Postuar më: 31 Janar 2017

Një miliardë për Rindërtim!

Fjala e Ministrit Ahmetaj në prezantimin e “Paketës 1 miliard”

Do ta nis drejtpërsërdrejti tek koncepti që Kryeministri ka avancuar me Projektin 1 miliardë, dhe dua ta theksoj edhe njëherë atë koncept, sepse natyrshëm mund të lindë edhe ndonjë pyetje prej jush, apo edhe përtej nesh këtu: Pse jo me prokurim publik, por me Partneritet Publik Privat?

Është shumë e thjeshtë, është kontradikta mes nevojës për t’i pasur këto shërbime, këto asete, dhe mundësia e kufizuar që buxheti i shtetit afron; mundësia që buxheti i shtetit afron, nuk bën të mundur atë nevojë që kanë qytetarët, sipërmarrja dhe vendi, për të pasur qoftë infrastrukturë rrugore, apo atë nivel shkollash e shërbimesh shëndetësore. Nëpërmjet Partneritetit Publik Privat ka mundësi t’i ketë në harkun e dy-tre viteve që vijnë dhe ndërkohë, buxheti i shtetit do të angazhohet në harkun e 10-15 viteve që vijnë.

Programi është një inisiativë e Kryeministrit siç e theksova, për rritjen e mëtejshme të ekonomisë kombëtare në sektorë të ndryshëm duke u fokusuar në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe turizëm.

Nëpërmjet këtij programi, sipërmarrja private aktivizon kapitalet dhe burimet e saj në një numër të madh investimesh, duke impaktuar direkt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve prioritarë. Është sot një listë e projekteve prioritare në bazë të kolonave që Kryeministri përmendi, qoftë segmente rrugore, qoftë grupime - rikonsktruksion e ndërtim shkollash, qoftë në shëndetësi.

Modeli i financimit është financim afatgjatë, 10-15 vjet, duke u bazuar në modelin e kontraktimit PPP.

Vlera e projektit është 1 miliardë euro, por më duhet të theksoj që në vite, për shkak edhe të zhvillimit kaskadë ekonomik që mund të shkaktojë ky program, sigurisht që vlera vjen inkrementalisht duke u rritur.

Mobilizohen financime private dhe të institucioneve financiare për projektet prioritare nëpërmjet një modeli që synon:

 

  • Financim nga Bankat e Zhvillimit dhe ato të nivelit të dytë. Dje Kryeministri ka bërë një takim me bankat e nivelit të dytë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, për të informuar, por edhe për të ndarë konceptin dhe modelin dhe më duhet të them që pati dhe vazhdon të ketë një interes të drejtpërdrejtë, qoftë për konceptin, qoftë për projekte specifike.

 

  • Është e domosdoshme, për të ndarë riskun por për të ftuar edhe seriozitetin e sipërmarrjes, që 20% e projektit të jenë kapitale të veta (equity) nga kompania, apo nga grupi i kompanive që do të jenë të interesuara për një financim projekti.

 

  •  Mbështetja me pagesa disponueshmërie buxhetore sipas limiteve buxhetorë, pas vitit të dytë të operimit apo pasi të jenë kryer 50% e punimeve, do të jetë pjesë e detajuar e kontratës.

 

Kostot e përgatitjes së studimit të fizibilitetit në fazën e pare dhe të projektit në fazën e dytë, përballohen nga sipërmarrja por, qeveria e shkëmben projektin me ofrimin e bonusit prej 10 pikë përqindje, sic është e detjuar jashtëzakonisht shumë qartë në ligjin e koncesioneve/PPP-ve.

Ka shumë avantazhe si instrument; pikë së pari, nuk prek borxhin publik, për sa kohë që shteti hyn në një marrëdhënie kontraktuale me partnerin privat e cila implikon pagesa të rregullta ose jo (në varësi të modelit financiar të përzgjedhur në kontrata), por asnjëherë dhënie garancie sovrane.

Këtu dua të theksoj që instrumenti ka një maturim midis domosdoshmërisë për të investuar në ato shtylla që u përmendën më lart, por dhe konsiderimit të kujdesshëm të kuadrit makroekonomik. Dua të nënvizoj, që asnjë nga ato projekte apo dhe i gjithë instrumenti, nuk e cënon borxhin publik; nuk e rrit, përkundrazi trajektorja e borxhit publik do të vazhdojë të ulet dhe i gjithë aktiviteti mbështetës, me atë që quhet annuity payment (apo pagesa vjetore), do të bëhet brenda një kuadri të caktuar nominal dhe relativ, brenda llogarisë kapitale, pra brenda llogarisë së përgjithshme të investimeve publike të buxhetit të shtetit.

Sigurisht që ka ndikim të shpejtë ekonomik dhe social pasi mundëson asete apo shërbime të rëndësishme në një kohë të shkurtër, gjë e cila nuk mund të bëhet e mundur nëpërmjet procedurave klasike të prokurimit publik (për informacioni tuaj, prokurimi bëhet me një afat kohor 1-2 vite dhe duhet të ketë disponueshmëri të fondeve për t’u hapur prokurimi publik). Në rastin konkret, koncepti i financimit afatgjatë të projektit, është platforma kryesore ku do të rrijë ky projekt PPP.

Detyrimisht, duke iu referuar edhe asaj që përmendëm më lart për pjesëmarrjen në financim, risku i financimit nga tregu financiar, i takon drejtpërsëdrejti palës private. Buxheti i shtetit, në varësi të modelit që do të përdoret për cdo kontratë specifike, garanton në vazhdimësi, në buxhetin e cdo viti, të gjitha detyrimet që do të merren në bazë të kontratës që do të nënshkruhet.

Dua t’ju sqaroj, për këdo që mund të ketë ndonjë shqetësim makroekonomik, makrofiskal. Ne kemi bërë një ndryshim thelbësor në ligjin e buxhetit të shtetit pra, në ligjin organik të buxhetit të shtetit ku parashtrojmë shumë qartë që, sa i takon projekteve të Partneritetit Publik Privat, afrohet një masë jo më shumë se 5% e të ardhurave tatimore vjetore. Kjo hapësirë sot që jemi duke folur, është e okupuar nga kontrata të Partneritetit Publik Privat në sektorë të ndryshëm në nivelin 2.1%, që do të thotë vetëm sot, sikur asgje tjetër të mos numërojmë në zhvillimin ekonomik të viteve që vijnë, pra 2018, 2019 apo edhe 2020, kemi gati për mbështetjen e iniciativës reth 100 milion dollarë. E theksoj që me zhvillimin ekonomik, me rritjen e të ardhurave, qoftë nominale, qoftë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, pagesa, pra mbështetja prej 5% rritet nominalisht me minimalisht 15-20 milion dollarë në vit.

Kuadri ligjor për Partneritetin Publik Privat lejon trajtimin e projekteve me një procedurë të përshpejtuar në një afat optimal prej 120 ditësh. Subjekti, përfiton garanci kontraktuale në bazë të kontratës që kalon finalisht në Këshill të Ministrave, por për projekte që klasifikohen si strategjikë, me një vlerë të caktuar që mund të fillojë mbi 50 milion euro, por besoj edhe më shumë, kontratat mund të dërgohen në Parlament, thjesht për një, më falni që e theksoj, një garantim psikologjik të sipërmarrjes sepse proçedura siç ekziston sot, është e plotë, e garantuar dhe përfundon në Këshill të Ministrave me aprovimin e kontratës së Partneritetit Publik Privat apo konçesionit.

Brenda kontratave do të ketë, siç ka dhe sot, klauzola të drejtpërdrejta të arbitrazhit që lejojnë arbitrazhin ndërkombëtar në rast mosmarrëveshjesh.

Kemi prodhuar një udhërrëfyes të detajuar të procedurave, i cili është hartuar me kompaninë e mirënjohur Sigma. Në udhërrëfyes jepen modelet e kontratave standarde të PPB-së, të instrumentalizuara në entitete speciale të ngrituara për këtë arsye specifike për çdo projekt që do të ecë para, në bazë të interesit të sipërmarrjes apo të një grupi kompanish.

Udhërrëfyësi përmban një model standard të studimit të fisibilitetit si dhe detajon kriteret që përdoren në vlerësimin e tij, në mënyrë që secili nga ju apo përtej kësaj salle, që do të jenë të interesuar të avancojnë me një studim fisibiliteti për një nga shtyllat, të kenë mundësi t’i referohen drejtpërsëdrejti udhërrëfyesit për të qenë korrektë me atë që kërkohet nga ligji, por edhe të shkurtojë kohën e vlerësimit ligjor sa të jetë e mundur.

Udhërrëfyesi do të jetë i aksesueshëm online dhe secili nga ju ka mundësi që ta download-ojë dhe ta përdorë në përditshmërinë e vet në lidhje me projektin.

Përfundimisht unë do ta mbyll duke theksuar që mundësia e paraqitjes së projekteve ashtu siç e theksoi dhe Kryeministri, ka filluar; ka interes të drejtpërdrejtë rruga e Arbrit, është një nga projektet brenda paktës.

Dhe më lejoni të them që kthesa ekonomike e Shqipërisë, ashtu siç u theksua dhe në takimin e fundit përmbyllës të Marrëveshjes shumë të suksseshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe qeverisë shiptare, sot e lejon qeverinë, ekonominë shqiptare, të kalojë në këtë fazë të mbështetjes dhe të ofrimit të ftesës për sipërmarrjet të investojnë një milliard apo më shumë euro në dy –tre vitet që vijnë.

Faleminderit!

***

Paketa “Një miliardë për rindërtim” prezantuar nga Kryeministri, konsiston në realizimin e projekteve të investimeve në sektorë prioritarë si infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe turizëm, bazuar në modelin e Partneritetit Publik Privat. Qeveria në partneritet me sipërmarrjen dhe bankat, në një kohë të shkurtër do të mund të financojë e të ndërtojë 150 shkolla në gjithë Shqipërinë, përfshirë dhe 6 shkolla të reja ekselence për arsimin profesional; Do të adresojë disa probleme të rëndësishme të infrastrukturës rrugore nacionale duke përmirësuar ndjeshëm edhe infrastrukturën e zonave turistike; Do të ndërtojë një spital rajonal ekselence ne Fier dhe 10 qendra shëndetësore ekselence në të gjithë vendin

Për realizimin e gjithë këtij procesi dhe kësaj përfshirjeje masive të sipërmarrjes dhe të kapitalit privat në mbështetje të këtij programi kombëtar për infrastrukturën publike, qytetarët nuk do të paguajnë asgjë ekstra, borxhi publik nuk do të rritet dhe mbulimi buxhetor i programit është i garantuar.

Për herë të parë vendi do të mund të financojë nga buxheti dhe nga partneriteti publik-privat mbi 1 miliardë dollarë në vit për investime publike, duke mundësuar një hov të madh ndryshimesh të mëtejshme dhe rritjeje të mëtejshme ekonomike. Falë këtij programi rritja ekonomike llogaritet të dyfishohet në tre vitet e ardhshme.