Postuar më: 04 Prill 2017

Në katër vitet e ardhshme, ekonomia drejt rritjes mbi 5%. Reformat, kusht për Shqipërinë që duam, për shtet, punë, mirëqenie!

Fjala e Ministrit Ahmetaj në rubrikën e komunikimit me mediat “Ekonomia në fokus”

Përshëndetje,

Në vazhdën e traditës, por edhe në dritën e zhvillimeve të fundit mjaft pozitive ekonomike, unë kam kënaqësinë të ndaj me ju të dhënat më të fundit, përmes “rubrikës” tonë të herëpashershme të komunikimit, “Ekonomia në Fokus”.

Sikurse i keni ndjekur statistikat, rritja ekonomike e tremujorit të katërt 2016 shkoi 4% dhe rritja vjetore kaloi pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore dhe të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (por jo pritshmërinë time), në 3.46%. Kjo tregon dhe njëherë që ekonomia është futur në një trend pozitiv të qendrueshëm rritës dhe tregon dhe njëherë, që reformat kanë filluar të funksionojnë në favor të qytetarëve shqiptarë.

Rritja 3.46% e vitit 2016 është një bazë shumë e mirë, e qendrueshme, pozitive për projeksionin tonë prej 3.8% për vitin 2017. Nga viti 2013 kur ka qenë statistikisht nën 1%, rritja po shkon drejt 3.8% e PBB në 2017 dhe besoj që Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike mbi 5.5% në fund të mandatit tonë të dytë dhe me një mesatare mbi 4.5% gjatë katër viteve të mandatit të dytë, gjë që do të jetë jashtëzakonisht shumë e mirë për qytetarët shqiptarë. Kushti është vazhdimi i reformave dhe mbi të gjitha, implementimi i Reformës në Drejtësi me Vettingun e shumëpritur.

Sektorët ekonomikë janë të gjithë me rritje në nivel vjetor. Kemi tregtinë, energjinë, pra shërbimet, si kontribuesit kryesorë të rritjes ekonomike. Edhe pse ka nën-sektorë të tjerë që kanë rritje më të madhe se këta dy sektorë, pesha e tyre e ponderuar është kaq e madhe saqë tërheq dhe pjesën tjetër të sektorëve dhe të nën-sektorëve drejt 3.46%.

Nëse shohim rritjen ekonomike të Shqipërisë me Rajonin, kuptojmë edhe të vërtetën mbi legjendat urbane për vendet e tjera të Rajonit. Shqipëria është vendi i dytë në rajon me 3.46% dhe sigurisht, ka patur një trend rritës të qendrueshëm që e dallon pothuajse nga të gjithë vendet e tjera.

Vlerësimin e Bankës së Shqipërisë të Guvernatorit Sejko e dëgjuat para disa ditësh. Më vjen mirë që me FMN, me Bankën Botërore, me BERZH dhe Bankën e Shqipërisë, ndajmë të njëjtat qendrime për ekonominë, nuk kemi asnjë debat për trendin rritës dhe qendrueshmërinë.

Kam kënaqësinë të ndaj me ju dhe konsumin privat, me rritjen më të lartë vjetore gjatë 4 viteve të fundit, me 2.5%. Ju i mbani mend debatet që kemi patur me opozitën. Sot jemi të konsoliduar në rritjen e konsumit dhe ashtu sic thotë Banka e Shqipërisë dhe dua ta citoj: “Kërkesa e brendshme ka përfituar nga rritja e punësimit, nga kushtet stimuluese, nga rritja e besimit të agjentëve ekonomikë si dhe nga investimet e huaja direkte”.

Kemi bërë një kalklulim të të ardhurës së disponueshme. Rritja vjetore në përqindje është shumë pozitive dhe si statistikë, për të përputhur të gjithë zinxhirin, - të rritjes ekonomike –të konsumit- të punësimit - të rritjes së të ardhurave të disponueshme.

Punësimi u rrit, ndërsa papunësia ra me 3.1%. Papunësia ka zbritur në 14.2%, ndërkohë që pjesëmarrja në forcat e punës është rritur në 57.2%, trend jashtëzakonisht shumë pozitiv dhe më duhet të them që fokusi i kësaj qeverie në mandatin e dytë do të jetë Reforma në Drejtësi, forcimi i shtetit, punësimi dhe mirëqënia. Dhe jo më kot ngulim këmbë tek Reforma në Drejtësi. Reforma në Drejtësi do të ketë një ndikim të drejtpërdrejt në rritjen e punësimit dhe në uljen e papunësisë.

Kredia për individin në rritje; Një tjetër shtysë për konsumin. Kredia për individin, në lek, ka rritje dyshifrore, rreth 11%. Kredia e rritur në lek, tregon kushtet favorizuese dhe politikën shumë të maturuar të Bankës së Shqipërisë, por dhe rritjen e besimit tek monedha vendase dhe drejtëpërdrejt tek ekonomia shqiptare.

Investimet e huaja direkte, një nga burimet kryesore të rritjes. Rekord, 1 miliard euro! Në programin e qeverisë kishim që në vitin 2017 investimet e huaja do arrinin 1 miliardë euro. E arritëm këtë objektv brenda vitit 2016. Rekord historik për investimet e huaja direkte dhe një premtim i mbajtur.

Shumëkush mund të thotë që është efekti i TAP. E keni parë rritjen e investimeve të huaja?! Kanë rënë investimet në sektorin e naftës nga 52% që ka qënë dikur, në 19%, por është zëvendësuar nga projektet e tjera, nga investimet në turizëm, apo nga investimet në sektorë të tjerë. Pra, ka filluar të ketë një diversifikim edhe në investimet e huaja në sektorë të ndryshëm.

Unë me modesti ju kisha paralajmëruar në fakt që do të kishim një rekord në vitin 2016, duke iu referuar mesatares së tre tremujorëve. Sot investimet e huaja direkte 1 miliard euro janë realitet dhe rekord dhe këto bien ndesh me dëshirat e shumëkujt përtej qeverisë dhe qytetarit të zakonshëm, që investitorët e huaj të largoheshin nga vendi. Investitorët e huaj jo vetëm që nuk janë larguar, por përkundrazi, kanë investuar më shumë në Shqipëri.

Dua të ndaj me ju edhe se ku jemi në ritmin e tërheqjes së investimeve të huaja krahasimisht në rajon. Jemi të dytët në rajon për investimet e huaja të shprehura në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe akoma nuk kemi mundur të tërheqim investime të mëdha, të natyrës që janë bërë në Mal të Zi në turizëm, të cilat do ta ngrenë rritjen e investimeve të huaja akoma më lart.

Dua të sjell një shifër interesante që tregon të vërtetën e interesit për Shqipërinë, për ekonominë shqiptare, qoftë nga bizneset vendase qoftë dhe nga qytetarët shqiptarë apo nga sipërmarrjet e huaja. Biznese të huaja 2013-2016 rritja, 69%! 69% rritja e bizneseve të reja të huaja, nga 740 në 2013, në 1247 në 2016. Kemi diferencë në numra, shumë serioze. Biznese shqiptare, në krahasim vjetor 2013-2016, janë rritur nga 11,448 biznese në 2013, në 30,860 biznese në 2016.

Ndërkohë, dua të ndaj me ju informacionin e fundit për turizmin që besoj se jeni të njohur. Turizimi ka 1.5 miliard euro të ardhura në vitin 2016. Shikoni rritjen nga viti në vit; krahasuar me 2013, kemi 38% rritje. Krahasuar me 2015, kemi 13% rritje. Në vitin 2013 kishte 1.1 miliardë, sot ka 1.5 miliardë euro të ardhura nga turizmi.

Rritja e besimit në ekonomi, sic e kam theksuar, është në nivelin më të lartë në 10 vite. Kjo nuk është e rastësishme, kjo është falë reformave.

Po ta shikon tregtinë e jashtme, për eksportet në total, ka një trend të vazhdueshëm rritës qoftë edhe së fundmi, duke përfshirë dhe dy-mujorin e vitit 2017, duke e zhveshur dhe nga efektet e luhajtjes se cmimeve të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, trendi është i konsoldiuar, rritës.

E njëjta gjë ndodh dhe me importet, pra ka një rritje të importit rreth 3% në dy mujorin 2017 ndaj dy-mujorit të vitit 2016 dhe nëse i referohemi importit të makinerive dhe pajisjeve, jemi ne nivele shumë të larta, vazhdon të jetë e konsoliduar përtej shifrës 17 miliardë.

Tregtia me pakicë që është një indikacion i drejtpërdrejtë i konsumit dhe i rritjes së fuqisë blerëse, në tremujorin e katërt të vitit 2016 ëshë rritur me 8.6% krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2015 dhe krahasuar me tremujorin paraardhës. Këto janë të dhëna dhe indikacione të cilat tregojnë konsolidimin e rritjes e kosumit, konsolidimin e rritjes së fuqisë blerëse dhe patjetër, indikacione të drejtpërdrejta të rritjes së qendrueshme ekonomike.

Përsa i përket performacës së të ardhurave, krahasimisht, fakti Janar-Mars 2017 me faktin Janar- Mars 2016 është plus 5 miliardë lekë, pra është gati 106% rritje e të ardhurave tatimore, doganore dhe sigurimet. Kuptohet që këto janë të dhëna ende operative, paraprake, sepse në ditët në vijim konfirmohen nga thesari.

Dua të ndaj me ju përmirësimin në cilësinë e shërbimit të borxhit. Në 4 vjet u kursyen, 150 milionë dollarë nga shërbimi i borxhit. Norma mesatare e interesit që buxheti i shtetit paguan për borxhin publik, ka arritur tashmë në nivelin minimal historik prej 4.4% nga 8% që ishte rreth katër vite më parë. Kjo do të thotë se sot buxheti I shtetit kursen rreth 18 miliard lekë në vit ose 150 milionë dollarë, vetëm si rezultat i reduktimit të normave të interesit që paguhen për borxhin publik dhe kjo nuk është e rastësishme. Ka të bëjë drejpërsëdrejti me riskun e ulur në minimum që paraqet ekonomia shqiptare dhe borxhi publil, reformat, rezultatin e konsolidimit fiskal në tre vitet e fundit dhe sigurisht konsolidimin e rritjes ekonomike.

Kredia në përgjithësi ka shenjat e veta rritëse, edhe duke e parë në Janar 2017. Sigurisht që kredia akoma nuk ka hyrë në atë trend rritës që ne presim. Rritja e kredisë vazhdon të jetë modeste, rreth 2.6% ka qenë për vitin e kaluar. Kredia për individët, sic e theksuam, shkon në 11%. Kredia për koorporatat është në nivele jo të kënaqëshme, akoma besimi i bankave tek koorporatat nuk është reflektuar në rritjen e kredisë. Gjithsesi shenjat janë shpresëdhënëse dhe besoj që me këtë konsolidim dhe besim që aktorët ekonomikë kanë tek ekonomia shqiptare, do të reflektohet dhe tek kredidhënia nga sistemi bankar.

Lajmi i mirë është që kredia me probleme u ul në 18% dhe kjo nuk është e rastësishme, vjen si rezultat i një përpjekje të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe të qeverisë dhe dua të theksoj se paketa e reformave që kemi kaluar në kuvend në tetor-nëntor të vitit të kaluar sigurisht që janë psikologjikisht shumë të rëndësishme për tregun dhe praktikisht e në ekzekutim, tejet të rëndësishme për reduktimin e kredive të këqija.

Do të ndaj me ju gjithashtu të dhënat e fundit për Rivlerësimin e Pasurive, tjetër politikë në mbështetje të qytetarëve. Nga 1 shtatori 2016 deri në 25 mars 2017, në Shqipëri janë regjistruar rreth 37 mijë aplikime, për një vlerë totale mbi 3.1 miliard lekë. Si rezultat i uljes së tatimit nga 15% në 2%, qytetarët kanë kursyer 20.2 miliard lekë. Qytetarët shqiptarë kanë kursyer 20.2 miliard lekë që nuk i kanë dhënë si taksë në favor të buxhetit të shtetit, por i kanë në xhepat e tyre, në tryezat e tyre. Ndërsa vlera e pronës së tyre, e rivlerësuar, është rritur me 155 miliard lekë ose 1.5 miliardë dollarë. Për shkak të rivlerësimit dhe formalizimit, shqiptarët janë në statistikë, në vlerësim të pronës së tyre, 1.5 miliardë dollarë më të pasur. Për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, Ministria e Financave inicioi shtyrjen e afatit për rivlerësimin deri më 31 maj të vitit 2017.

Një politikë tjetër që ju keni patur shumë pyetje dhe pikëpyetje, është materializuar në Kuvend javën e kaluar dhe i referohem fshirjes dhe shuarjes së pjesshme të detyrimeve dhe heqjes nga qarkullimi të mjeteve.

Detyrimet tatimore kombëtare dhe vendore që fshihen me dhe pa kusht pagese janë si më poshtë:

  • Për periudhën tatimore deri në 2010, fshihen plotësisht detyrimi tatimor (tatim, taksë, tarifë, kamatvonesë, gjobë), me përjashtim të detyrimit principal për kontributet e sigurimeve.

 

  • Për peridhën tatimore 2011-2014, fshihen gjobat dhe kamatvonesat për çdo lloj detyrimi tatimor, përfshirë dhe për kontributet, me kusht pagesën e principalit brenda datës 31.12.2017.

 

Përfitojnë fermerët:

  • Për të vetëpunësuartit në bujqësi fshihen gjobat dhe kamatvonesat për kontributet e sigurimeve për periudhën 2011-2016, me kusht pagesën e kontributit brenda datës 31.12.2017.

 

Për automjetet:

  • Përfitojnë 120 mijë qytetarë, fshihen rreth 11.9 miliard lekë detyrime.

 

Përfitojnë në total nga ky ligj, gati 200 mijë persona. Fshihen pa kusht gati 29.4 miliard lekë. Fshihen 53 miliard lekë gjoba dhe interesa me kusht pagesën e principalit me vlerë totale 35 miliard lekë. Afati për përfitim nga ligji është deri në 31 dhjetor 2017.

Këto ishin të rejat e fundit për ekonominë. Lajmet për ekonominë vazhdojnë të jenë shumë pozitive. Sic e keni venë re, ekonomia është fshirë nga debati i politikës sepse sa herë që dicka shkon mire, ata që i hedhin baltë punëve heshtin. Nëse do të shkonte diçka keq, sigurisht që çadra sot do ta kishte ditën e “ekonomisë në rënie”. Por reformat, puna e qeverisë, ia ka hequr këtë mundësi dhe favori është për qytetarët shqiptar.

Dua të theksoj që rritja ekonomike prej 3.46% është shumë në krahasim me çfarë gjetëm, është 3.5 herë më shumë, gati e kemi katërfishuar rritjen ekonomike. E katërfishuam, ndërkohë që e gjetëm shtetin të falimentuar, me pamundësi pagese detyrimesh. Sot buxheti i shtetit del me sufiçit primar dhe ka filluar ulja e borxhit pas 10 vitesh rritje, vetëm rritje borxhi, ka filluar ulja e borxhit publik dhe do vazhdojë me një trajektore këmbëngulëse drejt 45%. Në fund të mandatit të dytë, e projektojmë rreth 60 për qind.

E megjithëse është shumë në krahasim me çfarë e gjetëm, rritja ekonomike akoma nuk është mjaftueshëm për qytetarin shqiptar. Prandaj, për Shqipërinë që duam do këmbëngulim për forcim të shtetit, për rritje të punësimit, për mirëqenie!

Reforma në Drejtësi është kyç dhe i kujtoj qytetarët shqiptarë që ata që pengojnë Reformën në Drejtësi dhe Vettingun, pengojnë rritjen e mirëqenies së tyre, pengojnë punësimin e tyre. Është e drejtpërdrejtë. Kushdo që pengon Reformën në Drejtësi, pengon rritjen ekonomike të Shqipërisë, mirëqënien e çdo familjeje, punësimin e çdo individi, forcimin e shtetit. Për Shqipërinë që duam, Reforma në Drejtësi është themelore.

Janë gati 183 mijë vende pune, që së bashku me 30 mijë vende të lira që akoma nuk janë okupuar nga qytetarët, janë gati 210 mijë vende pune të krijuara në një mandat, por është gati 27% për qind e gjithë totalit të punësimit në 20 vite e më shumë nëse doni, të krijuara në një mandat.

Debati ku janë 300 mijë vende pune është realisht infantil. Janë 27 për qind gati vende të reja pune të krijuara në një mandat në katër vite. Besoj që kembëngulja jonë e drejtë, modeste, intensive, e palëkundur për Reformën në Drejtësi, do ta bëj edhe ekonominë shqiptare një ekonomi më të drejtë dhe

Më besoni që punësimi dhe Reforma në Drejtësi, mirëqënia dhe Refoma në Drejtësi, shteti dhe Reforma në Drejtësi, janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Pa Reformën në Drejtësi, nuk do të kemi dot rritje ekonomike. Pa Reformë në Drejtësi, nuk do të kemi dot një shtet, atë shtet që duam, atë Shqipëri që duam. Pa Reformën në Drejtësi, nuk do të kemi dot rritje të mirëqënies për familjet shqiptare. Prandaj ne ngulim këmbë, kushdo që pengon Refomën në Drejtësi, i ka dalë përballë qytetarit shqiptar, duke e penguar atë për punësim, duke e penguar familjen e tij për mirëqënie dhe duke i vënë stërkëmbëshin një shteti, që do të ishte shtet i drejtë në favor të qytetarit.

Faleminderit!