Postuar më: 02 Shkurt 2017

Statusi i naftëtarit, rikthim i dinjitetit, vazhdim i paketës së solidaritetit!

Statusi i naftëtarit, Ahmetaj: “Vazhdim i paketës së solidaritetit. Garanton pagesën e papunësisë dhe u rikthen dinjitetin mbi 5000 naftëtarëve të harruar në vite.”

Akti që qeveria ka ndërmarë si iniciative për statusin e naftëtarit është akt dhe pjesë e paketës së solidaritetit me ato shtresa që kanë nevojë të drejtëpërdrejtë për vëmendjen e qeverisë. Ky nuk është thjesht statusi i naftëtarit, ky është një akt tjetër në vazhdimësinë e akteve të kësaj qeverie për të prekur drejtpërsëdrejti hallet e njerëzve të zakonshëm.

Statusi i naftëtarit është pjesë e drejtpërdrejtë e ofertës tonë qëkur kemi qënë në opozitë, dhe jo për të marrë votat, sepse votat e naftëtarëve ne i kemi; sepse jemi parti që i përkasim asaj shtrese dhe ajo shtresë gjen të reflektuar drejtpërsëdrejti në programin tonë dhe tek ne, veten e vet.

Është paketa e minatorëve. Paketa e minatorit, që është pjesë e solidaritetit që ka kjo qeveri, përfundoi me statusin e minatorit dhe për herë të parë pas shumë e shumë vitesh, këtë duhet ta pranojnë të gjitha palët, minatoret kanë një status që i garanton përfitimet e standardizuara, të reflektuara në atë mundim dhe në atë punë të vështirë që ata kanë pasur dhe kanë. Sot statusi i naftëtarit, një iniciativë e maturuar me kujdes nga ministra, nga deputetë që kanë parë drejtpërsëdrejti hallet e naftëtarëve aty ku punojnë, në Kuçovë po deshët me ministren e shtetit Felaj që ka mëse një vit që mundohet, me ministrin Klosi si ministrin përgjegjës, me ministrin Gjiknuri që është ministri përgjegjës, me Kryeministrin mbi të gjitha, me deputetë të zonës së Fierit, me deputetë të zonës së Beratit, me deputetë të zonës së Vlorës, që kanë një vit që lobojnë për këtë status. Do të duhet që rekordet e së vërtetës t’i vendosim drejt.

Nuk është një iniciativë elektorale, siç u tha këtu. Kjo është një iniciativë mbi të gjitha njerëzore, për të reflektuar ndaj atyre shtresave që ne besojmë se nuk kanë arritur dot të përfitojnë aq sa duhet drejtpërsëdrejti nga zhvillimi ekonomik. Është një paketë në formën e statusit për gati 5 mijë e më shumë naftëtarë të cilët kanë një punë të vështirë, kanë patur një punë të vështirë në puset e naftës dhe nuk kanë arritur dot që në përfitimet e tyre, qoftë kur janë të papunë, qoftë në pension, qoftë gjatë punës së tyre, të gëzojnë atë që meritojnë.

Naftëtarët nuk kanë nevojë për statusin, për të votuar për Partinë Socialiste, apo për Aleancën apo për maxhorancën. Ata kanë nevojë që t’i njihet ky status, sepse është raporti midis punës, mundit dhe dinjitetit. Ju që e trajtoni si çështje elektorale, pikë së pari nëpërkëmbni dinjitetin e këtyre njerëzve që i barazoni me vota. Mundi i këtyre njerëzve, në 40 vite e kusur, nuk mund të barazohet me 5 mijë vota, as me 20 mijë vota nëse i shumëzojmë me numrin e anëtarëve të familjeve. Jo, ky është raport me ndjesinë, me filozofinë e një force politike, e një mazhorance, e cila ndërton raporte të drejta qoftë në vështirësi ekonomike, qoftë në zhvillim ekonomik, me një grup njerëzish që kanë nevojë t’iu njihet e drejta.

Cfarë bën statusi? Statusi garanton që më në fund, ata të përfitojnë pagesë papunësie. 80% tre vitet e menjëhershme pas humbjes së punës, 80 % të pagës bruto minimale. E pra kjo është kujdesje, kjo s’është votë elektorale. E pastaj 1% për çdo vit për ata që kanë 20 vite e kusur në sektorin e naftës.

Por mbi të gjitha, iu standardizon të drejtën që iu është mohuar ndër vite. Nuk ka të bëjë me votat, ka të bëjë me një reflektim të drejtëpërdrejtë nga realiteti aty në fushat e naftës, dhe nga eksperienca e shume viteve se si janë trajtuar këta njerëz.

Dhe përfundimisht, unë dua ta ftoj opozitën ta votojë, pavarësisht se këtë iniciativë e morëm ne. Ta votojë që të tregojë, në bolorinë e llafeve dhe të shthurjes së gojës, një moment përgjegjshmërie, një moment përgjegjshmërie për naftëtarët dhe për familjet e tyre.

Unë jam shumë i lumtur sot për naftëtaret megjithëse ajo që kanë marrë nuk është shpëtimi i jetës së tyre, është një copëz dinjiteti e kthyer mbrapsht nga një forcë politike, dhe i falënderoj të gjithë kolegët dhe të gjithë deputetët që këmbëngulën në më shumë se në 1 vit e gjysëm për këtë status.

E bëmë të mundur. Pse? A ka kosto buxhetore? Ka kosto buxhetore patjetër, unë si Ministër Financash përtej shqetësimit të kolegëve, kam pasur dhe shqetësimin e buxhetit të shtetit.

Nga se u bë e mundur? Shkoi 633 milion mbështetja buxhetore, është 450 milionë statusi i drejtëpërdrejtë dhe resto është 80%-shi i pagës bruto. U bë i mundur vetëm për një arsye, se një qeveri ka vemëndje të plotë dhe në kulmin e bërjes së reformave dhe të atyre sukseve që kanë reformat dhe në mbledhjen e të ardhurave, bëmë të mundur që ai status i naftëtarit të jetë i financueshëm.

Përsëri i falënderoj kolegët, deputetë dhe ministra për vëmendjen e vazhdueshme dhe i ftoj patjetër edhe opozitën të votojë për statusin e naftëtarit.

Faleminderit!