Postuar më: 06 Nëntor 2017

Takimi Ahmetaj – Počivalšek, hapësira të reja bashkëpunimi Shqipëri- Slloveni

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj priti sot në Tiranë Ministrin për Zhvillimin Ekonomik dhe Teknologjinë e Sllovenisë, z. Zdravko Počivalšek. Në takimin dy palësh, të dy Ministrat parashtruan nevojën për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik dypalësh dhe shkëmbimet tregtare si dhe për nxitjen e investimeve në sektorë me interest ë përbashkët si turizmi, bujqësia, industria ushqimore, energji e infrastrukturë, sektor bankar dhe ICT.

Fjala e Ministrit Ahmetaj

Përshëndetje,

Me Ministrin Počivalšek dhe delegacionin që e shoqëron, patëm një takim të frytshëm dypalësh.

Sikurse e theksova edhe në hapjen e forumit të biznesit më herët gjatë ditës, ky është një moment shumë i mirë për të kthyer sytë nga njëri-tjetri në rajon, qoftë për të shkëmbyer eskperiencat e mira që secili vend ka, ashtu edhe për të parë mundësi të reja dhe konkrete bashkëpunimi.

Sllovenia përfaqëson për palën shqiptare një partner të rëndësishëm rajonal e evropian me shumë karakteristika të përbashkëta, si: afërsia gjeografike, historia e lidhjeve dhe prania e një komuniteti shqiptar atje.

Ne vlerësojmë mbështetjen që shteti slloven i ka dhënë vendit tonë qoftë për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe në proceset integruese në Bashkimin Europian.

Ajo që të dy palët e ngritëm në takim, është nevoja për intensifikim të marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare, të cilat vijojnë të mbeten në nivele modeste.

Volumi tregtar në vitin 2016 arriti në shumën 37 milion euro me një rritje në masën 6.4%, në krahasim me vitin 2015. Eksportet u rritën me 19% dhe importet me 2.4%.

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar 2017, ekzistojnë rreth 67 kompani sllovene apo me kapital të përbashkët me aktivitet eksport-importe të artikujve të ndryshëm, tregti me shumicë dhe me pakicë, asistencë teknike, aktivitet në turizëm etj.

Ndërsa niveli i stokut të investimeve direkte sllovene në Shqipëri paraqitet në nivele tejet modeste, me rreth 0.26 % ndaj totalit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, ose e shprehur në vlerë rreth 16 milionë euro

 

Nga ana tjetër, me kënaqësi kemi kontatuar se numri i vizitorëve sllovenë, të cilët kanë vizituar Shqipërinë nga viti 2013 ka pësuar një rritje me rreth 20%. Mes vendeve tona është nënshkruar edhe një Protokoll Bashkëpunimi në fushën e turizmit.

Sllovenia ka një strukturë ekonomike shumë interesante dhe ka shënuar një progres të rëndësishëm, kryesisht në drejtim të zhvillimit të inovacionit dhe teknologjisë së avancuar. Në këtë aspekt, kemi shumë për të mësuar dhe përfituar nga eksperienca e tyre.

Nga ana tjetër ky është momenti i duhur për të investuar në Shqipëri, një ekonomi në rritje të shpejtë, që përfaqëson oportunitete të mëdha ende të pashfrytëzuara në një sërë sektorësh me interes të përbashkët si  turizëm, energji, infrastrukturë, bujqësi dhe agroindustri, shfrytëzimi i mineraleve dhe pasurive nëntokësore, sektori bankar, ICT etj.

Edhe njëherë uroj që kjo vizitë e parë e Ministrit në Shqipëri, t’i hapë rrugën një bashkëpunimi më intensiv ekonomik në vijim dhe të shohim të materalizuara pse jo, projekte konkrete investimesh qoftë nga sipërmarrjet sllovene në Shqipëri, ashtu edhe nga ato shqiptare ne Slloveni.

Faleminderit,