Postuar më: 02 Mars 2017

Platforma e opozitës me borxh publik 130%! Pa reformë në drejtësi nuk ka Shqipëri të zhvilluar, punësim dhe mireqenie!

Gjatë fjalës së mbajtur sot në Kuvend, duke folur për cështjen e Bankers dhe dëmshpërblimin e banorëve të Zharrëzës nga qeveria, Ministri Ahmetaj u ndal edhe tek platforma e opozitës për ekonominë.

Teksa komentonte premtimet e opozitës të cilat i quajti qesharake, Ahmetaj bëri dhe një batutë për kreun e opozitës, ndërsa ftoi deputetin Ben Blushi t’i bëjë thirrje “cadrës” të votojë Vetting-un.

***

Jua thashe edhe herën e kaluar, populizmi ka vetëm një produkt, shkatërrimin pa kthim, afatgjatë. Jua solla shembullin e Greqisë që akoma dhe sot po lufton me populizmin e vet dhe gjej rastin, - se më ngjajnë platformat- që të përmend dhe platformën e opozitës, platformën fiskale “medemek”.

Pardje Luli tha diçka të ngjashme që e thoni edhe ju për pagat, po ai e tha për pensionet. Do çojmë pensionin minimal në fshat dhe qytet 250.000 lekë të vjetra në muaj. Po çfarë i kujton shqiptarët ky, budallenj?! Shqiptarët i kujton budallenj? E dini sa e çon borxhin me një fjalë nga çadra, në konfuzion e sipër? Është si puna e Colit me llastiqe, po ky lëshon fjalë që nuk thyen xhama, po thyen një shtet të tërë.

E çon borxhin 130 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto! Nuk do të ketë asnjë njeri që ta shohë me sy normal këtë vend! Ku do t’i gjejë paratë ky? Kujt do t’ia marrë? Do bëhet dhe ky Robin Hood? Do ia marrë Bankers-it për t’ia dhënë pensionistëve? Po këto janë gjëra qeshrake. E dyta, ai është kundër nesh, por mbi të gjitha, ai është kundër Reformës në Drejtësi.

Një rast tjetër për atë që është shumë e rëndësishme dhe unë do ta theksoj njëqind herë, punësimi. Ka dalë dhe thotë: “ku janë punësimet”? Të njëjtën gjë ke thënë dhe ti Blush. Unë prap gjej rastin të të numëroj punësimet, janë 183.000 shqiptarë që shkojnë në punë, në tre vite e gjysëm që qeveris kjo mazhorancë.

Do ju them dhe një gjë tjetër. Jam shumë i bindur që ka akoma shumë nevojë për punë, ka akoma shumë nevojë për punësim, patjetër. Ka shumë shqiptarë që kanë halle pafund, kanë nevojë për një punë, kanë nevojë për një mbështetje, po sigurisht që punët që afron një qeveri janë të kufizuara, punët që afron ekonomia janë realisht të pafundme. A mund të afrojë kjo ekonomi punësimin e ëndërruar, apo të përmbushë ambicien për punësim që mund të ketë kjo qeveri për qytetarët e vet? Pa Reformën në Drejtësi nuk e bën dot.

Sot isha në një aktivitet me të rinjtë që kanë dalë nga një shkollë profesionale shumë interesante dhe njëri prej tyre më bëri një pyetje, tha, “- Ministër pse po na flet për Reformën në Drejtësi, cfarë lidhje ka Reforma në Drejtësi me punësimin”? I thashë Reforma në Drejtësi është drejtpërsëdrejti e lidhur me punësimin. Reforma në Drejtësi i jep drejtpërsëdrejti efektet në ekonomi. A mundet dot një investitor i huaj të vijë në Shqipëri nëse këtu ka pikëpyetje serioze, apo ka drejtësi që nuk i jep drejtësi? Epo mos harro i thashë, se një investitor i huaj, i paardhur këtu, janë vende pune të pahapura, kjo është lidhja e drejtpërdrejtë.

Dhe një investitor vendas kur shikon drejtësinë që i jep padrejtësi, mendon se do investojë paratë e veta për të hapur një fabrikë, një uzinë, një manifakturë, që janë vende pune?! Jo, sigurisht jo, askush nuk riskon përtej riskut normal të biznesit. Askush nuk riskon kur ka një drejtësi që jep padrejtësi në themel të vet. E pra, kjo është lidhje e drejtpërdrejtë me punësimin.

Për hir të së vërtetës dua, do dëshiroja që të të shikoja shumë më shumë, akoma më pro Reformës në Drejtësi. Madje do preferoja që t’i bëje thirrje çadrës të votonte Vettingun për t’i hapur rrugë Reformës në Drejtësi, sepse një ekonomi, aq më shumë një ekonomi e vogël si kjo, ka nevojë për drejtësi që të zhvillohet në mënyrën e duhur.