Postuar më: 26 Tetor 2017

Sfidat për rritjen e investimeve dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë shqiptare

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Forumin e biznesit “Sfidat për rritjen e investimeve dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë shqiptare”

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju përgëzoj për inisiativën, për të bërë bashkë sipërmarrjen, politikëbërësit dhe ekspertët nga rajoni e më gjerë, në një platformë komunikimi, shkëmbimi idesh dhe mundësish konkrete bashkëpunimi, dhe pse jo ta kthejmë takimin në Tiranë, në një traditë të përvitshme, me interes të gjerë, duke krijuar një qendër të vogël graviteti për investitorët në rajon.

Vendet tona në Ballkan, të shkëputur nga njëri-tjetri, përfaqësojnë ekonomi të vogla, por të marra së bashku, bëjmë një treg prej rreth 26 milionë konsumatorësh, prandaj qasja jonë për zhvillim në katër vitet e fundit, ka fituar një dimension të rëndësishëm rajonal.

Perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit nuk është thjesht një aspiratë e popujve tanë. Vendet tona janë pjesë integrale e Europës dhe si të tillë, kanë rolin e tyre të rëndësishëm për të luajtur. Ky është një proces transformues për një rajon I cili për dekada nuk e ka pasur luksin e të qenit “I zakonshëm” nga pikëmpamja e zhvillimeve politike e historike, por është një proces transformues pikë së pari dhe mbi të gjitha, për zhvillimin ekonomik e social të popujve tanë.

Sfidat janë jo të pakta, por aty ku ka sfida, ka edhe oportunitete:

Ekonomia shqiptare përgjatë katër viteve të fundit ka kaluar në një cikël të rëndësishëm konsolidimi afatgjatë. Sot Shqipëria rritet me 4.06%, një rritje ekonomike e katërfishuar në 4 vjet. Sipas parashikimeve të FMN, ekonomia shqiptare do të ketë rritjen më të madhe në bllokun e ish-vendeve komuniste pas Rumanisë, në vitin 2017. Projeksionet tona të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë janë për përshpejtimin e rritjes në periudhën në vijim. Synimi ynë në qeveri është të mundësojmë një rritje në kufijtë 5.5-6% në 2021, me një rritje mesatare 4.5% në vit.

Krahas përshpejtimit të rritjes ekonomike, në fokus të politikave tona konsoliduese, ka qenë dhe mbetet ulja e borxhit publik. Angazhimi ynë afatgjatë politik për uljen e borxhit, është një garanci tejet e rëndësishme për stabilitetin e legjislacionit fiskal, një element që reflektohet në gatishmërinë e investitorëve për të investuar në ekonominë shqiptare.

Reformat kanë qenë një faktor kyc për rimëkëmbjen e sektorëve. Cdo reformë, ka adresuar vulnerabilitetet në sektorët specifikë apo të rritjes ekonomike në përgjithësi, duke filluar me reformën e rëndësishme të menaxhimit të financave publike, reformën në sektorin e energjisë, reformën në pensione, reformën administrative- territoriale, reformën në klimën e biznesit dhe së fundmi, më e rëndësishmja e të gjithë reformave, reforma në drejtësi.

Sfidë tashmë është kalimi nga një nivel “kuantitativ” konsolidues, në një nivel tjetër, të orientuar drejt përmirësimit të cilësisë, një rritje cilësore gjithëpërfshirëse.

  • Ekonomitë tona vijojnë të performojnë nën potencial.
  • Rritja e produktivitetit është një sfidë që kërkon adresim përmes politikave afatgjata
  • Kemi avantazhin e kostos së ulët të fuqisë punëtore por kemi një sfidë në raport me cilësinë dhe kualifikimin. Në këtë aspekt, jemi të fokusuar tek politikat e arsimit profesional dhe përmirësimit të kapaciteteve.

Investimet e huaja direkte janë një nga insrtumentet kryesore në mbështetje të rritjes ekonomike, në Shqipëri dhe rajon. Në vitin 2016, Shqipëria shënoi një rekord të ri të IHD me 1.1 miliardë euro. Energjia, infrastruktura, bujqësia dhe agroindustria, turizmi dhe agroturizmi, zonat e zhvillimit ekonomik (TEDA), përfaqësojnë jo vetëm sektorë prioritarë, por edhe potenciale ende të pashfrytëzuara për investime të reja.

Shqipëria ka miratuar 4 ligj tejet të rëndësishëm në favor të investitorëve:

  • Ligji për investimet strategjike me lehtësi dhe garanci të drejtpëdrejta për investitorët, deri tek miratimi I kontratës me ligj të vecantë në parlament;
  • Ligjin për PPP. Në këtë drejtim, Kryeministri ka prezantuar një tjetër instrument të rëndësishëm që injekton në ekonominë shqiptare rreth 1 miliardë dollarë, në projekte të fushave të ndryshme që nga arsimi, shëndetësia, infrastruktura (porte, aeriporte, akse rrugore);
  • Ligjin për zonat e zhvillimit ekonomik dhe
  • ligjin për turizmin, që gjithashtu ofron incentiva të drejtpërdrejta.

Këto ditë jemi duke prezantuar dhe diskutuar me sipërmarrjen mbi paketën fiskale 2018, ku një nga elementët është edhe paketa e incentivave në fushën e turizmit.

Synimi është i qartë. Turizmi ka ecur shumë mirë në këndvështrimin tim, viti 2016 shënoi një rekord prej 1.5 milionë euro të ardhura nga ky sektor, por ka ende shumë për të bërë, qoftë në drejtim të përmirësimit të shërbimit, infrastrukturë apo në kapacitete akomoduese.

Tvsh për turizmin në Shqipëri është në nivele tejet konkurruese me rajonin, në nivelin 6%. Me paketën fiskale 2018 ne jemi duke targetuar investime të rëndësishme për struktura akmoduese me 4 dhe 5 yje, pra brand names.

Tatim fitimi 0% (nga 10%) për 10 vitet e para fiskale dhe përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të investimeve të kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 5 yje, do të jenë lehtësi shumë e madhe për investitorët në fushën e turizmit (ekskluzivitet i brand-names) dhe natyrisht është një tentativë serioze për të krijuar nje gravitet ekselence në fushën e turizmit në Shqipëri.

Por nuk dua të le pa përmendur që turizmi i detit është ende në një fazë të hershme zhvillimi. Investimet në drejtim të infrastrukturës së porteve të vegjël të jahteve, por jo vetëm, që do t’I jepnin hov zhvillimit të turizmit në të gjithë rajonin, do të ishin mëse të mirëpritura.

Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, është një sektor në rritje të shpejtë. Edhe në këtë sektor ne po ofrojmë mbështetje, përmes lehtësive fiskale, një inisiativë që dëshiroj ta ndaj dhe me ju, për insentivimin në fushën e prodhimit të softëareve duke reduktuar normën tatimore nga 15 në 5%.

Energjia, transporti dhe bujqësia, do të trajtohen gjerësisht edhe nga kolegët e mi, por unë do të theksoj një element që I bashkon: konektiviteti.

Në kuadër të procesit të Berlinit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë dakordësuar mbi një sërë projektesh me impakt rajonal, si Autostrada e Kaltër, Ionian Adriatik Pipeline, linjat e interkonjeksionit me Kosovën e Maqedoninë, apo akse të rëndësishmë të transportit rrugor dhe hekurudhor, që tashmë janë pjesë e core network të Bashkimit Europian.

Këto janë projekte të rëndësishëm, që hapin një dritare të re zhvillimi për Shqipërinë dhe rajonin, duke garantuar rritje ekonomike dhe konkurrueshëmri.

Në raportin e fundit për konkurrueshmërinë globale, Shqipëria shënoi një përmirësim të ndjeshëm krahasur më një vit më parë, ndërsa agjensitë e vlerësimit të riskut të kreditit, i kanë vlerësuar pozitivisht masat për konsolidimin fiskal, ndërmarrjen e reformave dhe politikat në mbështetje të përshpejtimit të rritjes apo përmirësimit të klimës së biznesit.

Në adresim edhe të një prej shqetësimeve të shprehura më shpesh nga sipërmarrja, burokracisë, ne kemi nisur një reformë të rëndësishme dereguluese, për uljen në maksimum të peshës së burokracisë mbi sipërmarrjen, e cila brenda pak muajve të ardhshëm do të fillojë të bëjë prezente rezultatet e para të prekshme të një ndryshimi tejet pozitiv në favor të lëhtësimit të të bërit biznes.

Sigurisht që në nivel rajonal ekzistojnë ende barriera jo-tarifore që pengojnë shkëmbimet tregtare. Shqipëria ka nisur tashmë një proces me Kosovën, për reduktimin e burokacive në të dy anët e kufirit. Kemi një inisiativë konkrete për ngritjen e një pikë të përbashkët doganore në Portin e Durrësit në Shqipëri, me bindjen se integrimi ekonomik shtron nevojën për një axhendë të përbashkët rajonale, në termat e nxitjes së tregtisë dhe tërheqjes së investimeve të huaja, përmes harmonizimit të politikave rajonale për investimet dhe inisiativat e përbashkëta për promovimin e investimeve vendase e të huaja.

Faleminderit dhe punime të mbara!