Postuar më: 11 Qershor 2018

Paketa fiskale 2018, vijojnë konsultimet me sipërmarrjen

Ministria e Financave dhe Ekonomisë vijon konsultimet për Paketën Fiskale të vitit 2018. Pas takimit publik të zhvilluar me Dhomat e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit, konsultimet vijojnë me diskutime teknike mbi ndryshimet e propozuara. Në këtë kuadër, Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Enton Haxhi zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Dhomës Britanike të Tregtisë dhe Dhomës së Tregtisë Italiane në Shqipëri.

Në këtë takim, Zv.Ministri Haxhi informoi përfaqësuesit e këtyre Dhomave mbi draftin e hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe ndryshimet fiskale që mendohet t’i propozohen qeverisë për miratim gjatë muajit Qershor, të cilat më pas do të marrim miratimin e Parlamentit.

Zv.Ministri u ndal te propozimet më kryesore, si rritja e pragut nga 8 në 14 milionë për bizneset që tatim fitimin e kanë 5 %; lehtësirat fiskale në sektorin e agroturizmit; përjashtimi nga TVSH për një gamë të gjerë të linjave teknologjike, makineri dhe pajisje, për investimet në fushën e energjisë diellore; lehtësimet fiskale për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, si ulja e tatim fitimit nga 15 % në 5 %; etj.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Dhomës Britanike të Tregtisë dhe Dhomës Italiane të Tregtisë shprehën vlerësimin e tyre për konsultimet që Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvillon me biznesin për hartimin e Paketës Fiskale dhe mirëpritën pozitivisht ndryshimet e propozuara nga ana e saj.

Kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë tha se kjo Dhomë ka insistuar prej vitesh që këto ndryshime të ndodhin dhe miratimi i tyre përbën një lajm shumë të mirë për sektorët që prekin. Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë lehtësitë fiskale të parashikuara në sektorin e energjisë së rinovueshme, duke theksuar se për këtë sektor ka një interes të veçantë nga investitorë britanikë, interes që është shfaqur së fundmi në një Forum Ekonomik të zhvilluar në Londër.

Përfaqësuesit e Dhomës Britanike të Tregtisë dhe Dhomës së Tregtisë Italiane shprehën propozimet e tyre për ndryshime të tjera fiskale që mund të merren në konsideratë nga qeveria në hartimin e Paketës Fiskale 2019.

Zv.Ministri Haxhi vuri në dukje faktin se konsultimet me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit do të vijojnë edhe në muajt në vijim, pasi përveç ndryshimeve fiskale që do të miratohen në Qershor, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të konsultohet dhe diskutojë me biznesin edhe për Paketën Fiskale të vjeshtës, e cila do të kalojë në Parlament së bashku me Buxhetin e Shtetit për vitin 2019.