Postuar më: 18 Janar 2017

Shqipëri – Kosovë, marrëveshje bashkëpunimi për kadastrën fiskale. Pikë e përbashkët doganore në Portin e Durrësit

Ministri Ahmetaj pret homologun Kosovar Hoti. Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit për realizimin e Kadastrës Fiskale. Së shpejti, pikë e përbashkët doganore për mallrat me destinacion Kosovën, në Portin e Durrësit.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj priti sot në një takim homologun e Kosovës, z. Avdullah Hoti. Takimi i sotëm është në vazhdën e një sërë takimeve të zhvilluara gjatë vitit 2016 me qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e financave, shkëmbimet e ndërsjella të informacionit mes administratave doganore e tatimore dhe nxitjen e lehtësimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve.

Në takimin mes dy delegacioneve u diskutua mbi ecurinë e deritanishme të marrëveshjeve të nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri Ahmetaj theksoi se udhëzimi për funksionimin e doganave 24/7 për sipërmarrjet kosovare dhe kalimi përmes korsisë jeshile në doganë për produktet e freskëta të stinës gjatë muajve të verës, ishin nisma të mirëpritura nga bizneset kosovare dhe këtë vit, kanali jeshil do të vihet në funksionim që në muajin maj.

“Nga ana tjetër, Sistemi i Përbashkët i Tranzitit, i finalizuar në dhjetor 2016, përmes ndërlidhjes automatike të sistemeve elektronike, u mundëson tashmë bizneseve nisjen e një procedure tranziti në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës dhe mbylljen e tij në vendin tjetër, duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitare dhe reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot për sipërmarrjen. Nëse procedura më parë zgjaste me ditë, tani është reduktuar në vetëm 10 minuta” – theksoi Ministri Ahmetaj.

Ministri Hoti e vuri theksin tek njehsimi i certifikatave ndërmjet dy vendeve, si një cështje që duhet avancuar në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve.

Një nga cështjet me interes për palën shqiptare është bashkëpunimi me Kosovën për realizimin e kadastrës fiskale në Shqipëri, praktikë që pala kosovare e ka implementuar më herët me mbështetjen e Agjensisë Suedeze për Investime SIDA. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Ministrat Ahmetaj dhe Hoti nënshkruan edhe Memorandumin e Bashkëpunimit që synon dhënien e asistencës përgjatë  procesit të realizimit të kadastrës fiskale në çdo hap të tij, ofrimin e asistencës lidhur me infrastrukturën ligjore për administrimin dhe mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme dhe vënien në dispozicion të modelit të sistemit elektronik të tatimit në pronë të aplikuar në Kosovë si dhe suportin teknik për përdorimin e tij, me qëllim ngritjen e platformës elektronike dhe administrimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Shqipërisë.

Së fundmi, palët u angazhuan për avancimin e propozimit të Ministrit Ahmetaj në vizitën e tij të fundit në Prishtinë, për ngritjen e një pike të përbashkët doganore në Portin e Durrësit për mallrat që kanë destinacion Kosovën.

“Dogana Shqiptare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e Zyrës së Operimit të Doganës Kosovare pranë Degës së Doganës Durrës. Përveç fushës së tranzitit, është dakordësuar midis dy administratave dhe ngritja e grupeve të punës me qëllim thellimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera” – theksoi Ministri Ahmetaj i cili kërkoi nga grupet teknike një raportim të hollësishëm deri në datën 15 shkurt.

Pas takimit në Tiranë, dy Ministrat zhvilluan edhe një vizitë inspektimi në Portin e Durrësit.

***

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Ishte kënaqësi të mirëprisja sot homologun e Kosovës z. Avdullah Hoti në vizitën e tij zyrtare në Tiranë, që vjen në vazhdën e një sërë takimesh të zhvilluara gjatë vitit 2016 mes dy institucioneve tona.

 Sikurse jeni tashmë të njohur, në Mbledhjen e Përbashkët të dy qeverive mbajtur më 3 qershor ne Prishtinë, së bashku me Ministrin Hoti nënshkruam dy marrëveshje në fushën e Financave që shkojnë në funksion të nxitjes së bashkëpunimit dypalësh por edhe lehtësimit të tregtisë mes dy vendeve.

Kemi shënuar një sërë arritjesh praktike më duhet të them, nuk janë pak, por ka ende cështje për të cilat stafet teknike të të dy vendeve, janë në komunikimin intensiv, të përditshëm, për t’i avancuar.

Udhëzimi për funksionimin e doganave 24 orë / 7 ditë për bizneset kosovare, ishte patjetër një hap tejet i mirëpritur prej tyre ashtu sikurse dhe udhëzimi tjetër për kalimin e produkteve të freskëta të stinës në kanalin jeshil në doganë gjatë muajve të verës.

Nga ana tjetër, bashkëpunimi i vazhdueshëm i dy administratave doganore gjatë vitit 2016, si dhe investimet e përbashkëta në programe, kanë bërë që më datë 19 Dhjetor 2016, të finalizohet Sistemi i Përbashkët i Tranzitit, i cili nëpërmjet ndërlidhjes automatike të sistemeve elektronike u mundëson tashmë bizneseve nisjen e një procedure tranziti në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës dhe mbylljen e tij në vendin tjetër, duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitare.

 Para krijimit të korridorit të përbashkët, procedurat e tranzitit merrnin shumë kohë. Aktualisht koha për përfundimin e procedurave kufitare është reduktuar shumë, duke marrë më pak se 10 minuta, gjë që sjell reduktim të ndjeshëm të kohës dhe kostove për sipërmarrjen.

Një tjetër propozim që diskutuam me Ministrin Hoti në Prishtinë ishte që Porti i Durrësit të kthehet në portë e vetme, unike hyrëse për sipërmarrjen kosovare në kuptimin e kontrollit doganor. Që do të thotë që çdo sipërmarrje kosovare mjafton që të inspektohet, të kontrollohet, zhdoganohet në Portin e Durrësit dhe të ketë hyrje të drejtëpërdrejtë më pas drejt Kosovës, në tregun kosovar.

Dogana Shqiptare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e Zyrës së Operimit të Doganës Kosovare pranë Degës së Doganës, Durrës.

Deri në datën 15 shkurt, të dy stafet teknike të doganës shqiptare dhe asaj kosovare do të finalizojnë të gjitha zgjidhjet teknike, proceduriale dhe ligjore që duhen për hapjen e doganës, dhe më pas në një vizitë që unë do të bëj në Prishtinë rreth datës 20, do të përcaktojmë edhe datën finale të hapjes së kësaj dogane.

Në të njëjtën kohë, kemi biseduar me Ministrin për riaktivizimin e korsisë jeshile për produktet e freskëta e cila funksionoi me sukses vitin e kaluar dhe një eksperiencë shumë e mirë e vitit të kaluar dhe duke mësuar, duke iu referuar asaj eksperiencë kemi mundësinë që të bëjmë të njëjtën gjë, por me më shumë efektivitet, duke e filluar që në 1 maji I vitit 2017.

Në fund, dua të falenderoj Ministrinë e Finanacve të Kosovës për ndihmën dhe mbështetjen që i ka dhënë Ministrisë së Finanacave të Shqipërisë për kadastrën fiskale. Dua t’ju vë në dijeni, ne kemi filluar një bashkëpunim megjithëse modest, shumë të rëndësishëm për ne, e cila do të ndihmojë pushtetin vendor të kalojë në një administrim akoma dhe më të mirë të taksës së pronës, por edhe qartësimit të vlerave të pronave në njësitë vendore të tyre.

Informova gjthashtu që ne po mbyllim me sukses programin me FMN, një program të vështirë, të domosdoshëm dhe shumë të suksesshëm, që ka bërë të mundur, së bashku me të gjithë reformat e tjera, rikthimin e rritjes pozitive ekonomike dhe përshpejtimin e saj.

Edhe njëherë ju falenderoj Ministër.

Fjala e Ministrit të Financave të Kososvës

Faleminderit shumë Ministër, për pritjen vëllazërore dhe shumë miqësore dhe për ftesën që sot të jemi në Tiranë.

Fillojmë vitin me një dakordim të hapur për hapat e ndërmarrë dhe të bëjmë një përmbledhje të marrëveshjeve që kemi nënshkruar deri tani.

Dua t’ju përgëzoj për punën që keni bërë në vitin 2016, ne kemi ndjekur nga afër reformat që keni ndërmarr në Shqipëri. E di që nuk e keni të lehtë, deri diku kështu jam edhe unë në Prishtinë, dhe ju përgëzoj në përmbushjen e kritereve, të cilën të njëjtën gje e keni bërë dhe ne në Prishtinë, një program mjaft rigoroz që është në përfitim të ekonomisë vendore.

Sot diskutuam gjerësisht me Ministrin mbi statusin e Marrëveshjeve që kemi nënshkruar deri tani dhe më lejoni të shpreh kënaqësinë time për përkushtimin e Ministrisë së Financave të Shqipërisë për përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshjet e përbashkëta që kemi nënshkruar.

Pika kryesore në marrëveshje është që të dakordohemi për hapat që duhet të ndërmarrin deri më 15 shkurt ekipet tona teknike, për hapjen e pikës së përbashkët dhe përfundimtare doganore për mallrat e Kosovës në Portin e Durrësit, që kanë destinim Kosovën. Pjesa tjetër janë detaje teknike që i takone stafeve tona t’i sqarojnë, sikurse e tha edhe Ministri deri më datën 15 shkurt, përpara vizitës së tij të rradhës në Prishtinë ku përfundimisht do të dakordojmë dhe për këtë cështje.

Jam plotësisht në një mëndje me Ministrin dhe vlersimet që ai dha për pikat specifike të marrëveshjeve ekzistuese. Eshtë sukses i jashtëzakonshëm pika e përbashkët doganore në veri duke e lehtësuar qarkullimin tregtar mes të dy vendeve. Falë këtyre marrëveshjeve, ekonomitë tona janë ekonomi komplementare në shumë sektorë që arrijnë të shfrytëzojnë plotësisht potencialin.

Biseduam dhe për disa cështje të tjera sic është cështja e njohjes reciproke të certifikatave që kompanitë i përdorin në ratsin e tregtisë së mallrave në kufi. Besoj që në takimin e Prishtinës do arrijmë ta mbyllim këtë çështje të hapur të marrëveshjes.

Besoj një pikë e rëndësishme e marrëveshjes është edhe ndihmesa që do u japim bizneseve në dy anët e kufirit gjatë muajve të verës për të lehtësuar tregtimin e këtyre produkteve bujqësore dhe ushqimore.

E falenderoj Ministrin për marrëveshjen që nënshkruam sot dhe me shumë kënaqësi do japim krejt përvojën tonë që kemi tek mënyra e menaxhimit të tatimit në pronë apo kadastrës fiskale sikurse e quani ju këtu në Tiranë.

Departamenti jonë i tatimit në pronë dhe Asosacioni i Komunave janë bashkë këtu me ne. Në marrëveshjen që kemi nënshkruar, kemi avancuar shumë dhe besoj  për çështje javësh ose muajsh, komplet ajo përvojë që është akumuluar në Ministrinë e Financave në Prishtinë për vite të tëra, mund të mbartet në Shqipëri.

Faleminderit dhe suksese.

***

Prononcimi i Ministrave në Durrës

Ministri Ahmetaj:

“Vullneti politik është i shprehur tashmë. Unë së bashku me ministrin dhe administratat përkatëse, jemi duke detajuar procedurën sic vendosëm në datën 15 shkurt, të dy administratat pasi të kenë bërë një due diligencë të terrenit, procedurave dhe anës ligjore, do të jenë gati që të angazhohen për zgjidhjen e cështjeve dhe një datë fikse të hapjes së doganës së përbashët këtu në Portin e Durrësit.

Ministri Hoti:

“Ne e diksutuam me detaje tani edhe në aspektin teknik, procedurat dhe cështjet teknike që duhet të kryhen për vendosjen e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, besoj ekipet tona e kanë të qartë tashmë se cfarë duhet të bëjnë edhe teknikisht, për ta bërë këtë realitet sa më parë”