Postuar më: 08 Shkurt 2017

Politikat fiskale në mbështetje të rritjes ekonomike

“Politikat fiskale në mbështetje të rritjes ekonomike”, Ahmetaj në Takimin e Konstituencës së FMN në Romë

Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, morën pjesë sot në Takimin e grupit të vendeve aderuese në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, (Konstituenca që përfaqësohet nga Italia), grup në të cilin aderojnë Shqipëria, Greqia, Malta, Portugalia dhe San Marino, të cilat në Fondin Monetar Ndërkombëtar përfaqësohen nga Drejtori Ekzekutiv Carlo Cottarelli. Në Bankën Botërore, vendeve iu bashkohet edhe Timori Lindor dhe përfaqësohen nga Drejtori Ekzekutiv Patrizio Pagano.

Takimi u organizua në Pallatin e Financave, nën kujdesin e vecantë të Ministrit të Ekonomisë dhe Financave Pier Carlo Padoan dhe Guvernatorit të Bankës së Italisë, Ignazio Visco.

Pjesëmarrës në takimin që për herë të parë u mblodh këtë vit në Romë, ishin Ministrat e Financës dhe Guvernatorët e Bankave të të gjithë vendeve të grupit. Qëllimi i takimit, i cili zakonisht mbahet në kuadër të takimeve të FMN dhe BB, ishte që vendet anëtare të bënin një reflektim të përbashkët mbi kontributin që Konstituenca mund të japë në orientimin e inisiativave të Fondit, në një moment të dedikuar, përtej axhendës së takimeve në Washington.

Tematika kryesore ishte ajo mbi impaktin e politikave ekonomike dhe fiskale në rritjen ekonomike, në kushtet e kufizimeve buxhetore dhe strategjitë për një shpërndarje të barabartë të të ardhurave dhe prezantimi i inisiativave individuale të vendeve anëtare në luftën kundër varfërisë.

Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj u përqendrua tek masat që Shqipëria ka ndërmarrë në tre vitet e fundit, për të kapërcyer situatën e vështirë ekonomike që trashëgoi nga viti 2013, ku problemi kryesor ishte akumulimi i një mase të madhe detyrimesh të prapambetura dhe borxhi i lartë publik që përbënin risqe serioze për ekonominë me një rritje statistikisht prej 1%.

Ai u ndal tek arritjet kryesore të programit tre-vjecar të qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, një program që sikurse e theksoi Ministri, ishte i suksesshëm dhe arriti objektivat e tij kryesorë.

“Politikat fiskale janë ciklike dhe kundërciklike dhe në varësi të kontekstit në të cilin ato zbatohen, jo gjithmonë arrihet të ketë përputhje mes politikave fiskale dhe rritjes ekonomike. Pra ka një mungesë përputhshmërie në kohë mes politikave fiskale që ndërmerren dhe rritjes ekonomike. Ne jemi munduar të fokusohemi dhe të zbatojmë ato politika fiskale që nuk e dëmtojnë rritjen, duke gërshetuar hapësirën tonë fiskale me shpenzime që nxisin rritjen ekonomike” – tha Ahmetaj.

Në këtë kuadër, Ministri e vuri theksin edhe tek reformat e ndërmarra në sektorët kycë të ekonomisë dhe impaktin e tyre pozitiv, të reflektuar në shifrat e rritjes ekonomike, punësimit, besimit në ekonomi dhe projeksionet e qeverisë shqiptare, FMN dhe BB për përshpejtimin e rritjes dhe vazhdimin e konsolidimit fiskal në periudhën në vijim.