Postuar më: 27 Mars 2018

Nga 1 prilli, ndryshon metodologjia e llogaritjes së taksës së ndërtesës. Përjashtohen banesat sociale, pensionistët e vetëm dhe investimet strategjike në turizëm

Fjala e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në komisionin parlamentar të Ekonomisë, për Metodologjinë e re të llogaritjes së taksës së pasurive të paluajshtme (ndërtesë) mbi bazën e vlerës së tregut

 

Faleminderit Kryetar për ftesën për informim,

Faleminderit Komisionit,

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur një proces të ri për vlerësimin dhe llogaritjen e taksës së pasurisë së paluajtshme (ndërtesë) që fillon të aplikohet nga data 1 prill 2018. Ky proces është shoqëruar me ndryshimet ligjore përkatëse tashmë të miratuara dhe krijimin e akteve nënligjore në mbështetje të tij. Qëllimi kryesor i projektit është të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve të njësive të vetëqeverisjes vendore në Shqipëri, nëpërmjet rritjes së efiçencës së të ardhurave buxhetore duke vënë në zbatim aplikimin e taksës së pasurisë mbi ndërtesat,  mbështetur në vlerën e tregut.

Objektivi i projektit është krijimi i kadastrës fiskale, si një sistemi i integruar vlerësimi dhe menaxhimi për të gjithë procesin e taksës së pasurisë së paluajtshme. Gjithashtu, sistemi do të ofrojë informacion të gjerë për përdoruesit në nivel lokal dhe qëndror, do të krijojë akses për çdo tatimpagues në kohë reale, duke rritur transparencën dhe efikasitetin.

 

Në kuadër të realizimit të këtij projekti, do të arrihet gjithashtu rritja e të ardhurave nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme (ndërtesë); një funksionim më i mirë dhe efikas i ekonomisë lokale, kryesisht mbi tregjet e pasurivë të paluajtshme dhe kolateralit.

Ndërtimi institucional i kadastrës fiskale, pra sistemi, do të shërbejë për menaxhimin e procesit të taksës së pasurisë së paluajtshme dhe është rekomanduar fuqimisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke e përcaktuar si pjesë të reformave strukturore dhe fiskale që ka ndërmarrë qeveria.

Ky projekt do të sjellë disiplinë të re në manaxhimin fiskal vendor dhe pritet të ketë efekte pozitive në tërësi për financat vendore.

Palët e angazhuara në projekt janë Ministria e Finanave dhe Ekonomisë, si institucion përfitues i projektit; Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), si financuesja e grantit prej 3.6 milionë euro që do të shoqërojë projektin, si dhe Agjencia Suedeze e Taksave, e cila do të ofrojë asistencë teknike për ndërtimin e Kadastrës Fiskale dhe trajnime për stafin në nivel qëndror, për hartimin e metodologjive referuese.

Projekti do të implementohet gjatë periudhës Prill 2018-Dhjetor 2020. Granti, siç e theksova, është në vlerën e 36.281 mijë korona suedeze, e konvertuar në rreth 3.6 milionë euro, e do të financohet nga qeveria suedeze.

Lidhur me impaktin në buxhet, aktualisht për vitin 2017 të ardhurat nga taksa e pasurisë janë në nivelin 4.9 miliardë lekë. Impakti në të ardhurat buxhetore pritet të jetë mbi 3 miliardë lekë shtesë në potencialin e saj.

Referencat ligjore dhe përjashtimet;

Projekti mbështetet në ligjin nr.106 të vitit 2017, që ne e diskutuam së bashku këtu, “Për disa ndryshime në ligjin 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore të ndryshuar””. Ky ligj në nenin 22, të ndryshuar, përcakton subjektet që i nënshtrohen taksës mbi ndërtesën, si dhe përjashtimet nga kjo taksë.

  • Janë të përjashtuar banesat sociale dhe qiramarrësit me banesa të pa liberalizuara;
  • Të gjithë kryefamiljarët që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët që jetojnë vetëm (rreth 110 mijë).
  • Në koherencë dhe me politikat për nxitjen sektoriale në fokus të qeverisë, janë përjashtuar strukturat akomoduese me status special, po ajo pagesë që ne e kaluam së bashku përpara disa muajsh.

 

Vendimet e Këshillit të Ministrave

Në referencë të ligjit, në datën 07.03.2018 u miratua në Këshillin e Ministrave “Metodologjia për përcaktimin e taksës së pasurinë e paluajtshme”. Metodologjia ka reflektuar mendimet e marra nga një sërë institucionesh shtetërore, përfshirë dhe Shoqatat e Bashkive të Shqipërisë, të cilat e kanë gjykuar shumë pozitivisht procesin dhe kanë bërë edhe komente.

Metodologjia ka ruajtur tërësisht konceptin e autonomisë vendore dhe njëkohësisht ka tre instrumente në brendësi të saj: Eficenca në instrumentin fiskal duke tentuar të taksojë vlerën e tregut të ndërtesave në terma afatmesëm; instrumenti i nxitjes së ekonomisë duke përjashtuar sektorë me potencial për ekonominë, ajo që thamë pak më lart; dhe aspekti social duke i dhënë mundësinë bashkive të reduktojnë çmimin vlerësues për zonat periferike të pasaktësuara në metodologji me një çmim referues.

Janë vetë bashkitë që do të kryejnë verifikim në terren sipas disa kritereve të mire-përcaktuara në metodologji. Këshillat Bashkiakë mund të krijojnë nën-ndarje zonale sipas nevojave të tyre si dhe mund të reduktojnë çmimin referues deri në 30% të zonës më të afërt, ndërsa për bashkinë e Tiranës deri në 35%.

Duke përdorur edhe reduktimin e shkallës së taksës deri në 30% përtej, impakti i taksës për familjet mund të jetë minimal, në varësi të politikës sociale që do të ndjekë çdo bashki apo nevojave për të lehtësuar komunitete të ndryshme.

Në metodologji janë saktësuar edhe nën-kategoritë e ndërtesave, ndarjeve pronësore tek të cilat është përshkallëzuar çmimi vlerësues: Për ndërtesat në ndërtim por të papërfunduara sipas afateve të miratuara, është vendosur një koeficent 30% për shkallën e taksës. Gjithashtu, për banesat e privatizuara çmimi referues do të jetë 70% i çmimit të vlerësuar vetëm për shitjen e parë.

Nga 1 Prilli 2018 bashkitë do të fillojnë me metodën e re të taksimit dhe për këtë ministria i ka njoftuar të marrin masat e nevojshme deri në ndërtimin e sistemit dixhital.

Ndërkohë, nesër do të miratohet projektvendimi për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, e cila është një drejtori e përkohshme që do të funksionojë si agjenci brenda Ministrisë së Financave, deri në momentin kur sistemi/Kadastra do të jetë pjesë e Kadastrës multifunksionale. Kjo drejtori do të parashikojë rregullat e funksionimit të një strukture manaxhuese qëndrore që ka mision kryesor administrimin në nivel qendror nga pikëpamja ligjore dhe metodologjike të taksës vendore mbi pasuritë e paluajtshme, si dhe të sistemit qendror të bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme, pra Kadastrës fiskale.

Po jua them specifikisht në detaje, për të kuptuar që jemi gati në fund të përgatitjes së të gjithë formatit për avancimin e aplikimit në datën 1 Prill.

Ky ishte një informacion i përgjithshëm sa i përket taksës së pronës, pra të ndërtesave, të gjithë procedurës qoftë ligjore, qoftë përgatitore. Në datën 1 Prill, bashkitë do të fillojnë të aplikojnë metodologjinë e re në të gjithë Shqipërinë. Ne shumë shpejt, së bashkë me SIDA-n, do të vendosim edhe për agjentin. Potencialisht si agjenti më i mirë fiskal për këtë taksë është OSHEE sepse, edhe pas update-imit që ka bërë së bashku me Ministrinë e Brendshme të adresave, presupozohet të jetë mbajtësi më i mirë i adresave në Republikën e Shqipërisë dhe mund të ketë shumë më shumë lehtësi se agjentët potencialë të tjerë, në faturim.

Unë besoj që vetë aplikimi i taksës nga qeveritë vendore ka për të sjellë të ardhura të konsiderueshme në buxhetet e tyre. Tashmë të gjitha të ardhurat do të jenë shtesë sepse me ligjin e financave vendore ne kemi kufizuar veten për të mos e reduktuar transfertën nën 1% të GDP, që do të thotë që, çdo cent që do të marrin plus do të shkojë në favor të qeverive lokale.