Postuar më: 20 Dhjetor 2016

Solidariteti me moshën e tretë, detyrim për gjeneratën që na solli deri këtu. Reformat e rikthyen vendin në drejtimin e duhur

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Ky nuk është një takim i zakonshëm në fakt, ky është një takim për të ndarë me ju atë që ne kemi bërë dhe bëjmë për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje, për përkujdesje, për moshën e tretë. Në të njëjtën kohë, ju na kujtoni, dhe mbani mend më mirë se kushdo tjetër, se cfarë kemi kaluar këto 25 vite. Ju e kujtoni se shteti ka falimentuar dy herë, nga të njëjtat duar, nga të njëjtët njerëz, njëherë në ’97 dhe njëherë në 2013.

Dhe ka qenë domosdoshmëria e një kurajo, e një vizioni dhe e një vendosmërie për reformat, për ta rikthyer Shqipërinë në drejtimin e duhur. Sot, megjithëse kemi shumë për të bërë, me kënaqësi e ndajmë me nënat dhe baballarët tanë se ia dolëm ta kthejmë Shqipërinë nga gremina, në drejtimin e duhur.

Kemi shumë akoma për të bërë, por është një moment i domosdoshëm reflektimi, sidomos për atë që kemi bërë për moshën e tretë. Kryeministri i referohet asaj që ne duam të bëjmë në vazhdimësi, Shqipëria e gjeneratës tjetër, që ka një element të patjetërsueshëm, kujdesin për atë gjeneratë që na bëri të mundur të vinim deri këtu, për gjeneratën tuaj, dhe në një moment të rëndësishëm, të vështirë ekonomik, asnjëherë nuk harruam që kujdesi për ju është dhe duhet të jetë thelbi i politikës që kjo qeveri dhe kjo mazhorancë e majtë, ndjek me moshën e tretë.

Mos harroni që kur ne filluam reformën e pensionit, rreziku që ju të mos merrnit një ditë pension ishte real dhe për shkak të asaj reforme, sot jo vetëm që kemi garantuar që mosha e tretë të jetë e garantuar në pensionin e vet, por kemi futur brenda asaj reforme, një nga elementët më të kujdesshëm, më solidarizues, atë që quhet pensioni social.

Pensioni social, shumëkush prej jush mund ta dijë, është ai pension që secili nga ju merr edhe nëse nuk ka kontribuar për arsye të veta të drejta apo të padrejta, një pension gati 70.000 lek të vjetra në muaj në moshën 70 vjeçare. Imagjinoni një pensionist në ditën e parë të vitit 71-të të gjendej pa asnjë mbështetje financiare, e pra ky është jo thjesht një pension social, po është vëmendje e drejtpërdrejtë që kjo qeveri ka dhe do të ketë për moshën e tretë.

Kujdesi që kemi për moshën e tretë është profili dhe tipari kryesor që duhet të përbëjë fytyrën e një qeverie të majtë, e qeverisë Rama dhe e kësaj mazhorance. Tani meqë ministri i shpjegoi të gjitha ato që janë bërë, unë do të fokusohem në dy elementë shumë të shpejtë. E para, me rritjen e pagave dhe rritjen e pensioneve në rastin konkret.

Dua t’ju kujtoj në fakt atyre që na ndjekin, se për shkak të reformave, jo vetëm që rikthyem ekonominë shqiptare në drejtimin e duhur, po sot jemi në gjendje që vitin tjetër të rrisim pensionet për të gjithë, për 643 mijë pensionistët shqiptarë dhe kjo është shuma më e madhe e akorduar në 25 vite, 36 milionë dollarë në 12 muaj do të jenë vitin tjetër për pensionistët shqiptarë.

E megjithatë me këmbënguljen e Kryeministrit nuk mbaroi me kaq, në fundvit ne avancuam një paketë solidariteti, një paketë solidariteti e cila ka një domethënie të madhe, jo thjesht monetare, por ka një domethënie filozofike të një qeverie dhe të një mazhorance. Kaluam në një rrugë reformash të vështira dhe reformat shpërblejnë dhe shpërblejnë në rradhë të parë qytetarët shqiptarë. Dhe në këtë moment, kujdesi për moshën e tretë, që ka më shumë nevojë për mbështetje dhe për ndihmë, ishte i pari. Eshtë akorduar pra për shpërblimin e fundvitit për pensionistët, që secili nga ju, secili nga 643 mijë pensionistët, të marrë 6 mijë lekë shpërblim në fundvit, është shuma  më e madhe e akorduar në 25 vite. Janë 40 milion dollar dhe ju i bëni llogaritë më mirë se ne, por një llogari të shkurtër do dua ta bëj për të kujtuar të gjithë bashkë se cfarë kujdesi duhet të tregojmë për moshën e tretë.

Fondi i fundvitit për pensionistët është 40 milionë dollarë; fondi i rritjes së pensioneve vitin tjetër është 36 milionë dollarë. Pra, vetëm në kuadrin e një harku prej gati 4 muaj, qeveria akordon për moshën e tretë 76 milionë dollarë.

Ato pak kursime që arritëm të menaxhonim gjatë vitit 2016, Kryeministri vendosi t’i kalonte të gjitha në paketën e solidaritetit për të treguar se ne e dimë ku shkojmë, po dimë mbi të gjitha nga kemi ardhur.

Faleminderit, t’i kaloni gëzuar festat!