Postuar më: 20 Prill 2017

Treguesit fiskalë paraprakë 3-mujori 2017

Të ardhurat totale në 3 mujorin 2017 janë realizuar në masën 100.8 miliardë lekë ose rreth 104 përqind në raport me planin e periudhës.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT)  për 3 mujorin 2017, u realizuan në vlerën 89.6 miliard lekë, 4.9 miliard lekë ose 5.7%  më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe 5.4 miliard lekë ose 6.4% më shumë se plani.

Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 1.4 miliard lekë, 4% ose 52 milion lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016, dhe 1.5% më pak se plani.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 9.2 miliard lekë, 7.6% ose 654 milion lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016, dhe 5.6% ose 486 milion lekë më shumë se plani. Ndikim kryesor ka pasur Importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi rreth 116 mijë ton, me një rritje prej 4600 ton ose + 4.1% krahasuar me 3 mujorin e vitit 2016. Gjithashtu rritje kanë shënuar, Importi i Gazit të Lëngët me 13%,  importi dhe prodhimi i birrës me 12%, importi i pijeve energjike me 42%, Importi dhe prodhimi i verës me 5.5%. Importi i Cigareve dhe kafes ka ruajtuar afërsisht nivelin e Janar-Mars 2016 ndërkohë që është rritur deklarimi i prodhimit vendas të duhanit me rreth 50%.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 585 milionë lekë, 9.1% ose 49 milion lekë më shumë krahasuar me 3 mujorin e vitit 2016 dhe 33% ose 146 milion lekë më shumë se plani. Ndikim kryesor ka patur rritja e çmimit të mineraleve në tregun ndërkombëtar me rreth 48% krahasuar me Janar-Mars 2016 dhe rritja e sasisë së mineraleve të eksportuara me 47% krahasuar me Janar-Mars 2016.

Të ardhurat nga TVSH-ja në import  janë realizuar në vlerën 22 miliard lekë, 4.9% ose 1 miliard lekë  më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe 4.7% ose 987 milion lekë më shumë se plani.

Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 9.2 miliard lekë, 4.1% ose 362 milion lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 91.8%. Faktor pozitiv që ka ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e prodhimit vendas të energjisë elektrike dhe karburantit ndërkohë që krahasuar me 3 mujorin 2016, rimbursimi i TVSH është rritur 14%.

Të ardhurat nga  tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 11.2 miliard lekë, 3.6% ose 390 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 36.8% ose 3 miliard lekë më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve deri tel konsumatoret fundorë.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 7.7 miliard lekë. Kontributi i këtij zëri në të ardhura është 3.8% ose 304 milion lekë më pak se 3 mujori i vitit 2016 dhe 5.2% ose 425 milion lekë më pak se plani. Ndikim në deklarimet e kësaj takse ka pasur reduktimi i pagesës së tatimit në burim për shitjet e pasurive të paluajtshme për shkak të ligjit të rivleresimit në 2% nga 15% që është niveli bazë.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar 8.7 miliard lekë, 16.1% ose 1.2 miliard lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe me një realizim të planit në masën 114% ose 1 miliard lekë.

Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 19.6 miliard lekë, 7.8% ose 1.4 miliard lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe 5% ose 934 milion lekë më shumë se plani. Rezultati shumë i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhoje e numrit të të punësuarve.

Ecuria e shpenzimeve

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2017, arritën në rreth 91.9 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë ka rezultuar rreth 11.3 përqind më i lartë, ose rreth 9.3 miliard lekë.

Shpenzimet korrente në raport me planin 3 mujor të këtij viti rezultuan në 82.7 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar me 11.3% më i lartë ose rreth 7.4 miliard lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për 3 mujorin e vitit 2017, paraqesin një realizim në masën rreth 9.5 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është 31.5% më i lartë, ose rreth 2.3 miliard lekë më shumë.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat totale në 3 mujorin 2017 janë realizuar në masën 100.8 miliardë lekë ose rreth 104 përqind në raport me planin e periudhës. Realizimi i shpenzimeve të përgjithshme është 91.9 miliardë lekë ose rreth 97 përqind kundrejt planit të periudhës. Kjo situatë është shoqëruar me një sufiçit buxhetor prej afërsisht 8.93 miliardë lekë.