Postuar më: 28 Dhjetor 2017

Solidaritet dhe vëmendje e përditshme për të moshuarit

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte sot në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë.

Me rastin e festave të fundvitit, nxënësit e arsimit profesional të shkollës së hoteleri-turizmit, gatuan sot drekën për të moshuarit, duke zgjedhur një mënyrë të vecantë përkujdesi dhe urimi për vitin e ri.

“Dua të ndaj me ju që ditët e festave janë ditë edhe reflektimi për një solidaritet me të gjithë njerëzit në nevojë, dhe sidomos me moshën e tretë. Edhe unë vetë kam prindër të moshuar dhe kënaqësia, detyrimi, dashuria, më ka bërë të kujdesem përditë, dhe këtu në shtëpinë e të moshuarve sigurisht që ka emocione që vijnë nga halle, nga fatkeqësi, por ajo që është e rëndësishme është që shteti ka bërë të mundur që ju të jeni bashkë, që në ditë festash ju të gëzoni si të gjithë ne dhe prindërit tanë dhe më vjen vërtet mirë që në këtë shtëpi të moshuarish të gjitha kushtet janë të afruara, janë të mira, me ambiente të pastra,të ndriçuara e të ngrohta, dhe sërish dua ta theksoj që festat janë moment solidariteti.

Pra, nuk është se erdhëm një ditë dhe nuk u kujdesëm asnjë ditë. Përkundrazi, kujdesemi përditë duke menduar për rritjen e pensioneve, duke afruar paketa solidariteti, duke investuar në këto shtëpi të moshuarish, dhe sot vijmë për të kaluar një çast bashkë, edhe në një shenjë vlerësimi dhe kujdesi ndaj moshësh së tretë.

Unë ju uroj Gëzuar Vitin e Ri dhe shumë dashuri e ngrohtësi me njëri-tjetrin, e me të gjithë të afërmit tuaj që i keni afër apo larg” – tha Ahmetaj në urimin e tij për të moshuarit.

Mbi 50 të rinj të shkollave të arsimit profesional, të veshur si babagjyshë, u kujdesën sot për të moshuarit, duke iu shërbyer pjatat e gatuara nga vetë ata dhe krijuar një atmosferë festive në shtëpinë e tyre.