Postuar më: 16 Maj 2018

Ulet me tre here tatim fitimi për mbi 10 mijë biznese me xhiro 8-14 milionë lekë. 93 mijë biznese kanë përfituar nga ulja e taksave në 4 vite

Fjala e Ministrit Ahmetaj në takimin me mediat:

Përshëndetje,

Siç e kemi bërë traditë, ritakohemi sot për të reflektuar të dhënat e fundit makroekonomike, që i përkasin periudhës katërmujore Janar-Prill 2018.

Ne si ekonomi kemi rritjen më të madhe në 10 vitet e fundit, 3.84 %, ndërkohë që Banka e Shqipërisë rikonfirmon që rritja ekonomike do të vazhdojë të përshpejtohet edhe në tremujorin e parë të vitit 2018, për të ndjekur trajektoren rritëse të konsoliduar e të përshpejtuar të rritjes ekonomike, siç e kemi parashikuar.

Të terma makroekonomikë, rritja është ndihmuar nga besimi i përmirësuar i sektorit privat, nga rritja e kërkesës së huaj, nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, si dhe kushtet e favorshme të financimit në vend.

Kemi marrë të krahasuara, rritjen ekonomike dhe papunësinë në rajon. Siç e shikoni, ne jemi me papunësi në ulje në 13.4% krahasuar me rajonin, jemi në trajektore rënëse të përshpejtuar të papunësisë.

Numri i të punësuarve. Krahasuar me Janar 2013, janë 651 mijë të punësuar në bordero, ose 215 mijë vende të reja pune të krijuara në një mandat. Krahasuar me mars 2017, pra me vitin e kaluar, janë 33,410 vende të reja pune, gjithmonë referuar listëpagesës, borderosë së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Ndërkohë, nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka vende të lira të shpallura, të cilat vijnë gjithmonë e në rritje e që tregojnë besimin e sipërmarrjes në marrëdhënie me Shërbimin Kombëtar të Punësimit, por gjithashtu dhe hapësirat për punësim në ekonomi.

Në prill 2018 janë 7,333 vende të lira pune të deklaruara pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit nga sipërmarrje në të gjithë territorin e vendit.

Rritja e besimit në ekonomi, që është një vrojtim i besimit të biznesit dhe vrojtimi i besimit të konsumatorëve nga Banka e Shqipërisë. Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 3.7 pikë gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 duke vijuar të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij. Sigurisht që rritja reflektoi përmirësimin e besimit në sektorët e tregtisë, të shërbimeve dhe të industrisë.

Indeksi i afarizmit, prodhim dhe shërbime, përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2017 shënoi një rritje prej 4.7 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Shifra e afarizmit për prodhim përgjatë tremujorit të katërt të 2017-ës, ka një rritje prej 6.2 %, për të ndarë me ju indikacionet se rritja ekonomike edhe këtë vit bazohet në një platformë shumë të konsoliduar ekonomike të vitit të kaluar.

Investimet e huaja, në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto; Shqipëria sërish mbetet në nivele shumë të larta, është e dyta pas Malit të Zi. Ndërkohë që, krahasimisht në aspektin makro, Mali i Zi në dy vitet që kanë kaluar ka rritje të borxhit, Shqipëria ka rënie të borxhit publik.

Tregtia e jashtme. Eksportet dhe importet e mallrave janë në rritje të konsiderueshme ndërkohë që, në tremujorin e parë, rritja e eksporteve është 18.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Importet për tremujorin e parë të vitit 2018 u rritën me 9.6 % dhe ndërkohë brenda rritjes së importeve, rritja e importeve të makinerive dhe pajisjeve është dyshifrore, 15.3 %, që tregon se pulsi ekonomik vazhdon të rrahë me intensitet.

Kredia për sektorin privat si raport ndaj Prodhimit të Brendshëm vlerësohet 36.3 %. Në raport me vendet e tjera është e ulët akoma, megjithatë shenjat e kërkesës tashmë për kredi janë shumë pozitive. Kërkesa për kredi nga ana e biznesit është dyshifrore, kredia e dhënë akoma mbetet në nivele modeste.

Përsa i përket performancës së të ardhurave, Tatime, Dogana dhe Sigurime, fakti janar-prill 2018 krahasuar me janar-prill 2017 është + 4.5 %, rreth 60 milionë dollar më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Pra, krahasuar me 2017-ën, performanca totale e të ardhurave, duke përfshirë dhe grantet, është +1.8%. Performanca e të ardhurave nga Tatime dhe Dogana, krahasuar me vitin 2017 siç iu referova, është 4.5 % plus apo rreth 5.5 miliardë lekë më shumë, realizuar në 98.1 %.

Sigurisht që kursi i këmbimit i ka dëmtuar, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga Dogana me 1.3 miliardë lekë minus, por ne shpresojmë që në vazhdimësi do ta kompensojmë me efektivitet në administrim.

Regjistrimi i bizneseve; Janar-prill 2018, janë 4987 biznese të reja neto, pra rreth 5 mijë biznese të reja neto brenda një periudhe katërmujore.

Kam sjellë jo pa qëllim inflacionin e muajit prill që nga viti 2016, 2017, 2018, për të parë luhatjet. Siç e shihni, inflacioni është normal, është 2.1 %. E mbani mend diskutimin që kemi bërë, që gjithë analistët dhe pseudoanalistët kanë bërë, që domosdoshmëria e deklarimit të TVSH, që ne shpallëm nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave për TVSH-në deri në nivelin dysheme 2 milionë, do të rrisë çmimet.

Ju kisha thënë që nuk është e vërtetë. Nuk do t’i rrisë akademikisht, dhe praktikisht nuk ka rezultuar e vërtetë! Nuk rezultoi e vërtetë. Shikoni inflacionin në nivele krejt normale në muajin prill. Krejt normale, madje krahasuar me muajin mars të vitit 2018, kemi ulje të çmimeve në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.4%, pastaj kemi në grupet “veshje dhe këpucë”, “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje shtëpie”, etj.

Pra, nuk pati rritje çmimesh, përkundrazi, akomodimi në treg ka çuar dhe në ulje çmimesh.

Ra edhe një nga gjithë ato pseudo-shqetësime që kishte opozita, apo analistët apo dhe legjitimisht shumë qytetarë. Nuk rezultoi e vërtetë. Jo vetëm që nuk ka patur rritje çmimesh, por ka ulje çmimesh në treg për shkak të akomodimit të tregut.

Ecuria e kursit të këmbimit; Kursi i këmbimit të lekut është ndër më të qëndrueshmit në rajon dhe luhatjet e tij tentojnë historikisht të kenë një shpërndarje normale. Mbiçmimi i tij gjatë periudhës së fundit pasqyron ndër të tjera përmirësimin e faktorëve fondamentalë, siç janë përmirësimi i bilancit të pagesave, miksimi i politikave monetare pozitive, konsolidimi fiskal që vazhdon, si dhe niveli i lartë i investimeve të huaja.

Dua të theksoj që në një vend normal me kurs këmbimi të pafiksuar, siç është ekonomia shqiptare, qeveria nuk bën ndërhyrje në kursin e këmbimit dhe do të ishte e gabuar të bënte. Ka një diskutim për fasonët përsa i përket dëmtimit që mund të kenë nga kursi i këmbimit. Vlera e shtuar e tyre në Shqipëri, për shkak të regjimit të përkohshëm siç i referohemi, e bazuar në lek është maksimumi 20%, që do të thotë se, edhe sikur kursi, pra leku, të mbivlerësohej në masën 20%, kosto që iu lëviz është në nivele nga 2% deri në 3%. Pra është e kufizuar, sepse shumicën e furnizimit e kanë kryesisht nga vendet e Eurozonës, ku kuptohet, blejnë dhe shesin në euro.

Sigurisht që mbiçmimi është tregues i forcimit të ekonomisë shqiptare, por nuk është gjithmonë pozitiv për disa nga aktorët ekonomikë, e kjo nuk diskutohet, deri në akomodim të tyre me tregun, dhe i detyron diku dhe forcërisht, që të shohin më shumë nga produktiviteti sesa nga kosto.

Kursi i këmbimit në vendet e rajonit, thjesht për të parë që ajo që po ndodh në Shqipëri po ndodh pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, për shkak të përmirësimit të fondamenteve të ekonomisë së rajonit. Pra, nuk është se ne po përjetojmë një fenomen të veçantë. Shikoni dhe Serbinë, dhe Kroacinë, thjesht për referencë.

Ndërkohë, dua të ndaj me ju disa nga politikat e reja, iniciativa të Kryeministrit të Shqipërisë, për të lehtësuar barrën fiskale të sipërmarrjes.

Siç kishte premtuar, Kryeministri do të reflektonte pas diskutimeve me sipërmarrjen dhe unë me kënaqësi e rikonfirmova qëndrimin që nuk do të ketë rritje çmimesh dhe nuk ka rritje çmimesh, përkundrazi pati ulje çmimesh, pra jo thjesht një premtim, por një referencë e kujdesshme e Kryeministrit në bazë të studimit të tregut që bëjnë institucionet në varësi të tij.  

Unë në këtë takim dua t`ju prezantoj disa nga nismat e fundit që Ministria e Financave ka materializuar, pas iniciativave publike të Kryeministrit.

Bizneset nga 8 deri në 14 milionë do të kenë tatim-fitimi 5 %.

Ministria e Financave ka materializuar draftligjin për mendimmarrje në institucione të tjera dhe besojmë që ky ndryshim do të hyjë në fuqi jo më vonë se 1 janari i vitit 2019.

Për statistikë, janë 21 mijë sipërmarrje që janë objekt i tatim-fitimit 15%, me luhatje të qarkullimit nga zero deri në miliarda, dhe nga këto, 10,800 apo 50% të tyre iu zbritet tatim-fitimit në 5%. Pra, duke iu shtuar dhe atyre që përfitojnë nga tatim-fitimi i thjeshtësuar, bëhen mbi 93 mijë biznese që kanë përfituar ulje të drejpërdrejtë takse.

Që do të thotë, se nga 110 mijë biznese aktive, mbi 93-95 mijë e kanë tatim fitimin nga 5 deri në zero. 90% e bizneseve të Republikës së Shqipërisë kanë përfituar ulje takse, janë 90 % e sipërmarrjeve shqiptare që në mandatin e parë dhe të dytë të qeverisë Rama, kanë përfituar ulje të ngarkesës fiskale. Janë 93-95 mijë biznese nga 110 mijë biznese.

Tymnaja për rritjen e taksave është tullumbace.

Nga 110 mijë biznese aktive, 93 mijë kanë përfituar dhe përfitojnë ulje të konsiderueshme të tatim-fitimit nga 15% në 5% apo zero. Pra, ta davarisim njëherë e mirë atë tymnajën dhe bolorinë që “u rritën taksat, u rritën taksat”. Përkundrazi, ngarkesa është ulur!

E dyta, është nxitja për prodhimin e energjisë së rinovueshme diellore, ku një sërë produktesh dhe teknologjie përjashtohen nga TVSH-ja për makineri dhe pajisjet në import, që është një politikë shumë ndihmuese edhe për rritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë.

E treta, që ka qenë një diskutim i gjatë dhe një iniciativë e Kryeministrit, është nxitja për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, pra bashkimet bujqësore, ku tatim-fitimi do të shkojë 5 %. Pra bëmë 2 lëvizje: ngritëm pragun e TVSH-së për to, për t’i trajtuar si fermerë të mëdhenj, pra që këta fermerë që bashkohen të mos kenë “frikën” e  TVSH-së, tani ulim dhe tatim-fitimin nga 15 % në 5 %. 

Agroturizmi - tatim-fitimi zbret në 5%, në bazë të definicionit që ka nxjerrë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Do të kenë TVSH të reduktuar për një sërë shërbimesh 6%, përjashtim nga taksa e infrastrukturës për investime.

Pra, balancojmë paketën që bëmë për strukturat e shërbimit me 4 deri në 5 yje, me paketën për agroturizmin, një balancim shumë i mirë, një ulje e ngarkesës fiskale e drejpërdrejtë dhe ndërkohë do të vazhdojmë të ulim borxhin publik.

Ndërkohë kemi hapur dhe turin e konsultimeve për paketën e re fiskale me të gjitha shoqatat për të arritur pastaj në një paketë akoma më të avancuar në periudhën tetor-nëntor, kur të kalojmë buxhetin e ri.  

Me këtë paketë, ju që jeni gazetarë ekonomie, ata që ju përfaqësoni, qytetetarët, sipërmarrjet, kuptojnë shumë mirë që qeveria Rama vetëm ka ulur ngarkesën fiskale. Nga 110 mijë biznese aktive, 93-95 mijë biznese e kanë tatim-fitimin nga 5 në 0 dhe ka qenë një kërkesë e biznesit të vogël për rritjen e tavanit. Kështu që, besoj iniciativa e Kryeministrit është materializuar tashmë në një draftligj për mendim-marrje.

Në të njëjtën kohë, ka politika të reja përsa i përket konçensioneve.

Është sërish një iniciativë e Kryeministrit për të riparë ligjin e konçensioneve me shumë përgjegjësi dhe ne e kemi kaluar për mendimmarrje, materializuar nga Ministria e Financave si draftligj ndryshimet në ligjin për konçensionet, PPP-të.

Ajo që bën diferencë është heqja e propozimeve të pakërkuara nga sektori privat. Besoj do të jetë në fuqi, edhe në varësi të vendimmarrjes, në mes të vitit 2019 e tutje, që do të thotë se nuk do të ketë më oferta të pakërkuara. Ofertat do të jenë të kërkuara dhe sigurisht që në këtë rast, studimi i fizibilitetit bëhet nga institucionet qeveritare.

Risi të tjera të këtij projektligji janë ekspertiza e specializuar për zhvillimin e projekteve të konçensioneve, që do të futet në ligj; Rritja e kontrollit të implikimeve fiskale të kontratave që konçensionit; Mekanizmat e zëvëndësimit të konçensionarëve në bashkëpunim me institucionet financiare.

Pra gjithë atë gamë fenomenesh që kemi parë ndër vite, tani do t’i referohemi me ligj.

Në konkluzion, takimi i sotëm ka në bazën e vet tre shtylla:

  • Ekonomia vazhdon të rritet. Shifrat janë domethënëse dhe të ardhurat vazhdojnë të rriten, konsolidimi fiskal vazhdon.
  • Qeveria vazhdon të ulë barrën fiskale për sipërmarrjen.
  • Përgjegjshmëri më e lartë në vazhdimësi ndaj formatit ligjor dhe financiar përsa i përket konçensioneve dhe PPP-ve.