Postuar më: 23 Maj 2018

“P.A.S.T4Future” – Promovimi i Turizmit të Aksesueshëm dhe të Qëndrueshëm

Përshëndetje të gjithëve,

Faleminderit për pjesëmarrjen,

Sot jemi mbledhur për lançimin e projektit “P.A.S.T4Future – Promovimi i Turizmit të Aksesueshëm dhe të Qëndrueshëm” për të ardhmen, i cili zbatohet nga 6 partnerë me përfaqësi nga Italia, Shqipëria, Mali i Zi, nën kryesimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Objekti i këtij projekti është promovimi dhe fuqizimi i ofertave turistike të aksesueshme dhe të qëndrueshme në zonat ndërkufitare në nivelin evropian dhe ndërkombëtar, përmes zbatimit dhe diversifikimit të produkteve dhe shërbimeve.

Një mesazh shumë i rëndësishëm dhe për t’u theksuar, të cilin e përçon ky projekt, është i lidhur drejtpërsëdrejti me të drejtat e njeriut, me atë promovim dhe me atë mbështetje që i bën komuniteteve të ndryshme, që besoj më pas do i shikoni dhe në detaje. Referuar Traktatit të Lisbonës,  veçanërisht Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian, dua të citoj artikujt 21 për Mosdiskriminim dhe artikulli 22 për larminë kulturore, fetare dhe gjuhësore, në të cilat shprehet se, ndër të tjera, ndalohet çdo lloj diskriminimi për shkaqe të tilla siç janë tiparet gjenetike, aftësia e kufizuar, mosha, etj. Në këtë kuadër, projekti “P.A.S.T4Future” ka në fokus zhvillimin e sektorit të turizmit, duke shtrirë ofertën turistike në Shqipëri për një segment tregu ende të paplotësuar, si personat me nevoja të veçanta, personat me aftësi të kufizuar, persona të moshës së tretë, por edhe turistë familjarë që kanë nevoja të veçanta. Gjithashtu, ky projekt do të krijojë një platformë dixhitale ku do të mundësojë ndërlidhjen e aktorëve të ndryshëm për ofrimin e informacionit në kohë reale lidhur me kërkesat specifike të turistëve me nevoja të veçanta.

Referuar vitit 2017, janë 157,911 persona me aftësi të kufizuara të cilët kanë përfituar nga shërbimet e ofruara në qendrat e zhvillimit të buxhetuara nga Shërbimi Social Shtetëror. Nëpërmjet këtij projekti, Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkon të sensibilizojë të gjithë ato sipërmarrje në sektorin e shërbimeve për të mundësuar staf të kualifikuar për kujdesje për turistë me nevoja të veçanta.

Disa fjalë për sektorin e turizmit. Bazuar në të dhënat e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbi hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë, gjatë vitit 2017 në Shqipëri kanë hyrë 5.2 milionë vizitorë të huaj. Në këtë numër nuk përfshihen shtetasit e huaj të cilët kalojnë tranzit në vendin tonë. Për këtë periudhë numri i vizitorëve ka një rritje 8.7 për qind krahasuar me vitin 2016. Ndërkohë që, tremujori i parë i këtij viti paraqet një numër të rritur me dyshifror në fakt, 12.5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duke konsideruar prioritet sektorin e turizmit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndërmori nismën për ofrimin e lehtësirave fiskale për strukturën akomoduese dhe favorizimin e sipërmarrjeve në sektorin e turizmit. Me ligjin 71/2017, miratuar në prill të vitit të kaluar, u vendos aplikimi i shkallës së reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6 %. Ka qenë një debat i gjatë midis sektorit dhe qeverisë, diku dominonte logjika e konsolidimit fiskal, diku dominonte logjika e zhvillimit të sektorit. Vitin e kaluar u vendos që të ulej pragu nga 20 në 6 %, duke iu referuar edhe praktikës ndërkombëtare, sidomos direktivës së Bashkimit Europian që referon një normë rreth 10 %. Në fakt, i gjithë rajoni e ka nën 10 %. Me këtë ofrim të këtij niveli, Shqipëria është bërë një nga vendet me paketën pozitivisht më agresive të turizmit. Pra, jo vetëm paketa për turistët, por paketa për investitorët, një kombinim shumë i duhur midis të dyjave.

Ndërkohë, me ligjin 105 mbi “të Ardhurat” për një periudhë 10 vjeçare është vendosur përjashtimi nga Tatim-Fitimi për struktura specifike akomoduese siç janë resortet me 4 dhe 5 yje. Ka qenë pjesë e paketës së vitit të kaluar për promovimin e investimeve në turizëm. Sigurisht që turizmi shqiptar është ende në fillesat e tij dhe aktualisht has vështirësi të konkurrojë me nivelet dhe cilësinë që ofrojnë hotelet dhe resortet e vendeve të rajonit. Për zhvillimin e turizmit, krahas numrit të lartë të turistëve, mbi të gjitha nevojitet një infrastrukturë e gjerë dhe tepër cilësore në shërbim të hotelerisë-strukturave akomoduese, qoftë nga toka, qoftë nga deti dhe paketa prej “1 miliardë dollarë” që ne i referohemi Paketa e Partneritetit Publik Privat, në këndvështrimin e rritjes së ndërlidhjes, së konektivitetit siç i referohemi rëndom, bën një punë të konsiderueshme që, në këndvështrimin tonë, do ta ndryshojë një herë e mirë hartën e infrastrukturës në funksion të konektivitetit dhe në funksion të turizmit. Në momentin kur të ketë mbaruar, besoj në vjeshtë, në tetor, gjithë procedura konkurruese që bën

Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë përsa i përket Partneritetit Publik Privat në infrastrukturën rrugore, të gjithë qytetarët shqiptarë, por jo vetëm, do të shohin qartë se kemi si politikë investuese ngritjen, konsolidimin, përmirësimin e një aksi Veri-Jug, por jo me koncept emergjence, por me vizion edhe në shërbim të ofertës ekonomike-turistike të tanishme dhe të së ardhmes.

Në të njëjtën kohë, kemi bërë dhe përjashtimin nga taksa e infrastrukturës brenda paketës promovuese për investimet në turizëm. Patjetër që është një shifër e konsiderueshme, është 8 % e çmimit të shitjes për banesat dhe patjetër që në momentin që një grup investon në turizëm dhe shifrat janë të konsiderueshme, pra fillojnë në nivelet më modeste te 5 deri në 8 milionë euro e përfundojnë pastaj me komplekse gjigande, flasim si projekte akoma, mbi 80 milionë apo deri në 100 milionë euro, sigurisht që 8 % i ndërtimit nga një vlerë jo të kostos është e madhe. Pra, paketa ka afruar një lehtësim të konsiderueshëm e serioz për investitorët në turizëm.

Për interesin tuaj, unë sot kam nxjerrë një procedurë për të nisur procesin për ta çuar në Komitetin e Investimeve Strategjike në Këshillin e Ministrave, një projekt në jug të Shqipërisë, pikërisht një strukturë akomoduese të konsiderueshme flas nga aspekti i ofrimit të shërbimeve dhe numrit të dhomave, që tregon se interesi nuk është më virtual, interesi është i prekshëm dhe procedurat nuk janë më thjesht promovimi, por procedurat janë ekzekutimi.

Në të njëjtën kohë, jemi në një moment shumë të duhur dhe interesant përsa i përket vazhdimit të lehtësimit të sipërmarrjes nëpërmjet procedurave dhe paketave fiskale. Përsa i përket procedurave, besoj që shumë kush është njohur tashmë me atë reformë të thelluar të deregulimit që ka të bëjë në themel me lehtësimin e jetës së sipërmarrjeve dhe jetës së qytetarëve në përqasje me administratën, por unë dua të sjell në vëmendjen tuaj sot, patjetër dhe të medias, disa ndryshime të cilat Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka nxjerrë e i ka inciuar për mendimmarrje.

Përsa i përket agroturizmit, bëmë një paketë të rëndësishme për strukturat 4 me 5 yje nga njëra anë, tani po incentivojmë një paketë për pjesën tjetër të spektrit të ofrimit të shërbimeve në turizëm dhe agroturizëm. Do të kemi një tarifë të reduktuar për TVSH-në për akomodimin dhe ushqimit në njësitë që do t’i referohemi, në bazë të definicionit që kemi bërë me kujdes së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Ministrinë e Bujqësisë përsa i përket çfarë janë njësitë e agroturizmit.

Tatim Fitimi për agroturizmin 5 %; nga 15 % Tatim Fitimi zbret në 5 % dhe përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë gjithashtu dhe për këtë grup sipërmarrjesh që janë korrente apo që do të fillojnë investimet në muajt apo në vitet në vazhdim.

Në të njëjtën kohë, po në frymën e lehtësimit të ngarkesës fiskale, qeveria ka vendosur të rrisë nivelin e kompanive që përfitojnë nga niveli 5 % i Tatim Fitimit, nga 8 milionë në 14 milionë lekë. Pra, kompani me xhiro nga 8 deri në 14 do të përfitojnë një norma të reduktuar të Tatimit Fitimit nga 15 % në 5 %. Dhe, dua të ndaj me ju një statistikë të rëndësishme që përçon një filozofi të tërë. Në qoftë se janë 110 mijë biznese aktive në republikën e Shqipërisë, 93-95 mijë sipërmarrje kanë Tatim Fitimin ose 5 %, ose 0 %, që do të thotë se rreth 90 % e sipërmarrjeve shqiptare kanë përfituar, po përfitojnë në mandatin e parë dhe në vitin e parë të mandatit të dytë ulje të konsiderueshme të ngarkesës fiskale.

Më duhet të ndaj dhe një informacion tjetër, besoj që është momenti i duhur në një moment të kësaj natyre, përsa i përket formacionit legal të Partneritetit Publik Privat. Po bëjmë një përmirësim të konsiderueshëm në legjislacion. Praktikisht, për shumë sektorë po heqim dorë nga ofertat e pa kërkuara. Ka qenë një diskutim i gjatë midis nesh, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisioni Europian, USAID-it, dhe praktikisht qeveria po kalon në një fazë të dytë, për mendimin tim, shumë më të thelluar dhe shumë më të zgjuar patjetër, në aspektin e menaxhimit të risqeve, pra duke filluar besoj nga fundi i vitit 2019, sërish është në mendimmarrje, qeveria shqiptare nëpërmjet ligjit nuk do të lejojë më oferta të pakërkuara në shumë sektorë dhe do të vazhdojë vetëm me ofertat e kërkuara, gjë që besoj bën një diferencë shumë të madhe me gjithë atë diskutim e debat apo pikëpyetje që kanë lindur këto 27 vite përsa i përket Partneritetit Publik Privat apo koncesioneve.

Këtu do të ndaloj për të vazhduar panelin të vazhdojë pjesën tjetër të aktivitetit.

Faleminderit.