Postuar më: 09 Korrik 2018

Ulëm taksat për 97% të shqiptarëve dhe 91% të bizneseve! Miratohet paketa fiskale e mesvitit

Fjala e Ministrit Ahmetaj sot në Parlament

Pas një turi të gjatë takimesh me sipërmarrësit në të gjithë vendin, pas masave të ndërmara në kuadër të betejës antiinformalitet dhe si rrjedhojë e një premtimi direkt të Kryeministrit Rama, pas miratimit të paketës fiskale në fund të vitit 2017, ne tashmë bëjmë realitet një lehtësim konkret për biznesin e vogël. E kemi theksuar edhe kur u ul pragu i deklarimit të TVSH-së.

Këtu dua të ndaloj një sekond dhe të bëjmë një ballafaqim të mundur me grupin e e munguar të opozitës, por në sy të qytetarëve. E mbani mend të dashur qytetarë, kur opozita tha: “nëse ulet pragu i TVSH-së, do të rriten çmimet”. Si është e vërteta sot? E vërteta sot është që për të gjitha njësitë që preken nga ulja e pragut të TVSH-së, është bërë një sondazh i drejpërdrejtë nga INSTAT-i dhe jo nga qeveria, rezultantja është në dy korsi:

E para është inflacioni, për muajt prill dhe maj rezulton të jetë në nivelet 2 %, sa ka qenë në vazhdën e gati 5 viteve, 1.8%;2.1%; 1.8%; 1.9%; 2.1% etj. Pra, nuk ka asnjë ndryshim. Brenda të njëjtit indeks, kemi parë indeksin e njësive, e mallrave që tregtohen nga njësitë që janë prekur nga ulja e pragut, dhe ka ulje çmimesh për shumë produkte, që do të thotë se ajo që pretendoi opozita nuk është e vërtetë dhe konkluzioni ishte që jo vetëm që nuk përfaqësojnë qytetarët, jo vetëm që nuk përfaqësojnë biznesin e vogël, por nuk kontribuojnë në konsolidimin financiar dhe fiskal të vendit. Ajo që ne po bëjmë është në vazhdën e një planimetrie lehtësimi fiskal që shkon në përputhje me rritjen e sektorëve prioritarë të ekonomisë dhe me rritjen ekonomike, që unë do të flas pak më vonë. Tani po kaloj konkretisht tek masat.

Pikë së pari, tavani nga 8 milionë për biznesin që tatohet më 5 %. Pra, tavani ka qenë nga 5-8 milionë lekë xhiro, tatimi i thjeshtësuar ka qenë dhe ngelet 5%  dhe po fusim brenda tatim fitimit një fashë të re nga 8-14, pra tavani i tatim fitimit shkon në 14 milionë dhe do të jetë 3 herë më pak se sa ka qenë, nga 15 % në 5 %, 3 herë më pak. E premtoi Kryeministri, e diskutoi me sipërmarrjen e vogël për 7 muaj rrjesht në të gjithë Shqipërinë, që nga Kryeministri dhe gjithë qeveria dhe të gjithë anëtarët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kanë diskutuar në territor çështjen e biznesit të vogël. Frytet e diskutimit janë lehtësimi fiskal.

E dini çfarë ndodh të dashur qytetarë dhe të nderuar deputetë? Me këto lëvizje, me këto lehtësime fiskale që po bën qeveria sot dhe që aprovon ky Parlamet, 91% e sipërmarrjes në Republikën e Shqipërisë e ka tatim fitimin ose zero ose 5%. Tani vijmë këtu pas pesë vitesh dhe gjithë ajo bolori antipolitike, parapolitike “u rritën taksat, u rritën taksat”. U ulën taksat. U fermentua çdo ditë e njëjta bolori “taksa, taksa”. Ja ku janë, biznesi i vogël deri në 5 milionë lekë e ka zero lekë tatim fitimin, zero!

U rrit pragu nga 8 në 14. 91% e sipërmarrjes sot e ka ose zero tatim fitimin ose 5%, nga 15 %. Po të ishte dikush këtu nga këta të munguarit, do të thoshte “po ne e kishim 10 %”. Po 5%, a është 2 herë më pak? Është dy herë më pak dhe jo vetëm që është 2 herë më pak, por krahasimisht, fatkeqësisht ju nuk jeni këtu por qytetarët na ndjekin, ju e rritët borxhin. Ne jo vetëm që kemi ulur taksat, por ne po ulim dhe borxhin. Po ulim borxhin. Kemi 3 vite rrjesht që qeveria me operacionet e veta të përditshme nuk krijon borxh të ri. Përkundrazi, kursen dhe trajton borxhin e trashëguar nga ju, të munguar.

Vazhdojmë më tej. Kombinuar me lehtësitë e aplikuara, siç e theksova, 91% e sipërmarrjes e ka ose zero ose 5%. Në kuadër të mbështetjes së sektorit të bujqësisë, qeveria ka sjellë uljen e normës së tatim fitimit koorporativ nga 15% në 5 % për fermerët e inkorporuar në Shoqatat e Bashkëpunimit Bujqësor.

Të ndalojmë një sekond këtu se kjo është shumë e rëndësishme dhe shkon në themel të promovimit të ekonomisë së shkallës në bujqësi. Kthehemi një hap prapa për të diskutuar me njëri-tjetrin pse e bëjmë këtë. E bëjmë këtë për çfarë? Sepse jemi duke kuruar pikërisht atë problem që ka bujqësia. Problemi i bujqësisë është që i gjithë prodhimi është bazuar në ngastra të vogla toke, të copëtuara, ku teknologjia dhe bashkimi i faktorëve të punës, faktorëve të prodhimit, puna dhe kapitali apo edhe teknologjia, nuk bëhen dot bashkë për shkak të këtij copëtimi.

Atëherë, nëpërmjet instrumentave fiskalë që janë dy në fakt, një e bëmë përpara disa kohësh me TVSH-në, një po e bëjmë tani duke ulur tatim fitimin nga 15 % në 5 %, po promovojmë bashkimin e fermerëve në mënyrë që politika e zhvillimit bujqësor dhe rural të ketë mundësi të injektohet, të përpunohet, të zbatohet dhe të zërë vend më kollaj.

Është ndryshe kur një politikë e zhvillimit bujqësor dhe rural vendoset në një platformë 10 hektarëshe, 20 hektarëshe, duke futur këtu edhe subvencionet, duke futur këtu edhe mbështetjen e buxhetit, duke futur këtu edhe instrumentin e garancisë, duke futur këtu edhe IPARD-in, imagjinoni pra gjithë këto politika mbi një ngastër 1 dynym dhe mbi një fermë 10, 15, 20, 50 hektarë. Ky është qëllimi. Lehtësimi fiskal na çon në drejtim të konsolidimit të tokës, të konsolidimit të të gjithë faktorëve të prodhimit, të punës, të kapitalit, të teknologjisë, në mënyrë që të rrisim produktivitetin e këtij sektori.

Ndryshimi tjetër i rëndësishëm konsiston në lehtësirat që paraqiten për agroturizmin. Kthehemi prapë këtu një hap mbrapa, për të kuptuar jo thjesht këto lëvizje fiskale, por për të kuptuar në tërësi atë fill që kalon në gjithë fabrikën e ndërtuar të modelit të ri ekonomik. Çfarë dua të them me këtë? Në vjeshtë të vitit të kaluar ne aprovuam në këtë Parlament paketën për 4 dhe 5 yjet për strukturat e akomodimit. Strukturat e akomodimit 4 dhe 5 yje kanë investime në potencë të larta, që shkojnë në rastin më fillestar mbi 10 milionë euro dhe pastaj kalojnë edhe në mundësinë e 50, 60 dhe 100 milionë euro.

Paketa u godit nga opozita dhe goditja ishte: “pse i ndihmoni ju këta oligarkët?” Pra, investimet e huaja u quajtkan tashmë oligarkë! Ne e bëmë, të bindur që ka ardhur koha që oferta jonë turistike të jetë konkurruese në krahasim me rajonin, e jo vetëm. Dhe premtuam, atë ditë Kryeministri ka thënë shumë shpejt do të avancojmë një mbështetje fiskale për agroturizmin, që është ana tjetër e turizmit ku afron jo thjesht ujin, jo thjesht detin, jo thjesht diellin, por kalon në nivele të tjera ku është ushqimi bio, aktivitete sportive jo thjesht në bregdet, dhe ka mundësi që të gjenerojë zhvillim ekonomik dhe punësim dhe në zonat rurale. Paketa është edhe këtu e konsoliduar.

Ka tre elementë shumë të rëndësishëm. E para dhe mbi të gjitha afron ulje të tatim fitimit nga 15% në 5 % për të gjitha ato njësi agroturizmi që do të certifikohen në bazë të një vendimi specifik qeverie që, për transparencë me deputetët, është vendimi nr. 22, i Shkurtit të vitit 2018, “Për certifikimin e njësive të agroturizmit”. Pra, do të zbresë tatim fitimi nga 15% në 5 %, tre herë më pak.

Boloria e fermentuar e taksave është sot e çmontuar njëherë e mirë përpara syve të opinionit publik. Kjo qeveri, kjo mazhorancë ka ulur taksat, ka lehtësuar ngarkesën fiskale për 97% të qytetarëve dhe sot del e thotë me statistikë, 91% e sipërmarrjes e ka ngarkesën fiskale të ulur, tatim fitimin nga 15 në 0 dhe një pjesë e saj nga 15 në 5 %. E përveç kësaj, ulim TVSH-në për akomodimin dhe për ushqimin për agroturizmin nga 20%, në TVSH të reduktuar 6 %.

Patjetër që ka pasur debate edhe për pijet, por unë si Ministër Financash, por edhe si anëtar i kësaj mazhorance, kam argumentuar që për shumë arsye, për shkak të aktivitetit dhe sistemit poroz të agroturizmit, është e pamundur që të mbahet kontrolli dhe balanca kështu që kemi mbetur vetëm në nivelin 6 % të akomodimit dhe të ushqimit, për t’i dhënë një mbështetje shumë të rëndësishme edhe këtij segmenti të sektorit të shërbimeve dhe nënsektorit turizëm.

Ndërkohë, për ato biznese që do të kenë rishtaz investim në agroturizëm, do ta kenë taksë e infrastrukturës zero. Pra, këtu jemi duke folur për një paketë shumë të rëndësishme me lehtësi fiskale, që shkojnë drejtpërsëdrejti tek biznesi i vogël.

E thamë që do të mbështesim biznesin e vogël dhe po e bëjmë. Thamë që do të ulim pragun e TVSH-së për të kontrolluar të madhin dhe po e bëjmë. Thamë që do të lehtësojmë agroturizmin, po e bëjmë sot. Thamë që do të mbështesim bujqësinë, po e bëjmë sot, edhe nga ana fiskale, edhe nga ana e mbështetjes buxhetore, edhe nga ana e ndihmës apo e negociatës dilixhente që është bërë përsa i përket IPARD-it, pra Programit për Mbështetjen e Bujqësisë.

Është momenti sot t’i kthehemi situatës ekonomike dhe ta ndajmë me qytetarët. Kemi atë diskutimin “a është bërë mjaft”? A është situata rozë? A është ky vend i pasur? Jo, situata nuk është rozë, por situata është shumë më mirë se çfarë ka qenë. Më në fund ekonomia shqiptare është futur në normalitet rritje, rritet 4.5%. Ka qindra e mijëra qytetarë që me të drejtë mund të dalin e të thonë: “Po mirë, u rrit 4.5%, po ne ku jemi?” Po patjetër që ka shumë për të bërë, po hajde t’i kthehemi numrave, e hajde t’i kthehemi jetëve të njerëzve, e hajde t’i kthehemi zemrave dhe mendjeve.

Në 1 Janar të 2013-ës kanë qenë rreth 430 mijë të punësuar. Sot, janë 673 mijë të punësuar e teknikisht duhet t’ua them që jam duke iu referuar E-Sig 27, borderosë së Tatimeve që deklarojnë vetë sipërmarrjet, për hir të së vërtetës dhe transparencës. 673 mijë. Po janë gati 240 mijë mendje, zemra, qytetarë, fytyra, familjarë, kryefamiljarë që shkojnë në punë më shumë se në 1 janar të 2013-ës.  Jo, nuk është situata rozë, por mos harroni që kemi 240 mijë zemra, mendje, fytyra, familjarë e kryefamiljarë, që shkojnë në punë sot, më shumë se sa në 2013-ën.

Po akoma pa fund ka halle Shqipëria sepse vend i varfër është akoma, por është shumë herë më mirë se sa ka qenë në 2013-ën. Diskutimi këtu është fare i thjeshtë, e shpëtuam Shqipërinë nga humnera dhe e kemi futur në normalitet rritje ekonomike, e kemi shumë punë për të bërë.

Kjo paketë është një nga ato mendimet tona, e nëse doni mos ta quajmë paketë fiskale, ta quajmë paketë solidariteti, sepse kemi shkuar tek qeliza e ekonomisë së bashku, kemi futur syrin e mendjen te qeliza e ekonomisë, për ta ngacmuar pulsin e ekonomisë tek ajo qelizë e vogël pozitivisht, tek ai fermeri, tek ai sipërmarrësi i vogël që shet përditë, që prodhon përditë, që krijon përditë, që afron shërbime përditë, tek ai i vogli, për ta ndezur akoma më shumë atë qelizë. Tek ai fermeri në fshatin më të largët, duke i treguar që sot është e mira që ti të bashkohesh me fermerin tjetër që ke në krah, për të bërë një ekonomi më të mirë, për të pasur pak produktivitet e për të prodhuar më shumë.

E keni parë se çfarë ka ndodhur me eksportet? Sot po rritemi me dy numra në eksporte, 18.4 %. Por më besoni, nuk ka gëzim më të madh për një trupë që qeveris dhe që drejton Shqipërinë si kjo mazhorancë, që t’i referohet këtyre shifrave duke thënë “ka njerëz që prodhojnë dhe eksportojnë”. Deri më dje nuk kishin asnjë mundësi; ka njerëz që sot nuk kanë treg vetëm Tiranën, por kanë treg Italinë, kanë treg Gjermaninë, kanë treg Austrinë, kanë treg Greqinë, kanë treg Serbinë. Por për çfarë jemi votuar? Nuk besoj se thamë ditën që u votuam se do të bëjmë çudira. Jo. Ne jemi njerëz normal, do ta kthejmë këtë vend në shina normale dhe këtë po bëjmë, të tjerat i bën biznesi.

Ne çfarë bëmë me sipërmarrjen? I hoqëm duart që këta të munguarit i kishin futur në fyt. Këtë bëmë ne. Ne bëmë gjënë më të thjeshtë që bën një mazhorancë. Këta këtu që mungojnë, i kishin futur duart në fyt sipërmarrjes. Ne e çliruam sipërmarrjen. Do të vazhdojmë ta çlirojmë, sepse ka akoma shumë punë për të bërë. Ka akoma shtrëngesa të pa arsyeshme në terrenin ekonomik dhe këtu e ftoj sipërmarrjen që të na ndihmojnë sepse jemi në një proces konsultimi akoma për Paketën Fiskale të Vjeshtës, të na thotë ku akoma gishtat e këtyre kanë mbetur në fyt të tyre, që t’i heqim, ta çlirojmë komplet sipërmarrjen dhe të realizojmë atë ëndërr që kemi, t’i japim Shqipërisë rritje ekonomike mbi 5 %, që të përfitojë çdo qytetar, nga Kukësi, nga Tropoja, nga Saranda, nga Korça, nga Gjirokastra, nga Vlora, nga Tirana, nga Fieri, nga Lezha, nga Dibra, gjithandej.

E ky është qëllimi që ne sjellim një paketë fiskale e cila është baraz me një paketë solidariteti, ku syri, mendja dhe zemra e një mazhorance shkon te qeliza më e vogël, më bazike e ekonomisë; tek zemra, mendja, sytë, dora e fermerit; tek zemra, mendja, sytë e sipërmarrjes së vogël; tek zemra, mendja e sytë e atyre që bëjnë agroturizëm, që bëjnë biznes në zona rurale në favor të familjes së tyre, në favor të rajonit të tyre, në favor të zhvillimit ekonomik.

Unë ju ftoj që jo vetëm ta mbështesim, kjo nuk diskutohet, por të propagandojmë dhe të ndihmojmë që çdo biznesi i vogël, çdo sipërmarrje shqiptare ta ketë të qartë se çfarë sjell kjo paketë që nuk është paketa fiskale, është paketë solidariteti me pikërisht sipërmarrjen e vogël për ta ndihmuar të zhvillohet në favor të familjeve të tyre, të ekonomisë dhe të Shqipërisë.

Faleminderit.