Postuar më: 17 Janar 2017

Progresi i Shqipërisë drejt ekonomisë me rritjen më të madhe në rajon në 2017

Ministri Ahmetaj në Konferencën Financiare “Euromoney” në Vjenë

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Vjenë ku mori pjesë në punimet e Konferencës Financiare “Euromoney”, Forumi për Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, e cila këtë vit u fokusua tek zhvillimet e ekonomisë globale në 2017 dhe sfidat e financimit të sektorit publik. Pjesëmarrës në Konferencën me mbi 1100 të ftuar të nivelit të lartë, ishin edhe Ministrat e Financave të vendeve të rajonit, Hungarisë, Kroacisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Pjesë e axhendës së Forumit ishte edhe një Tryezë e Rrumbullakët e dedikuar për Shqipërinë, organizuar me mbështetjen e Bankës Kombëtare Tregtare, me temë “Progresi i Shqipërisë drejt ekonomisë me rritjen më të shpejtë në rajon në vitin 2017”, ku të ftuar ishin Ministri Ahmetaj, Zv. Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë Elisabeta Gjoni dhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë, politikëbërës, investitorë dhe liderë të biznesit në rajon.

Ministri Ahmetaj në fjalën e tij bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore ekonomike në vend përgjatë tre viteve të shkuara dhe projeksionet për vitin 2017.

“Nga pikëpamja financiare, në vitin 2013 vendi ishte në një situatë kritike, me detyrime të prapambetura që shkonin deri në 5.2% e GDP. Pas skanimit që iu bë borxhit publik, ai u rrit nga 64% në rreth 70% e PBB. Qeveria hyri menjëherë në një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, bazuar në Artikullin 4, e cila pas pak javësh do të përmbyllet me sukses duke u konsideruar si një nga programet më të suksesshme të FMN, jo vetëm në rajonin tonë.

Në vitin 2016, të ardhurat u rritën me 2.5% e GDP krahasuar me nivelin ku i morëm, ndërsa borxhi publik filloi një trajektore serioze rënëse në 2016, që sipas projeksioneve tona, në vitin 2017 do të vazhdojë uljen e mëtejshme deri në 69.1% e GDP, duke shënuar për herë të parë një nivel më të ulët nga sa e morëm në 2013”

Sa I takon rritjes ekonomike në 2017, Ministri tha se sipas vlerësimeve të FMN Shqipëria do të jetë vendi i dytë me rritjen më të madhe në bllokun e vendeve ish-komuniste pas Rumanisë.

“Ndërkohë që tre vjet më parë rritja 3% dukej tabu, tashmë është fakt dhe viti 2017 sipas projeksioneve tona do të shënojë një rritje në kufjitë 3.7% - 3.8%.

Ne ndërmorëm një axhendë të rëndësishme dhe tejet të guximshme reformash, duke filluar me sektorin energjetik, reforma administrative territoriale, në kuadër të së cilës shumë shpejt brenda muajit janar do të prezantojmë ligjin e ri për financat vendore, duke i dhënë më shumë mbështetje dhe disiplinë fiskale njësive të pushtetit lokal;

Reforma në pensione, ku per herë të parë pas 25 vitesh kemi prezantuar një skemë që përputh kontributet me përfitimet, duke u kthyer në një skemë të qendrueshme në aspektin afatgjatë.

Një nga reformat e rëndësishme ishte patjetër ajo për menaxhimin e financave publike. Ne jemi ndër vendet e para në rajon, që në kuadër të ligjit të ri organik të buxhetit, kemi shkruar në ligj një rregull fiskal I cili detyron cdo qeveri që të ulë borxhin cdo vit me të paktën 1% deri sa të arrijmë së paku nivelin e 45% të PBB” – theksoi z. Ahmetaj.

Ai përmendi se qeveria do të prezantojë së shpejti një paketë projektesh investimesh publike të formës së Partneritetit Publik Privat, në masën 1 miliardë dollarë, projekte të cilat do të krijonin premisa për një rritje ekonomike rreth 6% në vitet që vijnë. Nga ana tjetër Ministri theksoi se kjo paketë është e mirëmenduar në përputhje të plotë me ligjin e ri organik të buxhetit për të mos cënuar konsolidimin fiskal dhe angazhimin për uljen e borxhit publik.

“Sa I takon reformës në klimën e biznesit, dua të ndaj me ju që dy ditë më parë Banka e Shqipërisë publikoi treguesin e besimit të biznesit dhe konsumatorit, me një rritje domethënëse në raport me mesataren afatgjatë. Nga ana tjetër Shqipëria ka shënuar një përmirësim të konsiderueshëm në renditjen e Doing Business ku një nga indikatorët që kanë ndikuar në performancën e përmirësuar është pikërisht pagesa e taksave.

Viti 2016 shënoi një rekord historik të investimeve të huaja direkte që në rastin e Shqipërisë, përtej disa legjendave urbane, është 9.5% e GDP. Së bashku me rritjen e qendrueshme të konsumit si dhe investimeve të brendshme, janë indikatorë që përforcojnë ndjesinë tonë për një rritje 3.4% në 2016.

Pak kohë më parë ne kaluam në qeveri ligjin për thjeshtimin e procedurave tatimore, një revolucion në klimën e biznesit që I jep mundësi sipërmarrjes të vetëkorrigjohet dhe nga ana tjetër minimizon hapësirat e administratës për abuzime dhe sjellje arbitrare në kurriz të sipërmarrjes.

Së fundmi, reforma në drejtësi ishtë një reformë shumë e vështirë në aspektin politik por dha një mesazh të qartë të të gjitha palëve për vullnetin e përbashkët për të reformuar një nga problematikat më të mëdha që ka hasur biznesi në 25 vite.” – përfundoi Ministri.