Postuar më: 21 Shkurt 2018

Ministri Ahmetaj pret Presidentin e senatit Çek Milan Štěch. Hapja e negociatave, moment historik për Shqipërinë. Të rrisim interesin e kompanive çeke për tregun shqiptar.

Ministri Ahmetaj pret Presidentin e senatit Çek Milan Štěch,
“Hapja e negociatave, moment historik për Shqipërinë. Të rrisim interesin e kompanive çeke për tregun shqiptar”.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj priti sot në një takim Presidentin e Senatit Çek z. Milan Štěch dhe delegacionin që e shoqëron në vizitën e tij dy-ditore në Tiranë.

Pjesë e delegacionit ishin gjithashtu 13 sipërmarrje çeke dhe kreu i konfindustrisë, zv. ministri i Industrisë dhe anëtarë të tjerë të senatit.

Ministri Ahmetaj bëri një prezantim të përgjithshëm të ecurisë së ekonomisë shqiptare dhe reformave të ndërmarra në 4 vitet e fundit ndërsa theksoi se Shqipëria është në një moment historik në raport me procesin e integrimit në Bashkimin Europian me hapjen e negociatave dhe mbështetja e Republikës Çeke, është shumë e rëndësishme për vendin tonë.

“Ne jemi në pritje të marrjes së vendimit të hapjes së negociatave në mes të këtij viti. Për Shqipërinë është një moment i rëndësishëm historik. Nuk e di nëse arritët ta shikonit Tiranën, por Tirana, Shqipëria, ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Është një vend europian, vetëm 1.5 orë larg Mynihut, një orë larg Romës, një orë e pak min nga Viena dhe në ditën tonë më të vështirë, sërish mbetemi një vend normal europian. Hapja e negociatave është historike sepse psikologjikisht do ta furnizojë vendin dhe rajonin me energji shumë pozitive dhe jam i bindur që rajoni do të përfitojë investime të huaja direkte për të cilat ka shumë nevojë” – tha Ministri Ahmetaj.

Nga ana e tij Presidenti i Senatit çek shprehu gatishmërinë e tij dhe të qeverisë çeke për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit në BE, duke përfituar nga eksperienca e vendit të tij në këtë drejtim.

“Republika çeke e ka deklaruar gjithmonë që ajo mbështet aspiratat e Shqipërisë për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Europian dhe patjetër që me fillimin e procedurave të anëtarësimit, do të krijohen më shumë mundësi për hapjen e tregut dhe ardhjen e investimeve të huaja, e sigurisht atyre çeke”

Zhvillimet ekonomike në të dy vendet por edhe klima e bashkëpunimit, ishin një tjetër çështje diskutimi mes dy palëve.

 “Ne kemi kaluar një proces të vështirë por të domosdoshëm konsolidimi fiskal, rezultatet e të cilit janë sot të reflektuara në terrenin ekonomik. Ekonomia shqiptare po rritet në kufijtë e 4% ndërsa ne synojmë një rritje mesatarisht 4.5-5% në katër vitet e ardhshme, për të arritur nivelin mbi 5.5% në vitin 2021. Borxhi publik ka shënuar rënie me 2.4% në vitin 2017 krahasuar me një vit më parë, ndërsa ky ishte viti i tretë me balancë primare pozitive. Punësimi ka pasur një ecuri mjaft pozitive ndërsa papunësia vijon rënien, në linjë me objektivin tonë për ta ulur atë në nivel një-shifror në fund të katër viteve të ardhshme” – tha Ministri Ahmetaj.

Lidhur me bashkëpunimin ekonomik e shkëmbimet me Republikën çeke Ministri Ahmetaj tha se shifrat janë modeste, por në rritje.

“Unë besoj se kemi një moment shumë të mirë për të rritur interesin e kompanive çeke në tregun shqiptar. Investimet e huaja direkte nga Çekia janë në nivele shumë modeste, 52 milionë euro. Ndërsa në aspektin tregtar, tendenca është pozitive. Eksportet u rritën nga 10 milionë euro në vitin 2016, në 17 milionë euro në vitin 2017, ndërsa importi është rritur në nivele nga 28 milionë në 2015, në rreth 42 milionë në 2017. Pra, në dy vite ka një rritje shumë serioze” – theksoi z. Ahmetaj që përsëriti ftesën e tij për nxitjen e investimeve çeke në Shqipëri.

“Kemi marrëveshje reciproke të mbrojtjes së investimeve, marrëveshje të rëndësishme të eleminimit të taksimit të dyfishtë dhe të parandalimit të evazionit fiskal që ndihmojnë edhe interesin, marrëveshje të bashkëpunimit ekonomik, dhe marrëveshjen që firmosëm në 2015 për bashkëpunimin në fushën e turizimit.

Po ju them një kuriozitet nga takimi me nje grup të madh kompanish italiane. Kishim 220 kompani italiane në Tiranë dhe jo pa qëllim iu tregova dy sete artikujsh të mediave italiane. Artikuj të viteve ’92 dhe ’97, ku për Shqipërinë flitej vetëm si burim emigracioni, dhe artikuj të sotëm, ku pa asnjë ekzagjerim flitet për Shqipërinë në mediat italiane si shtëpia e dytë e italianëve, ku mund të vish, të punosh, të studiosh, të fitosh, të pushosh, në mënyrë të shkëlqyer. Ka një numër shumë të madh turistësh çekë që vizitojnë Shqipërinë çdo vit dhe jam i bindur që historitë e tyre janë spektakolare” – tha Ministri.

Nga ana e tij z. Štěch theksoi se Çekia është e interesuar të intensifikojë bashkëpunimin e saj me Shqipërinë.

“Ne nuk jemi në atë nivel që kemi qenë 10 apo 15 vite më parë, kur vinim në Shqipëri për të shitur produktet tona, por jemi në një nivel kur kërkojmë partnerë për të bashkëpunuar në të ardhmen me njëri-tjetrin.

Një nga fushat ku mendoj duhet të zhvillohet bashkëpunimi dypalësh, është bujqësia. Shqipëria është një vend që prodhon produkte, fruta e perime me kualitet të lartë. Ne si shtet nuk kemi mundësi të kemi produkte në atë cilësi, ndaj besoj që produktet tuaja bujqësore mund të vijnë në Republikën Çeke apo në vendet e saj fqinje.

Fusha e dytë ku ne mund të bashkëpunojmë, është turizimi. Populli çek është një popull që ka dëshirë të udhëtojë. Ne kemi interes të njohim vendet e BE, Amerikën, Azinë dhe shumë çekë kanë interes të njohin Shqipërinë.

Shqipëria është një vend me det të mrekullueshëm, ofron turizmin malor që është interesant dhe mendoj se ka shumë mundësi për bashkëpunim në këtë fushë mes nesh. Është mirë për turistët çekë të vijnë në Shqipëri dhe është mirë për ekonominë shqiptare të ketë sukses në ofrimin e shërbimeve për turistët” – përfundoi Presidenti i Senatit çek.

***

Më herët gjatë paradites zhvilloi punimet sesioni i pestë i bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Çeki, u zhvilluan takimet B2B mes sipërmarrjeve çeke dhe atyre shqiptare dhe u firmos Protokolli i Bashkëpunimit Ekonomik mes dy vendeve.