Postuar më: 19 Shkurt 2018

Përmbyseni stereotipin e viteve 90. Sot është Shqipëria vendi i njëmijë mundësive.

Përmbyseni stereotipin e viteve 90. Sot është Shqipëria vendi i njëmijë mundësive. Emigracioni është zëvendësuar me internacionalizim.

I nderuar zoti Kryeministër,

I nderuar zoti Scalfarotto.

Ambasador,

Të nderuar zonja e zotërinj pjesëmarrës,

Dje kur u takuam shkurt me zotin Scalfarotto dhe Ambasadorin në Rinas, më erdhi në mendje një artikull i L’Espresso, i janarit të vitit 2018, që shkruante ekzakësisht kështu:  “E keni ende prezent imazhin e shqiptarëve që ëndërronin Italinë dhe rrezikonin jetën nëpër anije për të arritur tokën e një mijë mundësive, që shfaqej në mediat tona?  Përmbyseni stereotipin e viteve ’90.  Sot është Shqipëria vendi i mundësive. Jo vetëm për dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë të rikthyer në atdhe pas studimeve në shkollat e universitetet tona, apo pasi jetuan e punuan në vendet fqinje, por edhe për ne, edhe për italianët, që mes rezidentëve që punojnë, investojnë apo studiojnë atje dhe atyre që udhëtojnë nga e hëna në të premte si të shkonin nga Roma në Milano (pak a shumë e njejta kohëzgjatje dhe e njëjta kosto), llogariten tashmë në mbi 25 mijë. Thënë ndryshe, të paktën në përqindje ndaj totalit të popullsisë, kanë barazuar shqiptarët në Itali”.

U ndala tek ky artikull sepse është vërtetë një pasqyrë e një reflektimi të thellë i përmbysjes së atij perceptimi që ka patur Shqipëria që nga vitet ’90.  

Jo pa qëllim kam sjellë disa artikuj interesant shkurt për t’i ndarë, jo për t’i lexuar.  

Ky artikull është i viteve ’90, kur “Il Pellicano lascia l‘Albania, e finita la operazzione Italiana”. Të gjithë e mbajnë mend se çfarë kontributi pati Italia në atë kohë të vështirë. Dhe ndërkohë disa artikuj të sotëm të medias italiane: “Albania il paradiso a sorpresa”, apo “Perche migliaia di italiani sono andati a vivere in Albania”.

Pra ndryshimi është madhor dhe në 20 vite Shqipëria nuk është më Shqipëria e frikës dhe emigracionit, por siç e tha dhe zoti Scalfarotto, është Shqipëria e mundësive për sipërmarrjen italiane.

Në katër vitet e fundit, ekonomia shqiptare ka kaluar një proces aspak të lehtë, por të domosdoshëm të reformave, konsolidimit fiskal, falë menaxhimit rigoroz dhe të kujdesshëm të financave publike, masat për uljen në vazhdimësi të borxhit publik, ndërmarrjen e reformave të thella strukturore në ekonomi, në sektorë kyç, dhe mbështetjen nëpërmjet politikave të duhura fiskale të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Sot Shqipëria rritet me 3.8 - 3.9 për qind.

Siç e theksova, viti 2017 u mbyll me një performancë shumë të mirë, me një deficit -2% e GDP dhe me një balancë primare pozitive, për të tretin vit rradhazi. Për ta thënë ndryshe, Qeveria Rama 1 dhe Rama 2 nuk krijon më borxh të ri, por përkundrazi ka marrë përsipër të trajtojë borxhin e trashëguar. Borxhi publik ka shkuar nga 72.4% në 70% në vitin 2017.

Ndërkohë niveli i kredive me probleme që trashëguam me 25%, sot është 14% dhe vazhdon të ulet. Synimi ynë është që në vitet që vijnë, në katër vitet e mandatit Rama 2, të rritemi me një mesatare prej 4.5 -  5% dhe të arrijmë në fundin e mandatit 5.5 deri në 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Konsumi privat dhe investimet janë dy burimet kryesore të rritjes. Vetëm gjatë vitit 2017 konsumi u rrit me 3%, ndërkohë që investimet në ekonomi u rritën me gati 10 % në terma real.

Në të njëjtën kohë, siç e theksoi dhe zoti Scalfarotto, performaca e eksporteve gjatë viteve të fundit, veçanërisht ajo e shërbimeve, ku spikasin padyshim shërbimet e serktorit turistik, por edhe ecuria e eksporteve të mallrave (ndoshta përjashtuar këtu atë kategori që është drejtpërdrejt e ndërvarur nga konjuktura e çmimeve ndërkombëtare), është një tregues i rëndësishëm sa i takon përmirësimit të pozicionit konkurrues të ekonomisë shqiptare.

Eksportet e mallrave kanë një rritje totale prej 12 % gjatë 2017-ës, por ajo që është interesante, është ndryshimi i strukturës së tyre drejt kategorive të mallrave me vlerë të shtuar më të lartë gjatë viteve të fundit. Konkretisht eksportet e produkteve ushqimore të përpunuara, nga një peshë prej 5.9% që zinin në totalin e eksporteve, sot zënë 11%, pra gati dy-fishin; eksportet e tekstileve, veshmbathjeve dhe këpucëve, nga rreth 29% janë rritur në 43% në 2017. Po kështu, një kategori tjetër  mallrash me nje intensitet më të lartë të përdorimi të kapitalit, si materialet e ndërtimit dhe makineri e paisje kanë njohur rritje të peshës së tyre, respektivisht ajo e ndërtimit në 16 % nga 14 % disa vite më parë dhe makineri e paisje 5.5 % nga 3 % në vitin 2013.

Ecuria e Investimeve të huaja direkte është një tjetër element që dua ta përmend. Nga një nivel prej rreth 650 milion Euro në vitin 2012, viti 2016 kapi rreth 1 miliardë euro dhe mendojmë (akoma nuk janë mbylluar statistikat e 2017) që dhe viti 2017 do të ketë të njëjtën shifër. Është vendi i dytë në rajon në përqindje të PBB, pas Mali të Zi ,që është pak më i avancuar në investimet në turizëm, pra është vendi i dytë me 9% të PBB.

Ka një momentum pozitiv të ekonomisë shqiptare dhe një përshpejtimim të rritjes ekonomike, dhe sigurisht e gjithë kjo është reflektuar dhe në dinamikat e tregut të punës. Punësimi në 4 vitet e fundit është rritur me rreth 17%. Në 4 vitet që lamë pas, në ekonominë shqiptare janë regjistruar mbi 200 mijë vende të reja pune. Kjo shifër është kontributi i rritjes ekonomike dhe bizneseve të reja të hapura, por patjetër dhe kontribut i një përpjekje shumë serioze nga ana jonë të formalizimit të ekonomisë.

Nga ana tjetër, shkalla e papunësisë ka vijuar qartësisht trendin e saj rënës, ku në tremujorin e fundit të vitit 2017 ka arritur 13.6% nga 17.6 % që ishte në vitin 2013 kur Qeveria Rama 1 filloi punën.

Reformat kane qenë fjala kyce e programit tonë ekonomik. Reforma në sektorë të rëndësishëm, nga energjia, pensionet, klima e biznesit, arsimi, reforma administrative-territoriale, reforma në menaxhimin e financave publike e së fundmi, reforma e shumëpritur dhe nga investitorët e huaj, ajo në drejtësi, janë kryefjala e punës të kësaj qeverie dhe mazhorance. Reformat kanë reduktuar ndjeshëm risqet në ekonomi dhe kanë bërë më solide fondamentet dhe prespektivën e saj, sikurse reflektohet edhe në konfirmimin e fundit të renditjes, ose të rankimit të Shqipërisë në nivelin B + nga S&P, vetëm disa ditë përpara.

Ndërkohë prezenca dhe kontributi i Italisë në ekonominë shqiptare mbeten padyshim dominante në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Shkëmbimet tregtare me Italinë kanë ardhur gjithmonë në rritje. Volumi tregtar është 2.245 miliardë euro me një rritje prej 7.5% në krahasim me vitin 2016, si rezultat i rritjes së eksporteve në masën 9.8 % dhe importeve në masën 5.7 %. Pra, siç e shikoni, jemi furnizuesit dhe klientët kryesorë, e njëjta gjë vlen dhe për Shqipërinë.

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar (shkurt 2018), rezultojnë 3445 ndërmarrje italiane apo ndërmarrje të përbashkëta italo-shqiptare që operojnë në Shqipëri në të gjitha sektorët e ekonomisë.

Të punësuarit në ndërmarrjet me sipërmarrës italianë përbëjnë rreth 50 % të totalit të të punësuarve të ndërmarrjve të huaja. Pra, një kontribut i drejtpërdrejt në punësim.  

Shitjet e ndërmarrjeve italiane përbëjnë rreth 25% të shitjeve totale nga ndërmarrjet me pronësi të huaj. Sipas aktivitetit ekonomik, bizneset me pronësi italiane ose të përbashkët dominojnë në sektorin e Industrisë Përpunuese me rreth 37% të shitjeve totale në këtë sektor nga ndërmarrjet e huaja; në sektorin e Ndërtimit rreth 40 % të shitjeve totale nga ndërmajet e huaja në këtë sektor; në Tregti 29 % dhe në Shërbime me rreth 37 %. Pra, siç e shikoni ndërmarrjet italiane dominojnë në një sërë sektorësh, qoftë në punësim, qoftë në shitjet totale.

Investimet e ndërmarrjeve italiane përbëjnë rreth 10% të investimeve totale të ndërmarrjeve të huaja.

Stoku i Investimve të Huaja Direkte me prejardhje nga Italia në tremujorin e tretë të vitit 2017 ishte rreth 640 milion Euro që përbëjnë rreth 11% të stokut total të IHD-ve direkte. Edhe ky tregues i rëndësishëm ka patur një rritje nga viti 2013 me rreth 33%.

Ndërsa sigurisht remitancat nga shqiptarët që jetojnë në Itali vazhdojnë te jënë element shumë i rëndësishëm , por sigurisht në rënie dhe për shkak të asaj që thamë më lart, një pjesë e madhe janë kthyer ose kanë vendosur jetën e tyre në Itali, dhe ndërkohë kur vijnë këtej, kryesisht investojnë.

Për arsye të ndryshme gjeografike e historike, Shqipëria është një ndër vendet e Ballkanit me hapjen më të madhe kulturore drejt Italisë. Shembulli më tipik është njohja e mirë e gjuhës italiane nga rreth 60% e popullsisë shqiptare.

Megjithatë, siç e thatë edhe ju i nderuar Zv.Ministër, Shqipëria për Italinë është porta hyrëse në Ballkan, në rajon dhe jo më kot sot kemi kompani, kemi përfaqësues nga i gjithë rajoni.

Ndonëse një ekonomi e vogël me rreth 3 milionë konsumatorë, e parë në aspektin rajonal, Shqipëria përfaqëson një treg interesant për investime të huaja. Tashmë ato që i bashkojnë vendet në Ballkan, janë shumë më shumë se ato që i ndanin dikur dhe avancimi i Procesit të Berlinit është shëmbëlltyra më konkrete e kësaj ere të re që po fryn për vendet tona. Trieste ishte gjithashtu vazhdimësi e të njëjtit proçes.

Për të gjithë ju që keni interes të investoni në Shqipëri, dua të bëj një krahasim të sistemit tatimor për të parë çfarë avantazhi keni në Shqipëri, krahasuar me Italinë nga vini:

Shqipëria aplikon një normë taksimi korporativ (tatimi mbi fitimin) prej 15% vs. 24 % që e keni në vendin tuaj.

Shqipëria aplikon taksimim progresiv për të ardhurat nga punësimi me tre shkallë: 0 %, 13%, dhe 23% ndërsa për të ardhurat e tjera individuale, përfshirë dividendin, 15%;  ndërsa Italia ka një sistem taksimi të ardhurash personale me 5 shkallë, ku fillon më e ulta 23%, ku e jona është më e larta, vazhdon me 38%, 41% dhe 43 % është maksimumi.

Sigurimet shoqërore janë në nivelin 24.5 % ku 15% i paguan punëdhënësi, 9.5 % punëmarrësi, dhe paguhen për paga të intervalit 182 € e sipër, ndërsa Italia e ka në nivelin 40%, 30% paguan punëdhënësi dhe 10% punëmarrësi.

TVSH standarde në Shqipëri është 20%, standarde në Itali është 24%. Aty kemi nivele të ndryshme, psh ne kemi zero TVSH tek ilaçet, Italia i ka 5 %, pastaj ka diferenca në sektorët e ushqimit.

Avantazhet, patjetër afërsia gjeografike, sepse më e lehtë është të vish nga Roma në Tiranë, se sa në pjesë të tjera të Italisë, sidomos nga jugu dhe nga veriu ekstremisht.

Burimet natyrore, ndër vendet me burimet ujore për frymë më të mëdha në Europë.

Kemi 450 km vijë detare. Nuk po them që po konkurojmë me Italinë, por kemi çfarë të afrojmë.

Popullsia në moshë mesatare të re (të dytët në Europë pas Kosovës)

Kosto të favorshme të fuqisë punëtore dhe dëshirë për arsimim profesional.

Kuadri Ligjor ka ndryshuar rrënjësisht me incentive serioze.

  • Ligji turizmit afron incentiva serioze deri në dhënie sipërfaqesh të pronës publike me një euro simbolike, jo një euro metri katror, por një euro simbolike për 99 vite.
  • Ligji i zonave të lira ekonomike afron realisht një pushim fiskal prej më shumë se 10 vitesh në të gjitha taksat.
  • Ligji për investimet strategjike që i trajton investitorët strategjik të huaj, apo vendas me ligj të veçantë.  
  • Ligji i Partneritetit Publik Privat.

Kemi paketën më incentivuese tashmë në rajon  përsa i përket turizmit. Nuk kemi taksa për investimet e nivelit 4 dhe 5 yje për 10 vite, që nga taksa e pronës, infrastrukturës deri tek koorporativi dhe TVSH 6 %. Sigurisht që kemi avancuar incentiva në teknologjinë e informacionit në prodhimin e software-ve dhe frytet e para po i shohim në kompani të huaja, jo vetëm italiane, po edhe gjermane, që funksionojnë edhe me kompani globale, siç është Lufthansa.

Kryeministri ka avancuar një paketë rindërtimi, siç e quajmë paketa “1 miliardë” e fokusuar në infrastrukturë.

Sektorët kryesorë ku ia vlen të investohet janë energjia, infrastruktura, bujqësia dhe agro industria. Në agro turizëm po përgatisim një paketë të re incentivuese për të ndjekur shembullin e dikurshëm italian. Nëse keni sugjerime, i mirëpresim patjetër. Ndërkohë, kemi fillesat e para të industrisë automotive.

Reforma në drejtësi, siç e theksova, jep siguri juridike, zgjidhje për çështjet e pronësisë dhe luftës kundër korrupsionit.

Deregulimi, një iniciativë e fundit e Kryeministrit për thjeshtimin e procedurave administrative midis administratës dhe sipërmarrjes, midis administratës dhe qytetarit. Dua t’ju sjell një shembull, vetëm me thjeshtimin e 13 autorizimeve dhe disa procedurave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve i kemi shpëtuar sipërmarrjes, i kemi kursyer sipërmarrjes në një vit, për shkak të thjeshtimit të procedurave, 56 vjet pune.

Unë dua të përmend disa kompani suksesi në mënyrë që ta dini që përpjekja juaj është reflektuar me sukses në realitetin ekonomik shqiptar, pra gjithë ajo përpjekje  internacionalizimi, siç e quani ju, janë kompani suksesi Coca-Cola; Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë”; Intesa San Paolo; Albaco shoes; Albanian green energy; Adria ferries; Albania marketing service; Technip italy s.p.a - Tirana branch; Colacem  Albania shpk;  Intercom data service; La petrolifera Italo Albanese sh.a; Salus Tirana.

Më e fundit, ndodh nesër. Mabiel, pjesë e grupit Martinetto nga Torino, nesër inauguron fabrikën e saj të re në Tiranë, në sektorin automotiv (carrier wire). Çdo ditë një pjesë e vogël Italie vjen në Shqipëri dhe qëndron sepse siç thotë një miku im, qytetar italian që ka zgjedhur të jetojë në Shqipëri, “këtu hap pas hapi vendos rrënjë, derisa nuk largohesh dot më”.

Faleminderit dhe ju uroj punë të mbarë.