Postuar më: 05 Dhjetor 2017

Politikat fiskale ndihmuan rritjen ekonomike. 36 mijë vende të lira pune, sfidë kualiteti dhe aftësitë.

Ministri Ahmetaj ishte sot i ftuar në prezantimin e raportit për krijimin e një mjedisi mundësues për sipërmarrjet e qëndrueshme, organizuar nga Biznes Albania dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës ILO.

Fjala e plotë e Ministrit

 

Përshëndetje të gjithëve.

I nderuar z.Koller, z.Bregasi

E nderuar kolege.

Të nderuar pjesëmarrës.

 

Së pari, patjetër dua t’ju përgëzoj për këtë organizim, së bashku me studimin, gjetjet dhe rekomandimet, për të cilat sigurisht do të ndalem më tej në fjalën time. Besoj që është një përpjekje shumë frytdhënëse, patjetër gjithmonë e debatueshme sidomos në raport me shifrat që prodhojnë debat, por gjithësesi këto janë piketa të rëndësishme reference për politikëbërësit, për administratën, për të reflektuar dhe për të përmirësuar qëndrimet administrative, proçedurat administrative, por patjetër edhe politikat mbi të gjitha.

Lajmi i mirë është që dinamika e tregut të punës i është përgjigjur zhvillimeve në tërësi pozitive të ekonomisë shqiptare, në lidhje me rritjen ekonomike, përmirësimin e klimës së biznesit dhe betejën kundër informalitetit.

Është bërë e modës që në përgjithësi të gjitha statistikat pozitive në këtë vend të debatohen, por shumëkush këtu, apo përtej kësaj salle, e kuptojnë shumë mirë që, në finale, ekonomia është edhe reflektim pozitiv, apo negativ i perceptimeve për zhvillimet ekonomike dhe për zhvillimet individuale, apo familjare. Megjithatë, është shumë e rëndësishme që ato zhvillime pozitive, të cilat nuk janë statistikore, por janë reale, do duhet që patjetër t’i përmendim, do duhet patjetër t’i analizojmë arsyet nga vijnë, ashtu siç është e domosdoshme që të bëjmë dhe analizë për të kundërtën. Por për të frymëzuar zhvillimet pozitive në tregun e punës, apo në tërësinë e zhvillimit ekonomik, është e drejtë, është e meritueshme, që të theksojmë arritjet.

Sot në katër vitet e fundit, shifrat e punësimit kanë qenë tejet inkurajuese. Këtu dua ta tërheq për një sekond vëmendjen e secilit nga ju, për të reflektuar në raportet që janë reale dhe nuk janë thjesht numra, se kur mbyllemi në salla të kësaj natyre, patjetër që numrat tingëllojnë si statistika virtual, por unë do t’ju sjell një statistikë nga ajo që ne i referohemi listë- pagesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pra borderoja.

Bazuar në listë pagesat e Tatimeve, në terror të vitit 2013 numri i të punësuarve ishte 423 mijë. Në tetor të vitit 2017 janë mbi 680 mijë në borderonë e tatimeve. Pra, janë 260 mijë vende pune në katër vite, sigurisht të rinj, e patjetër disa edhe të formalizuar. Pra, rritja është domethënëse, 61%. Mos harroni që në 680 mijë vende pune në 20 e kusur vite, afërsisht 260 mijë vende janë krijuar në katër vite.

Rëndom çdo Ministër do të thoshte që është për arsye të politikave të qeverisë, patjetër që është edhe për këtë. Patjetër, edhe me modesti do duhet t’i themi se kemi arritur deri këtu, për shkak të një modeli të ri ekonomik. Kemi arritur edhe për shkak të një beteje të përditshme konsistente kundër informalitetit dhe do desha të përmendja ato fjalë që Kryeministri vazhdimisht i thekson. Nëpërmjet betejës së informalitetit, kemi nxjerrë nga skllavëria moderne e atyre që punojnë pa sigurime, pa paguar kontributet nga punëdhënësi, e pa përfituar pastaj të drejtën e pensionit, apo të drejtën e shërbimit shëndetësor, mjëra e mijëra qytetarë, të cilët sot janë pjesë e formalizuar e tregut të punës. 

Nuk është e rastësishme që pas katër vitesh nga 17.2% të papunësisë e kemi 13.9 papunësinë. Nuk është e rastësishme. A është një shifër që mund të krenohesh? Do ishte pak kundërshti të mburreshe me shifrën 13.9% papunësi, sepse beteja me papunësinë është beteja kryesore e kësaj qeverie dhe të thuash që zbritëm nga 17.2% në 13.9%, dakord patjetër që janë qindra, mijëra vende të reja pune, por 13.9 është një sfidë. Dhe në programin e qeverisë, ne kemi marrë angazhimin që papunësia të zbresë për herë të parë në gati 27 vite, në nivelin një shifror, kjo sigurisht nuk është pak.

Cila është sfida që kemi duke prekur terrenin cdo ditë? Në këndvështrimin tim, së pari është kualiteti dhe kualifikimi i fuqisë punëtore. Së dyti, është përputhja e kërkesës së sipërmarrjes për aftësi, me profesionin dhe ofertën që ekziston sot në tregun e punës. Së treti, janë 36 mijë vende të lira pune të raportuara nga Zyrat e Punës për dhjetëmujorin e 2017. 36 mijë vende të lira pune, për të cilat sipërmarrja kërkon profesionistët e duhur dhe këtu do dua të ndaloj për një sekond.

Kjo është sfidë e drejtpërdrejtë aspak e sipërmarrjes, aspak e qytetarëve, është sfidë e qeverisë. Çfarë dua të them me këtë? Përputhja e kërkesës së sipërmarrjes me aftësimin e fuqisë punëtore që kërkon punë, duhet të jetë detyra kryesore e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e gjithë qeverisë, për të përputhur kërkesat e sipërmarrjes dhe për të mbuluar gjithë atë filozofi që ka në Zyrat e Punës, nga zyra pritëse, në zyra proaktive.

Që nga muaji tetor, ne kemi ndryshuar qasjen dhe po i kthejmë punonjësit e Zyrës së Punës në misionarë të sipërmarrjes dhe të atyre qytetarëve që kërkojnë punë.

Unë iu them shpesh punonjësve në Zyrat e Punës, që t’i gjesh një punë dikujt, të ndërmjetësosh për një punë, është t’i kesh dhënë dritë, t’i kesh dhënë jetë një familje. Dhe mision më të madh se ky në këtë kohë, nuk besoj se ka.

Ne po synojmë ridimensionimin e rolit të Zyrës së Punës, pra, shërbimet e administratës publike, duhet të jenë shërbime aspak të ftohta, por duhet të jenë shërbime që ta ndjekin deri në fund atë qytetar i cili është punëkërkues i regjistruar, për t’i gjetur një punë dhe për t’i dhënë jetë në familjen e vet nëpërmjet punësimit.

Ne po mundohemi ta adresojmë këtë fenomen. Siç e theksova, me punësimin si komponent që i është atashuar Ministrisë së Finanacve dhe Ekonomisë, kuadri është i plotë, pra rritja e sektorëve si rezultat i të gjitha politikave në mbështetje të rritjes ekonomike, promovimi i sektorëve të rinj potencial me politika fiskale incentivuese, por edhe me paketa të dedikuara që synojnë drejtpërsëdrejti tek rritja e produktivitetit dhe vlerës së shtuar në zinxhirin ekonomik, mbështetja e sipërmarrjes me politika të tjera sektoriale, kombinimi me tatimet dhe doganat në luftën kundër informalitetit, strategjia kombëtare për punësim dhe aftësim, të gjitha sigurisht që konvergojnë tek i njejti burim, tek rritja e punësimit.

Dua të ndaj me ju një element të rëndësishëm të dalë së fundmi nga Anketa e realizuar nga Këshilli i Investimeve mbi informalitetin. Në këtë anketë, ndjesia e drejtpërdrejtë e sipërmarrjes rezulton me një ndryshim cilësor, për atë që është duke ndodhur në terrenin ekonomik. Ka një reduktim të ndjeshëm të perceptimit negativ për tatimet dhe doganat. Është bërë traditë dhe jo pa të drejtë, që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si instrument i mbledhjes së të ardhurave, të kenë akumuluar negativitet për shkak të sjelljes, për shkak të mungesës së profesionalizmit në vitet e shkuara, edhe për shkak të reflektimit të një sjellje absurde shpesh ndaj bizneseve.

Unë me kënaqësi e reflektova këtë ndjesi shumë pozitive të biznesit në lidhje me këto dy institucione dhe më duhet të them që është bërë shumë punë në këto katër vite. Është bërë shumë pune, e sërish duke qenë shumë i sinqertë me ju, asnjë nga ne nuk është akoma i kënaqur me rezultatin, me atë që duhet të reflektojnë institucionet e mbledhjes së të ardhurave, qoftë Tatimet, qoftë Doganat. Megjithatë, aty në bërthamë të këtyre institucioneve që reflektojnë sigurisht sjelljen e inspektorëve, të terrenit apo kontrollit, ka një ndryshim dhe kjo është reflektuar në dy elementë që dua t’i përmend: tek besimi i biznesit, pra treguesi i ndjesisë ekonomike dhe kjo ndjesi e sipërmarrjes nëpërmjet këtij anketimi të Këshillit të Investimeve, që tregon një ndryshim thelbësor në sjelljen dhe në profesionalizmin e këtyre institucioneve.

Aksioni kundër informalitetit në ekonomi, e kam theksuar disa herë, nuk është thjesht një aksion që nisi në vitin 2015 dhe aty mbaroi, por vijon me faza. Është një betejë e madhe për të ndërtuar një stil të ri jetese kundër varfërisë, kundër pabarazisë dhe sigurisht kundër konkurrencës së pandershme në treg dhe punës së zezë skllavëruese ndaj punonjësit, siç e theksova më parë.

Ne kaluam nga një fazë e parë të fokusuar tek regjistrimi i bizneseve, tek deklarimi i punonjësve, pajisja me kasë, lëshimi i kuponit, në një fazë të dytë që ka të bëjë me ndërgjegjësimin, vullnetarizmin në pagesën e taksave dhe vetëkorigjimin, atë të drejtë që biznesi do duhet ta ketë dhe tashmë e ka, nëpërmjet asaj pakete që Luani (Bregasi) iu referua si paketa e fundvitit 2016, që bëri një revolucion në qasjen ligjore e proceduriale që do duhet të ketë administrata ndaj sipërmarrjes.

Sigurisht që, faza e dytë është e fokusuar tërësisht në instrumenta inteligjentë, mbi të gjitha mbi modulin e riskut që e kemi rishtas të instaluar dy vitet e fundit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që do duhet akoma ne si administratë të familjarizohemi, ta masterizojmë dhe ta përdorim më mirë në luftën kundër informalitetit, por gjithashtu jemi fokusuar edhe në një përqasje të re të kontrollit ndaj sipërmarrjes, jo më me arbitraritet, se dua unë të kontrollohet x, y, apo z, por ky instrument inteligjent, nëpërmjet gjithë kategorizimeve që ka brenda, përcakton se çfarë sektorësh janë me risk dhe aty brenda sektorëve çfarë Nipt-esh, pra çfarë sipërmarrjesh reflektojnë me risk, në mënyrë që gjithë fokusi të jetë aty ku ekonomia ka nevojë të skanohet më mirë dhe aty ku buxheti mund të përfitojë të ardhura më shumë.

Në fokus patjetër që është biznesi i madh. Këtu dua të ndaloj pak tek ndryshimi që bëmë me uljen e pragut të TVSH nga 5 milionë në 2 milionë. Ne jemi të bindur që për kohën është një masë e duhur. Nuk ka fokus biznesin e vogël, por ka fokus ndihmën për të skanuar më mirë transaksionin që fillon nga biznesi i madh dhe që e ka zanafillën tek prodhimi, apo tek importimi, deri tek konsumatori. Nuk do të ketë siç e kemi theksuar asnjë kosto shtesë për biznesin, patjetër që nuk do të ketë rritje artificiale çmimesh, këtu do jemi, do ta shohim reagimin e terrenit ekonomik ndak kësaj mase që është normale.

Këtu dua të theksoj që, edhe Kryeministri e ka përmendur, në skanimin që po i bëjmë Zyrës së Tatimpaguesve të Mëdhenj, kemi parë diçka që sa është qesharake, aq është edhe tragjike. Biznese të mëdha në sektorë të caktuar, që janë kampionë të ekonomisë, kanë deri në 42% të të punësuarve me pagë nën 30 mijë lekë. Imagjinoni kompani të mëdha që deklarojnë ekonomistin me 270 mijë lekë të vjetra në muaj; kompani të mëdha që deklarojnë inxhinierë me 270 mijë lekë të vjetra në muaj.

Kjo sigurisht që është e papranueshme dhe në betejën antiinformalitet të gjitha këto dosje janë skanuar, së shpejti me Kryeministrin do të bëjmë një takim me biznesin e madh, në mënyrë që të kemi një përqasje korretive, jo respresive, korrektive, që biznesi i madh të korrektojë veten dhe të nxjerrë në dritë, në bilancet e tyre të pastra, të drejtën e një të punësuari për të pasur dinjitet në pagesën dhe në deklarimin e kontributeve të drejtave dhe detyrimeve ndaj vetes dhe ndaj shtetit. Kjo gjë në 2017, 2018 nuk mund të vazhdojë më. Po e theksova do të jetë një thirrje korrektive, jo represive. Pastaj pas thirrjes, sigurisht që ligji ka instrumentat e vetë në dispozicion të institucioneve për të bërë punën e vet.

Ndërkohë, nuk e kemi lënë aspak pas dore, përkundrazi kemi avancuar në mënyrë serioze në shërbimin ndaj tatimpaguesve. Unë e besoj që aksioni antiinformalitet në themel duhet të ketë ndërgjegjësimin. Nuk ka vend në botë që të ketë pasur sukses në mbledhjen e taksave me represion, janë dy parime të panegociueshme që është negocimi dhe vullnetarizmi në pagesën e taksave.

Sot njësia e komunikimit me sipërmarrjen është zgjeruar, duke përfshirë një gamë të gjerë instrumentash që nga call-center që kemi në Tatime, apo qendra e thirrjeve, është komunikimi live në kohë reale në faqen e Tatimeve, njoftimet e drejtpërdrejta nga sistemi, adresa të dedikuara emaili për informim, por edhe denoncim të rasteve të abuzimit, si dhe kemi aplikacionin e tatimpaguesit dixhital.

Vetëm në dy muajt e parë janë rreth 1548 tatimpagues me ndryshim të përgjegjësisë tatimore. Të gjitha këto janë reflektuar në rritjen e numrit të biznesve të regjistruara, rritjen e numrit të punësuarve dhe rritjen e qarkullimit. E njëjta kohë e krahasuar me vitin e kaluar, është rritur qarkullimi, pra xhiro,12% dhe janë kontaktuar për arsye të ndryshme korrektimi, 104 mijë sipërmarrje nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në dy muaj 104 mijë sipërmarrje. Unë personalisht besoj jashtëzakonisht shumë në komunikimin me tatimpaguesin.

Një fakt që dua ta ndaj. Bëra një analizë të gjetjeve nga terreni dhe gjetjeve nga zyra nëpërmjet komunikimit dhe më besoni që gjetjet nga zyra ishin 2 herë më të mëdha sesa gjetjet nga terreni. Pra nëpërmjet komunikimit, nëpërmjet skanimit të bilanceve, nëpërmjet diskutimit dhe debatit me tatimpaguesit, arrijmë në gjetje të pranuara të rritjes së përgjegjësisë dhe të rritjes së deklarimeve.

Dua të ritheksoj atë që Luani me të drejtë tha, këto masa janë shoqëruar me ndërhyrje të rëndësishme ligjore. Së pari së bashku me sipërmarrjen ne hartuam një ligj shumë të rëndësishëm për thjeshtësimin e proçeduarave tatimore. Arritëm të bënim një ligj të administrimit shumë të mire, që bën realisht një diferencë në epoka. Për ta kuptuar vetëm me një shembull, dikur kontrolli mund të shkonte në një sipërmarrje aty për aty. Sot nëpërmjet këtij ligji, asnjë kontroll tatimesh i thellluar nuk mund të shkojë në një sipërmarrje pa e lajmëruar 30 ditë përpara dhe një sipërmarrës dhe aty në ligj ai ka të drejtë ta shtyjë kontrollin, sikurse ka edhe të drejtë të vetë-korrigjohet pa penalitet për 3 vitet që kanë kaluar, e ndërkohë kur lajmërohet për kontroll, ka të drejtë të vetë-korrigjohet sërish me gjysmën e penalitetit. Pra, ka ndryshuar qasja totalisht e një qeverie ndaj sipërmarrjes.

Sigurisht që situata nuk është rozë, problematika në përqasjen me sipërmarrjen ngelet e madhe dhe prandaj duhet të themi një vend që ndalon reformat e kënaqet me një rritje ekonomike 4%, aty ka firmosur dështimin e vet. Unë e theksoj dhe do ritheksoj atë që Kryeministri vazhdimisht e thotë” sfida është vazhdimi i reformave ekonomike strukturore dhe i reformës në drejtësi”. Një vend sado i suksesshëm të jetë, sado i prirur të jetë për zhvillim, e jo më një vend si Shqipëria që ka vështrirësitë e vetë ekonomike, nuk do duhet kurrë të ndalojë reformat, e sidomos ato reforma që bëjnë përmirësim të ndjeshëm në jetën e qytetarëve dhe sigurisht që përmirësojnë punën e institucioneve dhe punën e shtetit në tërësi.

Unë do ta mbyll duke iu referuar edhe njëherë raportit dhe gjetjeve tuaj, për krijimin e një “mjedisi mundësues”, sikundër ju i jeni referuar, për sipërmarrjet e qëndrueshme. Në vitin që vjen ekonomia shqiptare do të rritet me rreth 4.2% sipas parashikimeve tona, një ritëm që ka ardhur më rritje të qëndrueshme vit pas viti. Politikat tona fiskale kanë nxitur rritjen ekonomike dhe konsolidimin. Synimi ynë është të shkojmë një hap më tej në zhvillimin ekonomiik, në rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që garanton rritje të punësimit dhe rritje të produktivitetit në punë.

Në programin tonë të zhvillimit të katër viteve që vijnë, jemi fokusuar tek industrializimi i lehtë, tek ato ndërmarrje të vogla dhe të mesme që prodhojnë, që plotësojnë nevojat e vendit dhe që eksportojnë dhe që garantojnë vlerë të shtuar më të madhe në ekonomi dhe drejt atyre proçeseve më komplekse që mundësojnë kalimin, për shembull nga cikli fason në cikël të plotë, apo industri më të zhvilluara si ato të pjesëve automobile që po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje në Shqipëri, turizmi, apo Industria e Teknologjisë së Informacionit që natyrisht kërkojnë më shumë ekspertizë dhe aftësi. Besoj që kjo është sfidë e përbashkët mbi të gjitha e qeverisë, por edhe e sipërmarrjes, që besoj do ta ndajmë në vitet që vijnë.

Faleminderit!

I uroj suksese eventit në vazhdim.