Postuar më: 25 Qershor 2018

Pesë-mujori 2018, të ardhurat 3.1 miliardë më shumë se një vit më parë; Investimet 15% më të larta

Pesë-mujori 2018, të ardhurat 3.1 miliardë më shumë se një vit më parë; Investimet 15% më të larta

Të ardhurat e përgjithshme, për muajin e pestë të vitit 2018, arritën në rreth 179.9 miliardë lekë, me një realizim në masën 96.5 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 1.8 përqind më i lartë ose rreth 3.1 miliardë LEK më shumë.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga D.P.T) për 5 mujorin 2018, u realizuan në vlerën 157.7 miliardë lekë, 3.6% ose 5.5 miliardë lekë më shumë se 5 mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 98.2%.

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” janë realizuar në vlerën 2.4 miliardë lekë, me realizim në masën 94% kundrejt planit. Importi i taksuar është rritur me 2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 16.6 miliardë lekë, me realizim kundrejt planit në masën 96%. Ndikim ka patur “Karburanti” (import dhe prodhim vendas) që rezultoi rreth 211,664 ton, me një rritje prej 3,830 ton, ose +1.8% krahasuar me 5-mujorin e vitit 2017. Gjithashtu rritje kanë shënuar, importi dhe prodhimi i “Birrës” me 3%, importi i “Gazit të Lëngët” me 3%, importi i “Kafes” me +19%, importi i “Pijeve Alkoolike” me +4%, importi i “Duhanit” me +12%. Deklarimi i prodhimit vendas të duhanit është rritur nga 3 ton në 8 ton të deklaruara në periudhën Janar-Maj 2018.

Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 1.3 miliardë lekë, 18.2% ose 197 milionë lekë më shumë krahasuar me 5-mujorin e vitit 2017, dhe realizim në masën 83.3% të planit. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur me 242 milionë lekë, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar me rreth 80 mijë ton dhe janë rritur me 129 milionë lekë si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 3 lekë/kg në 3.5 lekë/kg. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 77 milionë lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 155 mijë ton si dhe janë ulur me 99 milionë lekë, për shkak të rënies së çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” në total, janë realizuar në vlerën 56.5 miliardë lekë, 2.8 miliardë lekë ose 5.2% më shumë se 5-mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit në masën 95.2%. Rritja e importit të karburantit ka ulur prodhimin vendas të këtij produkti dhe si rrjedhojë të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit. Karburanti import mbuloi rreth 97% të konsumit gjatë periudhës Janar-Maj të vitit 2018 krahasuar me 65% që ishte ky tregues vitin e kaluar. Janë rimbursuar rreth 11.7% më shumë se 5-mujori i vitit 2017.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 15.6 miliardë lekë, 1.7% ose 262 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe realizim në masën 94% të planit. Situata energjitike e vitit të kaluar ka dhënë efekte në rezultatin financiar të kompanive të sistemit energjitik, çka u reflektua në uljen e fitimit të tatueshëm dhe tatimit të paguar në vitin 2018.

 

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 14.2 miliardë lekë, 10.3% më shumë se 5-mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit në masën 93%. Krahasuar me 5-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga të punësuarit e sektorit publik dhe sektorit privat, janë rritur ndjeshëm, kjo si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve aktiv krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar në vlerën 14.2 miliardë lekë, 2.8% ose 383 milionë lekë më shumë se plani.

Të ardhurat nga “Kontributet e D.P.T-së” janë realizuar në vlerën 36.8 miliardë lekë, 9.8% ose 3.3 miliardë lekë më shumë se 5-mujori i vitit 2017 dhe 8.4% ose 2.8 miliardë lekë më shumë se plani. Rezultati i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhojë e numrit të të punësuarve. Nga ana tjetër aksioni antiinformalitet ka dhënë efekte të dukshme në formalizimin e tregut të punës.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e pestë të vitit 2018, arritën në rreth 179.3 miliardë lekë, me një realizim në masën 97.9 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 5.2 përqind më i lartë ose rreth 8.8 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente për periudhën 5 mujore të vitit 2018 rezultuan në rreth 153.7 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 4.5 përqind më i lartë ose rreth 6.6 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për muajin e pestë të vitit 2018 paraqesin një realizim në masën rreth 25.6 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 15 përqind më i lartë ose rreth 3.3 miliardë lekë më shumë.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskal të konsoliduar, ky nivel i realizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të përgjithshme, është shoqëruar me një suficit buxhetor prej 593 milion lekë.