Postuar më: 21 Shkurt 2018

Nënshkruhet Protokolli i Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri-Çeki

U zhvilluan sot punimet në kuadër të sesionit të V-të Grupit të Përbashkët të Punës “Për bashkëpunimin ekonomik Shqipëri-Çeki”, sesion i cili po mbahet në Tiranë.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga zv. Ministrja, në rolin edhe të Bashkëkryetarit Shqiptar të sesionit dyplaësh.

Delegacioni i palës Çeke kryesohet nga z.Vladimir Bartl, Zëvëndës Ministër i Tregtisë dhe Industrisë së Republikës Çeke.

Bisedimet dypalëshe u mbajtën në një atmosferë mirëkuptimi dhe respekti reciprok, duke konfirmuar angazhimin për promovimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare, si dhe për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit në të gjitha nivelet mes dy vendeve.

Palët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy Qeverive reciproke, të cilat janë të bazuara në miqësinë tradicionale historike mes dy popujve dhe kombeve. Dialogu politik dhe marrëdhëniet mes dy vendeve dëshmohen nga një numër i konsiderueshëm vizitash e takimesh të niveleve të larta.

Pala shqiptare vlerësoi kontributin e qeverisë së Çekisë në favor të proceseve integruese të Shqipërisë në BE dhe rikonfirmoi angazhimin e plotë të saj, për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat në interesin më të mirë të dy vendeve, sidomos në promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve të ndërsjella.

Znj. Shkurta shprehu ftesën për investitorët çekë për të investuar në Shqipëri në energji, infrastrukturë, industrinë e turizmit, në zhvillimin e zonave ekonomike-teknologjike, agro-përpunimin etj., duke konsideruar se paketat e reja ligjore të ndërmarra nga qeveria shqiptare ofrojnë stimuj të ndryshme për investitorët strategjikë, mbrojtje dhe procedura më të shpejta.

Palët shprehën gjithashtu angazhimin për të vijuar mbledhjet e Sesionit të rradhës së Grupit të Përbashkët të punës "Për bashkëpunimin ekonomik” në Çeki.

Në fund të takimit, Kryetarët respektivë të dy delegacioneve, nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit ekonomik Shqipëri- Çeki.