Postuar më: 27 Prill 2018

Taksa zero për biznesin e vogël, përfituan 73 mijë sipërmarrje. Rishikohte kufiri për tatim-fitimin


Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Përshëndetje,

Faleminderit që keni pranuar ftesën e Kryeministrit për të bashkëbiseduar për atë çështje që ne kemi disa muaj që informojmë grupet e interesit e diskutojmë me njëri-tjetrin. Vetë Kryeminstri ka bërë takime të përjavshme me grupe nga biznesi i vogël, jo vetëm nga fasha 2 deri në 5 milionë, por 5 milionë, 8 milionë dhe biznese të mëdha që kanë interes të njëjtë me ne, me ju, me qeverinë, për formalizimin e ekonomisë.

Unë dua shumë shpejt të kaloj disa pika që ne jemi munduar t’i ndajmë me ju në vazhdimësi, duke filluar që nga nëntori i vitit të kaluar dhe deri në momentin e 1 prillit 2018, e do të vazhdojmë deri në 14 korrik kur biznesi i vogël do të bëjë deklarimin e parë në procedurën e TVSH-së.

Patjetër dua që t’i kthehem historikut. Qeveria hoqi taksën e biznesit të vogël dhe aplikuam taksimin zero për biznesin 0 deri në 5 milionë dhe përfituan 73 mijë biznese. Nga uljet e taksave për biznesin e vogël që qeveria Rama ka bërë në mandatin e parë kanë përfituar direkt dhe indirekt të paktën 500 mijë familje shqiptare.

Filozofia jonë mbetet dhe përditë forcohet që biznesi i vogël nuk është një biznes ku ne do të mbushim buxhetin e shtetit. 

Përkundrazi, biznesi i vogël është furnizimi i vetëpunësimit dhe i gjenerimit të të ardhurave për ato familje që kanë këtë aktivitet dhe nuk e kanë gjetur vetën në atë fashë tjetër ekonomie, por janë fokusuar te biznesi i vogël i cili, në finale, furnizon të ardhura familjare dhe gjeneron, sigurisht, në zinxhirin e ekonomisë punësim të rëndësishëm për zhvillimin familjar dhe për zhvillimin ekonomik.

Për biznesin e vogël me xhiro 5 deri në 8 milionë sot taksa është 5 %. Kryeministri ka iniciuar me ju, me grupe interesi, në media por edhe përtej medias, një debat për tavanin 8 milionë për tatim fitimin. Ajo që unë dua të theksoj në vazhdim të deklarimit që do të ndodhë në 14 korrik, deklarimit tuaj të parë me TVSH-në, ajo nuk është taksë e re.

Unë e kam theksuar e do ta theksoj që kjo taksë ka lindur në vitin 1996 e që nga viti 1997 është 20 %. Kemi diskutuar së bashku për uljen e pragut që nuk do të sjellë as kosto e as rritje çmimesh. 

Sigurisht që tregu i vendos çmimet megjithatë, unë kam sjellë një sondazh operacional me volumet e faturave, ato që ju lëshoni në përditshmërinë tuaj, dhe ajo që rezulton është rritja mesatare sepse kemi marë biznese në Durrës, në Tiranë dhe në Elbasan. Volumi dhe referimi i çmimit ka ndryshuar në masën maksimalisht 1.4 %. Pra, as në nivelin mesatar të inflacionit mujor që ka sot ekonomia e Shqipërisë, rreth 2 % në muaj, që do të thotë që çmimet janë luhatur në normalitetin e tyre vjetor dhe shumë vjeçar.

Do të jetë një deklarim i thjeshtësuar.

Për dijeninë tuaj, sot që jemi duke folur, të gjithë shqiptarët që kalojnë një xhiro prej 2 milionë lekësh në vit, janë duke bërë deklarimin e tyre personal online, të thjeshtësuar. Dhe ju që jeni biznese të vogla bëni deklarimin tuaj përsa i përket sigurimeve shoqërore, që është një deklarim i thjeshtë. E njëjta gjë do të ndodhë dhe me deklarimin tuaj të parë e në vazhdim përsa i përket TVSH-së.

Do të jetë një deklaratë shumë e thjeshtë, me 4-6 kuti shumë të thjeshta që nuk ju kërkon as të keni kontabilist, as të mbani llogari të detajuara, ato do i mbani për vete sepse i mbani sot, kjo është e vërteta. 

Ju e dini fare mirë se çfarë ndodh me biznesin tuaj, qoftë në inventar, qoftë në shpenzime, qoftë në të ardhura, qoftë në detyrime, kjo është e sigurt, dhe do t’ju bëjë të mundur që të keni një deklarim që jo vetëm të mos jetë kosto dhe kokëçarje por, përkundrazi, t’ju pozicionojë ju në zinxhirin e transaksionit edhe me përfitime, siç mund të jetë kreditimi nesër.

Në të njëjtën kohë, Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që të kenë një kujdes të veçantë gjatë periudhës që ju deklaroni për herë të parë.

Nuk do të ketë asnjë gjobë deri në 31.12.2018 për deklarim të gabuar. Pra, asnjë gjobë. Ka qenë një iniciativë e Kryeministrit dhe ne e kemi kthyer në udhëzim për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Nga ulja e dyshemesë preken rreth 9775 biznese; janë 64 në Kukës, rreth 470 në Shkodër, 883 në Fier. Nuk i sjell pa qëllim shifrat. Të gjitha këto sipërmarrje të vogla po preken nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pra po vizitohen për t’u informuar në detaje se si bëhet deklarimi dhe sot që jemi duke folur, janë mbi 6 mijë sipërmarrje nga 9775 që vizitohen rregullisht dhe deri në 14 korrik do të vizitohen të gjithë për t’u informuar dhe ndihmuar se çfarë ndodh me procedurën e deklarimit të TVSH-së.

Në të njëjtën kohë, ne kemi hapur një kënd informimi për çdo sipërmarrje të vogël për çdo paqartësi që, përveç vizitave që do të bëjnë inspektorët, vetëm për t`ju ndihmuar dhe për t`ju treguar se si deklarohet, ju mund të shkoni dhe të bëni pyetjet tuaja apo ata që kanë mundësi të bëjnë edhe nëpërmjet internetit.

Dje pata një bisedë me një nga përfaqësuesit tuaj, me kryetarin e shoqatës që është këtu, dhe rreshtuam me të drejtë të gjitha ato probleme, halle, po edhe mbështetjen që ka dhënë qeveria dhe më erdhi mirë që kryetari rreshtoi një nga një, që nga momenti që ne kemi bërë taksën zero, që nga momenti që kemi ulur 5 %, që nga momenti që kemi lejuar atë deklarimin familjar të sigurimeve shoqërore (pra vetëm një anëtar). Sigurisht që unë dëgjova edhe problemet që ka sipërmarrja e vogël. Kemi bërë një plan dhe besoj që do ta detajojmë edhe javës tjetër që së bashku të kemi edhe 3-4 iniciativa, që nga informimi, që nga lufta kundër informalitetit, edukimi i tatim-paguesve, thjeshtësimi i procedurave dhe besoj që, me biznesin e vogël që ne e shohim si një furnitor punësimi në ekonomi , ne do të vazhdojmë të kemi një bashkëpunim shumë të thellë, shumë të detajuar dhe me të drejtë kryetari më kujtoi që është ulur me Kryeministrin disa herë, që në opozitë, është ulur edhe gjatë mandatit të parë, me mua gjithashtu.

Dua ta mbyll duke thënë që qëllimi ynë, të dashur miq, është skanimi i biznesit të madh. Biznesi i vogël është thjesht në ndihmën tonë sot me këtë procedurë për të skanuar biznesin e madh.

Për ta mbyllur, nga biznesi i vogël vjen vetëm 0.8 % e TVSH-së. Nga biznesi i madh vjen 99.2 % dhe ne e bëjmë të gjithë këtë së bashku në favor të formalizimit të ekonomisë me fokus biznesin e madh.

Faleminderit.