Postuar më: 14 Prill 2018

Panairi i parë i punës në Shkodër, 760 vende të lira pune. Punësimi vijon rritjen pozitive, papunësia në nivelin më të ulët historik.

U zhvillua sot Panairi i parë i Punës në qarkun Shkodër, organizuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Mbi 40 sipërmarrje të pranishme kanë deklaruar 760 vende të lira pune në këtë panair. 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të organizojë të tillë edhe në qarqe të tjera të vendit, për t’i paraprirë Panairit Kombëtar që mbahet çdo vit në maj, në Tiranë.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj mori pjesë në këtë panair, së bashku me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, dhe deputetë të qarkut.

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Përshëndetje të gjithëve. 

Faleminderit për këtë aktivitet fantastik dhe simbolik. 

Ndërkohë që gjithë Shqipëria diskuton, mendon, planifikon dhe shkon në punë, dikush përtej këtyre mureve kërkon që ta prishë këtë zhvillim që, më duhet të them, është akoma i brishtë për ekonominë e Shqipërisë. 

Unë jam shumë i kënaqur që në këtë panair të qarqeve të Shkodrës dhe të Lezhës të shoh këtë interesim të sipërmarrjes dhe interesim të punë-kërkuesëve. Shumë të rinj dhe të reja këtu janë prezent thjesht dhe vetëm për të kontaktuar me sipërmarrjen në të gjitha fushat.

Unë dua të ndaj me ju disa të dhëna shumë interesante që në ditët e fundit na kanë ardhur nga raporti i Bankës Botërore. BB, pasi na ka skanuar e studiuar në thellësi, del në konkluzion se Shqipëria e ka lënë pas krizën e viteve 2013. E ka lënë pas atë mundësinë që të kalonte një krizë si Greqia dhe sot është futur në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik madje, për shkak të politikave shumë të kujdesshme të qeverisë Rama 1 dhe Rama 2, sot punësimi është fjala kryesore e punës së përditshme të qeverisë dhe sot papunësia është më e ulta historike, megjithëse akoma ka shumë shqiptarë, shumë qytetarë, shumë të rinj e të reja të papunë e që kërkojnë punë.

Në të njëjtën kohë, raporti sjell dhe një shifër inkurajuese që na bën të punojmë akoma dhe më shumë dhe t’i përsërisim ditë si kjo, çdo javë e ndoshta dhe çdo ditë. Papunësia tek të rinjtë në Shqipëri ka zbritur nga 29% në 26%. Raporti thotë që është më e ulta në rajon. 

Për një sekond patjetër që na gëzon por pastaj për një axhendë të tërë pune, na vë në përgjegjësi për të bërë të pamundurën që të ofrojmë punësim për të rinjtë dhe të rejat e qarqeve të veriut dhe të gjithë Shqipërisë.

Duke kaluar nëpër stenda, ndalova tek një stendë, tek Juliani dhe më thotë: “Ministër kam nevojë për 200 punëtore” dhe nuk i kam. 

“Më duhet të zgjeroj prodhimin”- më tha dikush që importon lëndë të parë drusore dhe prodhon karrige e tavolina dhe më pas i eksporton. 

Janë gati 1200 vende të lira pune në qarkun e Shkodrës dhe në qarkun e Lezhës e jo pa qëllim ju citova raportin e BB sepse na heq një vëretje, aty shënon një kritikë për ne, do të duhet të punojmë akoma dhe më shumë për arsimin profesional që ta afrojmë tregun me aftësitë e punë-kërkuesve” dhe këtu patjetër që Arsimi Profesional është kryefjala e këtij veprimi, ashtu siç është punësimi kryefjala e qeverisë Rama sot. 

Përtej të gjithë diskutimit që ne bëjmë sigurisht që ka akoma shumë për të bërë. E keni dëgjuar diskutimin për ndihmën ekonomike. Vëmendja e qeverisë tek shtresat në nevojë është e madhe dhe mos harroni që qeveria Rama ka në traditën e saj Paketën e Solidaritetit. Paketat e Solidaritetit janë mundësi sado modeste për ato shtresa që nuk janë prekur nga zhvillimi ekonomik, ashtu siç mund të jenë prekur shumë kategori e shtresa të tjera. Po cila është zgjidhja? Zgjidhja nuk është thjesht Paketa e Solidaritetit, zgjidhja nuk është ndihma ekonomike, ndihma ekonomike është dhe duhet të jetë një moment në jetën e kujtdo që është gjendur në atë moment në fazë vështirësie. 

Puna është zgjidhja dhe arsimi profesional është një instrument në duart e secilit nga ne që nga qeveria, deri tek sipërmarrja, deri tek prindërit, deri tek të rinjtë dhe të rejat për të gjetur një jetë më të mirë dhe për t’u bërë akoma e më të punësueshëm. 

Nuk ka kënaqësi më të madhe kur krahason numrat e dikurshëm të arsimit profesional me numrat e sotëm, por megjithatë numrat janë larg asaj që duhet të jetë. Duhet t’i rrisim numrat e arsimit profesional, patjetër që po, sepse investimet e huaja e investitorët e huaj kërkojnë njerëz me aftësi teknike si të gjithë këta të rinj e të reja që i pajis shkolla industriale “Arben Broci”. 

Dje Kryeministri ishte në një kompani gjermane të hapur në Shqipëri në vitin 2015.

Unë e kam vizituar atë kompani ditën e parë të punës. 21 djem dhe vajza të reja e filluan atë ditë në vitin 2015 punën në atë kompani. Dje ishin 427 të rinj e të reja me arsim profesional, me arsim të mesëm me arsim të lart që kanë gjetur punën, dritën e ditës në një kompani, e cila kërkon dhe 1200 punonjës të rinj. E këtu qeveria do të duhet, atë që po bën në fakt e po vazhdojmë të bëjmë, t’i japë mundësi të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që kanë nevojë për punë, të pajisen me aftësi.

Jo më kot Kryeministri inicioi një politikë, e cila është e thjeshtë por në thelb është shumë e rëndësishme dhe i ka të gjitha mundësitë të ndryshojë jetë njerëzish për mirë. Nga ndihma ekonomike ti del dhe qeveria të paguan për t’u arsimuar, për të shkuar dhe marë aftësi teknike në kurse profesionale. Për ta thënë më thjeshtë, nëse dikush, një anëtar familje që del nga ndihma ekonomike, apo që është me ndihmë ekonomike, vendos të shkojë në qendër multifunksionale dhe të trajnohet, Qeveria i thotë, po, hajde të trajnohesh në kurset e Formimit Profesional dhe unë si qeveri do të paguaj më shumë sesa edhe ndihma ekonomike, 55 mijë lekë në muaj mjafton që ti të vish të trajnohesh një muaj, dy muaj, tre muaj, gjashtë muaj. Mjafton që ti ditën që merr atë çertifikatën të jesh  i punësueshëm. 

Ky është qëllimi dhe për mua si anëtar kabineti, por edhe si qytetar nuk ka kënaqësi më të madhe të shoh interesimin e të rinjve e të rejave që janë këtu që kërkojnë punë, që kalojnë në Shkollat Profesionale, që i kanë kthyer Shkollat Profesionale si qëllim të arsimimit të tyre teknik, sigurisht që kjo na vë shumë përpara përgjegjësisë.

Unë do t’i referohesha edhe disa programeve të tjera të qeverisë që kanë të bëjnë me punësimin dhe mbështetjen për të rinjtë. Qeveria javën e kaluar kaloi 7 programe mbështetje dhe këtu është detyra e Zyrave të Punës, së bashku me Shkollat Profesionale, që të trokasin derë më derë tek ata të rinj e të reja, qytetarë e qytetare që janë të regjistruar në listën e punëkërkuesve.

Zyrat e Shërbimit të Punës nuk janë zyra e sportele të palëvizshme, por janë mendje dhe zemra të lëvizshme të administratorëve publik që shkojnë shtëpi më shtëpi për të bërë të mundur ndërmjetësimin, jo thjesht ndërmjetësimin për një punë, por ndërmjetësimin madje edhe për t’u tajnuar dhe për të kaluar në Shkollat e Arsimit Profesional, apo në kurset e formimit profesional, për t’i dhënë një mundësi kujtdo që ndihet i pafuqishëm në një sekond të jetës së vet se s’ka një aftësi profesionale.

Unë do ta mbyll duke falënderuar të gjithë trupën e kësaj shkolle dhe për një sekond, do të bëj një krahasim midis dy botëve. Shikoni Shkollën Arben Broci, është shkollë shembull. Shikoni numrin e të interesuarve këtu, krahasojeni me çdo lloj grupi që në të drejtë të vet grumbullohet, proteston, apo vëzhgon. 

Krahsasoni ndërtesat, një ndërtesë e menxhuar nga Bashkia ku po i bien muret dhe ndërtesat e administruara nga një trupë shumë e përgjegjshme e Arsimit Profesional, thjesht për të bërë krahasimin çfarë botësh përfaqësojmë.

Qytetarët nuk kanë nevojë të shohin politikën si tenton të kapë terrene me protesta. Data 17 e javës që vjen është datë e rëndësishme për çdo shqiptar, pa dallim nga veriu në jug, nuk ka rëndësi çfarë parti i përket. 

Shqipëria i përket Evropës dhe shqiptarët duan punë, dhe ne si qeveri kemi përgjegjësi përditë të afrojmë mundësi, të afrojmë mbështetje që çdo qytetar shqiptar, çdo i ri dhe çdo e re të ketë një mundësi në Shqipërinë Europiane.

Faleminderit! Shpresoj të kënaqeni në panair.