e shtetit, nga shifra modeste që kanë qenë deri tani, edhe për shkak të informalitetit të lartë në sektor dhe besoj që TVSH e pagueshme  në buxhet do të rritet disa herë.

3.Sa efekt do të ketë në punësim dhe të ardhura?

Patjetër që do të ketë një formalizim të numrit të shtretërve në pasyrën e fiksut, por edhe në punësim. Mos harroni që ka raste që një hotel në veri apo në jug të Shqipërisë ka pasur vetëm një të punësuar të siguruar që është e papranueshme, edhe sikur të ndjekësh raportet më modeste numër shtretërsih-numër punonjësish, standarde në hoteleri-turizmë, sëris është e papranueshme. Sigurisht që pas kësaj mase promovuese të turizmit, lehtësuese për strukturat akomoduese, do të vijë një fushatë formalizimi, e përbashkët me industrinë. Industria është treguar shumë e gatshme, shoqatat përfaqësuese të industrisë janë treguar shumë të gatshme, të bashkëpunojnë më Ministrinë e Financave, me DPT, për formalizimin e mëtejshëm të këtij sektori.

4 A prisni investime të mëdha dhe ka projekte konkrete?

Presim investime të mëdha, ka projekte konkrete patjetër në jug të Shqipërisë, ka një projekt-ide serioze në qendër të Tiranës, ne dje kaluam në Këshill të Ministrave dhe një projektvendim që do të kthehet në ligj në Parlament ku autorizohet MZHETTS dhe Ministria e Financave se bashku me një grup nga Bashkia e Tiranës, të fillojnë negociata me grupin investitor, grup shumë serioz me qendër në Lindjen e Mesme, nje grup global me një projekt-ide shumë interesante. Është komplekse nga ana e ofertës, prandaj ka nevojë për një ligj të vecantë dhe investimi shkon mbi 150 milionë dollarë.

5. Të ardhurat nga turizmi kapërcyen 1.5 miliardë euro duke vendosur një rekord të ri, mendoni që turizmi mund të shndërrohet falë këtyre masave në një lokomotivë të rritjes ekonomike?

Turizmi patjetër do të jetë një nga sektorët që do të tërheqë për lart zhvillimin ekonomik. Turizmi, I kombinuar me një industrializim të lehtë të sektorëve prodhues, besoj që do të kalojë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, nga stadi ku jemi sot, në një stad akoma dhe më të lartë. Këto të dyja, të shoqëruara me përmirësimin e infrastrukturës, do të bëjnë të mundur që Shqipëria të rritet në mandatin e dytë mbi 5.5 apo 6%.