Postuar më: 01 Mars 2018

Treguesit fiskalë të konsoliduar të 12-mujorit 2017

Treguesit fiskalë të konsoliduar të 12-mujorit 2017

Në vitin 2017 u arkëtuan në buxhetin e shtetit në total 430.4 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2016, rritja rezulton +5.7%, duke arkëtuar 23.4 miliard lekë më shumë të ardhura.

Brenda totalit të të ardhurave, të ardhurat tatimore janë realizuar mbi 98%, duke arkëtuar në buxhet rreth 399 miliard lekë, nga 369.9 miliard lekë të arkëtuara në vitin 2016, pra me rritje 7.8% ose rreth +29 miliard lekë, çka përbën një zhvillim mjaft pozitiv për konsolidimin e financave publike.

Në veçanti, të ardhurat nga “Tatimet dhe Doganat” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT)  për periudhën Janar-Dhjetor 2017, u realizuan në vlerën 376.2 miliard lekë, 25.5 miliard lekë ose 7.3%  më shumë se 12-mujori i vitit 2016 dhe me një realizim mbi 99% të planit të periudhës.   

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” janë realizuar në vlerën 6.5 miliard lekë, 5.8% ose rreth 355 milion lekë më shumë se 12-mujori i vitit 2016, dhe 1.4% ose 92 milion lekë më shumë se plani. Importi i taksuar është rritur me 6% krahasuar me Janar–Dhjetor 2016.

Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 45 miliard lekë, 7.7% ose 3.2 miliard lekë më shumë se 12-mujori i vitit 2016. Ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi rreth 554 mijë ton, me një rritje prej 25,309 ton ose +5% krahasuar me 12-mujorin e vitit 2016. Gjithashtu rritje kanë shënuar, importi i “Gazit të Lëngët” me 16%, importi i “Cigareve” me 7%, importi dhe prodhimi i “Birrës” me 17%, importi i “Pijeve Energjike” me 9%, importi dhe prodhimi i “Verës” me 10%. Importi i “Kafes” ka shënuar një rritje në të ardhurat nga akciza me rreth 3% krahasuar me Janar-Dhjetor 2016.

Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 2.3 miliard lekë, 16.8% ose 471 milion lekë më pak krahasuar me 12-mujorin e vitit 2016, dhe 11.1% ose 233  milion lekë më shumë se plani. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë ulur me 874 milion lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 406 mijë ton e destinuar kjo për përpunim vendas dhe janë rritur me 383 milion lekë për shkak të rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me Janar-Dhjetor 2016, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 2.2 lekë/kg në 2.9 lekë/kg. Ndërkohë që është rritur sasia e mineraleve të eksportuara me 7.3% krahasuar me Janar-Dhjetor 2016.

Të ardhurat nga “T.V.SH.-ja” janë realizuar në vlerën 139.5 miliard lekë, 6.2% ose rreth 8.2 miliard lekë më shumë se 12-mujori i vitit 2016 dhe me realizim në masën 99.2% të planit. Karburanti prodhim vendas mbuloi rreth 27.8% të konsumit gjatë 12-mujorit të vitit 2017 krahasuar me 4.1% që ishte ky tregues vitin e kaluar. Pozitiv është fakti së janë rritur rimbursimet e TVSH-së për subjektet, kryesisht ato eksportues dhe investues.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 31.6 miliard lekë, 8.6% ose reth 2.5 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 8.4% ose 2.4 miliard lekë më shumë se plani.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 32.1 miliard lekë, 2.2% ose 692 milion lekë më shumë se 12-mujori i vitit 2016. Ndikim në deklarimet e kësaj takse ka pasur reduktimi i pagesës së tatimit në burim për shitjet e pasurive të paluajtshme për shkak të “Ligjit të Rivlerësimit”.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar në vlerën 36.2 miliard lekë, 9.7% ose 3.2 miliard lekë më shumë se 12-mujori i vitit 2016 dhe me një realizim të planit në masën 96.2%. Faktor kryesor me ndikim në këtë realizim kanë qenë të ardhurat nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme rreth 3.6 miliard lekë.

Të ardhurat nga “Kontributet e D.P.T-së” janë realizuar në vlerën 82.8 miliard lekë, 10.5% ose rreth 7.9 miliard lekë më shumë se 12-mujori i vitit 2016. Rezultati i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhojë e numrit të të punësuarve. Nga ana tjetër aksioni antiinformalitet ka dhënë efekte të dukshme në formalizimin e tregut të punës.

Shpenzimet e Përgjithshme

Shpenzimet e përgjithshme publike, për vitin 2017, arritën në rreth 461.4 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 ky zë ka rezultuar 6.4 përqind më i lartë ose rreth 27.7 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim optimal, respektivisht në masën rreth 98%.

Shpenzimet korrente për vitin 2017 rezultuan në rreth 382.3 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 3.7 përqind më i lartë ose rreth 13.6 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për vitin 2017 paraqesin një realizim në masën rreth 68.5 miliardë LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është 15.1 përqind më i lartë ose rreth 9 miliardë lekë më shumë.

Niveli i deficitit në vitin 2017 rezultoi në rreth 31miliardë LEK, ose rreth 4.3 miliardë LEK më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 16.3 përqind më shumë.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskal të konsoliduar, realizimi i shpenzimeve të përgjithshme rreth 461.4 miliardë lekë dhe të ardhurave të përgjithshme në nivelin 430.4 miliardë lekë, është shoqëruar me një deficit buxhetor prej rreth 31 miliardë lekë.