Postuar më: 27 Prill 2017

Solidariteti me minatorët, ulja e TVSH në turizëm, dy premtime të tjera të mbajtura nga qeveria

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend

 

Përfitoj nga rasti që ta përmbledh rëndësinë e të treja ligjeve në një fjalë, edhe për shkak të rëndësisë që kanë të treja. Ligji në fjalë që ka të bëjë me solidaritetin me minatorët, është një tregues i drejtpërdrejtë i vëmendjes që ka kjo qeveri ndaj shtresave në nevojë, ndaj atyre profesioneve që ndër vite kanë kaluar punë të vështira dhe meritojnë vëmendje. Ditën që e analizuam dhe vendosëm që ta kalonim dhe t’ia përcillnim Kuvendit këtë ligj, ishte vetëm një fjalë, është vazhdimi logjik i solidaritetit që kjo qeveri tregon me shtresat në nevojë. Është vazhdim i paketës së solidaritetit të fundvitit që kishim me pensionistët dhe me shtresat që përfitojnë nga ndihma ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar.

Çfarë bën ligji në thelb, pa dashur të hyj në detaje. Minatorëve iu kthen dinjitetin dhe garancinë që kanë si domosdoshmëri në moshën e tretë, apo në momentet kur dalin jashtë marrëdhënieve të punës. Krijon një standard patjetër, për të gjitha profesionet që konsiderohen profesione të vështira dhe është një lëvizje ligjore jashtëzakonisht e natyrshme e qeverisë së Partisë Socialiste dhe Aleancës së saj. Është një premtim i mbajtur; i premtuar në fushatën e 2013, i mbajtur në fund të mandatit për shkak të vështirësive që trashëguam. E megjithatë, me gjithë koston finaciare, sot ne dalim përballë minatorëve me një premtim të mbajtur.

Ndërkohë, përfitoj nga rasti të theksoj dhe një premtim tjetër të mbajtur. Reduktimin e tatimit të vlerës së shtuar për turizmin. Ky premtim i mbajtur, duhet t’i referohemi dhe kohës, pamundësisë për ta bërë për shkak të falimentimit dhe shkatërrimit të financave publike dhe ekonomisë shqiptare që trashëguam. E megjithatë, pas tre vitesh reforma, kemi mundësi që t’i afrojmë sektorit të turizmit, një nga kontribuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik, një reduktim të TVSH që nuk është thjesht një reduktim, por është promovim që i bëjmë sektorit në momentin e vet më të mirë, më interesant.

Në muajt e fundit kanë ndodhur ngjarje shumë të rëndësishme, përsa i përket turizmit. Pikë së pari, Shqipëria jo më për herë të parë, por për të disatën herë është konsideruar nga kompanitë, agjensitë prestigjoze në fushën e turizmit, si një nga destinacionet më kryesore të vitit 2017, që nga Amerika, Europa, Europa e Veriut, Azia, etj. Gama e turistëve ka ndryshuar totalisht. Kanë vizituar Shqipërinë 4.5 milionë turistë, është dyfishuar numri në tre vite. Rritur kontributi, pra të ardhurat nga turizmi me 1.5 miliardë euro, nga 1 miliardë që ishte disa vite më parë. Të jeni të bindur që ulja, aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së në turizëm, e bën Shqipërinë akoma më interesante, akoma më konkuruese.

Jo më larg se disa ditë më parë filloi një nga resortet turistike. Investimet në turizëm në të gjithë zinxhirin e atyre aplikimeve dhe aprovimeve të këtyre projekteve në dy vitet e fundit, kaluan në kohë rreth 300 milionë dollarë. Turizmi po rimerr rolin e vet që duhet të ketë në zhvillimin ekonomik dhe nën tërheqjen e investimeve.

 

Faleminderit!