Postuar më: 19 Dhjetor 2017

Promovimi i punësimit dhe eficencës energjitike, nënshkruhen marrëveshjet e financimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane

Promovimi i punësimit dhe eficencës energjitike, nësnhkruhen marrëveshjet e financimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane

U nënshkruan sot disa marrëveshje të rëndësishme financiare mes qeverise shqiptare dhe asaj Gjermane, e para për promovimin e punësimit dhe arsimit profesional dhe e dyta, për rritjen dhe promovimin e eficencës në energji. Të pranishëm ishin Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri Susanne Schütz, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj si dhe përfaqësuesit e GIZ dhe KfW.

Marrëveshja e parë qeveritare i referohet akordimit të një fondi grant në masën 6 milionë euro për financimin e Programit "Zhvillimi ekonomik dhe rajonal, promovimi i punësimit dhe trajnimi e arsimimi profesional” që u nënshkrua nga Ministri Ahmetaj dhe Ambasadorja Schütz.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, u nënshkruan edhe tre marrëveshjet e zbatimit me GIZ.

“Kjo marrëveshje grant është në vijim të dy marrëveshjeve të tjera të nënshkruara me palën gjermane gjatë vitit 2017 duke e çuar vlerën e përgjithshme të financimeve grant nga pala gjermane për këtë Program, në masën 16.5 mil euro.

Objektivi i kryesor i Programit është përmirësimi i situatës së vetëpunësimit të punës së kualifikuar, në veçanti të të rinjve në lidhje me tregun lokal të punës. Përmirësimet do të kryhen në të gjitha rajonet e Shqipërisë, në sektorë të përcaktuar, nëpërmjet ndërhyrjeve në dy drejtime: në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe së dyti, në projektet për investime” – u shpreh Ministri Ahmetaj.

Ambasadorja Schütz tha se Marrëveshja për nxitjen e punësimit dhe formimit profesional, synon krijimin e perspektivave profesionale në Shqipëri, veçanërisht për të rinjtë.

“Fondet do të shkojnë në masën shtesë të formimit dhe të kualifikimit pranë shkollës profesionale të Kamzës dhe qendrave të tjera trajnuese, do të financohen edhe trajnimet në aplikime të ndryshme, në lobin e konsulencës profesionale, si edhe praktika profesionale. Do të mbështesim gjithashtu edhe sipërmarrës të rinj në zhvillimin e ideve inovatore në biznes dhe realizimin e suksesshëm të tyre. Po kështu, do të mbështeten edhe projekte të vogla të sipërmarrjes sociale, për tu lehtësuar para së gjithash të rinjve të disavantazhuar hyrjen në tregun formal të punës” – theksoi ambasadorja gjermane.

Programi i dytë i financuar nga qeveria gjermane është ai për “Rehabilitimin e Konvikteve në Universitetin e Tiranës, sipas Parimit të Efiçencës së Energjisë”, për të cilin u nënshkruan marrëveshtjet financiare dhe marrëveshjet e vecanta, që përfshijnë edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si palë zbatuese dhe Bashkinë e Tiranës si përfituese.

Për programin në fjalë janë lidhur dy marrëveshje ndërqeveritare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, me anë të të cilave synohet akordimi i financimeve me grant në shumën totale prej rreth 6.5 milionë Euro.

 “Në kudër të Strategjisë për zhvillimin e sektorit energjitik, pjesë e analizës janë dhe ndryshimet shumë të domosdoshme në lidhje me rritjen e sigurisë për furnizimin me energji dhe optimizimin e burimeve të energjisë, me qëllim përmbushjen e kërkesës dhe arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm në të ardhmen”- tha Ministri Ahmetaj.

“Pas përfundimit të projekteve, prej këtyre masave do të përfitojnë rreth 3 mijë studentë dhe kursimet e energjisë së siguruar kësisoj do të lehtësojnë ndjeshëm barrën e arkës publike në masën 60 %” – tha Ambasadorja gjermane.

“Duke parë përftimet që do të kemi nga zbatimi, ne do të mundohemi që një projekt të tillë ta shtrimë në të gjitha godinat e tjera qeveritare. Ky është avantazhi. Pra, të nxisim industrinë që është efiçiente nga pikëpamja energjetike dhe të gjitha investimet që do të bëhen në Shqipëri, sidomos ato që kanë dorën e shtetit dhe financimet e shtetit duhet  të dizenjohen dhe të ndërtohen nga pikëpamja e efiçencës energjetike” – u shpreh Ministri Damian Gjiknuri.

Kreu i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se investime të tilla do të shtrihen edhe në objekte të tjera nën administrim të Bashkisë së Tiranës. “Mbaj mend që përpara 4 vitesh ne diskutonim një borxh që në fakt kishte kthyer shpinën e Shqipërisë dhe sot financat tona janë një situatë krejt tjetër. Pak vite më përpara diskutonim një krizë të rëndësishme energjetike dhe kompani të falimentuara, sot jemi në një situatë ku diskutojmë eficencë energjetike, jo më furnizimin dhe pagesën, por se si ne mund të shkojmë sot drejt modernizimit. Besoj se duke i vënë këto gjëra në kontekst kuptojmë sa rrugë kemi bërë, por edhe sa kemi për të bërë akoma. Më vjen mirë sepse “Qyteti Studenti tashmë një aset i decentralizuar nga qeveria qendrore”, u shpreh Veliaj.

 

***

Nga viti 1988, Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliard euro përfshirë këtu kontributin në nivel të BE-së dhe të Kombeve të Bashkuara. Është investuar në të gjithë fushat si: zhvillim ekonomik, energjitikë, infrastrukturë ujore, arsim dhe formim profesional e në zhvillimin e zonave rurale dhe urbane. Vetëm në dy vitet e fundit, 2016 dhe 2017 janë mbi 100 milionë euro financime për mbëhstetjen e programeve të ndryshme zhvillimore në vend.

 

***

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Sot, nënshkruajmë disa marrëveshje të rëndësishme me qeverinë gjermane.

 

Dua të shpreh që në fillim mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania, na ka dhënë në vite, qoftë në avancimin e proceseve të rëndësishme politike, ashtu edhe në aspektin ekonomik, mbështetjen financiare apo atë teknike.

 

Nga viti 1988, Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliard euro përfshirë këtu kontributin në nivel të BE-së dhe të Kombeve të Bashkuara. Është investuar në të gjithë fushat si: zhvillim ekonomik, energjitikë, infrastrukturë ujore, arsim dhe formim profesional e në zhvillimin e zonave rurale dhe urbane.

Nënshkrimi i marrëveshjes sot konfirmon edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria ka me Republikën Federale të Gjermanisë.

 

Marrëveshja i referohet akordimit të një fondi grant në masën 6 milionë euro për financimin e Programit "Zhvillimi ekonomik dhe rajonal, promovimi i punësimit dhe trajnimi e arsimimi profesional” shtesë e dytë fondesh.

Kjo marrëveshje granti është në vijim të dy marrëveshjeve të tjera të nënshkruara me palën gjermane gjatë vitit 2017 duke e çuar vlerën e përgjithshme të financimeve grant nga pala gjermane për këtë Program në masën 16.5 mil euro.

Objektivi i kryesor i Programit është përmirësimi i situatës së vetëpunësimit të punës së kualifikuar, në veçanti të të rinjve në lidhje me tregun lokal të punës. Përmirësimet do të kryhen në të gjitha rajonet e Shqipërisë në sektorë të përcaktuar nëpërmjet ndërhyrjeve në dy drejtime: (1) në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe (2) në projektet për investime. 

Programi synon:

  • përmirësimin e ofertës së fuqisë punëtore të kualifikuar nga Qendrat e Formimit Profesional;
  • përmirësimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme duke përfshirë forcimin e sipërmarrjes, forcimin e aftësive teknike e menaxheriale;
  • nxitjen e përfshirjes sociale të të rinjve; duke përfshirë edhe aktivitete të tjera si rritjen e kapaciteteve në zhvillimin lokal dhe rajonal të punësimit,  etj.

Me anë të programit, synohet të përfshihet rreth 20-30% e të kthyerve nga përvojat e emigracionit.

Po kështu, do të nënshkruajmë marrëveshjet financiare për mbështetjen e programit “Rehabilitimi i konvikteve të universitetit të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë”.

Për programin në fjalë janë lidhur dy marrëveshje ndërqeveritare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, me anë të të cilave synohet akordimi i financimeve me grant në shumën totale prej rreth 6,5 milionë Euro. Qëllimi i programit është rehabilitimi i konvikteve të Universitetit të Tiranës, në funksion të rritjes së efiçencës së energjisë dhe kushtet e jetesës së studentëve sipas kërkesave të performancës së energjisë.

Në kudër të Strategjisë për zhvillimin e sektorit energjitik, pjesë e analizës janë dhe ndryshimet shumë të domosdoshme në lidhje me rritjen e sigurisë për furnizimin me energji dhe optimizimin e burimeve të energjisë, me qëllim përmbushjen e kërkesës dhe arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm në të ardhmen.

Ky program parashikohet të realizohet në një afat prej 3 vitesh, ku institucioni kryesor përgjegjës në zbatimin e tij do të jetë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) e cila do të bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës (si pronare e Qytetit Studenti në godinat e të cilit do të investohet) dhe Shoqërinë “Rezidenca Studentore Universitare” (përfitues i investimit në fjalë).

Qëllimi i përgjithshëm i “Programit për Rehabilitimin e Konvikteve në  Universitetin e Tiranës, sipas Parimit të Efiçencës së Energjisë” konsiston në aplikimin e masave të efiçencës së energjisë në godinat e konvikteve të Universitetit të Tiranës me objektivat kryesore si më poshtë:

Minsitri i Energjisë dhe Kryetari i Bashkisë do të flasin besoj më në detaje për përfitimet e projekteve në fjalë.

Për konkretizimin e financimeve në fjalë, në vijim të marrëveshjeve ndërqeveritare, të cilat janë nënshkruar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, do të nënshkruhen marrëveshjet financiare (grant) ndërmjet KfË dhe Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë si dhe marrëveshjes përkatëse të veçanta:

  • Marrëveshja e Financimit në vlerën prej 4,5 milionë euro;
  • Marrëveshja e Financimit në vlerën prej  2 milionë Euro;
  • Marrëveshja e Financimit në vlerën prej 155 mijë Euro;
  • Marrëveshja e Veçantë që përmban detaje të projektit dhe mënyrës së zbatimit dhe lëvrimit të fondeve e cila nënshkruhet ndërmjet KfË, MIE,  Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Kosto e projektit të rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë vlerësohet në shumën prej 7.8 milionë Euro e cila do të financohet nga: (i) KfW me anë të granteve në shumën totale prej rreth 6.5 milionë Euro si dhe (ii) buxheti i shtetit i cili do të mbulojë TVSH dhe kosto lokale të projektit kosto këto të parashikuara  në shumën totale prej 1.3 milion Euro.

Përveç financimit për investimin në fjalë, Qeveria Gjermane akordon nëpërmjet KfW gjithashtu një grant prej 155 mije Euro, i cili, ka për qëllim financimin e shërbimeve të ekspertit ne kuadër të këtij programi. Me anë të këtij financimi synohet të kontraktohet një konsulent ndërkombëtar i cili do të bëjë vlerësimin struktural dhe të hartojë raportet auditimit energjetik për të gjitha godinat e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, dokumente që do të shërbejnë në një fazë të mëvonshme për rehabilitimin e mundshëm të këtyre godinave në të ardhmen.

Sërish, në emer të qeverisë shqiptare, falenderoj Qeverinë gjermane dhe Republikën Federale të Gjermanisë për këtë kontribut financimi grant dhe shpreh angazhimin tonë për zbatimin me sukses të programit.