Postuar më: 29 Maj 2018

Treguesit fiskalë të 4 mujorit, të ardhurat 3 miliardë më shumë se 4-mujori 2017

Performanca “Tatime dhe Dogana” 4-mujori 2018

 

Të ardhurat e përgjithshme, për muajin e katërt të vitit 2018, arritën në rreth 143 miliardë lekë, me një realizim në masën rreth 95.8 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 2.2 përqind më i lartë ose rreth 3 miliardë lekë më shumë.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga D.P.T) për periudhën Prill 2018, u realizuan në vlerën 126.1 miliard lekë, me një rritje 5.5 miliard lekë ose 4.6% më shumë se 4-mujori i vitit 2017.

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” janë realizuar në vlerën 1.9 miliard lekë, 26 milion ose 1.4% më shumë se 4-mujori i vitit 2017, dhe realizim në masën 94.4%. Importi i taksuar është rritur me 3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 12.9 miliard lekë, me realizim në masën 98.2% e planit të periudhës. Ndikim ka patur “Karburanti” (import dhe prodhim vendas) që rezultoi rreth 161,878 ton, me një rritje prej 955 ton, ose +1% krahasuar me 4-mujorin e vitit 2017. Gjithashtu rritje kanë shënuar, importi i “Cigareve” me +5%, importi dhe prodhimi i “Birrës” me 12%, importi dhe prodhimi i “Verës” me 4%, importi i “Gazit të Lëngët” me +11%, dhe importi i “Kafes” me +13%. Deklarimi i prodhimit vendas të duhanit është rritur nga 2 ton në 7 ton të deklaruara në periudhën Prill 2018.

Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 1 miliard lekë, 76 milion lekë ose 8.2% më shumë krahasuar me 4-mujorin e vitit 2017. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur me 161 milion lekë, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar me rreth 52 mijë ton dhe janë rritur me 74 milion lekë si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 3.1 lekë/kg në 3.4 lekë/kg. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie për shkak të rënies së sasisë së eksportuardhe për shkak të rënies së çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” në total, janë realizuar në vlerën 44.5 miliard lekë, 2.6 miliard lekë ose 6.2% më shumë se 4-mujori i vitit 2017. Rritja e importit të karburantit ka ulur prodhimin vendas të këtij produkti dhe si rrjedhojë të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit. Karburanti import mbuloi rreth 99% të konsumit gjatë muajit Prill të vitit 2018 krahasuar me 66% që ishte ky tregues vitin e kaluar. Janë rimbursuar rreth 5.7% më shumë se 4-mujori i vitit 2017.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 13 miliard lekë, rreth 2.9% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 11.4 miliard lekë, 1 miliard lekë ose 10% më shumë se 4-mujori i vitit 2017. Krahasuar me 4-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga të punësuarit e sektorit publik dhe sektorit privat, janë rritur me 10%, kjo si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve aktiv krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar në vlerën 11.2 miliard lekë, 681 milion lekë ose 5.7% më pak se 4-mujori i vitit 2017 dhe 167 milion lekë ose 1.5% shumë se plani. Faktor kryesor me ndikim në këtë performancë janë të ardhurat e munguara nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme.

Të ardhurat nga “Kontributet e D.P.T-së” janë realizuar në vlerën 30 miliard lekë, 2.9 miliard lekë ose 10.5% më shumë se 4-mujori i vitit 2017 dhe 2.5 miliard lekë ose 9% më shumë se plani. Rezultati i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhojë e numrit të të punësuarve. Nga ana tjetër aksioni antiinformalitet ka dhënë efekte të dukshme në formalizimin e tregut të punës.

 

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e katërt të vitit 2018, arritën në rreth 139 miliardë lekë, me një realizim në masën 97.7 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 8.3 përqind më i lartë ose rreth 10.7 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente për periudhën 4 mujore të vitit 2018 rezultuan në rreth 121.1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 6.2 përqind më i lartë ose rreth 7.1 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për katër-mujorin paraqesin një realizim në masën rreth 17.9 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 23.5 përqind më i lartë ose rreth 3.4 miliardë lekë më shumë.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskal të konsoliduar, ky nivel i realizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të përgjithshme, është shoqëruar me një suficit buxhetor prej 3.97 miliardë lekë.