Postuar më: 06 Prill 2018

Treguesit fiskalë të konsoliduar të dy mujorit, të ardhurat 3.5 miliardë lekë më shumë

Treguesit fiskalë të konsoliduar 2-mujori 2018, të ardhurat, 3.5 miliardë lekë më shumë

 

Të ardhurat e përgjithshme, për muajin e dytë të vitit 2018, arritën në rreth 67.6 miliardë Lekë me një realizim në masën rreth 99.1 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 5.5 përqind më i lartë ose rreth 3.5 miliardë Lekë më shumë.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për periudhën Shkurt 2018, u realizuan në vlerën 59.6 miliard lekë, 3 miliard lekë ose 5.5% më shumë se 2-mujori i vitit 2017.

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” janë realizuar në vlerën 877 milion lekë, 1.5% ose rreth 13 milion lekë më shumë se 2-mujori i vitit 2017.

Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 6.1 miliard lekë, 7.1% ose 409 milion lekë më shumë se 2-mujori i vitit 2017, dhe 2.3% ose rreth 139 milion lekë më shumë se plani. Ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi me një rritje prej 9,180 ton ose +13.3% krahasuar me 2-mujorin e vitit 2017. Gjithashtu rritje kanë shënuar, importi dhe prodhimi i “Birrës” me 3%, importi dhe prodhimi i “Verës” me 27.3%, dhe importi i “Cigareve” me 5.7% dhe importi i “Kafes” me +5.4%. Deklarimi i prodhimit vendas të duhanit është rritur nga 0.4 ton në 2.15 ton të deklaruara në periudhën Shkurt 2018.

Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 503 milion lekë, me njw rritje 14.8% ose 65 milion lekë më shumë krahasuar me 2-mujorin e vitit 2017. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur me 53 milion lekë, si rezultat i rritjes së sasisë së importuar, me rreth 17 mijë ton dhe janë rritur me 30 milion lekë si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me Shkurt 2017. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 25 milion lekë për shkak të rënies së çmimit në tregjet ndërkombëtare dhe janë rritur me 6 milion lekë si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar, me rreth 10 mijë ton, më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” në total, janë realizuar në vlerën 21.9 miliard lekë, me rritje 8.2% ose rreth 1.7 miliard lekë më shumë se 2-mujori i vitit 2017. Karburanti import mbuloi rreth 99.4% të konsumit gjatë muajit Shkurt të vitit 2018 krahasuar me 66.4% që ishte ky tregues vitin e kaluar. Rritja e importit të karburantit ka ulur prodhimin vendas të këtij produkti dhe si rrjedhojë të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit. Rimbursimet u rritën me 13.6% më shumë se 2 mujori i vitit 2017.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 3.5 miliard lekë,  rreth 7.5% ose më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 6 miliard lekë, 10.8% ose 587 milion lekë më shumë se 2-mujori i vitit 2017.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar në vlerën 6.1 miliard lekë, rreth 2.5% më pak se 2-mujori i vitit 2017. Faktor kryesor me ndikim në këtë performancë janë të ardhurat e rritura nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat nga “Kontributet e D.P.T-së” janë realizuar në vlerën 14.5 miliard lekë, 5.9% ose rreth 805 milion lekë më shumë se 2-mujori i vitit 2017 dhe 5.3% ose 727 milion lekë më shumë se plani. Rezultati i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhojë e numrit të të punësuarve.

 

Shpenzimet e Përgjithshme

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dytë të vitit 2018, arritën në rreth 63.9 miliardë Lekë me një realizim në masën rreth 100.5 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 16.9 përqind më i lartë ose rreth 9.2 miliardë Lekë më shumë.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim optimal, respektivisht në masën rreth 99.5 përqind dhe 121.6 përqind të planit të periudhës.

Shpenzimet korente në raport me planin 2 mujor të këtij viti, paraqesin një realizim prej rreth 99.5 përqind, duke rezultuar në rreth 57.4 miliardë Lekë. Zërat kryesorë që ndikuan në nivelin e realizimit të shpenzimeve korente kundrejt planit 2 mujor janë përkatësisht: shpenzimet e personelit me rreth 99.9 përqind, shpenzimet për fondet speciale me rreth 96.9 përqind dhe shpenzimet operative mirëmbajtje me rreth 79.8 përqind.

Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike, për muajin e dyë të vitit 2018 është konstatuar një realizim në masën rreth 6.5 miliardë LEK ose rreth 121.6 përqind në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë. Respektivisht, projektet e investimeve me financim të të brendshëm kanë shënuar një realizim në masën rreth 1.5 miliardë Lekë ose rreth 78.6 përqind të planit të periudhës, ndërkohë që ato me financim të huaj kanë shënuar një realizim në masën rreth 4.9 miliardë Lekë ose 145.2 përqind të planit të periudhës.

 

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskal të konsoliduar, realizimi i shpenzimeve dhe të ardhurave të përgjithshme, është shoqëruar me një suficit buxhetor prej rreth 3.7 miliardë Lekë.