Postuar më: 18 Nëntor 2017

Ridimensionimi i rolit të ambasadorëve, sfidë promovimi i Shqipërisë dhe tërheqja e investimeve të huaja

Besoj që edhe për shkak të formatit, por edhe për shkak të objektivit të takimit që kemi, do duhet që të mos jetë një takim tradicional midis Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë apo anëtarëve të tjerë të Kabinetit, me Ambasadorët e Shqipërisë, për të promovuar Shqipërinë.

Nuk është kjo logjika dhe nuk është ky objektivi, prandaj dhe titulli “Pse Shqipëria tani”, është provokativ, në kuptimin e daljes nga kuadri tradicional i punës që ka diplomacia, për të kaluar, në këndvështrimin tim, në një fazë të re të diplomacisë, në atë që ne i referohemi si Diplomacia Ekonomike.

Nëqoftëse do të fillonim ta thjeshtëzonim si definicion, besoj që bazikja e definicionit do të ishte puna e përditshme, mitikuloze, e secilit nga ju, patjetër dhe nga ne, po e secilit nga ju për të promovuar Shqipërinë, jo në kuptimin grandioz të fjalës, por në kuptimin e përditshëm me investitorë të mundshëm potencialë në vendet ku ju punoni.

Unë dua të bëj një rezyme se çfarë po ndodh me situatën ekonomike të Shqipërisë, duke filluar që ajo makro-financiare dhe duke kaluar pastaj tek zhvillimet ekonomike, apo edhe promocioni që arrin, apo që tenton qeveria, për sektorë që ne i referohemi si sektorë strategjikë për rritjen e investimeve të huaja dhe vendase.

Ne kaluam para dy ditësh buxhetin e vitit 2018 dhe në referencë të asaj që buxheti ka “solidifikuar” në bazë të vet, është rritja ekonomike prej 4.2%. Ju jeni ambasadorë sigurisht, dhe të paktën në njohurinë time të shumicës prej jush, akoma fokusoheni, ndjesë për këtë, tek politika tradicionale, por besoj që shifrat ekonomike, referencat ekonomike dhe situata ekonomike e vendit, do duhet të reflektojë, jo thjesht për të përmirësuar imazhin e vendit, por edhe për të treguar se Shqipëria ka një puls ekonomik çdo ditë dhe në rritje.

Pra, unë iu referova 4%-it të rritjes dhe po ta krahasoni me rajonin apo me vendet ku ju jeni, përveç Kinës dhe Indisë, jemi në nivelet e larta të ritmeve të rritjes ekonomike. Mos harroni që kemi ardhur me 1%. 1%, për ata që janë brenda detajeve ekonomike, është gati-gati recesion.

Po t’i referohesh se si kemi ardhur këtu, asgjë nuk është e rastësishme. Është një set me reforma që është fokusuar tek përmirësimi i klimës së biznesit, tek konsolidimi fiskal. Në çdo vend që ju jeni, unë jam i bindur që kur flitet për konsolidim fiskal dhe ulje borxhi, është fjala e parë e respektit për një vend. Çdo vend i përgjegjshëm ka në thelb të vet uljen e borxhit publik dhe konsolidimin e mëtejshëm fiskal.

Vitin tjetër ne synojmë tek 4.2% e rritjes dhe ndërkohë, të gjitha këto janë reflektuar tek konsumi. Ka më shumë se shtatë tremujorë sot që konsumi është vetëm pozitiv. Erdhëm në 2013-2014 me vështirësi në aspektin e korrektimit ekonomik, për shkak të situatës që morëm, e ngjashme në aspektin ekonomik me atë të ’97. Megjithatë, sot është krejtësisht e konsoliduar dhe besoj që është një moment, ku ne fillojmë të prezantojmë veten. Pra, qoftë me investitorët e mundshëm, qoftë me partnerët në vendet ku ju punoni.

Unë bëra një kalkulim, edhe për shkak të debatit politiko-publik, dhe vetëm në mandatin e parë janë krijuar mbi 200 mijë vende pune. Nëqoftëse do t’i referohesha me përqindje, është shumë interesante t’i bëjmë një analizë fare të thjeshtë. Brenda një mandati janë krijuar 39% e totalit të vendeve të punës që ka Shqipëria sot, që nuk është pak, dhe në debatin që bëjmë është shumë interesante për të parë se ku janë krijuar.

Për shembull, në sektorin e shërbimeve, janë krijuar 30%, pra ka një rritje 30% të vendeve të punës. Kjo do të thotë, se tregtia, shërbimet, turizmi, janë në zgjerim pothuajse në të gjithë Shqipërinë, por sidomos në pjesët ku tërhiqen numrat kryesorë të turizmit. Kini parasysh që sektori publik duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike, kanë një stanjacion punësimi dhe sektori privat është duke gjeneruar 99% të vendeve të punës.

Ndërkohë, arsyeja pse ne mblidhemi këtu, janë investimet dhe investimet e huaja. Vitin e kaluar ne kemi kaluar në një rekord 1.1 miliardë. Megjithatë, unë këtu dua t’ju provokoj pozitivisht, t’ju them që kjo është një shifër shumë e vështirë dhe fraxhile. Pse është e vështirë dhe fraxhile? Janë dy projekte, është TAP-i dhe Devolli, të cilët kanë kontribuar në rritjen e numrit 1.1 miliardë, ndërsa në aspektin e rritjes ekonomike, sigurisht që kanë influencën e vet por për shkak që kanë qenë importe të teknologjive që instalohen në këto projekte, sigurisht që kontributi në rritjen ekonomike do të fillojë tani të ndjehet më shumë se sa është ndjerë, për shkak të investimeve apo importeve të mëdha të teknologjisë.

Sfida është, kur këto investime të mëdha kanë fazën e tyre të mbarimit të investimit dhe të kalimit në operim me çfarë do të zëvendësohen?! Kini parasysh që nëqoftëse nuk do të bëjmë asgjë, qoftë në përmirësimin e imazhit, qoftë në gjetjen e investitorëve, qoftë të vegjël, qoftë strategjik, atëhere do të kemi një “gap” prej 200 milionë.

Pra, do të kemi në 2019, 2020 e 2021 një rënie, nëqoftëse nuk do t’i zëvendësojmë, një rënie me gati 200 milionë dollarë. Kjo është një sfidë që nuk e ka as Kryeministri thjesht, as Presidenti i Republikës thjesht, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, apo i Finanacve dhe Ekonomisë, apo i Bujqësisë, apo një qeveri e tërë, këtë e keni edhe ju.

Unë besoj që këtu do dua të hap një diskutim, do t’i kërkoj ndjesë Ministrit të Jashtëm, që do ta bëj në fund të fjalës time sa i përket mbështetjes me fonde dhe prakticitetit të punës tuaj.

Më tej dua që të ndaj me ju, që është shumë e rëndësishme që prezantimin që i bëjmë Shqipërisë, do duhet t’ia bëjmë në terma konkretë të paketave reformatore që ne kemi avancuar, jo vetëm të atyre reformave që ju tani i dini në detaje përmendësh, por jam duke folur për ato reforma të mbështetjes së sektorëve të ndryshëm nëpërmjet legjislacionit, si për shembull Ligjit të Turizmit.

Ligji i Turizmit, unë dua që ta dini në detaje, është një ligj që i jep mundësi sektorit privat të marrë pjesë në investime me terma shumë të lehtësuar. Për shembull, ai ligj jep mundësinë që një investitor në turizëm të marrë tokë shtetërore dhe ka mjaft, po rikuperohen mjaft nëpërmjet aksioneve të fundit të instrumentave të ligjzbatimit, ka mjaft dhe merret me 1 euro për 99 vjet.

Më besoni, tashmë paketa e mbështetjes së turizmit që ofron Shqipëria, realisht është më e mirë se ajo e Malit të Zi, realisht është më e mirë se e Kroacisë dhe realisht është më e mirë se e Greqisë, realisht.

Çfarë na pengon, janë dy elementë. Është imazhi i Shqipërisë, pra ajo që jashtë ne perceptohemi akoma si një vend që nuk meriton të investohet. Pra diku-diku, me gjithë përmirësimin e ndjeshëm të imazhit në këto katër vite, sërish për shembull ne nuk kemi arritur të marrim asnjë investim të nivelit të 5 yjeve, të atyre që i referohemi “brand name”.

Paketa fiskale që kaluam në Kuvend para tre ditësh, ka promovim serioz të këtij sektori dhe unë besoj që ju duhet ta masterizoni të gjithë paketën në detaje, sepse në finale, detajet janë të rëndësishme për të afruar këdo që është i interesuar nga “brand names”.

Besoj që punën tuaj ju e dini më mirë se kushdo tjetër, por do të ishte me vlerë t’ia kujtonim njëri-tjetrit, që secili nga ju do duhet të shkojë në vendet ku punon, tek selitë e “brand name”-ve. Pra, nëse në Gjermani është Steigenberger, jam i bindur që zoti Kuko do duhet të bëjë të paktën një vizitë në muaj tek Steigenerberger dhe tek TUI, për të promovuar dhe për ta shtyrë për të ardhur në Shqipëri, apo në Francë, apo diku gjetkë që ka brand name-s të listuara në bazë të listës së Organizatës Botërore të Turizmit.

Paketa është shumë interesante, e para kemi zbritur nivelin e TVSH-së. Pra një normë të reduktuar të TVSH-së në 6%, është nga më të ultat në rajon. Për paketën me 5 yje, pra të promovimit të hoteleve me 5 yje, është 6% për të gjitha shërbimet brenda mureve të strukturës akomoduese, pra këtu i referohemi teknikisht resortit, apo hotelit. E dyta, kemi bërë për 10 vite për ndërtimet e reja me 5 yje dhe 4 yje, zero taksën e infrastrukturës, që është një taksë që i referohemi si “front loading”, pra që paguhet drejtpërsëdrejt ditën e parë kur ti merr lejen për ndërtim. Është bërë zero. Tatim-fitimi, për 10 vite zero. Taksa e pronës, për 10 vite zero. Pra, imagjinoni çfarë kosto e lehtësuar është për këdo brand name, apo investitor i kombinuar me brand name në fushën e turizmit, për të investuar në Shqipëri.

Ndërkohë, Ligji i Investimeve Strategjike, duhet ta dini, shoqërohet me një paketë mbështetëse për infrastrukturën. Pra, nëqoftëse po themi do të arrijmë të marrim Steigenberger, apo Kempinski, i bie që ju të ofroni edhe infrastrukturën mbështetëse pa asnjë ndrojë, sepse është një detyrim ligjor që qeveria e ka, që nga infrastruktura që lidhet me rrugët kryesore, që nga infrastruktura e energjisë, që nga infrastruktura ujrat e bardha, ujrat e zeza, që është një ulje serioze kostosh.

Më tej dua që t’ju bëj të ditur që ne kemi një ligj shumë të mirë dhe një territor goxha atrakiv të zonave të lira ekonomike. Ligji që kemi për zonat e lira ekonomike është një instrument shumë i rëndësishëm në dorën tuaj. Afron realisht taksa zero brenda zonës së lirë ekonomike dhe përveç se kemi një zonë të definuar ekonomike që është Spitalla, e kemi afër portit, e kemi afër aeroportit, me kalkulim për mëse 12 vjet, për shkak të kombinimit që kemi bërë, tatim-fitimit dhe të ngarkesës konsekutive fiskale, për çdo biznes shkojnë taksat zero. Pra, toka falas, taksa zero, lokacioni, në këndvështrimin tim të paktën, shumë tërheqës dhe nuk kemi pasur qoftë nga Kina, qoftë nga Turqia, qoftë nga vendet e tjera, asnjë investitor që të vijë në emrin tuaj.

Unë nuk kam marrë asnjë telefonatë nga ju si grup, për të më provokuar të pres një investitor të mundshëm në zonat ekonomike, një investitor të mundshëm. Zero, asnjë nga ju nuk më ka bezdisur, fatkeqësisht. Fatkeqësisht për zonat ekonomike.

Unë jam i bindur që eksporti, gama e eksportit, juve ju provokon. Po ta shikoni gamën e eksportit, e kemi të ngushtë. Është një nga fraxhilitetet që ka ekonomia shqiptare, e ka shumë të ngushtë gamën e eksportit dhe për këdo që e skanon ekonominë shqiptare, aty vendos një nga risqet kryesore.  Që do të thotë, se zonat ekonomike duhet të përdoren si një terren, ku ne të vendosim industri të vlerës së shtuar që të gjenerojë vende pune, vlerë të shtuar për vendin dhe eksportet dhe këtu do të vij tek promovimi tjetër fiscal.

Këtu kemi avancuar me paketën fiskale një reduktim të tatim-fitimit për kompanitë e mundshme të prodhimit të softëare-ve nga 15% në 5%. Pra, aty ku jeni, ku mund të ketë kompani që prodhojnë softëare apo teknologji të informacionit, mund t’i referoni që perveçë se kanë lehtësi të tjera proceduriale, kanë dhe lehtësi tatim-fitimi. Sigurisht që, është një kopjim modest më duhet të them, i asaj që bëri Irlanda. Irlandës i funksionoi për dy arsye, sepse bëri diplomaci ekonomike agresive dhe sigurisht që klimën e biznesit e përmirësoi në maksimum.

Dua të dini që, ne jemi duke punuar shumë ngushtë me një kompani shumë të njohur në fushën e përmirësimit të parametrave të Doing Business, por dhe sot që jemi në ato nivele të cilat janë përmirësuar ndjeshëm, do duhet të përdoren nga ju, të masterizohen në detaje dhe të përdoren nga ju përditë.

Në fund do duhet të them që, Kryeministri i Shqipërisë ka ndërmarrë një iniciativë, atë që sërish do t’ju kërkoja me këmbëngulje që ta masterizoni në detaje sepse është shumë interesane dhe shumë ngacmuese për investitorët, atë të deregulimit. Pra, çfarë është deregulimi, që nuk kam nevojë t’jua shpjegoj, por e kam edhe me qytetarët që ndoshta na ndjekin.

Është thjeshtëzimi i proçedurave për qytetarët dhe për bizneset. Një shembull fare të thjesht mund t’jua sjell. Brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ne skanuam 140 dokumentet tradicionalë që japin institucionet brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe kanceluam këtë set dokumentar detyrues për qytetarët dhe për biznesin.

Kur kalkuluam kohën që biznesi harxhonte dhe që ne automatikisht ia kursejmë duke i kanceluar, ishin 56 vite në një vit që ne i merrnim qytetarëve dhe biznesit me këto dokumenta. Pra, kjo është një iniciativë, apo një reformë, që ia vlen të përmendet në diskutimin, apo në qasjen që ju keni me investitorë potencialë.

Së fundmi, dua që t’ju ngacmoj, jam i bindur që kjo pjesë shumë nuk do t’ju pëlqejë. Unë e bëj debatin edhe me Ministrin e Jashtëm për fonde. Ministria e Jashtme është në vazhdimësi financuar, me këmbënguljen e Kryeministrit, gjithmonë dhe më shumë. Madje së fundmi, paketa për ambasadorët apo për punonjësit e ambasadave, është përmirësuar dhe unë nuk dua që t’i referohem sot asaj pakete. Është në këndvështrimin tim e merituar, po tani ne po bëjmë një diferencim me Ministrin, me kërkesën dhe me këmbënguljen e Kryeministrit, për Ambasadat, të cilat do të kenë dhe ambasadorë që do të kenë performancë specifike në tërheqjen e investimeve të huaja.

Pra, do të fillojë të kthehet dhe do duhet të kthehet puna juaj e ardhshme, siç është puna ime, apo siç është puna e Ministrit të Infrastrukturës, apo të Bujqësisë, e matshme dhe kuantitative.

Ne fatmirësisht nuk jemi vend në luftë. Fatmirësisht ne nuk kemi probleme mbijetese në aspektin e të qenit komb e shtet më. Ne kemi vetëm një sfidë, sfidën ekonomike. Ne nuk jemi në tryezat e mëdha për të balancuar zhvillimet politike globale, sepse ne ato i bëjmë nëpërmjet instrumentave siç është NATO, apo siç janë organizatat ku ne marrim pjesë dhe influencojmë, pra në këndvështrimin tim të drejtpërdrejtë, puna juaj është me investitorët.

Unë këtu prap do të kthehem dhe do them që asnjëri nga ju nuk më ka bezdisur, fatkeqësisht. Jam i bindur që në finale, kur të pëshpërisni, nuk do t’ju vijë mirë me këto që them. Unë do të veçoja vetëm një ambasador, Qemal Minxhozin, që është dilixhent në bezdisjen e tij për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare Kosovë-Shqipëri. Asnjëri nga ju, asnjëri.  

Unë do t’ju bëja një pyetje provokative, hajdeni mbrapsht me inat ambasadorësh tek unë. Cili nga ju ka marrë një proces me një investitor nga A-ja tek ZH-ja? Asnjëri nga ju. Cili nga ju mund të ngrihet dhe t’i thotë Kryeministrit të Shqipërisë, unë kam sjellë këtë sipërmarrje dhe kjo sipërmarrje hodhi farën në Shqipëri, mbiu, po prodhon, po eksporton. Në dijeninë time, asnjëri. Në dijeninë time, gjithsesi.

Unë besoj që do duhet ta ripozicionojmë veten tonë me atë që bëjmë përditë, ju sidomos. Besoj që me Ministrin, me atë kërkesë që ka Kryeministri, që ne ta ridimensionojmë konsideratën ashtu siç është ridimensionuar konsiderata ndaj nesh si ministra, apo si anëtarë kabineti, apo si punonjës të këtij shteti.

Puna juaj do të duhet të ridimensionohet dhe të rikuantifikohet në lidhje me çka ju sillni në benefit të ekonomisë shqiptare, jo thjesht si imazh që nuk kuantifikohet dot, por si numra investitorësh që ju keni prezantuar me Shqipërinë në një vit dhe sa nga ato investime kanë qëndruar në Republikën e Shqipërisë, kanë hedhur farën, kanë mbirë dhe po punojnë.

Secili nga ju mund të më thotë mua, nuk mund ta bëj vetëm unë si ambasador, por ti inicioje, pastaj gjatë rrugës kemi mundësi ta skanojmë se sa sukses kemi dhe ku i kemi problemet dhe pastaj sigurisht do t’i përmirësojmë ato probleme, ato vështirësi që kemi.

Këtu unë do ta mbyll diskutimin tim. U mundova mos ta bëja diskutimin tradicional për shkak të ridimensionimit të punës tuaj nga tradicionale në shumë të përfshirë në zhvillimet ekonomike të vendit. Ngelem i gatshëm për çdo diskutim, opinion, apo pyetje që ju mund të keni ndaj meje.

Faleminderit!