Postuar më: 24 Prill 2017

Shqipëria me TVSH më të ulët të turizmit në rajon, zhvillim sektorit, nxitje formalizimit!

Iniciativa për uljen e TVSH-së për turizmin, teknikisht për strukturat akomoduese, është një iniciativë e debatuar gjatë. Ndërkohë që ne kemi qenë në një proçes shumë të gjatë të konsolidimit fiskal, debati ka qenë i gjithëpranuar, duke kërkuar që çdo ulje e tatimit të vlerës së shtuar, në cilindo sektor qoftë, mund të sillte problematika të ndryshme, qoftë në administrim dhe qoftë në filozofinë e tatimit të vlerës së shtuar.

Megjithatë, në këto tre vite shumë është bërë për turizmin dhe reflektimet kanë qenë të drejtpërdrejta në ekonomi. Viti 2016 kapi rekord në numrin e vizitorëve me rreth 4.5 milionë dhe të ardhurat nga turizmi arritën shifrën rekord prej 1.5 miliardë euro, një kontribut jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm në ekonominë shqiptare. U pa gjithashtu në reflektim të drejtpërdrejtë në rritjen e sektorit të shërbimeve dhe në të gjitha shpjegimet apo analizat sa i përket rritjes ekonomike 3.5 për qind në vitin e kaluar, turizmi ishte një nga kontribuesit kryesorë të rritjes, si nën/sektor në sektorin e shërbimeve.

Ndërkohë, dua patjetër të theksoj që përpjekja që ne kemi sot është edhe një përpjekje për të akomoduar në legjislacionin shqiptar kushtet që afron legjislacioni shqiptar (dhe konkretisht ligji për TVSH-në), në përputhshmëri me direktivat e Bashkimit Europian.

Do të citoj direktivën e Bashimit Europian 2006/112 “Mbi sistemin e përbashkët të tatimit mbi vlerën e shtuar” ku në një nga shtojcat rreshtohen fushat ku mund të aplikohet TVSH e reduktuar dhe sigurisht që turizmi, shërbimet në turizëm, është një nga elementët ku përmendet mundësia e normës së reduktuar të TVSH-së. Madje direktiva referon edhe një normë mesatare përsa i përket këtyre shërbimeve.

Sot ka 22 vende të Bashimit Europian që aplikojnë normën e reduktuar të TVSH-së për akomodimin në hotele dhe 20 prej tyre aplikojnë një normë më të vogel se 10 për qind. Ndërkohë përsa i përket vendeve të rajonit, Serbia aplikon një normë të reduktuar prej 10 për qind; Maqedonia aplikon një normë të reduktuar prej 5 për qind; Mali i Zi aplikon një normë të reduktuar prej 7 për qind; Kroacia një normë të reduktuar prej 13 për qind. Ndërkohë që ne kemi vendosur të aplikojmë një normë të reduktuar prej 6 për qind për strukturat akomoduese.

Projektligji propozon aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së për akomodimin e strukturave akomoduese sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, konkretisht siç e thashë në masën 6 për qind. Neni 43 i ligjit 93/2015 për turizmin, përcakton se strukturat akomoduese do të përfshijnë kategoritë si më poshtë: bujtinë, kamping, hotel, motel, resort dhe qendër kurative, fjetje dhe mëngjes.

Unë besoj që ulja e TVSH-së, pra aplikimi i normës së reduktuar, do të sjellë formalizim, shpresojmë masiv, por domosdoshmërisht do të sjellë formalizim në sektorin e turizmit. Duhet pranuar që sektori i turizmit është akoma larg të qenit formal. Një masë e madhe e shërbimeve janë akoma informale dhe sigurisht që, ju jeni dëshimtarë se sa herë që është provuar me instrumenta qoftë teknikë, qoftë procedurialë, por qoftë dhe me ushtrimin e krahut të fortë të ligjit, reagimi ka qenë jo gjithmonë përkrahës.

Aplikimi i normës së reduktuar do t’i japë një dorë shumë të rëndësishme formalizimit dhe një moral shumë të rëndësishëm qoftë industrisë, qoftë administratës, që të kalohet në një nivel më të lartë formalizimi, që turizmi ashtu siç jep kontribut në ekonomi, të japë të njëjtin kontribut në buxhetin e shtetit. Për më tej, aplikimi i normës së reduktuar prej 6 për qind në turizëm, jam i bindur që ka për të sjellë një provokim shumë pozitiv tek investitorët, për të vazhduar për të investuar në fushën e turizmit në Shqipëri.

Këto ishin pak a shumë elementët që doja të ndaja me ju sot në këtë moment shumë të rëndësishëm, i cili nuk është procedurial thjesht, i cili nuk është fiskal thjesht, është një premtim i mbajtur i qeverisë Rama. Një premtim i mbajtur, që e kishim që kur ne kemi qenë në opozitë. U bë e mundur vetëm pas tre vite e gjysëm, pasi ne kemi lënë pas krizën financiare, buxhetore, ekonomike; Pasi ne kemi vënë në kontroll të plotë defiçitin buxhetor; Pasi ne kemi dalë për herë të parë pas 10 e kusur vitesh me balancë primare pozitive; Pasi për herë të parë pas 10 e kusur vitesh kemi filluar të ulim borxhin; Pasi pas gati tetë vitesh me vetëm rënie ekonomike kemi arritur që të kemi një trajektore me ritme të konsoliduara rritje 3.5 për qind dhe ajo që presim këtë vit është 3.7 për qind.

Faleminderit!

***

Nëse më lejoni që t’i kthehem një moment asaj që ju thatë, që norma e reduktuar do të kontribojë në rritjen e vizitorëvë, dua t’i sjell në mend qytetarëve që ndërkohë që ne reduktjmë TVSH për turizmin, për të përmirësuar imazhin, sot çadra është në rrugë për të bllokuar rrugët e Shqipërisë në kundërshtim me logjikën e qytetarëve dhe logjikën që ka politika e shëndetshme për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë.

Pra, dy elementë të ndryshëm që shkojnë në filozofi të ndryshme, ulja e normës së TVSH në 6% për të përmirësuar imazhin dhe për të rritur numrin e turistëve dhe nga ana tjetër bllokimi i rrugëve, qytetarët e kuptojnë shumë mirë se çfarë Shqipërie duan.

Rritja e bazës së tatueshme është një detyrim i përditshëm i administratës dhe justifikimi se aplikimi i një norme të reduktuar do të ulë të ardhurat, mund të jetë një justifikim tryeze, por jo logjik. Pra, ajo që jam duke thënë është që domosdoshmërisht ne do të zgjerojmë bazën e tatimit për të kompensuar atë që humbi. Nuk është se është e gjitha ajo vlerë që thatë ju, ajo është vlera e shtuar por jo ajo që ne humbasim. Është reltivisht më e vogël por është për arsye se sektori është I pa formalizuar që unë mendoj se menjëherë pas kalimit të ligjit do të kalojmë në një fushatë formalizimi në sektorin e turizmit që do të shoqërohet me një regjistrim të detajuar të shtretërve në Republikën e Shqipërisë dhe besoj që do të përmirësojmë dhe regjistrimin e vizitorëve në strukturat akomoduse që cituam ë bazë të ligjit për turizmin të bërë në 2015. Unë jam I bindur se rezultati do të jetë pozitiv, që në fakt do të jetë pozitiv në të gjitha aspkektet.