Postuar më: 19 Shkurt 2018

Shqipëri – Itali, nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik.

Shqipëri – Itali, nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik.

Në kuadër të punimeve të Forumit të Biznesit Shqipëri-Itali zhvilluar sot në Tiranë, ku një Mision ekonomik i kryesuar nga zv. Ministri italian i Zhvillimit Ekonomik Ivan Scalfarotto dhe mbi 250 sipërmarrje të mëdha e 300 delegatë nga ente e ndërmarrje të ndryshme publike, zhvilluan takime me sipërmarrjet shqiptare si dhe morën pjesë në Forumin e biznesit, mbi bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit në Shqipëri.

Krahas punimeve të Forumit, Ministri i Finanacve dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe zv. Ministri italian Scalfarotto zhvilluan edhe një konferencë për shtyp për mediat shqiptare e italiane, ku ndanë konkluzionet e Forumit dhe përsëritën ftesën për më shumë investime italiane në Shqipëri.

Palët nëshkuran edhe një Memorandum Mirëkuptimi në fushën e Bashkëpunimit Ekonomik.

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Konferencë:

Dua t’ju uroj mirëseardhjen dhe në emër të qeverisë shqiptare të shpreh kënaqësinë që sot mirëpresim Zv.ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Italisë, si kryesues i delegacionit me më shumë se 350 delegatë nga Italia, ente, shoqata, banka dhe 200 sipërmarrje italiane, të cilat së bashku përfaqësojnë një portofol me mbi 17 miliardë euro dhe në vazhdim të ditës do të takohen me një numër të madh sipërmarrësish shqiptarë në kuadër të takimeve Business to Bussines.

Ne sapo mbyllëm sesionin e parë të forumit të biznesit me fokus Marrëdhëniet dypalëshe politike dhe ekonomike, si dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe investimit që ofron tregu shqiptar, ekonomia shqiptare.

Italia, siç e theksoi dhe Zëvendësministri Italian, është patjetër partneri kryesor ekonomik e tregtar i Shqipërisë,  por edhe mikpritësi i komunitetit më të madh shqiptar.

Shqipëria është ndër vendet e rajonit që për arsye të ndryshme historike dhe gjeografike, përfaqëson hapjen më të madhe kulturore ndaj Italisë dhe tashmë është kthyer dhe në një vend mikpritës, në një shtëpi të mbi 25 mijë italianëve që jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Shqipëri.

Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve tona kanë njohur një ritëm të qëndrueshëm rritës dhe tejet pozitiv zhvillimi në vite dhe ky është padyshim momenti më i mirë, për t’i dhënë një tjetër dimension në aspektin e investimeve.

Ekonomia shqiptare sot rritet me rreth 4%, me një kuadër të konsoliduar makro ekonomik dhe fiskal. Reforma të rëndësishme strukturore janë ndërmarrë gjatë 4 viteve të fundit, si platforma më e shëndetshme për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e rritje gjithëpërfshirëse.

Ky është momenti ekonomik më i miri për Shqipërinë dhe një vit i rëndësishëm në kuadër të perspektivës së integrimit në BE për Shqipërinë dhe për Ballkanin Perëndimor.

Unë përfitoj nga kjo mundësi për të përsëritur ftesën time dhe të qeverisë shqiptare për investitorët Italianë: Shqipëria përfaqëson realisht një mundësi të shkëlqyer investimi në sektorë të ndryshëm, si: energjia, infrastruktura, turizmi, agroindustria dhe teknologjia.

I uroj punime të suksesshme Misionit dhe falënderoj zëvendësministrin dhe të gjithë pjesëmarrësit.

***

I pyetur nga mediat italianë për strategjinë e Shqipërisë për kualifikimin e fuqisë punëtore dhe ecurinë e procesit të integrimit në BE, Ministri Ahmetaj u përgjigj:

Përsa i përket arsimit profesional, Shqipëria ka bërë një hap shumë të madh, serioz përpara dhe janë rritur numrat e arsimit profesional në mënyrë të dukshme nga 3 mijë në 19 mijë.  Duke qenë se ne kemi ambicien e industrializimit të tipit Italian, sigurisht që aftësitë profesionale teknike janë akoma më të domosdoshme dhe fokusi po kalon aty.

Në kuadër të integrimit europian, shumë shpejt do të kemi presidentin Juncker në Shqipëri dhe në dijeninë time rekomandimet nga Komisioni janë dhe do të jenë pozitive për sa i përket hapjes së negociatave, që për Shqipërinë, sa politike, sa teknike, aq është edhe psikologjike, sepse shqiptarët dhe Shqipëria, qofshin në qeveri, në opozitë apo në jetët e tyre të përditshme, e dëshirojnë pafundësisht të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Shqiptarët ndihen të tillë. Jemi pjesë e natyrshme e Europës.

Po bëhet një punë e përditshme dialogu nga ministria e për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe nga Kryeministri në kontaktet e tij me autoritet europiane dhe unë besoj që do kemi një përgjigje pozitive në muajt maj-qershor për hapjen e negociatave.