Postuar më: 31 Tetor 2017

Treguesit fiskale të konsoliduar të 9-mujorit, të ardhurat 22 miliardë më shumë se 9-M 2016.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar treguesit fiskalë të konsoliduar për nëntëmujorin 2017, ku vihet re realizimi i të ardhurave rreth 22 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe një ecuri mjaft pozitive e realizimit të investimeve publike, në masën 94% të planit të periudhës.

Performanca e të ardhurave

Të ardhurat e përgjithshme, për nëntëmujorin 2017, arritën në rreth 320.1 miliardë lekë, me një realizim në masën 100.2 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 ky zë ka rezultuar 7.4 përqind më i lartë ose rreth 21.96 miliardë lekë më shumë.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT)  për 9 mujorin 2017, u realizuan në vlerën 279.8 miliard lekë, 20.2 miliard lekë ose 7.8%  më shumë se 9 mujori i vitit 2016 dhe 1.5 miliard lekë më shumë se plani.

Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 4.8 miliard lekë, 7.6% ose rreth 337 milion lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2016, dhe 5 milion lekë më shumë se plani. Importi i taksuar është rritur me 5.2% krahasuar me Janar – Shtator 2016.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 33.9 miliard lekë, 9.5% ose 2.9 miliard lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2016, dhe rreth 10 milion lekë më shumë se plani. Ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi rreth 422 mijë ton, me një rritje prej 40,040 ton ose + 10.5% krahasuar me 9 mujorin e vitit 2016. Gjithashtu rritje kanë shënuar, importi i Gazit të Lëngët me 24.1%,  importi dhe prodhimi i birrës me 13.7%, importi i pijeve energjike me 15.5%, Importi dhe prodhimi i verës me 15.8%, dhe  importi i cigareve me 3.7%.  Importi i kafes ka shënuar një rënie prej 0.6% krahasuar me Janar- Shtator 2016 ndërkohë që është rritur deklarimi i prodhimit vendas të duhanit nga 0.7 ton në 7.5 ton të deklaruara në periudhën Janar- Shtator 2017.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.7 miliard lekë, rreth 3.8% ose 64 milion lekë më shumë se plani. Ndikim kryesor ka patur rritja e sasisë së mineraleve të eksportuara me 21.7% krahasuar me Janar- Shtator 2016. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë ulur me 777 milion lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar me rreth 375 mijë ton e destinuar kjo për përpunim vendas dhe janë rritur me 281 milion lekë për shkak të rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me Janar- Shtator 2016, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 2.1 Lek për kg në 2.9 lekë për kg.

Të ardhurat nga TVSH-ja në import  janë realizuar në vlerën 75.6 miliard lekë, 6% ose rreth 4.3 miliard lekë  më shumë se 9 mujori i vitit 2016 dhe rreth 459 milion lekë më shumë se plani. Rritja e prodhimit vendas të karburantit ka ulur importin e këtij produkti dhe si rrjedhojë, të ardhurat nga TVSH- ja në import. Karburanti prodhim vendas mbuloi rreth 30.8% të konsumit gjatë 9 mujorit të vitit 2017 krahasuar me 1.5% që ishte ky tregues vitin e kaluar.

Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 26.3 miliard lekë, 5.5% ose 1.4 miliard lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2016 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 99.6%. Rimbursimi i TVSH është realizuar në vlerën 9 miliard lekë, rreth 2.6 miliard lekë ose 39.7% më shumë se 9 mujori i vitit 2016.

Të ardhurat nga  tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 23.5 miliard lekë, 8% ose reth 1.7 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 25 milion lekë më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve deri tek konsumatorët fundorë.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 24.5 miliard lekë, 121 milion lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2016 dhe 3.7% më pak se plani. Ndikim në deklarimet e kësaj takse ka pasur reduktimi i pagesës së tatimit në burim për shitjet e pasurive të paluajtshme për shkak të ligjit të rivlerësimit në 2% nga 15% që është niveli bazë.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar 28.3 miliard lekë, 17.1% ose  4.1 miliard lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2016 dhe me  një realizim të planit në masën 101% ose 291 milion lekë.

Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 61.1 miliard lekë, 10.1% ose rreth 5.6 miliard lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2016 dhe 2.9% ose rreth 1.7 miliard lekë më shumë se plani. Rezultati shumë i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhoje e numrit të të punësuarve.

Shpenzimet e përgjithshme publike

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e nëntë të vitit 2017, arritën në rreth 322.6 miliardë lekë me një realizim në masën 98.5 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 ky zë ka rezultuar 12.2 përqind më i lartë ose rreth 35.1 miliardë LEK më shumë.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim optimal, respektivisht në masën 99.1 përqind dhe 94.2 përqind të planit të periudhës.

Shpenzimet korente në raport me planin 9 mujor të këtij viti, paraqesin një realizim prej 99.1 përqind, duke rezultuar në rreth 277.6 miliardë lekë. Zërat kryesorë që ndikuan në nivelin e realizimit të shpenzimeve korente kundrejt planit 9 mujor janë përkatësisht: shpenzimet e personelit me rreth 99.1 përqind, shpenzimet për fondet speciale me rreth 99.5 përqind, shpenzimet operative mirëmbajtje me rreth 93.8 përqind dhe shpenzimet e tjera sociale me 97.3 përqind. Niveli i realizimit të shpenzimeve publike, është shoqëruar me një nivel deficiti prej rreth 2.53 miliardë lekë.

Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike, për 9 mujorin e parë të vitit 2017 është konstatuar një realizim në masën rreth 41.3 miliardë lekë ose rreth 94.2 përqind në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë. Respektivisht, projektet e investimeve me financim të brendshëm kanë shënuar një realizim në masën rreth 25.1 miliardë lekë ose 90.65 përqind të planit të periudhës, ndërkohë që ato me financim të huaj janë realizuar në masën rreth 15.8 miliardë lekë ose 101.14 përqind të planit të periudhës.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskalë të konsoliduar, realizimi i të ardhurave të përgjithshme ka rezultar në rreth 320.1 miliardë lekë, ose në masën 100.2 përqind të planit të periudhës kurse realizimi i shpenzimeve të përgjithshme në rreth 322.6 miliardë lekë ose 98.5 përqind kundrejt planit të periudhës. Kjo situatë është shoqëruar me një deficit buxhetor prej rreth 2.53 miliardë lekë (rreth 5.3 mld lekë më i ulët se deficiti i planifikuar).